Biletat, Ministria: Ja si të mbroheni nga abuzimet e agjencive të udhëtimit
Agjencitë shqiptare të udhëtimit nuk i garantojnë qytetarëve elementët bazë që duhet të ketë një kontratë e këtij shërbimi: transparencën e informacionit, përgjegjësinë e organizatoreve/shitësve, sigurimin në rastet e falimentimit, por çështë më e rëndësishmja, mungojnë kontratat me shkrim pas akordit të palëve. Shqetësimi shprehet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, e cila përmes një broshure të publikuar në faqen e saj zyrtare, u sqaron qytetarëve të drejtat dhe veçanërisht detyrimet ndaj tyre nga agjencitë e udhëtimeve pas lidhjes së një kontrate.
“Pavarësisht se deri më sot kemi një numër të limituar ankesash pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit (KMK) përsa i takon praktikave tregtare në paketat turistike, duket që shqetësimet kryesore lidhen me mungesën e transparencës në informacionin e treguar në broshura apo në informacionin parakontraktor, mungesën e kontratës me shkrim pas akordit të palëve, përgjegjësinë e organizatoreve/shitësve si dhe sigurimin në rastet e falimentimit”, thekson broshura.
Të drejtat dhe detyrimet parakontraktore dhe paskontraktore
Detyrimet për dhënien e informacionit parakontraktor i përkasin si organizatorit ashtu edhe shitësit. Përgjegjësia e të dy palëve apo secilës palë në kontratë është një përgjegjësi solidare. Ofruesi i shërbimit ka detyrimin t’i garantojë konsumatorit çdo informacion të nevojshëm në lidhje me shërbimin e paketës së udhëtimit dhe çmimin përkatës, si dhe mbi çdo kusht tjetër të kontratës së paketës së udhëtimit.
Në rastet kur ofruesi i siguron konsumatorit një material të parapërgatitur, me shkrim (broshurë, fletëpalosje etj.), në të duhet të tregohen, në mënyrë të lexueshme, të kuptueshme dhe të saktë, çmimi i paketës, shuma ose përqindja e çmimit, që duhet paguar në formën e paradhënies dhe kalendari për pagesën e shumës së mbetur; destinacioni dhe itinerari; mjetet dhe kategoritë e transportit që do të përdoren; tipi i strehimit, vendndodhja dhe kategoria dhe klasifikimi turistik, miratimi sipas rregullave të vendit mikpritës; plani i vakteve të ngrënies; kërkesat për pasaportat dhe vizat; data e fillimit dhe e mbarimit të udhëtimit; afati i fundit për informimin e konsumatorit, në rast anulimi të paketës së udhëtimit, nëse për zhvillimin e paketës së këtij udhëtimi kërkohet një numër minimal pjesëmarrësish.
“Në rast të kundërt, ky informacion i hollësishëm duhet të jepet me gojë, gjatë bisedimeve parakontraktore me konsumatorin. Megjithatë, përpara lidhjes së kontratës, ofruesi i shërbimit duhet të njoftojë konsumatorin, me shkrim, për të gjitha kushtet e kontratës, si dhe t’i japë atij një kopje të këtyre kushteve, përveç rasteve të rezervimit në çastin e fundit. Qëllimi i këtyre detyrimeve të palës organizatore dhe/ose shitëse, është që konsumatori të formojë një vullnet të informuar, të lirë dhe të pavesuar duke garantuar kështu efektivisht barazinë kontraktore mes palëve dhe duke shmangur asimetrinë e informacionit që ekziston mes tyre.
“Pasojat e mungesës së informacionit parakontraktor, në varësi të rrethanave, mund të çojnë deri në anullimin e kontratës. Për përcaktimin e këtyre pasojave, për shkak se ato nuk janë të përcaktuara në VKM 65/2009, do të gjejnë zbatim parashikimet e përgjithshme në ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, si p.sh sipas rastit zbatimi i rregullimeve mbi praktikat e padrejta tregtare dhe mbi kushtet e padrejta në kontrata.
Në varësi të rrethanave, për zgjidhjen e konfliktit konkret, mund dhe duhet të gjejnë zbatim përcaktimet e përgjithshme të Kodit Civil lidhur me veset e vullnetit, në rastet kur mungesa e informacionit do të kualifikohet si gabim apo mashtrim” thekson Ministria.