Dy shqiptarët të cilët masakruan 17-vjeçarin shqiptar në Itali, Ismail Luli, kanë treguar përpara hetuesve detajet e krimit makabër.
“E vrava i vetëm. E çova deri tek kisha dhe më pas e lidha pranë kryqit. E bëra për ta trembur” është shprehur 20-vjeçari Igli Meta në prani të avokatit të tij duke treguar të gjithë detajet se si vrau shokun e tij më 21 korrik përgjatë një lumi në fshatin San Martinos në Itali.
20-vjeçari Meta ka pranuar se e ka kryer krimin për motive xhelozie pasi dyshonte se Ismail Luli kishte marrëdhënie me të fejuarën e tij një 19-vjeçare nga Maqedonia e quajtur Ambra.
Madje për të lehtësuar pozitat e të dyshuarit tjetër Marjo Mema, shqiptarit tjetër të vënë në pranga si bashkëpunëtor në këtë krim, Meta ka thënë përpara policisë se e ka kryer i vetëm vrasjen, por rrëfimi i tij nuk e ka bindur aspak policinë.
Të dielën pasdite Igli dhe Marjo e ftuan Ismailin, shqiptarin i cili jetonte në Itali me nënën dhe motrën e tij, për të bërë një shëtitje përgjatë lumit në zonën e San Martinos. Ata u takuan në stacionin e autobusit ku muaj më parë Ismaili njohu Ambrën dhe shkëmbyen numrat e telefonit.
Të rinjtë shqiptarë e çuan Lulin pranë pyllit të San Martinos. Më pas viktima është lidhur me litar në gjoks, në një kryq pranë një kishe dhe është goditur më shkelma dhe grushte nga Igli Meta. Vrasësi donte që Luli të pranonte para një dëshmitari se kishte pasur marrëdhënie me të fejuarën e tij 19-vjeçare. Pas mohimeve të Lulit, Meta humbi logjikën dhe e theri atë me thikë. Përpara se të kryente vrasjen Igli Meta kishte marrë më parë pohimin nga e fejuara e tij se kishte pasur marrëdhënie me Lulin.
Më pas vrasësi e ka zhveshur lakuriq Lulin duke ja futur rrobat e gjakosura brenda një qeseje të zezë që është gjetur më vonë nga policia si provë krimi. Policia arriti të lokalizonte vendndodhjen e Metës nëpërmjet celularit të tij.