Tre studentet që kanë ndarë për një vit qiranë e shtëpisë me vajzën që u vetëvra dje Ida Xherahu, janë thirrur veç e veç në Polici për të dëshmuar rreth ngjarjes. Sipas policisë vajzat kanë qenë mjaft të tronditura nga ngjarja, që ato kanë shpjeguar se nuk e prisnin, pasi shoqja e tyre nuk i kishte bërë ndonjëherë të dyshojnë se mund të kryente një veprim të tillë.
Atyre u është treguar edhe letra e lamtumirës që 20-vjeçarja kishte lënë para vetëvrasjes dhe ato kanë identifikuar shkrimin si të sajin, pa ngjallur dyshime se mund ta kishte shkruar dikush tjetër. Ndërsa emri “Xhoi” që përmendej në atë letër, nuk u thoshte asgjë, pasi shoqja e tyre nuk ua kishte përmendur asnjëherë.
“Ne e dinim që ajo kishte një lidhje dashurie, por me një djalë. Nuk e kishim idenë që ajo mund të pëlqente femrat, të paktën jo në këtë formë”, janë shprehur vajzat. Ndërsa kanë shtuar se pavarësisht se ajo u kishte thënë se dilte me një djalë, të cilin e kishte të dashur, asnjëherë nuk u kishte folur për të dhe nuk ua kishte thënë as emrin e tij.
“Nuk e dimë emrin e djalit që ajo thoshte se e kishte të dashur. Nuk na e kishte thënë, madje as nuk na e kishte prezantuar, siç na ndodh ne të tjerave që të takohemi ndonjëherë edhe si çifte. Por që të dashuronte një vajzë, këtë nuk e kishim menduar asnjëherë dhe as nuk na e kishte lënë të dyshonim për këtë”, kanë deklaruar tri shoqet e viktimës.