Nga Ardit Rada
Konstituimi i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, i cili u pasua me betimin e kryetarit dhe përcjelljen e këtij të fundit në zyrën e re, përforcoi edhe një herë në mendjet e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve mentalitetin se bojkoti është normë që duhet plotësuar në funksion të pluralizmit politik. Për më tepër, ky proces i titulluar bojkot dhe që e ka prejardhjen nga një lloj gjuhe e dheut, është armë demokratike e pranueshme dhe e pandëshkueshme dhe që mund të përsëritet vend e pavend apo me dy, tre, katër… dymbëdhjetë apo infinit standarde. Këshilli Bashkiak i Tiranës, pasi bëri betimin dhe të gjitha procedurat formale për zgjedhjet brenda për brenda, priste kreun e ri të Bashkisë (fjalë kjo që ende nuk dihet përse shkruhet me germë të madhe në mes të fjalisë).
Kësisoj, me përfundimin e procedurave, ardhja e kreut të ri të Bashkisë në ambientet e Këshillit për të bërë betimin e detyrueshëm me ligj, u shoqërua me një bojkot të thatë të opozitës. Anëtarët e saj u dukën qarte se nuk kishin pasur një vendim paraprak për diçka të tillë. U dukën si nga mimika, ashtu edhe nga mos dakordësia me të tyrin Leonard Olli, që e interpretuan me habi të vogla kur dëgjuan se ai e raportoi këtë ‘vendim’. Kjo nismë u vu në dyshim në fraksion të sekondit kur z. Kosovrasti si anëtari më i vjetër i Këshillit dhe i Partisë Demokratike u shtang nga komunikimi publik që Olli bëri. Ky i fundit me shumë gjasa e kishte nga ekzaltimi që për herë të parë ishte i zgjedhur dhe mbi të gjitha (po prap me shumë gjasa) mendoi se nga eksperienca e tij në KQZ-në e Ristanit si Zëdhënës, njeh Kodin, Ligjin, Procedurën e të tjera si këto.
Teksa pretendimi i demokratëve të kryesuar nga Olli si ‘shef grupi’ bazohej në faktin e pjesëmarrjes së ministrit Beldar Çuçi në mbledhje, ata harruan se z. Çcuçi kish marrë pjesë më parë në mbledhjet e Këshillave Berat & Elbasan ku të djathtët nuk bojkotuan. Këto dy shembuj tregojnë se demokratët nuk kanë pasur një vendim partiak për bojkotin, porse dikujt koka i ka marrë erë i rrëmbyer nga emocionet e herës së parë. Por ajo që pritej te ishte ‘Dita e Erionit’ në tregun mediatik, ishte paraprirë me një bojkot tjetër të maxhorancës në nivele të larta. Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi u la batall jo me ndonjë diferencë kohore kushedi se çfarë me bojkotin e këshilltarëve të Tiranës. Parë nga ky këndvështrim, në përpjekje për të dhuruar një ‘Show’ apo siç e kuptojmë më mirë ne shqiptarët ‘për t’ia dhjerë’, përfaqësuesit e opozitës (me o të vogël) u bënë qesharak. Ky vendim i marrë aty për aty jo vetëm nuk do të jetë titull nesër në faqet e shtypit, por as të vetët nuk i ekzalton.
Fjalët e më pasme të Veliajt aq me pak duhet të ekzaltojnë ndokënd. Jo se është i parëndësishëm, sepse Tirana është kryeqytet i mbarë kombit dhe jo vetëm i Shqipërisë, por sepse me të drejtë kolegu Endri Xhafo e quajti një fjalim fushate për arsyet që ai ka listuar dymbëdhjetë orë para radhëve të mia, por edhe Veliaj ka të drejtën e arsyet e veta për çdo germë sikurse edhe përgjegjësinë. Por shkrimi i Xhafos dhe pretendimet e ne skepitkëve të perjetshëm nuk do të kishin më vlerë sepse opozita bëri manovrën shpëtimtare të radhës duke kryer ‘harakirin’ e fundit. Kreu i PD-së doli pasditen e së enjtes në një deklaratë për mediat duke kundërshtuar drejtpërdrejtë një deklaratë të mëparshme të Ramës, po prap për mediat.
Partia Demokratike u mundua në dy apo më shumë forma për t’u distancuar nga humbja e kryeqytetit përmes Bashës që ka si taksiratë të mbajë çdo barrë që prodhojnë ‘ollët’ e tij, pa llogaritur këtu atë thashethemin se Berisha nuk e do dhe mezi po pret të gjejë sebep e t’i bëjë dalje (?!). Kështu, Basha ishte detyrua të fliste në media me gjuhën e një kryeministri të ardhshëm për të mbuluar atë çka i kish ndodhur në politikë si kryetar i shkuar Bashkie, çelësat e së cilës i mbante Enno Bozdo ndërsa Veliaj kish hyrë më parë në ambientet e saj me gjithë shpurën e tij duke shqiptuar me vete fjalët ‘Susam hapu!’. Por kjo hyrje i ngjau atij fragmenti kur Marashi te ‘Tok Jonë’ hyn në Këshill e një personazh episodik ngaqë nuk gjente arsyen sesi kaq gjakftohtë e guximshëm hap derën e zyrës Marashi, nxori fjalët: Tash po plas pushka n’Kshill’.
E pavarësisht vendimit surprizë të Ollit, standardeve të dyfishta demokrate me bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Berat e deri te Basha në rolin e komentuesit të komentuesit, qytetarët shqiptarë i ndan e i bashkon fjala ‘bojkot’. Kjo terminologji e demokracisë dhe që nuk ndëshkohet dot kurrë. Ndërkohë, ajo çka kanë kërkuar e kërkojnë votuesit ka qenë e është e thjeshtë si e vërteta.