Dy nga gazetarët e emisionit satirik dhe investigativ italian “Iene” (hijenat) kanë shkuar dje në Spanjë për t’i dorëzuar një trofe disi special pilotit spanjoll Marc Marquez. Arsyeja ishte, sipas dy gazetarëve, mungesa e “fair play” nga ana e pilotit spanjoll karshi Valentino Rossit, që duelon ende për titullin kampion. Por ky udhëtim dhe takimi me pilotin spanjoll nuk ka patur atë fund që dëshironin hijenat, që në fund kanë përfunduar në spital.
Në një deklaratë publike për mediat bërë nga drejtuesit e emisionit sportiv italian, thuhet: “Shkuam në zonën pranë shtëpisë së familjarëve të pilotit, ku takuam Marc Marquez, babanë dhe vëllanë e tij si dhe një mikun e tyre. Kur u përpoqëm t’u dorëzonim atyre kupën tonë (në formë penisi), u sulmuam dhe në përleshje ata na thyen telekamerën dhe na morën skedat video. Me sa duket donin një ”kupë” më të madhe”, thuhet në deklaratën e emisionit “Iene”, që shtojnë se dy gazetarët, Stefano dhe Alessandro, kanë shkuar në spital për t’u mjekuar nga dëmtimet e marra.
Por krejt ndryshe e kanë transmetuar lajmin në Spanjë mediat vendase, sipas të cilave piloti spanjoll është sulmuar me dashje nga dy gazetarët italianë. Sipas “Marca”, piloti spanjoll është bërë viktimë e një sulmi agresiv e dy gazetarëve. Ai është nxjerrë me forcë nga banesa, e kanë shtyrë dhe fyer në shtëpinë e tij, duke e dëmtuar në fytyrë dhe qafë. Sipas “Marca”, ky është edhe versioni i policisë vendase, që ka ndërhyrë për të evituar tensionimin e mëtejshëm të situatës. Pra, duket qartë që “lufta” e nisur një javë më parë në Sepang vijon ende dhe tani janë shtuar edhe “ushtarët” në betejë. (Telesport)