Avionë turq kanë kryer për herë të parë sulme ajrore ndaj bazave të Shtetit Islamik në Siri. Ndërkohë, policia turke ka bastisur mbi 100 banesa në Stamboll, duke arrestuar 251 persona të lidhur me grupin terrorist.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e kryeministrit Ahmet Davutoglu. Ditën e enjte, trupat ushtarake turke shkëmbyen zjarr me luftëtarët e ISIS, në afërsi të kufirit sirian, ku si pasojë një ushtar turk mbeti i vrarë.
Ankaraja zyrtare ka vendosur ndërkohë të lejojë Shtetet e Bashkuara të kryejnë sulme ajrore kundër ISIS nga baza ajrore Incirlik, kanë deklaruar burime zyrtare amerikane.
Në bastisjet e policisë në Stamboll u përfshinë 5 mijë agjentë. Gjatë tyre u arrestuan edhe anëtarë të krahut rinor të partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit dhe të një grupi të ekstremit të majtë.
Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu njoftoi se arrestime u kryen edhe në qytetet Ankara e Izmir, si dhe në provincën Sanliurfa, në afërsi të kufirit me Sirinë.
Në deklaratën e saj, zyra e kryeministrit Davutoglu bëri me dije se, avionët “F-16” goditën tre baza të ISIS në Siri. Kjo është hera e parë që Turqia kryen nga ajri sulme në Siri, që kur grupi terrorist nisi avancimin e tij në Irak e Siri në vitin 2013.
Televizioni shtetëror turk saktësoi se avionët nuk e shkelën hapësirën ajrore siriane kur kryen sulmet në qytetin Havar, në afërsi të qytetit turk, Kilis.