Ka marrë të tjera përmasa tubimi për vrasjen e Klodian Rashës në Shkodër, ku protestuesit kanë bastisur selinë e PS-së duke hyrë në godinë e duke u vënë flakët orendive.
Më konkretisht ata kanë nxjerrë nga dritarja kompjutera, karrige, apo edhe flamuj e banderola të Partisë Socialiste, duke u vënë flakën.
Zjarr i madh është ndezur para godinës. Tashmë në vendngjarje kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që po shpërndajnë turmën me gaz lotsjellës.
Protestuesit janë larguar për disa minuta, duke u spostuar disa dhjetëra metra dhe kanë hyrë nëpër rrugica, ndërsa ka dhe efektivë policie të shpërndarë. Protestuesit janë afruar sërish duke hedhur kapsolla. Zona përreth ku po protestohet është mbuluar nga tymi teksa forcat zjarrfikëse po shuajnë zjarrin tek selia e PS.
Më herët protestuesit, kryesisht të mitur, sulmuan me gurë dhe sende të forta godinën duke thyer xhamat dhe derën e saj. Protestuesit shkatërruan gjithashtu tabelat e reklamave si dhe kazanët e mbeturinave në rrugë.
Tubimi i sotëm në Shkodër vjen në një ditë kur protesta për vrasjen e Klodian Rashës ka hyrë në ditën e katërt.
g.kosovari