Për të luftuar një valë të dytë të koronavirusit të ri (COVID-19), presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi kufizime të reja, përfshirë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve gjatë natës brenda ditëve të javës, si dhe një kufizim të plotë gjatë fundjavës, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ora policore e përgjithshme do të zbatohet çdo natë gjatë javës nga ora 21 deri në orën 5”, njoftoi presidenti Erdoğan pas një takimi të kabinetit presidencial në Ankara, duke shtuar se ora policore gjatë fundjavave do të zbatohet nga ora 21 të premten deri në orën 5 të hënën.
Përveç kësaj, tha presidenti Erdoğan, për personat 20-vjeçar dhe më të ri, si dhe për ata mbi 65-vjeç do të ndalohet përdorimi i transportit publik. Ai po ashtu theksoi se restorantet do të veprojnë vetëm me shërbime “merr me vete”.
Erdoğan tha se kufizimet e reja do të hyjnë në fuqi që nga dita e nesërme.
Më 20 nëntor, Turqia njoftoi një orë policore të pjesshme vetëm gjatë fundjavave, duke filluar nga ora 20 deri në orën 10, si dhe kufizime të tjera për të frenuar përhapjen e virusit.
Pasi vala e dytë e pandemisë shpërtheu këtë vjeshtë, vendet në mbarë botën kanë rivendosur kufizime në interes të shëndetit publik./a.p