Njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën kanë reaguar për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II. Monarkja u shua në moshën 96-vjeçare. Vdekja e saj do të ketë impakt të madh në jetën e përditshme në Britaninë e Madhe. BBC rendit se çfarë pritet të ndodhë.
Funerali pritet që të bëhet në Westminster Abbey pas 10 apo 11 ditësh. Data do të konfirmohet nga Pallati Buckingham. Më pas do të konfirmohet nga qeveria nëse ajo ditë do të deklarohet zyrtarisht ditë pushimi, që do të thotë se nëse ndodh të gjitha shkollat do të mbyllen.
Flamujt janë valëvitur në gjysmështizë që prej ditës së djeshme në Britani, në të gjitha ndërtesat qeveritare dhe shërbimet publike, si dhe në pallate, pas shpalljes së vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth.
Mijëra njerëz u mblodhën jashtë Pallatit Buckingham dje, me lot në sy dhe kënduan spontanisht “God Save the Queen” kur u publikua lajmi për vdekjen e saj.
“Operacioni Unicorn” për funeralin e Mbretëreshës
Tashmë kanë filluar përgatitjet për funeralin e Mbretëreshës Elizabeth, sipas protokollit.
Mbretëria e Bashkuar po hyn në një periudhë zie 10-ditore, ndërsa disa krerë shtetesh nxituan t’i japin lamtumirën mbretëreshës.
Për shkak se Mbretëresha Elizabeth vdiq në Skoci, operacioni Unicorn pritet të zbatohet për të transportuar trupin në Londër.
‘Operacioni Unicorn’ është pjesë e ‘Operation London Bridge’, i cili përfshin hapat e ardhshëm, atë që do të vijë pas vdekjes së mbretëreshës më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar.
Charles shpallet monark, Liz Truss viziton sot Pallatin Buckingham
Faqja e internetit e familjes mbretërore ndryshoi sfondin e saj në zi në zi. Sot, në orën 10:00 të mëngjesit, mbreti i ri i vendit, deri më tani Princi Charles, do të shpallet zyrtarisht monark i Mbretërisë së Bashkuar nga Këshilli i Fronit.
Tani e tutje ai do të quhet Mbreti Charles III, ndërsa gruaja e tij Camilla Parker Boëles do të mbajë titullin e “bashkëshortes mbretërore”.
Të gjithë burrat e Këshillit gjatë ceremonisë duhet të veshin një kostum mëngjesi me kravata të zeza ose të errëta.
Mbreti i ri më pas pritet t’i drejtojë fjalimin e tij të parë popullit britanik.
Parlamenti do të mblidhet më vonë për të nderuar Mbretëreshën dhe për të miratuar mesazhin e ngushëllimit. Më pas puna e tij do të pezullohet për 10 ditë.
Në orën 15:30 kryeministrja e vendit Liz Truss dhe anëtarët e kabinetit të saj do të shkojnë në Pallatin Buckingham për një takim me mbretin e ri.
Ndeshjet e sportit të parashikuara për të premten janë shtyrë, duke përfshirë ndeshjet e futbollit të Ligës Angleze të Futbollit dhe Ligës së Futbollit në Irlandën e Veriut. Po ashtu janë shtyrë garat me kuaj dhe ndeshjet e golfit.
E papërfunduar do të mbetet edhe etapa e gjashtë e Turit të Britanisë e parashikuar për këtë të premte. Performancat teatrale në Mbretërinë e Bashkuar pritet që të vazhdojnë, por do të mbahet një minutë heshtje. Ndërkohë ceremonia e ndarjes së çmimeve Mercury Music Prize u anulua të enjten në mbrëmje pasi u njoftua lajmi i trishtë.
Sindikata e Hekurudhave, Detit dhe Transportit ka njoftuar se grevat e parashikuara më 15 dhe 17 Shtator do të anulohen në shenjë respekti. Po ashtu janë anuluar greva të tjera që pritej të ndodhnin sot. Të premten do të ketë një shërbim përkujtimor në Katedralen e St. Paul, ku do të marrin pjesë kryeministri dhe ministra të tjerë të lartë.
Të premten, do të bien kambanat në nder të Mbretëreshës në Westminster Abbey, Katedralen e St. Paul dhe Kështjellën Windsor. Po ashtu, në Hyde Park dhe vende të tjera do të qëllohet 96 herë me armë si shenjë e çdo viti të jetës së Mbretëreshës së ndjerë.
Ndërsa qytetarë të ndryshëm kanë vendosur lule jashtë rezidencave mbretërore, ambasadave apo katedraleve.
g.kosovari