Drejtuesit e Barcelonës po planifikojnë që në vitin 2016 të “blindojnë” katër futbollistët më të mirë të skuadrës, kontratat e të cilëve do të thyejnë shumë rekorde, shkruan të mërkurën e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”. Pas një viti të jashtëzakonshëm ku fitoi të gjithë trofetë e mundshëm, Barcelona do të vendosë standarde edhe sa u përket pagave të futbollistëve. Në vitin 2016, Barça pritet të rinovojë kontratat me Lionel Messin, Neymarin, Luis Suarezin dhe Sergio Busquetsin. “Është vetëm çështje kohe para se Barça të konfirmojë se Messi, Neymar, Suarez dhe Busquets janë blinduar dhe kontratat e tyre do t’i thyejnë të gjitha rekordet”, shkruan gazeta spanjolle.
I pari që do ta vendosë firmën në kontratë është sulmuesi brazilian, Neymar, i cili aktualisht është i lidhur me Barçën deri në vitin 2018. Dëshira e Neymarit për të mbetur në “Camp Nou” deri në vitin 2020 do të realizohet, madje me një kontratë trefish më të mirë.