Për herë të parë, piloti italian Giorgio Riformato, avioni Piper i të cilit ngeci në plazhin e Divjakës, ka dhënë shpjegime para drejtësinë, duke kundërshtuar akuzën dhe duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës. Pasi dëgjoi pretencën e prokurorisë, Riformato i tha dje trupës gjyqësore, se bëri ulje emergjente në plazhin e Divjakës.
“U gjenda në mesin e një vorbulle ajri dhe nuk po arrija ta mbaja nën kontroll avionin. E vetmja zgjidhje që të shpëtoja jetën time, ishte të bëja ulje të detyruar dhe zgjodha të ulem në Divjakë”, theksoi Riformato.
Piloti Italian u tha gjykatësve se nuk kishte dijeni për sasinë e drogës që u gjet në pyllin e Divjakës dhe asesi nuk do të kryente transport me avionin e tij.
“Nuk kam asnjë lidhje me sasinë e drogës në pyll, ndaj vendosa të përballem me drejtësinë, duke kundërshtuar çdo provë që prokuroria pretendon se ka kundër meje”, ka pohuar Riformato. Piloti Italian, ndryshe nga të pandehurit e tjerë shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ka vendosur të ketë një përballje të gjatë me drejtësinë, me pretendimin se është i pafajshëm. Në seancën e radhës gjyqësore, pritet që në procesin ndaj tij të pyetet Saimir Bajrami, i cili në fakt ka pohuar para prokurorëve, se do të bënte trafik droge me avion nga Divjaka drejt Italisë.