Ish-kreut të Prokurorisë së Elbasanit duket se nuk i ka mbetur rrugë tjetër veçse të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës, ku ka edhe emërimin, për të vazhduar detyrën si prokuror.
Në një deklaratë për mediat pasi dorëzoi kallzimin penal ndaj kryeprokurores Arta Marku në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Dritan Gina tha se “me kokëfortësi nuk mund të pretendoj të rri në prokurorinë e Elbasanit por këtu është bërë për të thënë “Shqipëri hesapi”.
‘Unë nuk mund të pretendoj të rri në atë prokurori për shkak se puna e prokurorit nuk shihet vetëm me punën hetimore që bëhet. Ka të bëjë me një sërë të drejtash dhe detyrimesh që kanë të bëjnë me raportin administrativ me përfaqësimin e institucionit të prokurorisë në raport me të tretët dhe kjo ka të bëjë natyrisht me veprime me thesarin e shtetit që është në varësi të Ministrisë së Financave, që ka të bëjë me gjithë mirëfunksionimin dhe mirëorganizimin e prokurorisë. Për këtë shkak firma ime nuk njihet më nga këto institucione. Gjithashtu kjo ka të bëjë më vërtetimet që marrin qytetarët të ndryshëm në institucionin e prokurorisë për shkak se janë të dënuar përsa i përket gjendjes së penalitetit, vërtetime që përdorën në zyrat e shtetit, zyra këto që nuk e njohin më emërimin tim si drejtues i asaj prokurorie’, deklaroi Gina.
I pyetur nëse shpreson për një hetim real nga Krimet e Rënda, ai deklaroi: “Bëra detyrën që më cakton ligji dhe që e ndjej se është e drejtë për tu bërë”.
Reagimin e tij të një dite më parë, Gina e konsideroi një reagim të një profesionisti. Ndërkohë sqaroi edhe çështjen e çelësave të zyrës.
“Më vjen keq që përfaqësues të popullit marrin përsipër të flasin në emër të përfaqësuesve të shtetit që jemi ne prokurorët, duke pretenduar ligjshmërinë e gjithë këtij procesi dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse kthehen në personazhe të denjë për revisten ‘Kunji” të Haxhi Isufit.
Ajo që u keqinterpretua nga ana juaj dje se unë nuk dorëzova zyrën e shtetit, mbylla dyert me çëlës dhe budallallëqe të këtij lloji. Unë jam profesionist dhe i nënshtrohem vetëm Kushtetutësdhe ligjit. E kuptoj që me kokëfortësi dhe duke zbatuar ligjet në këtë vend nuk çahet.
Mënyra që zgjodha dje nuk është mënyra që unë dua të mbaj zyrën e shtetit por mënyra e reagimit të një profesionisti, një prokurori që nuk mund të lejojë askënd të më nëpërkëmbë mua dhe kolegët e mi.
U bëj thirrje të gjithë kolegëve në Shqipëri, që të mos lejojnë të nëpërkëmben nga shokët e partisë. Ata janë prokurorë të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Gina
a.ç