Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, (AMF) Ervin Mete prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit gjatë vitit 2019, ndërsa u ndal në masat që janë marrë për zbutjen e efekteve të pandemisë COVID-19 në tregjet nën mbikëqyrje.
Gjatë fjalës së tij, Mete tha se, “Autoriteti i ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje, që të kenë funksionale planet e vazhdimësisë për menaxhimin e krizave, duke detajuar të gjithë elementët logjistik, teknik e financiar për përballimin e efekteve të mundshme, si dhe të vlerësojnë efektet e pandemisë për konsumatorët”.
“AMF ka marrë vendimin që deri në fund të këtij viti, të mos ketë asnjë shpërndarje të dividentit nga shoqëritë nën mbikqyrje, në mënyrë që kapitalet të mbeten në sistem ndërsa po vijon monitorimi i likujditetit të sigurimeve dhe i fondit të pensioneve vullnetare. Tregu i sigurimeve ka qenë më i ndikuari nga pandemia, por me masat e marra në 6 mujorin e parë të këtij viti rënie ishte në tregues të ulët. Ndërsa tërheqja nga fondi investimeve nuk e cenoi shëndetshmërinë e tregut”- tha Mete.
Përsa i përket ecurisë, gjatë vitit 2019, ai theksoi se tregu i sigurimeve, i kapitaleve dhe fondeve të investimeve dhe pensioneve private, patën ecuri pozitive.
“Gjatë vitit 2019 u paguan rreth 604 milionë lekë dëmshpërblime me objekt Fondin e Kompensimit. Ndërsa referuar dëmeve nga tërmeti i shtatorit dhe nëntorit, që ishin ngjarje të vitit të shkuar, vlera e kërkesave për dëmshpërblim arriti nivelin 475 milionë lekë për ngjarjen e 21 shtatorit dhe rreth 3.65 miliardë lekë për ngjarjen e 26 nëntorit, – bëri të ditur ai.
Sipas tij, ngjarjet e tërmetit nxorën në pah domosdoshmërinë e zgjerimit të mbulimit të sigurimit të pronës, duke qenë se afro 2.5% e banesave kanë një mbulim të tillë.
Mete informoi Kuvendin edhe në lidhje me masat rregullatore të ndërmarra nga Autoriteti pas dy katastrofave natyrore për të garantuar shëndetshmërinë e tregut të sigurimeve, duke rritur me 34.4% provigjonet teknike, krahasuar me vitin 2018, që përbën rritjen më të madhe të realizuar ndonjëherë ndër vite.
Ai tha, Autoriteti ka ndjekur rekomandimet e progres raportit të KE-së mbi bazën e prioriteteve. “Dy ligjet e miratuar së fundi për investimet kolektive dhe për tregjet e kapitalit përafrojnë në një masë të gjerë legjislacion tonë me atë të BE-së dhe modernizojnë sistemin”- u shpreh kreu i AMF-së.
Mete tha se, për periudhën në vijim në fokus do të jenë vëmendja për nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare që mbikëqyren, mbrojtjen e interesave të investitorëve dhe respektimi i ligjit.
“Synojmë hartimin e Strategjisë së re për rritjen e besimit të konsumatorit ndërsa synojmë të përmirësojë planet e vazhdimësisë së biznesit për subjektet nën mbikëqyrje, duke arritur njëkohësisht një përputhshmëri të lartë me standardet ndërkombëtare të sigurimeve dhe të tregjeve të kapitalit,” – deklaroi kreu i AMF-së, Mete.
/a.r