Në Komunën e Skenderajt nuk flasin shumë për vizitën e hetuesve të Task Forcës kundër Korrupsionit që ia kanë bërë këtij institucioni lokal dhe të cilët kanë marrë shumë dosje për t’i hetuar.
“Zëri” shkruan se kjo gjë sipas zyrtarëve komunalë të Skenderajt ka ndodhur para më shumë se katër muaj, jo tani, dhe ka të bëjë me pronat komunale që janë dhënë në shfrytëzim për 99 vjet, por edhe për disa raste të tjera, me të cilat Komuna nuk ka të bëjë fare.
Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, i habitur me lajmin se Komunën e Skenderajt e kanë vizituar hetues të Task Forcës Kundër Korrupsionit e të cilët “kanë marrë edhe dosje të tenderëve të dyshimtë të rrugëve dhe të shkollave”, ka mohuar kategorikisht informacionet që kanë dalë në opinion për hetime për raste të reja, për tenderë të dyshuar të rrugëve dhe të shkollave.