Fatos Tarifa – JavaNews.al

Feja dhe arsyeja në sferën publike! Një reflektim pas ndarjes nga jeta të Jürgen Habermas
Një javë më parë u nda nga jeta, në moshën 96 vjeç, Jürgen Habermas, një figurë qendrore në traditën e Shkollës së Frankfurtit dhe njëri prej filozofëve dhe intelektualëve publikë më të shquar e më të cituar të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të. Habermas dha një kontribut të jashtëzakonshëm në debatin bashkëkohor mbi shoqërinë civile, demokracinë dhe modernitetin. Ndarja e tij nga jeta është cilësuar si “fundi e një epoke”, për shkak të kontributin e tij të jashtëzakonshëm në teorinë kritike dhe në mendimin demokratik. Eseja “Feja dhe arsyeja në sferën publike”, shkruar nga Prof. Tarifa, evokon dhe reflekton mbi pikëpamjen habermasiane mbi besimin, racionalitetin, modernitetin dhe demokracinë bashkëkohore.

Nga Fatos Tarifa

Të gjitha luftërat kulturore kanë pasur dhe kanë në themel të tyre konfliktin mes dy mënyrave radikalisht të kundërta të të kuptuarit të botës: njëra esencialisht empirike, tjetra dogmatike. Ky ka qenë dhe mbetet konflikti mes shkencës dhe besimit fetar, mes natyrores dhe të mbinatyrshmes. E vetmja zgjidhje politike që mund t’i jepet një konflikti të tillë në frymën e liberalizmit demokratik është ajo që mundëson krijimin e një sfere publike të paanshme, ku secili botëkuptim të ketë realisht mundësinë të afirmojë vërtetësinë e vet.

Diskursi publik në një epokë postmetafizike

Ekzistenca e një sfere publike të tillë dhe vetë shoqëria pluraliste, në të cilën jetojmë sot, shpeshherë rrezikohen nga ambicie autoritariste për konformitet ideologjik. Një rrezik i tillë mund të mënjanohet, ose të përballohet vetëm nëse, në veprimtarinë tonë promovojmë empirizmin, si bazë e njohjes dhe e dijes, dhe jo besimin e verbër te dogma dhe tek autoritetet.

Çështja, sidoqoftë, është shumë më e komplikuar se kaq dhe, siç do të vë në dukje më poshtë, unë, ashtu si Jürgen Habermas, mendoj se feja nuk mund dhe nuk duhet të përjashtohet nga diskursi publik.

Këtu unë nuk trajtoj dallimet mes shkencës dhe fesë si sisteme epistemologjikë, një subjekt me të cilin jam marrë më parë, por përqendrohem në dy çështje që kanë të bëjnë, e para me rolin e fesë, sekularizmin dhe raportet e tyre me shtetin ligjor dhe sferën publike, dhe tjetra me marrëdhëniet mes fesë dhe sekularizmit me arsyen dhe të mirën publike.

Në veprën e tij Feja dhe racionaliteti: Ese mbi arsyen, zotin dhe modernitetin (2002), Habermas ka argumentuar se “trajektorja e historisë na ka sjellë sot në një moment të tillë epokal, kur gjuha metafizike humbet kohezionin e vet, fragmentohet dhe çmitizohet dhe, prandaj, ajo ose duhet t’i provojë pretendimet e saj mbi të vërtetën, ose duhet të zëvendësohet nga një arsyetim postmetafizik”.

Habermas mendonte se sfida e teologjisë, religjiozitetit, filozofisë, çdo forme të menduari dhe çdo diskursi ka të bëjë me atë se si një model i dhënë mund të justifikojë pretendimet e veta ndaj së vërtetës, për shkak se mbizotërimi i teknologjisë në kulturën dhe në jetën e shoqërive perëndimore bashkëkohore na shtyn që t’i refuzojmë zgjidhjet metafizike të atyre gjërave, që në kohën tonë mund të shihen vetëm si probleme reale të kohës.

Sipas tij, sot jetojmë në një “epokë post-metafizike”, kur besimi modern është bërë refleksiv dhe është në tërheqje për shkak se, në një “shoqëri homogjenizuese të medias, gjithçka humbet gravitetin, ndoshta edhe vetë Kristianizmi i institucionalizuar”. Habermas insistonte në idenë se, ndonëse “triniteti jo i shenjtë i Kolonializmit, Kristianizmit dhe Etnocentrizmit” është trajtuar nga kërkimi kritik, kërkimet mbi këtë subjekt nuk kanë dhënë shumë rezultat për shkak se “imazhi retorik që përçon ky trinitet—ai i tregut të lirë, i të drejtave të njeriut, i egalitarizmit, i universalizmit etj., “është pa ndonjë alternative të qartë”.

Dy botëkuptime të kundërta që bashkëjetojnë

Përderisa shkenca dhe feja vazhdojnë e do të vazhdojnë të bashkekzistojnë në shoqëri, çështja shtrohet se si mund të arrihet një bashkekzistencë paqësore mes këtyre botëkuptimeve të kundërt, prej të cilëve njëri është esencialisht natyralist, ndërsa tjetri mbinatyralist.

Një bashkekzistencë e tillë në Perëndim, në kohën tonë nuk do të ishte problematike po të mos bëhej fjalë për dëshirën evangjelike për të universalizuar besimet e gjithkujt, dëshirë e cila mund të thuhet se i ngjan një mentaliteti totalitarist. Motoja e evangjelistëve fundamentaliste është kjo: Të tjerët duhet të besojnë njëlloj si ne, ngaqë një pluralitet botëkuptimesh krijon dyshime mbi të vërtetën.

Përpjekja për të krijuar një konformitet botëkuptimor fetaro-ideologjik manifestohet shpeshherë në përpjekje për të shtypur forcërisht pikëpamjet e kundërta (si, për shembull, xhihadistët islamikë, për të cilët “qafirët”—të pabesët—nuk meritojnë veçse vdekjen), ose për të konvertuar njerëz me një botëkuptim të ndryshëm fetar në fenë e tjetrit.

Po të mos kishte forca fanatike që insistojnë në idenë dhe përpjekjen që të gjithë duhet të kemi të njëjtin botëkuptim me ta (përndryshe meritojmë “të vdesim”), nuk do të kishte arsye të shqetësoheshim për një bashkekzistencë mes botëkuptimeve të ndryshme dhe individëve, ose grupeve shoqërorë që i bartin ato.

Nëse problemi vazhdon të jetë shqetësues edhe në kohën tonë, që është koha e një zhvillimi të paparë në shkencë e në teknologji, kjo ndodh për shkak se fanatizmi fetar vazhdon të ekzistojë e të jetë i rrezikshëm për shoqërinë.

Qytetërimi modern – një qytetërim juridik, jo teologjik

Nga pikëpamja politike dhe ajo e sigurimit të harmonisë sociale, qëndrimi më i drejtë për zgjidhjen e problemit të bashkëjetesës së botëkuptimeve të ndryshme fetare dhe atyre jofetare do të ishte që politika (dhe shteti si instrument i saj), të qëndrojnë ideologjikisht neutralë, të mos përzihen në çështjet e fesë, por të mundësojnë krijimin e një sfere publike për realizimin e interesave dhe mbrojtjen civile dhe juridike të të gjithë qytetarëve të vet, duke mos mbështetur dhe duke mos u ndikuar nga asnjë kozmogoni e veçantë.

Dallimet mes botëkuptimeve të ndryshme duhet të debatohen brenda kësaj sfere publike, pa pjesëmarrjen e shtetit në të. Si individ dhe si qytetar, çdokush është, ose duhet të jetë absolutisht i lirë që të besojë si të dojë mbi formën më të lartë ekzistenciale të realitetit (natyra apo perëndia).

Në të vërtetë, liria e besimit dhe pluralizmi ideologjik janë një element qendror i pavarësisë dhe i lirisë individuale të njeriut dhe një kusht esencial për krijimin dhe mbrojtjen e demokracisë liberale. Nga ana tjetër, në çdo shoqëri demokratike, neutraliteti ideologjik i shtetit është një parim dhe një kusht esencial për sigurimin e lirisë së ndërgjegjes së gjithsecilit.

Në Shtetet e Bashkuara, kjo liri është sanksionuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës, i cili mbron të drejtën e çdo individi që të besojë në çfarëdolloj botëkuptimi (jo vetëm fetar) që ai dëshiron dhe që e zgjedh me vullnetin e tij të lirë.

Dyqind e pesëdhjetë vite më parë, themeluesit e demokracisë amerikane e gjykuan të domosdoshme që ta sanksiononin këtë si një prej të drejtave themelore të njeriut, si reagim ndaj sundimit kolonialist britanik dhe, më pas, ndaj impulseve hegjemoniste të legjislaturave të shteteve të veçanta të federatës amerikane, të cilat rrezikonin t’ia nënshtronin lirinë e individit dhe të drejtat e pakicës “tiranisë së shumicës”.

Një gjuhë politike racionale për realitetin material empirik të shoqërisë

Ndarja e kishës nga shteti me anë të një sfere publike ideologjikisht neutrale u bë (që nga koha e Revolucionit Amerikan dhe e Revolucionit Francez)—dhe vazhdon të mbetet—një parim esencial i çdo forme të demokracisë liberale. Me këto revolucione, qytetërimi modern u bë një qytetërim juridik, jo një qytetërim teologjik.

Në praktikë, një neutralitet i tillë do të thotë—dhe kërkon—që, në hartimin e politikave sociale (për çështje të tilla, si për shembull, aborti, të drejtat e individit ose vdekja me dinjitet), argumentet mbi bazën e të cilave merren vendime, ose votohen ligje, duhet t’i referohen kësaj bote: botës fizike, të përkohshme për secilin nga ne, të cilën e “trashëgojmë” nga paraardhësit tanë, në të cilën jetojmë, të cilën e prekim dhe e njohim përmes shqisave tona dhe e kuptojmë përmes arsyes sonë, si qenie reale të arsyeshme që jemi.

Kjo do të thotë që, cilido qoftë botëkuptimi i individëve që shoqëria i zgjedh për të hartuar e miratuar ligje, politika sociale e për të marrë vendime, të cilat ndikojnë mbi tërë shoqërinë, mbi shumicën e saj, ose qoftë edhe mbi një pakicë, ata kërkohet të veprojnë empirikisht dhe racionalisht, si qenie të kësaj bote reale, empirike, të prekshme.

Një empirizëm pragmatik i tillë është jo vetëm i natyrshëm, por edhe i domosdoshëm në realitetin politik të një shoqërie pluraliste, në të cilën, individët e zgjedhur demokratikisht për të hartuar ligjet dhe për të drejtuar punët e shtetit, duhet të preokupohen për shqetësimet e qytetarëve në realitetin material në të cilin ata jetojnë, dhe jo për atë sferë transcendentale të besimeve të tyre.

Është e kuptueshme—dhe e natyrshme—që një besim fetar të influencojë mbi normat morale të një individi ose të një grupi shoqëror. Por, kur një individ merr pjesë në një debat publik, ose zgjidhet apo emërohet në pozicione publike vendimmarrëse, ai kërkohet që t’i mbështesë gjykimet e veta në arsye dhe në fakte konkrete, në interesa që janë të përbashkëta për individët e të gjitha besimeve fetare, si dhe për ata që nuk besojnë në asnjë fe.

Në një demokraci pluraliste duhet të ekzistojë një gjuhë politike e përbashkët për të gjithë shoqërinë. Kjo gjuhë nuk mund të jetë gjuha e teologjisë dhe asnjë lloj gjuhe tjetër sektare.

Problemi me të cilin ndeshet një shoqëri e hapur është pikërisht ai që kundërshtohet nga çdo sistem totalitarist—bashkekzistenca paqësore mes botëkuptimeve të ndryshme. Empirizmi pragmatik në sferën publike i shërben pikërisht ruajtjes dhe konsolidimit të një shoqërie të hapur, në të cilën pikëpamjet dhe botëkuptimet e çdo individi, të çdo grupi shoqëror dhe të çdo komuniteti janë të garantuara nga totalitarizmi ideologjik.

Raison d’être e çdo totalitarizmi ideologjik—fashist, komunist apo religjioz—është krejt e kundërta: krijimi i një besimi, ose një ideologjie të vetme, e njëjtë për të gjithë, mbi bazën e së cilës të hartohen dhe të justifikohen të gjitha politikat sociale.

Mjetet për realizimin e këtij uniformiteti mund të variojnë nga fushatat propagandistike indoktrinuese paqësore (kjo ka qenë një taktikë e preferuar e komunistëve dhe sot është një taktikë që e përdor e djathta kristiane), te dhuna, burgosjet dhe vrasjet (metoda këto njëlloj të përdoruara si nga komunistët, dhe nga fashistët), apo bombat dhe terrori në shkallë të gjerë (metoda të preferuara të fundamentalistëve fetarë sot).

Pavarësisht mjeteve dhe metodave që përdorin, synimi final i çdo totalitarizmit ideologjik është i njëjtë: të imponojë te të gjithë anëtarët e shoqërisë një pikëpamje të vetme, për ta bërë më të lehtë sundimin mbi ta.

Një shoqëri postsekulariste

Në teorinë liberale, feja trajtohet—para së gjithash dhe kryesisht—si një rast për të argumentuar tolerancën dhe neutralitetin. Ky orientim ka të bëjë, së pari, me vlerësimin e fesë si një çështje esencialisht private dhe, së dyti, me pikëpamjen se feja është, në një farë kuptimi, një “survival” prej një epoke të kaluar dhe jo një fushë që zgjerohet brenda modernitetit.

Si reagim ndaj faktit që në shoqëritë kapitaliste demokratike feja vijon të jetë një faktor në sferën politike, teoricienët liberalë kanë qenë e janë të detyruar t’i pranojnë dhe t’i trajtojnë çështjet e identiteteve e të praktikave fetare si çështje që nuk mund të injorohen.

Mbështetur në pikëpamjet që Habermas ka formuluar dhe argumentuar në shumë prej veprave të tij gjatë më shumë se katër dekadave të fundit, më poshtë shtjelloj shkurtimisht një aspekt që ka të bëjë me marrëdhënien mes fesë dhe arsyes e të mirës publike.

Përpos termave shoqëri “postindustriale”, “postkapitaliste”, “postmoderne”, “posthistorike”, “postnacionale”, “poststrukturaliste”, “posthumane” etj., ka kohë që filozofë dhe sociologë të ndryshëm flasin edhe për një shoqëri, ose për një epokë “postsekulariste”, term ky që për herë të parë është përdorur nga Habermas në librin e tij Diskurs filozofik mbi modernitetin (1987).

Se çfarë kuptohet me “postsekularizëm” është një çështje mbi të cilën debatohet gjerësisht, kryesisht në radhët e sociologëve që studiojnë fenë dhe rolin e saj në shoqërinë e sotme. Disa autorë mendojnë se prefiksi “post” është, në këtë rast, i pasaktë. Të tjerë janë të mendimit se, ashtu sikurse koncepti “postmodern” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj modernitetit, edhe koncepti “postsekularist” reflekton qëndrime të ndryshme ndaj fesë dhe sekularizmit.

Feja, arsyeja dhe e mira publike

Çështjes që shqyrtojmë mund t’i qasemi historikisht dhe filozofikisht duke vënë në dukje rolin që ka luajtur feja, si dhe lëvizjet e herëpashershme për rivitalizimin e saj, gjatë periudhës moderne. Habermas e kritikonte mënyrën se si feja, me pikëpamjet, pozicionin dhe praktikat e saj jo liberale, ndërhyn në politikën bashkëkohore. Por ai vinte në dukje, gjithashtu, se feja ka luajtur e mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm në lëvizjet për paqe, për të drejta civile e njerëzore dhe për mundësi të barabarta zhvillimi.

Një rol të tillë, sipas tij, luajti Reformacioni protestant në jetën e popujve europianë dhe të popujve të tjerë, pasi ajo lëvizje e gjerë brenda fesë së krishterë kontribuoi në zhvillimin e individualizmit, një etike të re pune, autonomisë morale dhe në krijimin e një sfere publike, në të cilën qytetarët mund të diskutojnë lirisht çështje të përbashkëta, duke u bërë bazë për demokracinë moderne. Lëvizjet kundër skllavërisë në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i feve të vogla protestante në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të, përfshirë edhe ato që u frymëzuan nga pikëpamje demokratike, kanë luajtur gjithashtu një rol progresiv.

Habermas vinte në dukje edhe në rolin që ka luajtur spiritualizmi (jashtë ortodoksisë religjioze) dhe marrëdhëniet e tij me Romanticizmin, Socializmin utopik dhe Humanizmin, si edhe rëndësinë që kanë pasur motivet dhe praktikat organizative fetare në një varg lëvizjesh sociale gjatë shekullit të 20-të në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende e rajone të tjera të globit. Në këtë vështrim, mund të thuhet, siç argumenton Charles Taylor, se historia e sekularizimit të shoqërisë moderne ka qenë dhe është jo vetëm historia e rënies së rolit të fesë, por edhe një histori e rritjes së angazhimeve të saj në projektet transformuese të kësaj jete tokësore.

Ajo që përbën thelbin e pikëpamjes habermasiane ka të bëjë, nga njëra anë, me mundësinë që progresi, liria dhe emancipimi të konceptohen qartë në terma thjesht sekularistë dhe, nga ana tjetër, me mundësinë që mes diskursit mbi besimin dhe arsyes publike (po kështu dhe së mirës publike) mund të bëhet—dhe të ruhet—një diferencim i qartë. Habermas theksonte me të drejtë se vetë ideja mbi lirinë dhe emancipimin shoqëror ka lindur dhe është zhvilluar historikisht edhe në kuadër të diskursit fetar në Europë, dhe se, në një masë të caktuar, ky diskurs vazhdon t’i japë përmbajtje kësaj ideje.

Është një fakt i njohur që Theodor Adorno, Max Horkheimer, Herbert Marcuse dhe mendimtarë të tjerë të traditës së Shkollës së Frankfurtit, përfshirë këtu edhe përfaqësuesin më të shquar të brezit të fundit të kësaj tradite, Habermas, e kanë pasuruar përmbajtjen e ideve të tyre filozofike—veçanërisht në periudhën e hershme të krijimtarisë së tyre—duke u mbështetur në traditën fetare, përfshirë edhe traditën hebraike, si edhe në traditën e teologjisë së krishterë dhe në idealizmin gjerman.

Edhe pse Habermas ka pasur një lidhje më shumë historike me Shkollën e Frankfurtit, bazuar në ndërdisiplinaritetin teorik të themeluesve të saj dhe jo specifikisht në zhvillimin intelektual të saj, në esenë e tij filozofike Mes natyralizmit dhe fesë (2008) ai theksonte se “mendimi postmetafizik” dhe arsyeja publike nuk duhen privuar nga resurset e një tradite (fetare), e cila nuk i ka shterur “substancën kognitive” dhe “potencialin semantik” me të cilat ajo mund t’i kontribuojë shoqërisë, përtej një komuniteti të caktuar besimtarësh.

Ky koncept habermasian merr rëndësi të veçantë në ditët tona, pasi jo vetëm që arsyeja publike fiton vlerë nëse integron edhe kontributet që mund të japë feja, por edhe sepse, për të pasur drejtësi politike, kërkohet që diskursi publik të njohë, të tolerojë dhe të lejojë përfshirjen në të edhe të asaj pjese të qytetarëve që besojnë në fe.

Në esenë e tij Feja në sferën publike (2007), Habermas argumentonte se, “Ndërsa qytetarët besimtarë mund të japin kontribute publike përmes gjuhës së tyre fetare, nëse kjo gjuhë përkthehet, qytetarët jobesimtarë duhet të hapin mendjet e tyre ndaj përmbajtjes së vërtetë të mundshme të atyre kontributeve, madje edhe të hyjnë në dialog, përmes të cilit, arsyet fetare mund të bëhen pjesë e argumenteve të aksesueshëm për të gjithë”.

Sidoroftë, edhe pse Habermas kërkonte që feja dhe argumentet e saj të bëhen pjesë e diskursit publik, ai insistonte në konceptin sekularist të shtetit. Sipas tij, ndërsa toleranca zyrtare për forma të ndryshme të praktikës fetare dhe ndarja kushtetuese e kishës prej shtetit janë pozitive e të domosdoshme, këto, në vetvete, nuk janë garanci të mjaftueshme për të siguruar lirinë fetare për këdo.

Një polifoni zërash në sferën publike

“Nuk mjafton të mbështetemi thjesht në vullnetin e mirë të një autoriteti të sekularizuar”, shkruante ai. “Vetë palët në konflikt duhet të arrijnë të merren vesh në lidhje me marrëdhënien mes një lirie pozitive, për të praktikuar cilëndo fe që dëshiron, dhe lirisë negative për të mos u ndikuar nga praktikat religjioze të të tjerëve”.

Habermas theksonte se, “Në qoftë se duam që parimi i tolerancës të qëndrojë mbi çdo dyshim për represion, atëherë duhet të gjenden arsye bindëse rreth asaj se çfarë duhet toleruar dhe çfarë jo, arsye të cilat mund t’i pranojnë njëlloj të gjitha palët”. “Zgjidhje të drejta”, sipas tij, “mund të gjenden vetëm nëse të gjitha palët mësohen të marrin në konsideratë edhe pikëpamjen e tjetrit. Dhe procedura që i përshtatet më së miri këtij qëllimi është mënyra e formimit të vullnetit demokratik përmes marrëveshjes”.

Habermas argumentonte se një “kompleks polifonik zërash publikë” është një kusht i domosdoshëm për krijimin e një sfere publike demokratike, e cila të jetë gjithëpërfshirëse, pra të mos përjashtojë askënd që beson, ose që nuk beson në ndonjë fe.

Brenda kësaj sfere publike, rëndësi esenciale merr parashtrimi dhe mbrojtja e argumenteve pasi, as arsyeja publike dhe as e mira publike nuk mund të bëjnë përpara thjesht përmes tolerancës ndaj pikëpamjeve të ndryshme, por përmes mirëkuptimit të ndërsjellë dhe formimit të vullnetit kolektiv.

A ka vdekur Partia Socialiste?
Nga Fatos Tarifa

Titulli i kësaj analize, në formën e një pyetjeje retorike dhe të një figure gjuhësore, është zgjedhur qëllimisht për të tërhequr vëmendjen e socialistëve shqiptarë dhe të publikut të gjerë mbi gjendjen dhe fatin e Partisë Socialiste. Ai ngre dyshime dhe provokon debat ose kritika mbi gjendjen aktuale të partisë më të madhe në vend dhe mbi shëndetin e demokracisë në Shqipëri. Me këtë titull unë nuk pyes nëse PS ka pushuar realisht së ekzistuari, edhe pse fjala “vdekje” nënkupton fundin e një organizmi të gjallë, siç është, ose duhet të jetë edhe një organizatë politike, por nënkuptoj se PS mund të ketë humbur energjinë, identitetin, besimin dhe shpresën e qytetarëve që e kanë mbështetur dhe e mbështetin dhe e votojnë për të.

Pas këtij sqarimi të nevojshëm, qysh në krye parashtroj një tezë polemike, ose bëj këtë pohim kritik, që nga pikëpamja stilistike dhe retorike mund të konsiderohet si një antitezë paradoksale: Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qysh nga viti 2013, i ka fituar Partia Socialiste, jo kryetari i saj, por vendin nuk e ka drejtuar dhe nuk drejton kjo parti, por kryetari i saj.

Edhe pse PS ka qenë, është e do të mbetet edhe për një të ardhme të parashikueshme partia politike më e madhe në vend, kjo parti nuk ka zë. Në emër të saj flet një njeri i vetëm—kryetari i partisë, në këtë rol dhe, sidomos, në rolin e kryeministrit të vendit. Partia dhe shteti janë bërë një, siç kanë qenë e janë në sistemet autoritaristë.

Në një demokraci funksionale, kur flet partia, lideri dëgjon dhe vepron në përputhje me vijën, sugjerimet dhe direktivat e partisë. Në Shqipërinë e sotme flet vetëm lideri, ndërsa Partia Socialiste hesht. Një e vërtetë që nuk mund të mohohet dhe as të fshihet është kjo: një lider që i trembet mendimit kritik të anëtarëve të partisë, ose të deputetëve të partisë në parlament, i trembet vetë demokracisë dhe nuk e do e nuk punon për të.

Kryetari i PS-së e ka vënë partinë në rresht, i ka disiplinuar dhe regjimentuar anëtarët e saj duke ua mbyllur gojët. Askush në PS dhe në grupin parlamentar të saj nuk guxon të mendojë ndryshe nga kryetari-kryeministër dhe aq më pak të shprehë një pikëpamje të ndryshme nga e tij. Shumica e deputetëve socialistë janë thjesht ushtarë të kryetarit, të komanduar në çdo hap e në çdo gjë prej tij, jo socialistë me bindje, jo mendje të hapura e të lira.

Kryetari e ka shndërruar PS-në nga një organizatë politike, në një strukturë të disiplinuar vertikalisht, ku dominon bindja ndaj kryetarit dhe konformizmi, jo mendimi, fjala dhe debati i lirë. Një parti pa debat është një organizatë pa jetë politike. Dhe në një parti ku guximi për të folur mungon, ose ndëshkohet, fillon të sundojë mediokriteti. Ajo parti nuk është më dhe nuk funksionon si një komunitet politik me demokraci të brendshme. Kulti i së vërtetës dhe kolegjialiteti janë zëvendësuar nga kulti i kryetarit. Dhe më mirë se kudo kjo pasqyrohet në jetën dhe vendimmarrjen e grupit parlamentar të asaj partie. Disiplina është vërtet një normë e çdo partie politike, por kur ajo mbyt mendimin e lirë, bëhet një inkubator dhe instrument i mediokritetit politik.

Momenti kur një kryetar partie fillon të kërkojë më shumë besnikëri prej anëtarëve dhe organeve drejtuese të saj sesa ide, më shumë heshtje sesa debat, është edhe momenti kur ajo parti fillon të varfërohet shpirtërisht. Të mos harrojmë se demokracia e brendshme në parti nuk shuhet me një akt të vetëm; ajo dobësohet e venitet ngadalë—shpesh në mënyrë thuajse të padukshme—sa herë që guximi për të folur zëvendësohet nga konformizmi dhe sa herë që autoriteti i kryetarit ngrihet mbi autonominë e mendimit. Partia mund të duket e fortë por, në thelb, ajo pushon së qeni një bashkësi idesh e parimesh dhe bëhet vetëm një mekanizëm pushteti.

Nën drejtimin e kryetarit aktual të saj, PS dhe, sidomos deputetët e saj, nuk janë më një hapësirë publike e politike e mendimit të lirë, por një kazermë politike, një ushtri konformistësh nën komandën e kryetarit, ku guximi për të mbrojtur idetë dhe parimet socialiste, fjala dhe mendimi kritik sakrifikohen në emër të bindjes ndaj kryetarit.

Deputetëve socialistë kryetari i partisë u kërkon bindje, jo ide. Idetë i ka vetëm ai dhe bën si të dojë. Të tjerët kanë veshë, por jo gojë, duar e kartonë por jo mendim. Në këtë mënyrë, kryetari nuk drejton më një parti politike, por një kazermë. Në një kazermë nuk kërkohet mendim, por urdhër; nuk vlerësohet guximi për të folur, por bindja dhe heshtja.

Një parti politike jeton nga fjala e lirë, nga guximi për të kundërshtuar dhe nga mendimi kritik i anëtarëve të saj. Partitë politike krijohen si bashkësi njerëzish që ndajnë ide, bindje dhe aspirata të përbashkëta, por edhe si hapësira ku këto ide testohen përmes debatit dhe mendimit racional kritik.

Forca e një partie politike nuk qëndron thjesht te programi i saj apo te kryetari, por te liria e brendshme që ajo parti u jep anëtarëve të saj për të menduar, për të kundërshtuar dhe për të kontribuar në formësimin e drejtimit politik të saj. Qysh më 1861, John Stuart Mill, në veprën e tij klasike Konsiderata mbi qeverinë përfaqësuese, argumentonte se cilësia e çdo qeverisjeje dhe e çdo organizate politike vlerësohet nga hapësira që ajo krijon për debat të lirë dhe kritikë të brendshme dhe se pa këtë liri, çdo organizatë rrezikon të bjerë në stanjacion dhe autoritarizëm. Të njëjtën pikëpamje mbronte edhe Walter Bagehot në veprën e tij Kushtetuta angleze (1867), kur shkruante se “liria për të folur, për të kritikuar dhe për të ndikuar në vendimmarrje brenda partisë është një mikrokozmos i lirisë në vetë shtetin”.

Partitë lindin, rriten e zhvillohen nga liria dhe pluralizmi i mendimit; ato varfërohen e vdesin nga uniformiteti i tij. Një parti e fortë nuk është ajo në të cilën të gjithë mendojnë njësoj, por ajo ku askush në parti (dhe as në grupin e deputetëve që e përfaqësojnë atë në parlament) nuk ka frikë të mendojë ndryshe. Uniteti i vërtetë lind dhe ushqehet nga bindja; uniteti i imponuar lind dhe ushqehet nga frika.

Kur liria për të menduar, guximi për t’u shprehur lirisht, dhe e drejta për të kundërshtuar zëvendësohen nga frika, konformizmi dhe disiplinimi vertikal, partia e humbet shpirtin e saj demokratik dhe pushon së qeni një organizatë demokratike. Ajo shndërrohet në një strukturë të centralizuar rreth vullnetit të një njeriu të vetëm. Ky quhet centralizëm autoritarist, ose partitokraci e mbyllur dhe vetë qeveria shndërrohet, siç edhe ka ndodhur realisht te ne, në një aparat personal pushteti.

Kjo dukuri përfaqëson pikërisht atë që, në sociologjinë e organizatave politike, Robert Michels e përshkruan si prirjen e partive politike për t’u transformuar nga institucione përfaqësuese, në aparate të kontrolluara nga një elitë e ngushtë drejtuese, ose nga një lider i vetëm.

Në një parti të tillë nuk kultivohet debati, por heshtja dhe bindja; nuk vlerësohet autonomia e mendimit dhe racionaliteti, por besnikëria ndaj kryetarit. Dhe një kryetar partie, i cili kërkon bindje absolute nga anëtarët e saj, nga organet drejtuese dhe përfaqësuesit e saj në parlament, nuk ndërton dhe nuk drejton një parti politike dhe një qeveri demokratike, por një oborr të vetin, ku mund të sundojë siç do ai vetë, jo siç do të donte masa e gjerë e partisë dhe siç do të ishte në të mirë të interesit publik.

Pikëpamja që unë mbroj dhe shpreh këtu se pa demokraci në parti nuk ka demokraci në qeverisje, mund të jetë normativisht shumë e fortë, por rasti i Shqipërisë ka provuar e provon se ajo është e vërtetë në praktikë. Janë partitë ato që formojnë elitën politike të vendit dhe është demokracia në parti ajo që kultivon kulturën demokratike të qeverisjes. Ata që vihen në krye të qeverisë, si rregull, qeverisin siç kanë mësuar të drejtojnë partinë. Giovanni Sartori, një ndër teoricienët më të shquar të demokracisë, i konsideronte partitë si “instrumentet kryesore të demokracisë”, pasi, theksonte ai, “nëse partitë nuk janë demokratike brenda vetes, i gjithë procesi demokratik komprometohet ngaqë udhëheqja që ato prodhojnë është ajo që qeveris vendin”.

Sa vura në dukje më sipër më sjellin në idenë e “liderit absolut”. Dukuria nuk është e panjohur dhe as vetëm shqiptare. Shumë kryetarë partisë, pasi bëhet kryeministre, kontrollojnë gjithçka: listat e kandidatëve, karrierën politike, vendimet strategjike.

Në Shqipëri, sot është bëtë normë që kryetari i partisë më të madhe, në postin e kryeministrit, kontrollon dhe vendos për gjithçka: çfarë do privatizohet, çfarë do prishet, çfarë do ndërtohen (rrugë, ura, tunele, konvikte studentësh, porte e aeroporte), ku, si, kur dhe nga kush; çfarë ligjesh do ndryshohen, si do të ndryshohen dhe në dobi të kujt; si duhet të jenë shkollat dhe universitetet, si duhet të kualifikohem mësuesit e pedagogët, ç’ditë të vitit duhen shpallur festa zyrtare etj., etj. Te ne, të gjitha këto i di dhe i vendos një njeri i vetëm, kryeministri, edhe pse nuk mbahet mend se kur ka qenë hera e fundit që Partia Socialiste e ka zgjedhuar atë kryetar të saj. Në këta 13 vite, kryeministri që kemi ka bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur ai vetë.

Alibia e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij të afërt servilë se PS ka fituar në katër zgjedhjet e fundit parlamentare dhe, për këtë arsye, kryeministri duhet të mbetet në krye të partisë pa qenë nevoja të rizgjidhet në atë post, nuk është një alibi demokratike.

Në sistemet parlamentarë, mandati nuk i jepet një individi të vetëm, por partisë. Kryeministri është thjesht figura që përfaqëson partinë fituese në zgjedhje të përgjithshme dhe në qeverisjen e vendit pas tyre. Fitorja e një partie politike në zgjedhje nuk mund të përdoret si një alibi për legjitimitet personal, si një fitore individuale e kryetarit të partisë për të justifikuar qëndrimin e vet në pushtet pa asnjë kufizim në kohë. Kjo lloj alibie quhet “retorikë e personalizimit të mandatit”, pasi qëndrimi në pushtet vishet me aureolën e legjitimitetit institucional kur, në fakt, legjitimiteti i fitores në zgjedhje i përket partisë.

Një logjikë e tillë i shërben personalizimit të partisë e të pushtetit, jo institucionalizimit të jetës politike në parti dhe të pushtetit. Dhe në një parlament në të cilin pushteti i kryetarit të partisë personalizohet në figurën e tij si kryeministër, një pjesë e madhe e deputetëve të asaj partie bëhen besnikë ndaj kryetarit, jo ndaj qytetarëve që i kanë votuar. Rrjedhimisht, siç shohim të ndodhë për ditë në Shqipëri, parlamenti dobësohet, ndërsa qeveria bëhet thuajse e pakontrollueshme. Kjo dukuri ndeshet edhe në disa prej demokracive të reja në Europës Lindore por, njëlloj si në periudhën e socializmit shtetëror, edhe në këtë periudhë post-socialiste, Shqipëria “ha bukë veç”, si një rast ekstrem.

Nga një parti, në të cilën mendimi i lirë nuk çmohet e nuk inkurajohet dhe në të cilën kryetari është gjithçka, anëtarët më të mirë largohen, ndërsa mbeten ata që besnikërinë ndaj partisë shndërrojnë në servilizëm ndaj kryetarit të saj. Kryetari mund të mburret se ka një parti “të bashkuar” kur, në të vërtetë, partia është tashmë një organizatë e varfëruar nga mendimi dhe e nënshtruar nga frika.

Si mundet deputetët e saj të përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar kur ata nuk përfaqësojnë dot veten e tyre? Si mundet që ata të flasin në emër të qytetarëve  e të mbrojnë vullnetin dhe interesat e tyre, kur nuk janë të lirë të shprehin e të mbrojnë mendimet e veta? Uniteti i imponuar nga frika nuk është unitet, por heshtje kolektive. Historia politike dëshmon se, shpesh herë, uniteti i imponuar nga lart nuk është shenjë force e vitaliteti, por shenjë e një demokracie të brendshme në agoni, ose ta jetë.

Kur heshtja në parti dhe në radhët e deputetëve të saj në parlament zëvendëson debatin e lirë, guximi për të kundërshtuar kryetarin e partisë perceptohet si devijim nga linja e saj. Edhe pse, siç vura në dukje më sipër, partia mund të duket e bashkuar e në unitet, shpesh kjo është vetëm pamja e jashtme saj. Në të vërtetë, ajo rrezikon të humbasë vitalitetin intelektual dhe moral që e bën dhe e mban një organizatë politike të gjallë.

Partitë që përfundojnë në këtë gjendje nuk janë të afta të ndërtojnë një elitë politike të kualifikuar, të lirë e kritike, por një trupë të heshtur ndjekësish besnikë e të trembur, pa mendim, pa guxim, pa vizion, si kjo elite “socialiste” në parlament dhe në qeveri që sot drejton vendin.

Ata nuk janë më bashkëkrijues të politikës së partisë, por thjesht zbatues të vullnetit të një njeriu të vetëm, kryetarit. Një realitet i tillë ka varfëruar jo vetëm jetën e brendshme organizative, intelektuale e morale të partisë, por edhe vetë kulturën demokratike të shoqërisë.

Nuk duhet harruar se demokracia nuk mësohet vetëm në shkolla, si një teori politike mbi shoqërinë dhe shtetin, por edhe brenda partisë. Studiuesit e politikës i konsiderojnë partitë si “shkolla të demokracisë”. Robert Dahl, një tjetër teoricien i demokracisë ndër më të shquarit, në veprën e tij Poliarkia (1971), argumenton se “demokracia nënkupton një kulturë politike, në të cilën qytetarët trajnohen të marrin pjesë, të diskutojnë e të tolerojnë opozitën. Shkolla të kësaj kulture janë partitë politike”.

Nëse një parti lejon debat të hapur, zgjedhje realisht të lira brenda saj dhe respekton mendimin ndryshe, atëherë anëtarët dhe drejtuesit e saj marrin një kulturë demokratike dhe sillen në mënyrë demokratike. Kjo kulturë demokratike më pas sendërtohet dhe pasqyrohet në mënyrën e qeverisjes. Në të kundërt, një parti e organizuar dhe e drejtuar në mënyrë autoritariste prodhon drejtues që qeverisin në të njëjtën mënyrë.

Nëse vendimet në parti dhe, në emër të saj, nga mazhoranca parlamentare, merren nga një njeri i vetëm, nga kryetari-kryeministër, në mungesë të debatit të lirë, dhe nëse në zgjedhjet për strukturat drejtuese të partisë dhe në ato për organet përfaqësuese qendrore e lokale nuk ka konkurrencë të brendshme, atëherë elita që prodhon “partia” nuk krijohet në mënyrë demokratike dhe, ipso facto, qeverisja në emër të kësaj partie është jo tolerante ndaj kritikave dhe as e shtrënguar të mbajë përgjegjësi.

Siç me të drejtë vinte në dukje Samuel Huntington, “një parti që shtyp mendimin ndryshe brenda radhëve të saj, ka pak gjasa që ta tolerojë atë në qeverisje. Praktikat e mësuara në jetën e brendshme të partive kushtëzojnë dhe orientojnë sjelljen politike në qeverisje”.

Para tij, Maurice Duverger, në veprën e tij tashmë klasike, Partitë politike, argumentonte se, “demokracia e brendshme në parti nuk është një luks, por një parakusht për legjitimitetin e partisë në sytë e elektoratit dhe për funksionimin e demokracisë në shoqëri”.

Të njëjtën ide ka argumentuar sociologu i shquar amerikan Semour Martin Lipset, në veprën e tij Njeriu politik, në të cilën pohon se, “pa demokraci brenda partisë, përvoja e vendimmarrjes demokratike mbetet e kufizuar dhe demokracia në qeverisje vihet në rrezik”.

Në çdo demokraci përfaqësuese, partitë janë porta kryesore për të hyrë në jetën e organizuar politike të vendit, për t’u zgjedhur apo emëruar në organe dhe institucione drejtuese dhe për të marrë funksione politike e përgjegjësi. Kandidatët për deputetë në parlament, ata për një portofol në qeveri apo për poste në institucionet vendore kalojnë pothuajse gjithmonë përmes partive.

Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Te ne, jo vetëm anëtarët e kabinetit qeveritar janë zgjedhja personale e kryeministrit (jo e partisë)—shumë herë emërime surprizë dhe në minutën e fundit për kryesinë e partisë, për publikun e gjerë, por edhe për vetë ata burra e gra, të cilëve kryeministri u ofron një portofol në kabinetin e tij—por edhe anëtarët e parlamentit dhe kryetarët e bashkive që përfaqësojnë atë parti, pa asnjë lloj konkurrence idesh e aftësish dhe pa garë në parti. Shumë prej tyre, madje, nuk i lidh asgjë me Partinë Socialiste.

Në mbyllje, dëshiroj të sqaroj se, gjithçka që kam parashtruar në këtë analizë, motivohet nga kujtimi i prindërve të mi, të cilën e deshën Partinë Socialiste qysh nga krijimi i saj dhe votuan për të deri në frymën e tyre fundit. Por motivohet edhe nga simpatitë e mia politike për këtë parti dhe nga respekti që kam për një numër të vogël deputetësh socialistë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kanë pasur dhe kanë kurajën të mendojnë e të flasin ndryshe nga kryetari i saj.

Retorika e dhunshme e Berishës nga perspektiva e Psikanalizës
Nga Fatos Tarifa

Përsëri dy ditë më parë dëgjuam breshëri molotovësh, pamë zjarr, dhunë, përleshje me forcat e rendit dhe të plagosur në Bulevardin e Madh të Tiranës dhe në rrethinat e Parlamentit. Për 35 vite me radhë, pra për më shumë se një të tretën e një shekulli, në krye të protestave të dhunshme dhe frymëzues i tyre ka qenë dhe është i njëjti njeri―Sali Berisha.

Berisha është epitoma e të gjitha ngjarjeve të dhunshme në këtë vend.

Për të mbajtur pushtetin e vet, ai i vuri flakën Shqipërisë më 1997. Dhe është gati ta bëjë përsëri këtë për ta rimarrë pushtetin në moshën 82 vjeç—20 vjet më i plakur nga ç’ishte gjyshi im kur ndërroi jetë.

Pasi e humbi pushtetin atë vit, u përpoq në vit më vonë, më 1998, të rikthehej në pushtet me dhunë. Dështoi. Këtë përpiqet të bëjë përsëri sot.

Për të mbajtur pushtetin, pasi e rimori atë më 2005, Berisha urdhëroi vrasjen e qytetarëve në bulevard më 21 janar 2011.

Pasi humbi në zgjedhjet e vitit 2013, Berisha është përpjekur me dhjetëra herë të shkaktojë trazira të dhunshme me shpresë se përmes dhunës mund të rikthehet sërish në pushtet, edhe pse historia e këtij vendi i ka larë me kohë hesapet me të.

Berisha është një arsonist, një piromaniak, në kuptimin real të fjalës, siç mund ta gjeni të shpjeguar këtë term në çdo fjalor—një individ që ka një “impuls të pakontrollueshëm për të ndezur zjarre” dhe që “ngazëllehet kur ndez dhe sheh zjarre”—një person që vuan nga piromania. Këtë nuk është sot hera e parë që e them.

Si sociolog, kam qenë gjithnjë i interesuar të kuptoj shkaqet më të thella të sjelljes së dhunshme në shoqëri, sidomos nga individë të veshur me pushtet, ose politikisht të fuqishëm. Kjo dukuri gjerësisht e studiuar ka qenë një subjekt qendror për disa nga mendimtarët më të njohur në shkencat mbi shoqërinë.

Max Weber analizoi mjeshtërisht marrëdhënien mes autoritetit, legjitimitetit dhe përdorimit të dhunës, duke argumentuar rolin e shtetit në monopolin e forcës dhe mënyrën se si drejtuesit e justifikojnë dhunën në emër të ruajtjes së rendit.

Hannah Arendt ofroi një dallim konceptual mes pushtetit dhe dhunës, duke argumentuar se dhuna, si rregull, ushtrohet kur autoriteti humbet legjitimitetin. Analiza e saj mbi totalitarizmin është esenciale për të kuptuar përdorimin e dhunës si një mjet politik nga drejtuesit autoritaristë.

Michel Foucault eksploroi mekanizmat përmes të cilëve pushteti disiplinon, survejon dhe mban nën kontroll qytetarët, duke dëshmuar se si strukturat e autoritetit e normalizojnë dominimin dhe dhunën institucionale.

Nga perspektiva e psikologjisë forensike, Christopher Webster dhe Andrew Welsh kanë argumentuar rolin e karakteristikave të personalitetit dhe të proceseve kognitive në sjelljen agresive të individëve në pozita pushteti.

Adrian Raine, një psikolog dhe kriminolog britanik, në librin e tij të njohur The Anatomy of Violence (2013), ka studiuar predispozitat biologjike të sjelljes së dhunshme, duke argumentuar se faktorët biologjikë ndërveprojnë me mjedisin shoqëror për të prodhuar sjellje agresive, përfshirë edhe sjelljen e individëve në pushtet.

Dhuna është, pra, një dukuri shoqërore komplekse, që nuk mund të shpjegohet me një faktor vetëm individual apo shoqëror dhe as me një situatë të veçantë. Të kuptuarit e dhunës në shoqëri kërkon një qasje ekumenike, shumëdisiplinare. Ajo ka të bëjë me faktorë biologjikë (roli i trurit në kontrollin e impulsive dhe në vendimmarrje, si dhe predispozitat gjenetike që mund të ndikojnë në prirjet agresive); faktorë psikologjikë (tipare të personalitetit, të tilla si impulsiviteti, mungesa e empatisë ose prirjet antisociale, gjendja e shëndetit mendor dhe sjellja e mësuar nga përvojat e hershme të fëmijërisë; faktorë shoqërorë (mjedisi familjar, nëse ai ka qenë abuzues, neglizhues, i dhunshëm, streset socio-ekonomikë, si dhe normat kulturore që mund ta tolerojnë e ta rutinizojnë sjelljen agresive); faktorë situacionalë (kur autoriteti dhe zbatimi i ligjit janë të dobët, duke mundësuar që sjellja e dhunshme të përshkallëzohet).

Retorika e dhunshme, një koncept i rëndësishëm në sociologjinë politike, në shkencën politike dhe në studimet mbi komunikimin, e cila ka të bëjë me gjuhën, simbolet dhe diskursin që nxit, legjitimon ose normalizon dhunën, është një tipar i kahershëm i Sali Berishës. Kjo retorikë ka nxitur e vazhdon të nxitë e të justifikojë sjellje të dhunshme në radhët e përkrahësve të tij, qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo eksponentë të partisë së tij, madje edhe anëtarë të parlamentit nga ajo parti. Në rastin e Berishës, anatomia e retorikës së dhunshme të tij mund të shpjegohet, në këtë apo atë masë, me të gjithë ata faktorë—biologjikë, psikologjikë, shoqërorë dhe situacionalë—që përmenda më sipër.

Retorika e dhunshme e Berishës nga perspektiva e Psikanalizës

Më poshtë përpiqem t’i gjej një shpjegim racional retorikës së dhunshme politike të Sali Berishës në teorinë psikanalitike, mbështetur në idetë e katër prej përfaqësuesve më të shquar të kësaj shkolle—Sigmunt Freud, Otto Gross, Wilhelm Reich dhe Erich Fromm.

Kjo retorikë dhe kjo sjellje, sipas psikanalizës, duhen parë të lidhura me të kaluarën autoritariste të Shqipërisë komuniste dhe me vetë karrierën e Berishës në atë sistem.

Kur në dhjetor të vitit 1990 Shqipëria nisi ndryshimin e kursit të saj politik me krijimin e së parës parti politike opozitare dhe një sistemi politik pluralist, ky ndryshim i papritur e detyroi Sali Berishën, i cili papritur u gjen në krye të opozitës, t’u përshtatej shpejt rrethanave të reja. Ai ndërroi kostumin politik, por stili retorik i tij ruajti tiparet e sistemit të vjetër—i zjarrtë, i dhunshëm dhe tepër polarizues, sipas logjikës së vjetër: Ne dhe Ata, ne kundër atyre.

Retorika e Berishës ishte qysh nga fillimi—dhe ka mbetur edhe sot—një retorikë hibride, e ushqyer dhe nën ndikimin e tre faktorëve kryesorë: (a) tradita autoritariste e Shqipërisë socialiste, (b) e kaluara komuniste e vetë Berishës si një anëtar aktiv i Partisë së Punës dhe (c) nevoja e ngutshme por t’u “transformuar” nga një komunist, në një demokrat në mënyrë që të merrte pushtetin dhe ta mbante atë duke mobilizuar një mbështetje të gjerë popullore.

Këto rrethana bënë që retorika politike e Berishës të artikulohej dje—siç vazhdon të ndodhë edhe sot—në tri “gjuhë”, që e bëjnë atë një retorikë eklektike: gjuha e vjetër komuniste (konfrontuese), gjuha e re demokratike (një terminologji e re, si pluralizëm, demokraci, të drejtat e njeriut) dhe një gjuhë ideologjike e politike që varion mes së Majtës dhe të Djathtës, sipas rrethanave, kontekstit dhe interesave imediate.

Në çdo rast, retorika politike e Berishës mbetet e dhunshme dhe kjo shpjegohet me këta faktorë:

Së pari, ajo është vazhdimësi e një tradite autoritariste, nga e cila Berisha nuk mundi të shkëputej kurrë. Si e tillë, kjo retorikë, siç e gjejmë thuajse në të gjitha fjalimet e Berishës, shpesh pasqyron stilin konfrontues e militant të Enver Hoxhës dhe të kuadrove të tjerë të periudhës socialiste.

Së dyti, retorika e dhunshme e Berishës synonte mbijetesën politike të tij në një sistem demokratik të brishtë, pasi ajo mund të mobilizonte një farë mbështetje popullore dhe të delegjitimonte rivalët e tij politikë.

Së treti, kjo retorikë e dhunshme e polarizuese i ka shërbyer Berishës edhe si një narrativë për “transformimin” e tij personal, pasi, duke i paraqitur  kundërshtarët e vet në terma ekstremë, ai synonte të krijonte imazhin e tij si lideri që e shkëputi Shqipërinë nga socializmi shtetëror, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta e organike të mëparshme me atë sistem.

Të gjitha sa thashë më sipër gjejnë një shpjegim racional në teorinë e Psikanalizës. Më poshtë përpiqem ta ilustroj këtë argument me idetë e disa prej përfaqësuesve më të shquar të kësaj shkolle.

Sigmunt Freud e shihte retorikën e dhunshme në politikë si shprehje e agresionit të sublimuar, si kanalizim i instinkteve primordialë të dhunshëm në forma shoqërisht të pranueshme, siç janë fjalimet apo denoncimet politike. Sipas tij, retorika e dhunshme shpesh është një projektim i konflikteve të brendshme të një individi te kundërshtarët e vet.

Në rastin e Berishës, Freud do të thoshte se gjuha e tij e ashpër e konfliktuale është një farë eksternalizimi apo projektimi i tensioneve të pazgjidhura nga e kaluara e tij komuniste. Freud argumentoi se njerëzit përsërisin modele nga jeta e tyre e hershme dhe, nga ky këndvështrim, stili konfrontues i Berishës duket se pasqyron diskursin autoritarist të mjedisit shoqëror në të cilin ai u rrit, tashmë në një kontekst demokratik.

Otto Gross argumentoi se retorika e dhunshme në politikë mund të kuptohet si simptomë e shtypjes dhe si një formë e shtrembëruar rebelimi kundër saj. Ai argumentoi se sistemet autoritaristë prodhojnë personalitete neurotikë që lëkunden mes nënshtrimit dhe dominimit. Nga ky këndvështrim, retorika e dhunshme e Berishës mund të konsiderohet si produkt i kësaj patologjie të formuar nga e kaluara komuniste e Shqipërisë dhe e vetë Berishës.

Gross besonte se shëndeti i vërtetë psikologjik kërkon çlirimin e prirjeve instinktive nga kufizimet autoritariste. Sot ai do të thoshte se gjuha e dhunshme e Berishës mund të konsiderohet si një çlirim i dështuar, pasi ajo karakterizohet sërish nga dhuna dhe dominimi. Ashtu si Freud, Gross do të thoshte se retorika e Berishës rezonon ende te një masë jo e vogël e shqiptarëve pasi ajo pasqyron një traumë psikologjike të pazgjidhur për mjaft prej tyre.

Wilhelm Reich solli konceptin e “armaturës së karakterit” (character armor), si një strategji për t’u mbrojtur psikologjikisht e për të përballuar shtypjen. Ai do të thoshte sot se në sistemin autoritarist të socializmit shtetëror, Berisha mund të ketë internalizuar modele të ngurtë e  konfrontues të të folurit si mekanizma mbrojtës, ndaj edhe retorika e tij e dhunshme nga viti 1990 deri më sot mund të shihet si një manifestim i këtij personaliteti të “blinduar”.

Në veprën e tij të njohur Psikologjia masive e fashizmit, Reich argumentoi se liderët autoritaristë mobilizojnë ndjekësit e tyre përmes një gjuhë emocionale e shpesh herë të dhunshme. Retorika politike e Berishës i ngjason këtij modeli, pasi ajo synon të ushqejë emocione që i orientojnë ndjekësit e tij fanatikë në veprime të dhunshme ndaj institucioneve dhe forcave të rendit.

Erich Fromm, në librin e tij Arratisja nga liria, argumentoi se individët shpesh kanë frikë nga liria e vërtetë sepse ajo sjell pasiguri dhe përgjegjësi. Në shoqëritë që dalin nga një e kaluar autoritariste, si Shqipëria pas vitit 1990, liderët e rinj mund të rikthehen te retorika autoritare si një mënyrë për të ofruar siguri psikologjike. Fromm e përshkroi personalitetin autoritarist si një individ që njëkohësisht i nënshtrohet autoritetit dhe dominon mbi të tjerët.

Fromm do të thoshte sot se e kaluara komuniste e Berishës ka ushqyer tek ai pikërisht këtë dualitet, dikur iu nënshtruar Partisë në të kaluarën dhe duke synuar të dominojë sot partinë e tij dhe kundërshtarët e vet politikë përmes një retorike të ashpër e të dhunshme. Fromm vuri dukje, gjithashtu, dallimet mes prirjeve afirmuese të jetës (biofili) dhe atyre shkatërruese (nekrofili), çka mundëson që retorika e dhunshme e Berishës të kuptohet se reflekton një orientim nekrofilik, të kapurit pas kontrollit, dhunës dhe shkatërrimit, në vend të hapjes, rritjes e zhvillimit.

Me kohë kam vënë në dukje se, me retorikën dhe demagogjinë e tij dhe me pushtetin që mori në fillim të viteve 1990, Berisha krijoi për veten kultin e një demokrati, të një lideri pro-amerikan dhe të një patrioti të pakompromentueshëm. Ky kult është provuar se ishte i rremë. Berisha nuk është—dhe as ka qenë ndonjëherë—as një demokrat i vërtetë, as një pro-amerikan i vërtetë, as një patriot i vërtetë.

Berisha nuk la gjë pa bërë që brenda e jashtë vendit që të besohej se ai ishte dhe mbetet  “heroi” i demokracisë shqiptare. Shumë njerëz naivë e besuan këtë dhe ka ende nga ata që e shohin Berishën si një “hero”. Në fakt, Berisha nuk ka asgjë të përbashkët me heronjtë e vërtetë; ai, përkundrazi, është bërë sot antiheroi i kohës sonë.

Është e çuditshme se si Berisha, nga një individ thuajse i panjohur për publikun deri në fundin e viteve 1980, përveçse si një mjek—dhe si sekretar i organizatës së partisë (komuniste) të punës në spitalin ku ushtronte profesionin e tij—u shfaq në skenën e politikës shqiptare krejt papritur, me imazhin e një intelektuali disident antikomunist (pa qenë as edhe një ditë të vetme i tillë) dhe pretendoi se themeloi të parën parti opozitare antikomuniste në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990. Në fakt, ishin të tjerë individë ata që e organizuan dhe e drejtuan lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, e cila çoi në galvanizimin e skenës politike shqiptare, në krijimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në zgjedhjet e para demokratike dhe në rënien e sistemit socialist.

Berisha ishte një free rider. Ai diti të shfrytëzojë përpjekjet e të tjerëve pa rrezikuar vetë asgjë, për të fituar gjithçka për vete. Humbi në zgjedhjet parlamentare të vitit 1991, por fitoi në zgjedhjet e një viti më vonë dhe u bë presidenti i parë i Shqipërisë postsocialiste.

Në Poloni, e para qeveri postsocialiste, e krijuar në vitin 1989, zgjodhi në krye të saj një individ si Mazoviecki, një prej figurave qendrore të lëvizjes opozitare “Solidarnost”, i burgosur nga regjimi i Jaruzelskit në fillim të viteve 1980, ndërsa president i parë i atij vendi u bë udhëheqësi kryesor i “Solidarnostit”, Les Valesa, edhe ky i burgosur në të njëjtën kohë dhe, në liri, shumë herë i papunë nën atë regjim.

Në Çekosllovaki, presidenti i parë pas rënies së socializmit shtetëror në atë vend u zgjodh Vaslav Havel, një dramaturg disident dhe një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, i burgosur edhe ky disa herë nën atë sistem. Më vonë, pas ndarjes së Çekosllovakisë në dy shtete më vete përmes një marrëveshjeje paqësore që u konsiderua si një velvet divorce, Havel u zgjodh presidenti i parë i Republikës Çeke.

Në Bullgari, gjithashtu, njeriu që u bë presidenti i parë postsocialist i atij vendi, Zhelyu Zhelev, kishte qenë më parë një disident.

Po Berisha? Nga mbiu ai?! Ai kurrë nuk kishte qenë një disident në periudhën e diktaturës së proletariatit. Përkundrazi, Berisha ishte dhe mbeti deri në përmbysjen e sistemit të vjetër një komunist parimor, sektar, militant dhe karrierist, me fjalë të tjera, shëmbëlltyra më e shëmtuar e një komunisti bolshevik në karakter, në mentalitet dhe në sjellje.

Berisha nuk e pa kurrë qelinë e burgut të diktaturës, as edhe portën e rajonit të policisë, dhe nuk provoi asgjë nga vuajtjet që përjetuan në Gulagun shqiptar mijëra kundërshtarë të regjimit politik në Shqipëri. Përkundrazi, Berisha hynte e dilte në dyert e bllokut famëkeq të udhëheqësve komunistë kryesorë dhe u bë një “mik” servil i fëmijëve të tyre.

Nëse Berishës mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë në periudhën që i parapriu lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe fillimit të tranzicionit politik në Shqipëri, kjo meritë do të ishte nuhatja e tij për të ndier së largu rrezikun që vjen, prénë që afrohet dhe—në rastin e tij—mundësinë që ofron një rrethanë e re dhe një mjedis i ri politik për të realizuar synimet e veta.

Prognozë retrospektive: Berisha si histori e së shkuarës

Berisha arriti të bëhej një ndër ata tre individë që kanë dominuar historinë politike të shqiptarëve qysh nga krijimi i shtetit tonë të pavarur më 1912. I pari ishte Ahmet Zogu (1924-1939), si kryeministër, si president dhe, më pas, si një mbret i vetëshpallur. Pas tij ishte Enver Hoxha (1944-1985), kreu më i lartë i Partisë (komuniste) të Punës dhe de facto kreu i të gjitha pushteteve në sistemin e socializmit shtetëror, i ashtuquajtur “demokraci popullore”. Fill pas tij erdhi Sali Berisha (1991-2013), si president e më pas si kryeministër i vendit dhe, për periudhën më të gjatë të kohës, si kreu i opozitës në Shqipërinë postsocialiste.

I pari, Zogu, ishte dhe mbetet një figurë shumë kundërthënëse. Ai e uzurpoi pushtetin me dhunë, i ndihmuar nga forcat jugosllave dhe rusët e bardhë, asgjësoi kundërshtarët politikë kryesorë të tij, burgosi shumë të tjerë dhe, më në fund, si mbret, e braktisi vendin në prag të pushtimit fashist italian, në vend që të organizonte e të drejtonte rezistencën e armatosur të popullit të vet kundër atij pushtimi.

Hoxha sundoi me dorë të hekurt për dyzet vite me radhë, por, siç kam argumentuar në studimin tim “Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë”, ky njeri dhe sistemi politik që ai krijoi dhe drejtoi me metoda autoritariste kishin, për një farë kohe—pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri aty nga fillimi i viteve 1960—një farë legjitimiteti që u venit dhe humbi krejtësisht më pas për arsye politike, ekonomike dhe ideologjike, të cilat i kam shpjeguar hollësisht në atë studim. Sot, nga një distancë e mjaftueshme në kohë për të gjykuar e vlerësuar me ftohtësi, figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë e pranishme, provokuese, kundërthënëse dhe polarizuese në narrativën postsocialiste dhe në debatin publik e atë akademik që zhvillohet në vendin tonë.

Kur bëhet fjalë për Berishën, ky njeri, në gjykimin tim, simbolizon tiparet më të këqija karakteriale të mbretit Zog dhe të diktatorit komunist Enver Hoxha. Këto tipare të tij i kam përmbledhur shkurtimisht në një ese botuar 13 vite më parë, titulluar “Prognozë retrospektive: Berisha në historinë e së shkuarës”.

Në atë ese kam argumentuar se fakti që një “prognozë” retrospektive dhe ahistorike nuk mund të verifikohet empirikisht nuk do të thotë se një prognozë e tillë nuk mund të bëhet. Në atë kohë kam parashtruar katër propozime, (ose hipoteza) lidhur me modelin e liderit politik që përfaqëson z. Berisha, të cilat, edhe pse nuk mund t’i provoj dot, i konsideroja atëherë, siç i konsideroj edhe sot, të vlefshme nga një perspektivë logjike e historike.

1. Sikur Berisha të kishte hyrë në historinë politike të shqiptarëve fill para, gjatë, ose pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shëmbëlltyra politike e tij do të kish qenë Esad Pashë Toptani (jo Ismail Qemali).

2. Sikur Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1920 ose 1930, ai, njëlloj si Ahmet Zogu, do të ishte vetëshpallur “mbret i shqiptarëve”. Dhe, njëlloj si Toptani e Zogu, për të marrë pushtetin dhe për ta ruajtur atë, do t’u kishte falur shteteve fqinjë më shumë se sa Shkodrën, Vermoshin, Shën Naumin dhe pjesë të hapësirës shqiptare në Detin Jon, dhe do të ishte sjellë po njëlloj si ata ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke i asgjësuar ata.

3. Sikur Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1944-45, ai do të ishte bërë një diktator edhe më brutal se sa Enver Hoxha.

4. Sikur Berisha të kishte munguar në këto tri dekada e gjysmë të tranzicionit postsocialist në Shqipëri, sot nuk do të ishim në këtë pikë ku jemi―dhe, ndoshta, as do të kishim në krye të qeverisë një kryeministër si ky që kemi sot.

Pa Berishën dhe shkatërrimet e tij, Shqipëria do të kishte bërë një progres shumë më të madh. Politika e Berishës, siç kam shkruar edhe 20 vite më parë, kur ai ishte kryeministër, i ngjante më shumë autoritarizmit të Hugo Çavezit (edhe pse pa naftën e tij), sesa ishte një politikë demokratike e largpamëse, si ajo që i ka bërë shumë vende të Europës Lindore pjesë të Bashkimit Europian.

Pyes veten: Ishte fati ynë apo zgjedhja jonë që e polli Sali Berishën dhe e ngriti atë në fronin më të lartë të shtetit më 1992?

Nëse ishte thjesht fati, ky paskësh qenë një fat shumë i keq. Por, unë nuk besoj në fat; në rastësi, po. Sidoqoftë, rasti Berisha nuk mund të shpjegohet me parimin hegelian të filozofisë së historisë, se domosdoshmëria e çan rrugën e vet përmes rastësisë. Sepse hyrja e një njeriu si Berisha në politikën shqiptare dhe ardhja e tij në krye të shtetit mund të ishin çdo gjë, por jo një domosdoshmëri historike. Madje as mund të shpjegohet me konceptin kantian të “domosdoshmërisë empirikisht të shkaktuar”, për të cilin fliste Kanti në Kritikën e arsyes së kulluar.

Nëse ishte zgjedhja jonë, kjo ka qenë zgjedhja më e keqe, më e gabuar, më iracionale që një popull mund të bëjë. Zgjedhjet që bëjmë, sidoqoftë, rrallë herë janë fatale. Të gabuara, po. Të dëmshme, gjithashtu. Tragjike, disa herë po. Por rrallë herë janë fatale. Sepse, pasi kemi nxjerrë mësime prej zgjedhjeve të gabuara të së shkuarës, mund të heqim dorë e të bëjmë zgjedhje të reja, më të informuara, më të arsyeshme, më të dobishme.

Këtë bëmë kur Berishën e rrëzuam dy herë nga pushteti—më 1997 dhe 2013. Në këto trembëdhjetë vitet e fundit, Berisha është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet për t’u rikthyer në pushtet me çdo mënyrë e me çdo mjet, me demagogji dhe dhunë, por ka dështuar ta arrijë këtë me të vetmen rrugë legjitime—zgjedhjet e lira demokratike.

Berisha humbi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013; humbi përsëri në zgjedhjet e vitit 2017; humbi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe përsëri humbi në zgjedhjet vitit të shkuar. Ai, siç e kam cilësuar me kohë, meriton të quhet “humbësi i madh”.

Shumica e shqiptarëve duket se kanë nxjerrë mësime nga zgjedhjet e gabuara të së kaluarës dhe, më në fund, e kanë ndarë mendjen: Berisha është kohë e shkuar! Berisha është kthim pas! Berisha është pa të ardhme. Unë jam shprehur me kohë se Berisha, në fakt, është një fatkeqësi kombëtare.

Me këtë nuk dua të them se zgjedhjet e viteve të fundit kanë prodhuar qeverisjen më të mirë që duan shqiptarët dhe për të cilën ka nevojë vendi për t’u bërë pjesë e BE-së. Shkalla e lartë e korrupsionit, i cili është bërë endemik dhe ka prekur çdo nivel të organizimit shtetëror, përhapja e gjerë e krimit të organizuar dhe një parlament, cilësia e të cilit, pas çdo legjislature, ka ardhur duke rënë, në atë shkallë sa sot në të gjen lloj-lloj klounësh cirku, e kanë bërë shumë të vështirë jetën e qytetarëve dhe të pashpresë të ardhmen për shumë prej tyre.

Unë dua të besoj, siç besojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve, se prania e Berishës në politikë si kreu i opozitës dhe dhuna si gjuhë, si mentalitet dhe si metodë e tij, e “legjitimojnë” qeverisjen e keqe të socialistëve në kushtet e mungesës së një opozite të vërtetë demokratike. Edhe për këtë arsye, veç dhunës që ai shkakton, Berisha vazhdon të jetë një e keqe e madhe për këtë vend.

Me largimin e tij le të shpresojmë se do u vijë fundi edhe zjarreve e dhunës në rrugët e Tiranës dhe do të shohim një qeveri—cilëndo qeveri—që do të jetë më e përgjegjshme se kjo që kemi sot dhe e më e vendosur për t’i luftuar korrupsionin dhe krimin.

Bisedë me Volterin
Nga Fatos Tarifa

Epoka e Iluminizmit ka qenë dhe mbetet një ndër më interesantet në historinë e njerëzimit. Figura qendrore dhe, padyshim, më e shquara e asaj epoke ishte Volteri, ndaj edhe, shpesh herë, ajo është quajtur l’époque de Voltaire. Për më shumë se gjysmë shekulli kam lexuar shumë nga veprat dhe letrat e tij dhe gjithnjë kam mbetur i mahnitur nga thellësia e mendimit, nga stili i tij dhe besimi që ai kishte tek Arsyeja dhe tek e Vërteta. Leximi i veprave të Volterit ka nxitur shpesh herë një monolog të brendshëm tek unë, sepse idetë e tij të angazhojnë, të vënë në punë mendjen e të bëjnë të reflektosh për kohën e tij dhe për kohën tonë.

Ky monolog i vazhdueshëm më krijoi së fundmi një dëshirë të habitshme për të komunikuar me këtë champion de la raison et de la tolérance, siç me të drejtë është quajtur ai. Një dëshirë e marrë, por kokëfortë, këmbëngulëse. Iu nënshtrova kësaj dëshire pa shumë rezistencë, si një ushtrimi të dobishëm intelektual, dhe e lashë të lirë imagjinatën. Produkt i saj është kjo bisedë me Volterin një mbrëmje në Paris, në një kohë pa datë, në Café Procope, kafeja e tij e preferuar në 13 Rue de l’Ancienne-Comédie, të cilën e ndaj sot me lexuesin.

Au Café Procope

Monsieur de Voltaire, mirë se vini në shekullin e 21-të! Si ishte rrugëtimi juaj në kohë?

Volter: I jashtëzakonshëm. Në Paris ndien më pak erë kuajsh dhe më shumë aromë kafeje të djegur. E quani kafe këtë që pini?

Po. Njerëzit sot nuk jetojnë dot pa të. Në Amerikë madje kanë një shprehje: There’s no life before coffee, edhe pse kafeja që pinë atje nuk i afrohet aspak kafesë që pihet sot në Napoli, në Tiranë apo në Paris. Thonë se kafeja të nxit në punë, motivon bisedat…

Volter: Dhe mediokritetin, ma ha mendja. Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë.

Keni të drejtë. Por mendoj se as kjo kafé, që me sa kam lexuar është më e vjetra në Paris, nuk ka ndryshuar qysh nga koha kur këtu vinit ju. Kjo është arsyeja që ju propozova të takoheshim në këtë vend.

Volter: Ah, Kafé Prokop! Nuk mund të zgjidhnit një vend më të mirë në Paris për këtë bisedë. Ky lokal nuk është thjesht një kafé; është një monument i arsyes, i rebelimit dhe i kafesë së pjekur aq fortë, sa në kohën time zgjonte mendjet e fjetura. Këtu e pinte kafenë në vitet e tij të fundit La Fonteni; këtu unë debatoja për pushtetin e mbretërve dhe stilin e satirës me mendje të tjera të ndritura, si Didëroi, d’Alamberi, Rusoi (kur ky i fundit nuk ishte shumë sentimental dhe dramatik), apo Benxhëmin Franklin, që erdhi në Paris si i pari ambasador i republikës së sapo formuar amerikane.

Edhe Franklin vinte në këtë kafe?

Volter: Po. Këtu jam takuar me të për herë të parë. Franklin ishte një njeri i rrallë. Jo vetëm ishte i ditur në shumë fusha, por kishte edhe një mendje të mprehtë, një humor të hollë dhe një ironi therëse. Këto më pëlqenin shumë tek ai. Fatkeqësisht unë isha 83 kur u njoha me të dhe pas kësaj nuk jetova veç disa muaj më shumë. Kjo kafé ishte një vend i mendimtarëve iluministë. Të gjithë ne i kemi ngrohur me frymën dhe mendjet tona këta mure. Këtu debatoheshin ide që ndiznin mendjet e filozofëve të rinj. Por, më shumë se kjo—dhe më ndjeni për sentimentalizmin tim—Prokop më sjell ndër mend shumë kujtime. Më kujton gishtërinjtë e llangosur me bojë, sepse këtu kam shkruar shumë nga letrat e mia, të qeshurat tona më të mprehta e më therëse sesa tehu i sëpatës së gijotinës dhe guximin që duhej për t’ua thënë të vërtetën në sy njerëzve të fuqishëm në pushtet me një filxhan të vogël kafeje përpara. Njëherë e një kohë, priftërinjtë e konsideronin kafenë si pijen e të pabesëve, e njerëzve që nuk besonin në fe. Tani ata vetë e pinë kafenë në kisha e katedrale në intervalet mes lutjeve. Kështu ka ecur përpara njerëzimi: herezia e djeshme dhe e sotme bëhen zakonet e së nesërmes. Por, në kohën time, kafeja këtu ishte aq e mirë, sa unë pija 40 të tilla në ditë, përzier me çokollatë. Të porosisim një kafe para se të nisim bisedën tonë e të shohim si e bëjnë sot. Me kënaqësi vura re kur hyra se kësaj dhome që ju zgjodhët të ulemi, i kanë venë emrin tim. Ja tek është edhe një prej skrivanive të mia. Njëlloj siç ka qenë. Nuk besoj se do të kisha ardhur me kaq kënaqësi në një takim si ky diku tjetër në Paris—në Versajë jo e jo. Atje fjalët fshihen pas maskave, këtu fjalët marrin kuptimin e tyre të vërtetë.

Përshkrimi juaj më sjell të gjallë në përfytyrimin tim atë kohë dhe këtë kafé-seli të Iluminizmit. Pas jush, siç kam lexuar, kjo kafé u bë vendi ku vinin Dantoni dhe Robespjeri, frymëzuesit dhe aktorët kryesorë të revolucionit që përmbysi monarkinë në Francë, por që u bënë edhe viktimat e atij revolucioni. Këtu vinin edhe Napolon Bonaparti, Viktor Hugo dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit tuaj. Mund të ishim takuar edhe në Gjenevë, ku ju keni jetuar për shumë vite me radhë, por nuk mësova dot një kafé që të kish qenë vendi juaj i preferuar.

Volter: Oh, jo. Marrëdhënia ime me Gjenevën ka qenë krejt tjetër nga ajo me Parisin. Gjeneva ishte kalviniste, konservatore dhe unë jam përplasur shpesh me autoritetet e atij qyteti për teatrin dhe për lirinë e fjalës. Veç kësaj, kafetë publike në Gjenevë nuk kishin atë rol të rëndësishëm në jetën intelektuale të atij qyteti si në Paris. Në atë vend unë i prisja miqtë në sallonet e rezidencës sime në Les Délices, jashtë Gjenevës. Nuk e di nëse ajo ndërtesë ende ekziston.

Sigurisht që po. Është shndërruar në një institut dhe në shtëpi muze—Institut et Musée Voltaire—pjesë e Bibliotekës së Gjenevës.

Volter: Më vjen mirë që e dëgjoj. Më në fund, Gjeneva është miqësuar me mua. Por, më thoni, ju lutem, diçka për veten tuaj, veç atyre që më shkruanit në ftesën që më bëtë. Më thatë se jeni nga Shqipëria dhe kjo më bëri kureshtar.

Po, nga Shqipëria, për të cilën ju edhe keni shkruar në veprën tuaj Ese mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve.

Volter: Shqipëria e Skënderbeut! Po, kam shkruar për vendin tuaj si një vend malor me burra trima dhe për heroin tuaj kombëtar. Kam thënë se ai e pengoi ekspansionin osman drejt Europës në shekullin e 15-të dhe për një kohë të gjatë e mbrojti Krishterimin nga ushtritë e sulltanëve osmanë. Jam njohur në atë kohë me kronikat turke sepse, si historian, isha i interesuar të kuptoja ndikimin që ka pasur ekspansioni osman në historinë e Europës deri në fund të shekullit të 17-të, kur ushtria osmane u thye në portat e Vienës, më 1683. Për Skënderbeun kam shkruar me admirim. Kam thënë se ai lindi në Shqipëri, në atë kohë pjesë e Epirit, një vend i njohur qysh nga kohët e lashta heroike të Greqisë e të Romës. Me këtë emër, Iskander, e pagëzoi sulltani për aftësitë e tij ushtarake të jashtëzakonshme, të ngjashme me ato të Aleksandrit të Madh. Kam shkruar se si Skënderbeu, falë mençurisë, guximit dhe trimërisë së tij, mori Krujën dhe i bashkoi shqiptarët për të penguar avancimin e ushtrive të mëdha turke drejt Europës përmes Italisë dhe Mesdheut perëndimor. Ai kë qenë një shembull i shkëlqyer se si një udhëheqës i mençur dhe trim mund t’i rezistojë një perandorie të madhe. Për shqiptarët kam thënë se, në atë kohë, ata njiheshin si ushtarët më të mirë në atë pjesë të botës. Rezistenca që u bënë turqve për një kohë të gjatë dëshmon se kanë qenë vërtet të tillë.

Një vlerësim i tillë më bën të ndihem mirë dhe fakti që për Shqipërinë dhe Skënderbeun keni shkruar në një nga veprat tuaja më të rëndësishme ka pasur dhe ka një domethënie të madhe historike për ne shqiptarët. Ndoshta e dini se Antonio Vivaldi shkroi dhe vuri në skenë, në Firence, në vitin 1718, një opera titulluar “Skënderbeu”, kushtuar heroit tonë kombëtar.

Volter: Jo, nuk kam dëgjuar për të. Italinë (dhe Firencen) i kam vizituar në fund të viteve 1720, por nuk kam dëgjuar për këtë opera. Për Vivaldin po, por krijimtaria e tij mbeti e panjohur për mua dhe nuk kam shkruar asnjëherë për këtë kompozitor, edhe pse, veç shumë veprave dramatike—tragjedi dhe komedi—unë kam shkruar edhe disa librete operash.

Këtë e kam mësuar më vonë. Fillimisht ju kam njohur përmes Kandidit, që ndoshta është vepra juaj më e njohur, të cilën e kam lexuar të përkthyer në shqip kur isha nxënës në shkollë të mesme. Nuk do të kisha marrë guximin t’ju ftoja dhe as ta nisja këtë bisedë me ju pa lexuar këtë libër, si dhe disa prej veprave tuaja më të mira—Letrat mbi kombin anglez, Fjalorin filozofik, Esenë mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve, Traktatin mbi tolerancën e ndonjë tjetër. Kureshtja ime për të mësuar më shumë për veprën tuaj dhe për epokën që me të drejtë mori emrin tuaj mund të them se ka nisur me leksionet mbi historinë e filozofisë që kam marrë në Universitetin e Tiranës nga profesori im i nderuar Zija Xholi. Ai ishte një njohës shumë i mirë i historisë së filozofisë nga kohët e lashta deri në fundin e shekullit të 19-të dhe një admirues i madh i filozofëve iluministë, i juaji veçanërisht. Ishte pikërisht ai, gjysmë shekulli më parë, që e bëri filozofinë një subjekt të dashur për mua dhe studimin e saj një prej kënaqësive të mia intelektuale më të mëdha.

Volter: Pra, po flas me një filozof.

Oh, jo. Maître, unë vij te ju jo si një filozof, por si një kërkues, si një studiues i jetës shoqërore. Filozof është një titull shumë i lartë dhe një privilegj që nuk e meritoj, edhe pse studimet universitare i kam kryer në këtë fushë. Filozof nuk të bën thjesht arsimi që merr. Por, Monsieur de Voltaire, më lejoni t’ju them se e kam pritur shumë gjatë këtë takim me ju, për vite me radhë. Më dukej e pamundur të vinit nga thellësia e shekujve.

Volter: E pamundura, i dashur mik, është thjesht ajo provincë e pa eksploruar e arsyes. Ja tek jam. Le të bisedojmë në qetësinë sublime të kësaj kafeje, sepse bota është bërë më e zhurmshme që nga koha ime, dhe do të doja të dija nëse është bërë edhe më e mençur.

Dyshoj nëse është bërë më e mençur dhe kjo është arsyeja pse dëshiroja kaq shumë të bisedoj me ju. Në një rast, ju jeni shprehur se çdo njeri është produkt i kohës së tij dhe vetëm pak njerëz janë në gjendje të ngrihen mbi idetë e kohës së tyre. Ju vetë jeni një ndër këta të paktë njerëz. Çështjet që shqetësojnë njerëzimin sot—raporti me të vërtetën, liria, marrëzia njerëzore—janë të njëjtat për të cilat ju qeshnit në kohën tuaj, afro tre shekuj më parë. Dogma të vjetra e të reja, besëtytni dhe absurditete të çdo lloji, hipokrizia dhe intoleranca vazhdojnë të jenë mjaft të përhapura dhe, po kështu, padrejtësitë dhe krimi. Edhe pse shekujt kalojnë, duket se arsyeja dhe marrëzia kurrë nuk tërhiqen nga jeta e shoqërisë. Kemi nevojë për një mendje të mençur që të na shpjegojë burimet e tyre dhe, kush tjetër më mirë se ju mund të fliste për çështje të tilla?

Volter: Më mirë do të ishte, ndoshta, të pyesnit ndërgjegjen tuaj, por e pranoj komplimentin. Erazmi i Roterdamit na kujton se marrëzia njerëzore është e palodhur dhe, arsyeja shumë herë përton të lëvizë. Dueli mes tyre është i pabarabartë, por e qeshura është arma më e mirë për të luftuar marrëzinë dhe për ta lartësuar arsyen. Nëse injoranca është djepi i besëtytnive, e qeshura është  asgjësuesi i tyre. Më duhet t’ju them, sidoqoftë, se nëse më thirrët nga varri me shpresë se do të merrni nga unë përgjigjet më të mira, do të mbeteni i zhgënjyer, por nëse këtë e bëtë që të jeni në shoqërinë time ndërsa kërkojmë së bashku përgjigje për këto çështje, atëherë mendoj se mund t’ju jem i dobishëm, sidomos me të qeshurën time. Të paktën e qeshura duket se ka mbijetuar më mirë se sa eshtrat e mia.

Hmm! Jo rrallë, edhe sot, njerëzit përdorin shprehjen le rire de Voltaire, si një formë e qeshure sarkastike për të çarmatosur kundërshtarin, ose për të venë në dukje një absurditet. Është e qeshura me të cilën ju vinit në lojë dogmat, fanatizmin, hipokrizinë, priftërinjtë dhe mbretërit. Por, më thoni, ju lutem, cila është përshtypja juaj e parë nga kjo botë moderne?

Volter: E njëjta si për çdo shekull: shumë njerëz flasin me zë të lartë dhe bërtasin, pak njerëz mendojnë. Përveçse tani ata u flasin disa pasqyrave të vogla që i mbajnë tërë kohën në duar, ose ngjitur pas veshëve.

I quajmë smartphone, në frëngjisht le portable. Mund të flasësh ose të komunikosh me shkrim, aty për aty, me këdo, kudo në botë.

Volter: Nëse është kështu, atëherë besoj se numri i budallenjve është shumëfishuar po aq sa edhe fjalët e tyre. Unë jetova në një kohë kur ndriçoheshim me qirinj dhe fenerë; ju jetoni në një epokë të elektricitetit dhe të internetit. Megjithatë, nëse harroni arsyen, nëse nuk e kultivoni atë, do ta gjeni veten përsëri në errësirë. Tani ju flisni me njëri-tjetrin nga përtej oqeanit sikur të jetonit në të njëjtin fshat por, megjithatë, shumë njerëz mbeten të lidhur si skllevër në mendjet e tyre pas idhujve të rinj. E quani progres këtë? Unë shoh të njëjtat besëtytni e paragjykime të vjetra të veshura për një kohë të re. Janë këto les réseaux sociaux për të cilat kam dëgjuar?

Po. Rrjete sociale. Kushdo ka, ose mund të ketë një platformë dhe të ndajë me të tjerët opinionet e veta, çdo lloj informacioni, një krijim artistik, por edhe gënjeshtra, marrëzi dhe shpifje pa fund.

Volter: C’est magnifique! Në kohën time duhej të kishe një shtypshkronjë dhe dëshirë të vdisje. Sot mjafton vetëm një gisht. Nëse më pyesni se çfarë mendoj për rrjetet sociale dhe për mediat sociale, për të cilat gjithashtu kam dëgjuar, mund të them se janë një shpikje e përsosur—një “sallon”, në të cilin kushdo flet, askush nuk dëgjon dhe reputacioni i çdokujt mund të shkatërrohet në çast. Unë shoh se njerëzit sot u besojnë këtyre mjeteve që mbajnë në duar më shumë se sa besimtarët në kohën time priftërinjve dhe librave të shenjtë.

Por interneti sot i lidh njerëzit kudo që janë dhe përmes tij mund të marrësh në çast informacion për çdo gjë.

Volter: Një enciklopedi në çdo xhep. Nuk e di se çdo të kishin bërë Didëroi dhe d’Alamberi nga gëzimi. Kjo do të ishte përmbushja e ëndrrës së tyre më të madhe. Por, më thoni ju lutem, a e përdorin njerëzit këtë mrekulli për të zhvilluar arsyen e tyre?

Disa. Ndonjëherë. Por jo shumica dhe jo gjithnjë. Shumica e përdorin më shpesh për thashetheme, për sulme personale, për teori konspirative dhe për cat videos, nëse keni dëgjuar për to, video nga jetët e tyre të përditshme që i ngarkojnë në platforma të ndryshme të medias sociale, si YouTube, Facebook apo Instagram. Në Francë përdorin të njëjtat fjalë për to, të huazuara nga anglishtja, por shpesh në formë të shkurtuar: YT, le Face or FB, apo Insta.

Volter: Me sa shoh, njerëzimi e ka perfeksionuar artin e shpërqendrimit. Në kohën time njerëzit humbitnin vetëm mbrëmjet, sot humbasin tërë kohën. Veç kësaj, edhe pse njerëzit nuk kanë qenë kurrë kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin sa janë sot, ata as nuk janë keqkuptuar mes tyre kaq lehtë dhe kaq shpejt sa sot.

Ju thashë më parë, Maître, se unë vij në këtë takim me ju si një studiues i jetës së shoqërisë, ose, më saktë, si një nxënës që kërkon të mësojë nga mençuria juaj. Nuk kam përgjigje, kam vetëm pyetje dhe shpresoj që ju të mos bezdiseni prej tyre. Më shihni, pra, si një student nga distanca e shekujve, i etur për të mësuar nga ju. Dhe nëse mund t’ju dukem kurajoz apo i guximshëm në këtë bashkëbisedim, kuptoni, ju lutem, se kjo vjen nga që jetoj në shekullin e 21-të, kur budallallëku dhe supersticioni gjenden me bollëk,  pra në një botë ku ju mund të ndiheni si në shtëpinë tuaj.

Volter: Në të vërtetë, në kaq pak orë sa jam këtu, kështu po ndihem. Njerëzimi duket se nuk ka hequr dorë nga venerimi i idhujve. U jepni atyre emra të tjerë, rikonstruktoni burgjet dhe këtë e quani progres. Po, progres. Iluzioni i përhershëm. Njerëzit ngrenë ndërtesa më të larta, por në themel të tyre sërish qëndrojnë paragjykimet. Derisa këto të fundit të çrrënjosen, pamja që ofrojnë këto ndërtesa s’është veçse një marrëzi më e lartë. Por ju po më përkëdhelni sedrën duke më quajtur mjeshtër, pa e ditur, ndoshta, se ç’barrë të rëndë më ngarkoni mbi supe. Nuk dua që t’ju zhgënjej. Unë kurrë nuk i kam mësuar askujt asgjë të sigurt, veç dyshimit. Mësimi i vetëm që u jap njerëzve është se dyshimi është fillimi i çdo mendimi. Nëse e keni mësuar këtë, ia keni dalë mbanë. Klasa ka mbaruar. Sa për pyetjet, besoj jeni i një mendjeje me mua se ato janë gjithnjë një shoqëri më e mirë sesa përgjigjet. Prej tyre nuk bezdisem kurrë, janë përgjigjet ato që më bezdisin. Dhe kurrë mos kërkoni ndjesë për pyetjet që bëni, vetëm për përgjigjet që jepni. Përgjigjet, nëse i di ato dhe, sidomos, nëse je i sigurt për to, të bëjnë dembel dhe ta trashin mendjen, ndërsa pyetjet ta mbajnë mendjen gjallë e në lëvizje. Unë gjithnjë i gjykoj njerëzit nga pyetjet që bëjnë, jo nga përgjigjet që japin.

Monsieur de Voltaire, Apôtre du doute (apostull i dyshimit), nëse më lejoni t’ju quaj kështu…

Volter: Një apostull? Atëherë unë duhet të kem kishën time të heretikëve, edhe pse ajo do të shembej nga grindjet më parë sesa të vihej çatia.

Atëherë, më lejoni t’ju drejtohem me fjalët cher Voltaire…

Volter: I dashur? Më në fund, përveç mon cher ange, Émili, ja dhe një tjetër që mendon se mund të jem një njeriu i dashur, edhe pse vetëm nga një distancë e sigurt (buzëqesh).

Më konsideroni një nxënës të dyshimit, ose një bashkudhëtar tuajin në rrugën e dyshimit. Unë nuk di asgjë, por dëshiroj të mësoj se si të mos besoj çdo gjë. Kurrë nuk pretendoj se jam i sigurt në ato që di. Prej jush kam mësuar t’i çmoj ata njerëz që kërkojnë të vërtetën, por edhe të ruhem nga ata që thonë se e kanë zbuluar, ose e dinë atë.

Volter: Saktë! Të dyshuarit, sigurisht, është një gjendje e pakëndshme, por të qenit gjithnjë dhe për çdo gjë i sigurt është një gjendje qesharake.

Le të themi, pra, se unë jam mikpritësi juaj modest në Parisin tuaj dhe ju një vizitor i nderuar në këtë qytet që kaq shumë i ka dhënë kulturës së njerëzimit, filozofi mendjendritur, nga i cili dua të mësoj. Unë jam publiku, ju jeni mendja që i flet atij. Unë me dëshirë zgjedh këtë mbrëmje të bëhem një target i mendimit tuaj, ju shigjeta që qëllon mbi këtë target.

Volter: Një student i mirë është ai, i cili, kështu si ju, nuk fillon duke pretenduar se është i ditur. Kjo është kryesorja. Ndërsa të pranosh me dëshirë të bëhesh një target, kjo, në kohën time, por besoj edhe sot, ishte një luks mjaft i rrallë. Mos kini frikë, unë vetëm përpiqem të provoj se jeni i gjallë. Le të jemi bashkudhëtarë në kontradiktë.

Ose, nëse ju vjen më mbarë, mendoni se para jush keni një bartës të budallallëkut. Kjo, jam i sigurt, do ju bëjë ta nisni me dëshirë këtë bisedë.

Volter: “Ha, ha! Në atë rast do më duhet të merrem gjatë me ju. Dakord. Veçse duhet të më shpërbleni me një të qeshur.

Shoh se nuk keni ndryshuar aspak nga Volteri që kam njohur përmes leximeve të mia.

Volter: Atëherë as njerëzimi nuk ka ndryshuar. Ja, më thoni, miku im i shekullit të 21-të, a ka shpëtuar sot bota përfundimisht nga fanatizmi dhe fanatikët? Nga predikimet e priftërinjve, të imamëve e të rabinëve? A e kanë kuptuar njerëzit më në fund se një ligj i mirë vlen më shumë se sa një predikim i gjatë?

Sigurisht që jo. Edhe pse kishat nuk i djegin më heretikët e tyre, as librat e filozofëve e të shkencëtarëve dhe, në shumë vende të përparuara, njerëzit sot gëzojnë të drejta dhe liri që ishin të panjohura në kohën tuaj, fanatizmi, në forma nga më të ndryshmet, vazhdon të ekzistojë.

Volter: E shihni, pra? Fanatizmi është ai bar i keq në kopshtin e njerëzimit që nuk shkulet lehtë. Ai mbin e lulëzon në çdo parcelë tokë ku gjen injorancë dhe ushqehet me gjak. Inkuizicioni është ndaluar. Bravo! Por dyshoj se inkuizitorë të rinj, të veshur ndryshe dhe me emra të tjerë, i keni ende midis jush.

Michel de Montaigne dhe Shefqet Peçi
Nga Fatos Tarifa

Në një prej eseve të tij, Montenj u thoshte lexuesve, në një frëngjishte të thjeshtë: “Les Roys et les philosophes fientent, et les dames aussi”. Anglisht, siç unë i kam lexuar të përkthyera Esetë e tij, këto fjalë lexojnë: “Kings and philosophers shit and so do ladies”. Me këto fjalë, Montenj donte të thoshte se njerëzit e fuqishëm janë, në fund të fundit, njëlloj si gjithë të tjerët.

Këto fjalë më kujtojnë një shprehje të Shefqet Peçit, që e kam dëgjuar nga goja e tij, kur ai vizitoi një herë familjen tonë në fillim të viteve 1970. Atëherë unë isha jo më shumë se 17. Duke bërë fjalë për njërin nga anëtarët e Byrosë Politike në atë kohë, që ai vetë nuk e honepste dot, Shefqeti i tha tim eti: “Sevo, çdo bithë mut bën”.

Ka kaluar më shumë se një gjysmē shekulli që nga ajo kohë dhe këto fjalë të Shefqet Peçit, që dëshmojnë një urtësi Montenjiane (edhe pse ai vetë mund të mos kishte lexuar kurrë asgjë nga Montenj), më kanë mbetur në mendje.

Më kujtohen dhe më bëjnë instinktivisht të qesh sa herë vë re arrogancë në fjalët dhe në sjelljen e ndonjë individi me pasuri, pushtet, ose famë. Këta, si gjithë të tjerët, njëlloj si ai çobani me dhën në mal apo ajo fshatarja e varfër që shet domatet e saj buzë xhadesë, rrugës për në Peqin, m.. bëjnë.

Letër e Hapur: 10 teza për arsimin e lartë
Nga Fatos Tarifa

I nderuar z. Kryeministër!

Pasi kam hyrë në të shtatëdhjetat, mund edhe t’jua kisha kursyer kohën me këtë letër, të cilën nuk di nëse do ju lejojnë punët dhe hallet e shumta ta lexoni. Por unë po ju shkruaj gjithsesi. Kushdo bën atë që mendon se i takon të bëjë. Dhe, pas më shumë se 40 vitesh përvojë në arsimin e lartë (në 3 universitete shqiptarë, 4 amerikanë dhe 1 hollandez), e ndiej si një detyrë qytetare e morale, por më shumë si një motiv që buron prej vokacionit tim profesional, t’ju shpreh disa mendime lidhur me çka ju parashtruat dy ditë më parë në takimin me rektorët e universiteteve.

1. Njëlloj si ju, unë mendoj se ka ardhur koha për të bërë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë. Por, ndryshe nga ju, unë mendoj se cilësia e arsimit të lartë nuk garantohet dhe as arrihet vetëm me ndryshime ligjore. Ligji mund t’u hapë rrugë ndryshimeve pozitive në arsimin universitar, por ligji—përmes procedurave strikte, rregullave të vjetruara, organizmave burokratikë dhe pasigurive ligjore—mundet të bëhet edhe “red tape”, pengesë që e ngadalëson, madje edhe e bllokon ndryshimin pozitiv. Armiqtë më të mëdhenj të reformimit të arsimit të lartë janë padituria dhe formalizmi.

2. Njëlloj si ju, unë mendoj se ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë duhen bërë nga ekspertë. Por, me ekspertë unë nuk kuptoj ata që duket se kini ju parasysh. Ekspertët e vërtetë të arsimit të lartë nuk janë rektorët, dekanët apo përgjegjësit e departamenteve në universitetet tona, as burokratët e Ministrisë së Arsimit. Këta, me ndonjë përjashtim, janë një forcë konservatore, të interesuar për të ruajtur status quo-në dhe privilegjet që u sigurojnë pozicionet që mbajnë, jo për ta ndryshuar gjendjen.

Kjo është njëra anë e çështjes; ana tjetër është se, në botën universitare, si rregull, shumica e profesorëve më të shquar e më të respektuar u shmangen pozicioneve drejtues administrativë, pasi ata çmojnë më shumë lirinë intelektuale dhe kohën për kërkim shkencor mbi pushtetin burokratik.

Siç ju mund ta dini, figura të tilla si Albert Einstein, Sigmund Freud, Bertrand Russell, Isaiah Berlin, Herbert Marcuse, Erich Fromm, Stephen Hawking apo shkencëtarë më të hershëm si Galileo dhe Kepler, dëshmojnë se disa nga mendjet më të shquara kanë refuzuar pozicione administrativë në academe, ose kanë zgjedhur të punojnë jashtë strukturave formale universitare, për të ruajtur lirinë e tyre krijuese dhe për të mbrojtur pavarësinë intelektuale.

Edhe ato figura të shquara që kanë mbajtur pozicione administrative drejtuese, si Theodor Adorno, Seymour Martin Lipset, Samuel Huntington, Peter Berger, Jürgen Habermas, Anthony Giddens, Michael Porter, Francis Fukuyama e ndonjë tjetër, kanë drejtuar institute kërkimorë, ose shoqata akademike profesionale, jo universitete (në rolin e presidentit)—me përjashtim, ndoshta, të Giddens-it, si drejtor i London School of Economics and Political Science—as shkolla (në rolin e dekanit) dhe as departamente. Këto pozicione ata i kanë pranuar e mbajtur pasi fushë e veprimtarisë së tyre ka qenë kërkimi shkencor, si dhe për shkak të reputacionit të tyre në akademi dhe në jetën publike, çka u ka mundësuar të ushtrojnë influencën e vet në politikat arsimore në vendet e tyre dhe të mbrojnë lirinë akademike për këdo.

Por ne nuk kemi figura që t’u afroheshin sado pak atyre. Në postet drejtuese në universitete, dekanate dhe departamente ne zgjedhim jo më të aftët, por ata që i kërkojnë me ngulm këto pozicione dhe sigurojnë mbështetjen e më shumë votave. Këta, sigurisht, nuk janë ekspertët më të mirë për të këshilluar ndryshimet që i duhen bërë ligjit për arsimit të lartë. Ajo që ne kemi krijuar në sistemin tonë të arsimit të lartë dhe në institucionet e tjera akademike, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave, është  një hierarkiologji, e njohur si “Peter’s principle”, një hierarki në të cilën çdo punonjës ka prirje të ngjitet deri në nivelin e vet të paaftësisë e, për rrjedhojë, me kalimin e kohës, çdo post ka prirje të pushtohet nga një punonjës që është i paaftë për të kryer detyrat e tij.

3. Ju nuk e thoni, por unë mendoj se Shqipëria ka tashmë një kapital njerëzor shumë të vyer, njerëz shumë mirë të arsimuar e të kualifikuar në shumë fusha, që duhen çmuar dhe u duhet marrë mendim edhe kur vjen puna për të përmirësuar sistemin tonë të arsimit të lartë. Ju keni promovuar hera-herës vajza e djem që kanë marrë një Mastër jashtë vendit. Por, të mos gënjejmë veten. Një Mastër është thjesht një Mastër dhe, në ditët tona, konsiderohet thjesht arsim i papërfunduar. Ndërkohë, Shqipërisë i janë kthyer me qindra e qindra vajza e djem që kanë fituar gradën PhD në disa prej universiteteve perëndimorë më të mirë—në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe, në Hollandë, Zvicër, Japoni etj. Vetëm në radhët e stafit pedagogjik shqiptar të Universitetit të Nju Jorkut Tiranë, ku unë jap mësim, dy të tretat kanë fituar gradën PhD nga universitete perëndimorë. Në radhët e atyre djemve e vajzave që janë doktoruar në shkenca jashtë vendit dhe janë kthyer të punojnë këtu gjendet ekspertët që mund të ndihmonin në hartimin e ndryshimeve ligjore që ju sugjeroni. Këta dhe jo rektorët, dekanët apo burokratët e Ministrisë së Arsimit janë ai kontingjent njerëzor dhe akademik që dinë më mirë se çfarë duhet bërë dhe si.

4. Njëlloj si ju, unë mendoj se ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë janë të domosdoshme por, ndryshe nga ju, unë mendoj se këto ndryshime nuk duhen bërë me ngut, brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet që duhen bërë kërkojnë një kohë të domosdoshme për të analizuar dhe evidentuar mangësitë e ligjit ekzistues dhe të atyre dhjetëra VKM-ve që i kanë çoroditur institucionet tona të arsimit të lartë, për të diskutuar gjerësisht, jo thjesht me rektorët e universiteteve, por me masën e gjerë të trupave pedagogjikë, me studentët dhe me ata që vërtetë kanë ekspertizë në këtë fushë. Problemeve u duhen gjetur zgjidhjet më të mira e më të dobishme, të cilat, edhe këto, do të kërkojnë zgjidhje të reja. Kjo nuk është një fushatë që zgjat sa një sesion parlamentar. Nuk duhet parë kaq thjesht dhe nuk duhet marrë kaq lehtë. Kjo është një detyrë tepër komplekse dhe një përgjegjësi tepër e madhe e qeverisë para kombit.

5. Ju nuk e thoni, por unë mendoj se duhet mbajtur gjithnjë parasysh e vërteta se, duke investuar për arsimin (për të cilin shteti ynë investon shumë pak) dhe duke ndërmarrë reforma në fushën e arsimit, ne investojmë për mendjen e kombit, për mirëqenien dhe të ardhmen e tij. Nga çdo gjë që prodhon një shoqëri, dija është produkti i saj më i rëndësishëm. Suksesi i pothuajse të gjitha produkteve dhe industrive të tjera varet prej saj, por vlera e saj nuk është vetëm ekonomike. Krijimi, përhapja, aplikimi dhe ruajtja e dijes janë aktivitetet kryesorë të çdo civilizimi. Dija nuk është thjesht memorie sociale, një lidhje me të shkuarën; ajo është, mbi të gjitha, shpresë sociale, një investim për të ardhmen.

6. Edhe ose ju nuk e thoni, unë mendoj se reformimi i arsimit të lartë nuk është e s’duhet parë i shkëputur nga reformimi i tërë sistemit piramidal arsimor dhe s’mund të ketë sukses pa u paraprirë dhe shoqëruar nga ky i fundit. Kjo kërkon të mendojmë se si dija, të mësuarit dhe edukimi në të gjitha nivelet mund e duhet të adresojnë sfidat dhe oportunitetet e së ardhmes, në linjë me vizionin e Komisionit Ndërkombëtar për të Ardhmen e Arsimit, krijuar si pjesë e iniciativës globale të ndërmarrë nga UNESCO më 2019, për të planifikuar për zhvillimin e arsimit përtej vitit 2050.

7. Ajo që ju, gjithashtu, nuk thoni, është se sot është bërë urgjentisht e domosdoshme që praktikat dhe metodat e mësimdhënies e të mësimnxënies të përshtaten e të transformohen në përputhje me mundësitë dhe resurset e reja e të panumërta që janë të aksesueshme nga kushdo në këtë ekologji të re të mësuari. Si kudo, edhe në fushën e arsimit, ne përjetojmë sot një diskontinuitet të madh, që po ndryshon çdo gjë kaq thellësisht, sa një kthim pas është bërë absolutisht i pamundur. Nxënësit dhe studentët e sotëm, të rritur me Internetin dhe teknologjinë digjitale, jetojnë çdo ditë në një mjedis social teknologjikisht të ndërlidhur. Bota e tyre, në një masë të madhe, është në “infosphere”, një botë në të cilën kufijtë mes shkollës, punës, shtëpisë dhe argëtimit kanë rënë. Mënyrat se si të rinjtë e sotëm kërkojnë informacion dhe komunikojnë ndryshojnë shumë nga ato të brezit të prindërve e të mësuesve të tyre, në atë shkallë se neuroshkenca ka vëzhguar ndryshime fiziologjike të matshme në trurin e moshave të reja, të lidhura me mënyrën se si ata konsumojnë informacionin digjital, veçanërisht përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale.

Në rrethana të tilla, hendeku mes kërkesave të këtyre të fundit për njohuri të reja, nga njëra anë, dhe njohurive që janë në gjendje t’u ofrojnë mësuesit e tyre, nga ana tjetër, bëhet gjithnjë e më i thellë. Fatkeqësisht, shumica prej nesh, brezi i të rriturve dhe mësuesit e pedagogët, vazhdojmë ta injorojmë, ose refuzojmë ta pranojmë këtë realitet të ri, sepse shumë prej nesh nuk janë në gjendje që ta përballojnë atë. Kjo është, në fakt, sfida më e madhe, me të cilën ndeshet sot sistemi ynë arsimor, ai universitar në veçanti. Dhe kjo është një krizë e përbotshme.

8. Paradoksalisht, përgjegjësia historike për të krijuar e për t’i lemë brezit të ri një sistem arsimor, në të cilin të rinjtë e sotëm të marrin dijet e domosdoshme dhe aftësitë që do u nevojiten në dekadat e ardhshme të shekullit të 21-të, mbetet në duart brezit të rritur. Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe një detyrim, të cilit nuk mund t’i shmangemi. Nëse e nënvleftësojmë këtë detyrim, ose nuk e përmbushim atë, ne jo vetëm nuk do të kemi përmbushur misionin tonë intelektual ndaj shoqërisë sonë, por edhe do të gjykohemi ashpër e do të mbahemi përgjegjës nga brezat që do të vijnë. Pasi, ne jemi përgjegjës si për veprimet tona, ashtu edhe kur nuk veprojmë për të bërë atë që kërkohet. Siç shoshte Molieri i mençur, “Ne jemi përgjegjës jo vetëm për atë çfarë bëjmë, por edhe për atë që nuk bëjmë”.

9. Ju nuk e thoni, por unë besoj—dhe me kohë kam thënë—se asnjë reformë e rëndësishme, në asnjë fushë, nuk mund të realizohet dot pa një proces vetingu. Ashtu si reforma në drejtësi nuk do të kish qenë e mundur pa vetingun e gjyqtarëve e të prokurorëve për të nxjerrë jashtë sistemit të paaftët e të korruptuarit, asnjë reformë serioze në arsimin e lartë nuk mund të ketë sukses pa vetingun e profesoratit. Universitetet tona “prodhojnë” sot jo vetëm dije dhe njerëz të arsimuar, por edhe ata që nesër do të “prodhojnë” më shumë dije dhe të tjerë njerëz të arsimuar. Prandaj, thelbi i reformës së arsimit të lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndron jo vetëm në mënyrën sesi prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën sesi “prodhohen” dhe zhvillohen prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar—profesorati shqiptar.

10. Ju me të drejtë thoni se, një ndër sfidat tona më të mëdha është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë. Unë pajtohem tërësisht me këtë. Por ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë e kuptoj ndryshe nga ju. Ndërkombëtarizimi, ashtu si vetë globalizimi i shoqërisë, nuk është një gjendje, por një proces, rezultat i vazhdueshëm i një procesi të pandërprerë. Bota nuk u zgjua një ditë e globalizuar, por është globalizuar përmes një procesi të gjatë historik, që mund të thuhet se daton me atë që nistori njihet si Magna Graecia (VIII-V p.e.s.). Një faktor i rëndësishëm ishte gjuha “e përbotshme” e grekëve të lashtë. Me perandorinë romake kjo gjuhë u bë latinishtja. Me perandorinë britanike, anglishtja dhe vetë procesi i globalizimit u quajt “Anglobaization”, ndërkohë që francezët dështuan ta quanin këtë proces “Mondialization”. Gjuha e tyre nuk u bë dot gjuhë globale.

Këta shembuj i solla për të thënë se kushti i parë esencial për ta ndërkombëtarizuar arsimin tonë të lartë është përdorimi në të masivisht i gjuhës angleze. Kjo është bëtë sot gjuha globale e politikës, e teknologjisë, e muzikës, e shkencës dhe e arsimit universitar, edhe pse vetëm 18% e popullsisë globit e flet atë. Shumica dërrmuese e revistave akademike sot botohen në anglisht dhe rreth 90% e artikujve që botohen në to janë në këtë gjuhë (për artikujt e botuar në revista me faktor impakti të lartë kjo përqindje shkon deri 98%). Ndërsa Laura Mersini, e lindur në Durrës dhe sot profesoreshë e astrofizikës në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, ka zhvillua një teori origjinale mbi krijimin e kozmosit—një model kuantik të tij—dhe ndërsa Mira Murati, e lindur në Vlorë, po udhëheq startup-in e saj në fushën e inteligjencës artificiale (Thinking Machines Lab), ne s’mund të vazhdojmë të debatojmë nëse biçikletës duhet t’i themi biçikletë apo “dyrrotak”, printerit “shtypës” apo mausit “mi” dhe as të shesim për shkencë atë që s’është shkencë dhe për art atë që s’është i tillë.

Ka ardhur koha që universitetet tona më të mira të flasin anglisht në një pjesë të madhe të programeve që ofrojnë, çka do të mundësonte më shumë shkëmbime me botën e madhe akademike dhe më shumë studentë të huaj, që do të zgjidhnin të shkolloheshin tek ne. Pa anglishten nuk mund të ketë ndërkombëtarizim të arsimit tonë të lartë, por vetëm provincializim të mëtejshëm të tij.

Nga ana tjetër, edhe këtu duhet të jemi të ndershëm me veten tonë, sot, mundësitë për shkëmbime akademike me universitetet europianë janë rritur shumë. Dhjetëra  pedagogë e studentë shqiptarë shkëmbehen çdo vit me pedagogë dhe studentë të huaj nga universitete të kontinentit tonë. Por, ndërsa projektet Interreg & IPA apo programet Horizon Europe dhe Erasmus Mundus ofrojnë mundësi reale për shkëmbime dhe bashkëpunim akademik, këto të fundit sidomos për programe të përbashkëta master dhe doktoraturë, pesë apo dhjetë ditë qëndrim në një universitet europian në kuadër të programit Erasmus+ nuk i jep një pedagogu shqiptar atë përvojë të domosdoshme ndërkombëtare që kërkohet për marrjen e një titulli shkencor.

Skemat dhe programet e mësipërme janë mundësi shumë të mira dhe nuk na kushtojnë asgjë por, si për çdo mundësi, prej tyre mund të përfitojnë vetëm ata që janë të përgatitur për to.

Me respekt

Fatos Tarifa

Kushtetuesja korrigjoi një gabim që kreu i shtetit nuk duhej ta kishte bërë
Nga Fatos Tarifa

Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e presidentit Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës më 9 nëntor, pas ankesës së z. Veliaj.

Me këtë vendim, të marrë unanimisht, siç nuk ndodh shpesh, kjo gjykatë korrigjoi një gabim që kreu i shtetit nuk duhej ta kishte bërë. Dikush nga ndihmësit e tij të afërt duhej ta kishte këshilluar të mos vepronte gabim.

Presidentët Moisiu dhe Topi nuk do e kishin bërë një veprim të tillë jo thjesht të nxituar e të gabuar, por që vjen ndesh me logjikën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës.

Nga Kreu i Shtetit pritet maturi, gjykim i shëndoshë i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit themelor të shtetit, jo voluntarizëm e diletantizëm. Gabimet e tij kanë kosto të lartë politike dhe morale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet përgëzuar.

Lëvdimi i marrëzisë! Mendime për Kodin e ri Penal (si projekt)
Nga Fatos Tarifa

Nuk munda t’u gjej një titull më të përshtatshëm radhëve të mëposhtme sesa titulli i njërës prej veprave më të njohura të humanistit të shquar të Rilindjes Europiane, Erazmit të Roterdamit. Vepra e tij Moriae Encomium, shkruar në latinisht në shtatë ditë, u botua më 1511, ndërsa në anglisht (The Praise of Folly), ajo u botua më 1536, pak javë para vdekjes së autorit.

Lëvdimi i marrëzisë është një vepër satirike që drejtohej kundër bestytnive dhe traditive të vjetra të shoqërisë europiane të kohës së Erazmit, veçanërisht kundër Kishës dhe rolit të saj. Këto radhë që unë shkruaj, nuk përmbajnë satirë, por një shqetësim serioz për një “projekt final” të Kodit të ri Penal të Republikës sonë, që është propozuar dhe është bërë i njohur publikisht dhjetë ditë më parë.

Unë nuk jam jurist, por si një qytetar i kësaj Republike (nominalisht demokratike), jam vazhdimisht i interesuar—dhe shumë herë i shqetësuar—për fatet e shoqërisë sonë dhe për të drejtat e individit. Si studiues i jetës së shoqërisë dhe politikës, interesimet dhe shqetësimet e mia për fatet e demokracisë, për të drejtat dhe liritë e individit dhe fatin e tij, janë një preokupim qytetar dhe profesional.

“Enveri nuk di gjë, e ka bërë Mehmeti me kokën e vet”

Shtysë për t’i shkruar këto radhë u bënë prononcimet publike të disa prej juristëve tanë më të njohur dhe debati i zhvilluar mbi këtë projekt-kod në disa media. Më bën përshtypje që, ndërsa vazhdojnë “përpjekjet” për të gjetur se kush, apo cilët individë janë ata që e kanë përgatitur këtë projekt të Kodit të ri Penal, kryeministri i vendit deklason se “këtë kod nuk e ka bërë qeveria”!

Hipokrizi apo çfarë?!

Atyre që kanë pak a shumë të njëjtën moshë me mua u kujtohet, besoj, një anekdotë që qarkullonte dhe na pëlqente ta tregonim në vitet e “diktaturës së proletariatit”: “Unë nuk di gjë për këtë punë”, thoshte Enveri, “mos e ka bërë Mehmeti me kokën e vet”.

Projekti i këtij kodi u postua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo ministri është një departament i qeverisë, në krye të së cilës qëndron kryeministri.

Projekti i kodit u prezantua publikisht nga ministri i Drejtësisë, që është anëtar i kabinetit qeveritar (Këshillit të Ministrave) dhe flet në emër të qeverisë.

Në një republikë parlamentare demokratike, qeveria nuk është një njeri i vetëm—Kryeministri. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 95), përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”. Para marrjes së detyrës si anëtarë të kabinetit qeveritar, “ministrat betohen para Presidentit të Republikës” (Neni 99). Neni 102(d.4) i Kushtetutës përcakton se: “Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë…”.

Por, a duhet vallë t’i referohemi Kushtetutës së vendit për të kuptuar një gjë që bën “Muuuuu!”?

Si mundet që një kryeministër të mos jetë në dijeni se çfarë ka bërë për katër vite radhazi Ministria e Drejtësisë dhe titullari i saj lidhur me një kod kaq të rëndësishëm të legjislacionit të vendit, puna, për hartimin e të cilit, sipas fjalëve të vetë ministrit të Drejtësisë, ka nisur qysh në vitin 2019?!

Vetë kryeministri nuk harton ligje, as ministri i linjës, por asnjëri, as tjetri nuk mund të jenë të painteresuar e të painformuar mbi përmbajtjen e tyre. Nëse një ligj i ri bëhet “i domosdoshëm” dhe “i pashmangshëm” të miratohet, siç shprehet ministri i Drejtësisë, “domosdoshmëria e pashmangshme”, apo “pashmangësia e domosdoshme” e tij nuk do të thonë një ligj i ri sido që të jetë, mjafton të jetë i ndryshëm nga i pari, edhe pse ekspertët më të mirë dhe një numër intelektualësh publikë të njohur e konsiderojnë projektin e këtij ligji më të keq, ose shumë të keq madje të rrezikshëm.

Graphomani juridike

Kur u miratua, në vitin 1787, 238 vite më parë, Kushtetuta amerikane përmbante vetëm 4,543 fjalë, përfshirë edhe firmat e delegatëve të Konventës së Filadelfias që e miratuan atë. Së bashku me tekstin e 27 amendamenteve që i janë shtuar asaj kushtetute në këta 238 vite, ajo përmban vetëm 7,506 fjalë.

7,506 fjalë. Kaq i kanë mjaftuar dhe i mjaftojnë “Republikës së Madhe” amerikane, një federatë e përbërë nga 50 shtete dhe disa territore, me një popullsi 130 herë më të madhe se sa popullsia e Shqipërisë, për të administruar çdo aspekt të jetës politike, ekonomike, juridike e shoqërore të saj.

Projekti i Kodit të ri Penal, prezantuar nga ministri i Drejtësisë, përmban 146,473 fjalë, rreth 20 herë më shumë se sa Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara!

Lëvdim i Marrëzisë! Marrëzi e Madhështisë! Apo Madhështi e Marrëzisë! Ç’emër mund t’i vihet kësaj?

Ministri i Drejtësisë thotë se “puna për një draft të ri [të Kodit Penal] kishte nisur që në vitin 2019” dhe miratimi i tij është një gjë “e domosdoshme dhe e pashmangshme”. O burra pra, ju, deputetë, që do uleni në parlament me fillimin e legjislaturës së re, pas pesë ose gjashtë javësh, nxitoni ta votoni këtë projekt ligj “të domosdoshëm e të pashmangshëm”!

“Pashmangësia dhe urgjenca” e Kodit të ri Penal! Nëse ministri i Drejtësisë nuk e di, i them se amendamenti i fundit (i 27-ti) i Kushtetutës amerikane u propozua nga Kongresi i parë i Shteteve të Bashkuara, në shtator të vitit 1789, gjashtë muaj pas krijimit të atij Kongresi, dhe iu shtua Kushtetutës amerikane vetëm në maj të vitit 1992. Ratifikimi i atij amendamenti mori 202 vite, 7 muaj dhe 12 ditë, një proces që s’ka precedent tjetër në historinë e qytetërimit juridik.

Një kontrast kolosal

Nëse ministri ynë i Drejtësisë nuk e di, ose e ka harruar se përse bën fjalë Amendamenti i 27-i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, i kujtoj se ai amendament sanksionon se “çdo ligj për rritjen ose uljen e pagave të anëtarëve të Kongresit mund të hyjë në fuqi vetëm pas zgjedhjeve të tjera për Dhomës së Përfaqësuesve”.

Këtë fakt të thjeshtë, kryeministri, ministri i Drejtësisë dhe deputetët tanë—ata që ishin dhe këta që do të vijnë—mund të mos e dinë, ose mund ta kenë harruar—por jam i sigurt se asnjë nga deputetët dhe ministrat që shkuan dhe shumë nga këta që janë nuk e ka harruar se si, dy vite më parë, ata i dyfishuan pagat e tyre. Sa hap e mbyll sytë. Tinëzisht.

Në atë kohë e kritikova publikisht këtë veprim të tyre duke shkruar për gazetën Dita (26 maj 2023), nën titullin “Bingo! All Done! Gëzuar 1 Qershorin të dashur deputetë!”, sa më poshtë:

“E bënë. Siç nuk kisha asnjë iluzion se do të ndodhte. E bënë sepse s’kanë moral. E bënë sepse nuk e kanë për gjë të dhunojnë kolektivisht, të gjithë së bashku, edhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, që i ndalon ta bënin këtë gjë. Ai kod thotë shprehimisht se deputetëve u ndalohet të “shfrytëzojnë pozitën e deputetit për interesat personale të tyre”.

E bënë sepse s’ka se kush i ndalon. Ashtu si në raste të tjerë, por veçanërisht këtë herë, kur kishin në dorë të provonin të kundërtën, duke hequr dorë nga interesat e tyre personale për hir të interesave të pjesës më të madhe të shoqërisë, këta deputetë dëshmuan se nuk janë të popullit (of the people), nuk janë zgjedhur nga populli (by the people) dhe nuk mendojnë për popullin (for the people). Po kështu, edhe qeveria që kemi, hartuesja e projekti të këtij ligji, për të cilën duket se janë të huaja parimet e Linkolnit për një qeveri demokratike, që të ishte “a government of the people, by the people, for the people”.

Me votimin e ligjit për të rritur pagat deputetëve dhe të ministrave të sotëm, kuvendi dëshmoi se është një kuvend jo i popullit dhe jo për popullin, sidomos jo për shtresat më në nevojë të popullit, por një kuvend për deputetët e vet dhe për ministrat.

Deputetët tanë, shumë prej të cilëve njerëz mediokër, me këtë akt të paturpshëm që bënë duke votuar rritjen e pagave të tyre dhe të anëtarëve të kabinetit qeveritar, na thanë neve, qytetarëve të këtij vendi, se nuk duan t’ia dinë për qytetarët kur vjen puna për interesat e tyre.

Kur vjen puna për interesat e tyre, deputetët tanë—socialistë dhe demokratë—na dëshmuan dje, përtej çdo dyshimi, se janë njëlloj, se kanë të njëjtat interesa, edhe pse ato i justifikojnë, i argumentojnë, i shprehin dhe i mbrojnë me një lëvozhgë gjuhësore ideologjikisht të ngjyrosur. Pozicioni “majtas” ose “djathtas” në politikë, për shumicën e tyre s’është asgjë më shumë sesa një pohim shumë herë i pakuptimtë edhe për ata vetë. Kartonët jeshilë që ata, me ndonjë përjashtim, i ngritën thuajse si një trup i vetëm për të rritur pagat e veta, dëshmojnë llojin e moralit të tyre në politikë.

Deputetët tanë – ata të mazhorancës dhe ata të partive opozitare – i përdorën kartonët jeshilë në të njëjtën mënyrë si të kishin në duar një shkop magjik. E duam pagën ta kemi kaq dhe – sa hap e mbyll sytë – me kartonët e tyre vendosën të marrin pagën që duan!

Veprimi i tyre dje është politikisht gabuar, moralisht i pandershëm dhe i turpshëm, ligjërisht i dënueshëm”.

A do veprojnë njëlloj edhe për miratimin e projektit të Kodit të ri Penal deputetët e legjislaturës së ardhshme? Uroj që jo. Uroj që sugjerimet, vërejtjet dhe kritikat e ekspertëve ligjorë më të mirë lidhur me këtë projekt të dëgjohen e të reflektohet lidhur me to. Të mos i mbajmë fshehur motivet dhe njerëzit që e kanë hartuar këtë projekt. Çdo ligj dhe çdo kod bëhen për qytetarët dhe në interes të tyre. Interesi publik është i pari.

Dhe, nëse ministri i Drejtësisë, burokratët grafomanë dhe pa imagjinatë të ministrisë që drejton apo deputetët që miratojnë projektligjet e propozuar nuk e dinë se çdo të thotë ligje për qytetarët dhe në të mirë të interesit publik, e gjykoj me vend t’u them se si e kanë parë dhe e shohin këtë çështje disa nga personalitetet më të shquar të jurisprudencës dhe drejtësisë amerikane.

Teprimi me ligjet dhe gjuha e tyre

Laurence Tribe, një profesor i njohur i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Harvardit, argumenton se “Teprimi me ligjet në mënyrë të paevitueshme e dobëson shtetin e së drejtës”.

Ky është një parim i vjetër sa Roma e lashtë – “Sa më shumë ligje, aq më pak drejtësi”, thoshte Ciceroni.

Benjamin Franklin, njëri prej etërve themelues të Republikës Amerikane, vinte në dukje se “ligjet që janë shumë të butë rrallë respektohen; ndërsa ata që janë shumë të ashpër rrallë zbatohen”.

Projekti i Kodit të ri Penal, sipas ekspertëve që e kritikojnë atë, prodhon një legjislacion tepër të ashpër, që mund të krijojë hapësirë për zbatim jo të njëjtë te qytetarët që janë e duhet të trajtohen si të barabartë para ligjit dhe njëlloj përgjegjës për shkeljen e tij.

Nga ana tjetër, gjuha me të cilën formulohen ligjet duhet të jetë qartësisht e kuptueshme dhe jo e huaj për veshët e qytetarëve që kërkohet t’i respektojnë ato. Por sa i kuptueshëm mund të jetë një kod penal me 952 nene, i hartuar në mbi 146,000 fjalë?! Sa i kuptueshëm mund të jetë për qytetarin e thjeshtë një kod penal, çdo nen i të cilit përmban, mesatarisht, 154 fjalë?!

Një pyll ligjor i vërtetë, një xhungël ku mund humbasë rrugën kushdo, një rrjetë merimange e pamasë, nga e cila, siç thoshte Soloni, nuk mund të dalin dot vetëm krijesat e dobëta, njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur.

Thomas Jefferson me të drejtë thoshte se “mosnjohja e ligjit nuk është askund justifikim [për ata që e shkelin atë], përndryshe ligjet do e humbitnin efektin e tyre, pasi kushdo mund të pretendonte se nuk i njeh ata”. E, megjithatë, është ironike – dhe paradoksale njëherësh – të mendosh se, ndërsa një qytetar i thjeshtë mund të shpallet fajtor dhe të dënohet për shkak të mosnjohjes së ligjit, gjyqtarët, siç vinte në dukje Jeremy Bentham, janë “të vetmit persona që nuk dënohen për injorancën e tyre ndaj ligjit”.

Ligje humanë dhe gjyqtarë humanë

Për më shumë se 800 vite, Magna Carta është parë dhe shihet si një dokument ligjor që ofron garancitë kushtetuese kryesore ndaj arbitraritetit ose ligjeve të padrejtë. Mbështetur në parimet e saj, Thomas Jefferson shprehej se “shpata e ligjit nuk duhet të bjerë kurrë veç mbi ata, faji i të cilëve është kaq i qartë, sa të pranohet si nga kundërshtarët, ashtu edhe nga miqtë e tij”.

Woodrow Wilson, nga ana e vet, vinte në dukje rëndësinë që kanë faktet në administrimin e drejtësisë, duke e hequr vështrimin nga fragmentet e vëllimeve ligjorë, nga statutet dhe maksimat e shkëputura, për ta drejtuar vëmendjen “te jeta e njerëzve”.

“Shpata e ligjit” s’duhet të bjerë mbi të pafajshmit, mbi të dobëtit dhe të pambrojturit dhe ligjet duhet të jenë njerëzorë e jo çnjerëzorë. Kjo nënkupton edhe mëshirën njerëzore për ato shkelje të ligjit, dëmi prej të cilave nuk ka pasoja të rënda për shoqërinë ose për individë të tjerë. Abraham Lincoln shkruante më 1876 se ai vetë kishte kuptuar se “mëshira jep fruta më të mira sesa drejtësia e rreptë”.

Ky është një mësim që do të duhej të informonte edhe Kodin Penal të Republikës sonë. Dënimet më të rënda duhen dhënë për krimet më të rënda dhe për kriminelët recidivistë, por për ato shkelje të vogla të ligjit, prej të cilave, as shoqëria, as individë të tjerë nuk pësojnë atë lloj dëmi që do të cenonte interesat e tyre e do të ishte i dëmshëm për ta, mëshira humane dhe falja (me kusht) mund të kishin efekte më pozitivë sesa dënimet e rrepta.

Në fund të fundit, interesi i shoqërisë është që ta pakësojë, jo ta rrisë numrin e anëtarëve të saj që vuajnë dënime me burg. Kësaj nuk i shërben një kod penal me 952 nene, ndonjë prej të cilëve mund ta shkelë pa dashur e pa qëllim, por thjesht për shkak të të qënit human, çdo qytetar i thjeshtë: edhe një fqinji im, edhe një koleg i punës, edhe një i afërmi juaj—me pak fjalë, kushdo që nuk është kriminel dhe që nuk na bën asnjë dëm, as mua, as juve, as shoqërisë.

Janë me vend fjalët e juristit dhe shkrimtarit të njohur amerikan Robert Ingersoll, i cili vinte në dukje se: “Nuk duhet harruar se ata që bëhen gjyqtarë janë njerëz si gjithë të tjerët dhe se, duke u bërë gjyqtarë, ata nuk bëhen as më pak paragjykues, as më inteligjentë”.

Po kaq kuptim kanë edhe sot, në kontekstin e diskutimit që bëjmë, këtë fjalë nga Learned Hand, një gjyqtar dhe filozofi i njohur amerikan i së drejtës, për të cilat do të duhej të reflektonte çdo gjyqtar: “Ja tek jam unë, një burrë i vjetër, që më duhet të gjykoj e të dënoj njerëz që mund të mos jenë më të këqij se unë”.

Nëse duam një sistem drejtësie të mirë, vetëm ligjet e mirë nuk mjaftojnë. Dhe nëse duam që reforma në drejtësi të ketë vërtet sukses, po aq rëndësi sa ligjet e mirë ka edukimi juridik i qytetarëve dhe, sidomos, njerëzit që zgjidhen dhe emërohen për të siguruar mbrojtjen dhe zbatimin e ligjeve, prokurorët dhe gjyqtarët.

Sidomos gjyqtarët. Kjo pikërisht ka bëra që, deri më sot, gjyqtarët, nëse huazoj fjalët e profesorit të së drejtës penale në Harvard, Alan Dershowitz, të ishin “hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë, edhe pse më të mbrojturit”.

Për shkak se në duart e prokurorëve e të gjyqtarëve varen fate njerëzorë, integriteti i tyre është i një rëndësie të dorës së parë. Për këtë arsye, Abraham Lincoln u jepte juristëve këtë këshillë: “Ji i vendosur të jesh i ndershëm në çdo rast dhe, nëse nuk mund të jesh një jurist i ndershëm, ji i vendosur të jesh i ndershëm pa qenë jurist. Zgjidh një profesion tjetër”.

Ligji dhe e drejtësia

Në përfundim dua të vë në dukje se ligji dhe drejtësia nuk janë e njëjta gjë. Gjykatat vendosin në përputhje me ligjin; ato jo gjithnjë vendosin drejtësinë. Ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve në Shqipëri—si në shumë vende të tjerë—shqetësohen për ligjin dhe rendin, shumë të tjerë shqetësohen për drejtësinë.

Ligji dallon nga drejtësia, edhe pse një gjë është e sigurt: është e pamundur të kesh njërën prej tyre pa i pasur të dyja. Prandaj, që qytetarët të besojnë në drejtësinë e sistemit të tyre, ligjet që e krijojnë dhe e mbrojnë këtë sistem duhet të jenë ligje të mirë, që i shërbejnë si interesave të individit, ashtu dhe së mirës publike.

Edhe pse barazia e të gjithëve para ligjit është një kusht dhe tipar themelor i një rendi demokratik, shteti ligjor (Rule of Law) nuk është i mjaftueshëm dhe mund të mos jetë i drejtë, pra një shtet i së drejtës (Rule of Justice). Edhe fashizmi e komunizmi kishin ligjet e tyre, por shteti fashist dhe ai komunist kanë qenë shtetet më të padrejtë e më mizorë në historinë moderne. Në pamfletin e tij të njohur Letër nga burgu i Birmingamit (1963), Martin Luther King, Jr. tërhiqte vëmendjen e publikut amerikan me këto fjalë: “Kurrë nuk duhet të harrojmë se gjithçka që Hitleri bëri në Gjermani ishte ‘e ligjshme’ dhe se gjithçka që bënë luftëtarët e lirisë në Hungari [më 1956] ishte ‘e paligjshme’.

Në fakt, siç shprehej Earl Warren, kryetar i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara në vitet 1953-1969, “suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohet dhe matet me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë”. “Është fryma e ligjit dhe jo germa e tij ajo që e mban drejtësinë gjallë”, theksonte ai. Dhe, “ndërsa aftësia e njeriut për drejtësi e bën demokracinë të mundur, tendenca e tij për padrejtësi e bën demokracinë të domosdoshme”.

Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Kjo do të thotë që, pas çdo ligji, duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Ne shohim shpesh herë raste kur njerëz të pafajshëm dënohen e vuajnë, ndërsa fajtorët i shpëtojnë dënimit të merituar. Ne shohim raste kur njerëz të ndershëm nuk arrijnë të kenë sukses në përpjekjet e tyre, ndërkohë që të tjerë, njerëz të pandershëm, pasurohen dhe përfitojnë padrejtësisht.

Shteti i së drejtës është ai sistem ligjor, në të cilin çdo individ merr nga sistemi atë që me të drejtë i takon, përfshirë të gjitha të drejtat natyrore e ligjore, që nuk mund t’ia marrë apo tjetërsojë askush—as shteti, as individë të tjerë. Problemi është se, në mjaft raste, edhe kur ligji është i mirë dhe i drejtë, mënyra se si administrohet ai nga një gjyqtar mund të jetë e padrejtë.

Këtu vij në një çështje të fundit, me të cilën dëshiroj t’i mbyll këto radhë. Ajo ka të bëjë me emërimin dhe integritetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjithë nivelet e sistemit gjyqësor. Fati i sistemit të drejtësisë në çdo vend, pra edhe në Shqipëri, qëndron kryesisht në duart e tyre. Prokurorë dhe gjyqtarë të aftë e të ndershëm, që emërohen në detyrë jo për motive ose për shkak të pëlqimeve e të lidhjeve të tyre politike, por për shkak të aftësive e të integritetit të tyre profesional e moral janë, ose mund të bëhen garantë të parimeve të drejtësisë dhe të zbatimit të saj. /botuar në

DITA/

Berisha – fati ynë apo zgjedhja jonë?
Nga Fatos Tarifa

Tre individë kanë dominuar historinë politike të shqiptarëve qysh nga krijimi i shtetit tonë të pavarur—Ahmet Zogu (1924-1939), si kryeministër, si president dhe, më pas, si një mbret i vetëshpallur; Enver Hoxha (1944-1985), si kreu më i lartë i Partisë (komuniste) të Punës dhe de facto kreu i të gjithë pushteteve në sistemin e socializmit shtetëror, i ashtuquajtur “demokraci popullore”, ose “diktaturë e proletariatit”; dhe Sali Berisha (1991-2013), si president e më pas si kryeministër i vendit  dhe, për periudhën më të gjatë të kohës, si kreu i opozitës në Shqipërinë postsocialiste.

I pari, Zogu, ishte dhe mbetet një figurë shumë kundërthënëse. Ai e uzurpoi pushtetin me dhunë, i ndihmuar nga forcat jugosllave dhe rusët e bardhë, asgjësoi kundërshtarët politike kryesorë të tij, burgosi shumë të tjerë dhe, më në fund, si mbret, e braktisi vendin në prag të pushtimit fashist italian, në vend që të organizonte e të drejtonte rezistencën e armatosur të popullit të vet kundër atij pushtimi.

Hoxha sundoi me dorë të hekurt për dyzet vite me radhë, por, siç kam argumentuar në studimin tim Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë, ky njeri dhe sistemi politik që ai krijoi dhe drejtoi me metoda autoritariste kishin, për një farë kohe—pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri aty nga fillimi i viteve 1960 – një farë legjitimiteti që u venit dhe humbi krejtësisht më pas për arsye politike, ekonomike dhe ideologjike, të cilat i kam shpjeguar hollësisht në studimin e lartpërmendur. Sot, nga një distancë e mjaftueshme në kohë për të gjykuar e vlerësuar me ftohtësi, figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë e pranishme, provokuese, kundërthënëse dhe polarizuese në narrativën postsocialiste dhe në debatin publik e atë akademik që zhvillohet në vendin tonë.

Kur bëhet fjalë për Berishën, ky, në gjykimin tim, simbolizon tiparet më të këqija karakteriale të mbretit Zog dhe të diktatorit komunist Enver Hoxha. Këto tipare të tij i kam përmbledhur shkurtimisht në esenë “Prognozë retrospektive: Berisha në historinë e së shkuarës”, botuar disa vite më parë në gazetën DITA.

Është e çuditshme se si Berisha, nga një individ thuajse i panjohur për publikun deri në fundin e viteve 1980, përveçse si një mjek—dhe si sekretar i organizatës së partisë në spitalin ku ushtronte profesionin e tij—u shfaq në skenën e politikës shqiptare krejt papritur, me imazhin e një intelektuali disident antikomunist (pa qenë as edhe një ditë të vetme i tillë) dhe pretendoi se themeloi të parën parti opozitare në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990.

Në fakt, ishin të tjerë individë ata që e organizuan dhe e drejtuan lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, e cila çoi në galvanizimin e skenës politike shqiptare, në krijimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në zgjedhjet e para demokratike dhe në rënien e sistemit socialist.

Berisha ishte një free rider. Ai diti të shfrytëzojë përpjekjet e të tjerëve pa rrezikuar vetë asgjë, për të fituar gjithçka për vete. Humbi në zgjedhjet parlamentare të vitit 1991, por fitoi në zgjedhjet e një viti më vonë dhe u bë presidenti i parë i Shqipërisë postsocialiste.

Në Poloni, e para qeveri postsocialiste, e krijuar në vitin 1989, zgjodhi në krye të saj një individ si Tadeusz Mazowiecki, një shkrimtar dhe një prej figurave qendrore të lëvizjes opozitare “Solidarnost”, i burgosur nga regjimi i Jaruzelskit në fillim të viteve 1980, ndërsa president i parë i atij vendi u bë udhëheqësi kryesor i “Solidarnostit”, Lech Walesa, edhe ky i burgosur në të njëjtën kohë dhe, në liri, shumë herë i papunë nën atë regjim.

Në Çekosllovaki, presidenti i parë pas rënies së socializmit shtetëror në atë vend u zgjodh Vaclav Havel, një dramaturg disident dhe një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, i burgosur edhe ky disa herë nën atë sistem. Më vonë, pas ndarjes së Çekosllovakisë në dy shtete më vete përmes një marrëveshjeje paqësore që u konsiderua si një velvet divorce, Havel u zgjodh presidenti i parë i Republikës Çeke.

Në Bullgari, gjithashtu, njeriu që u bë presidenti i parë postsocialist i atij vendi, Zhelyu Zhelev, kishte qenë më parë një disident.

Po Berisha? Nga mbiu ai?! Ai kurrë nuk kishte qenë një disident në periudhën e diktaturës së proletariatit. Përkundrazi, Berisha ishte dhe mbeti deri në përmbysjen e sistemit të vjetër një komunist parimor, sektar dhe militant. Ai nuk e pa kurrë portën e burgut të diktaturës, as edhe atë të rajonit të policisë, dhe nuk provoi asgjë nga vuajtjet që përjetuan në Gulagun shqiptar mijëra kundërshtarë të regjimit politik në Shqipëri. Përkundrazi, Berisha hyri në dyert e bllokut famëkeq të udhëheqësve komunistë kryesorë dhe u bë një “mik” servil i fëmijëve të tyre.

Nëse Berishës mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë në periudhën që i parapriu lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe fillimit të tranzicionit politik në Shqipëri, kjo meritë do të ishte nuhatja e tij prej peshkaqeni për të ndier së largu rrezikun që vjen, prénë që afrohet dhe—në rastin e tij—mundësinë që ofron një mjedis i ri politik për të realizuar synimet e veta.

Ishte fati ynë, apo zgjedhja jonë që e polli Sali Berishën dhe e ngriti atë në fronin më të lartë të shtetit më 1992?

Nëse ishte thjesht fati, ky paskësh qenë një fat shumë i keq, një fat i zi. Por, unë nuk besoj në fat; në rastësi, po. Sidoqoftë, rasti Berisha nuk mund të shpjegohet me parimin hegelian të filozofisë së historisë, se domosdoshmëria e çan rrugën e vet përmes rastësisë. Sepse hyrja e një njeriu si Berisha në politikën shqiptare dhe ardhja e tij në krye të shtetit mund të ishin çdo gjë, por jo një domosdoshmëri historike.

Nëse ishte zgjedhja jonë, kjo ka qenë zgjedhja më e keqe, më e gabuar, më joracionale që një popull mund të bëjë. Zgjedhjet që bëjmë, sidoqoftë, rrallë herë janë fatale. Të gabuara, po. Të dëmshme, gjithashtu. Tragjike, disa herë po. Por rrallë herë janë fatale. Sepse, pasi kemi nxjerrë mësime prej zgjedhjeve të gabuara të së shkuarës, mund të heqim dorë e të bëjmë zgjedhje të reja, më të informuara, më të arsyeshme, më të dobishme.

Këtë bëmë kur Berishën e rrëzuam dy herë nga pushteti—më 1997 dhe 2013. Në këta dymbëdhjetë vitet e fundit, Berisha është përpjekur të rikthehet në pushtet me çdo mënyrë e me çdo mjet, por ka dështuar ta arrijë këtë me të vetmen rrugë legjitime—zgjedhjet e lira demokratike. Berisha humbi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013; humbi përsëri në zgjedhjet e vitit 2017; humbi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe përsëri humbi në zgjedhjet e këtij viti. Ai meriton të quhet “humbësi i madh”.

Shumica e shqiptarëve duket se kanë nxjerrë mësime nga zgjedhjet e gabuara të së kaluarës dhe, më në fund, e kanë ndarë mendjen: Berisha është kohë e shkuar! Berisha është kthim pas! Berisha është pa të ardhme. Unë jam shprehur me kohë se Berisha, në fakt, është një fatkeqësi kombëtare.

May time prove me right!

Mirëdita Moikom!
Nga Fatos Tarifa

Sot bëhen pesë vite që Ai nuk është mes nesh. Por, në këta pesë vite, ashtu si kurdoherë më parë, ai ka qenë mes nesh. Çdo ditë. Në bisedat tona. Në kujtimet tona. Në takimet tona. Në veprimtaritë tona. Në gostitë dhe dollitë tona. Mes nesh është edhe sot, pesë vite pasi është ndarë nga jeta.

I njëjti Moikom, pa qenë nevoja të përmend mbiemrin e tij për të thënë se për cilin nga miqtë e mi i shkruaj këto radhë.

Të rinjve të sotëm, që nuk kanë pasur mundësi ta njohin ose të dëgjojnë për të, ose që ende nuk kanë lexuar ndonjë prej poezive, tregimeve apo studimeve të tij, u them se këto radhë i shkruaj për Moikom Zeqon.

Është e çuditshme—sado rrallë që ndodh—që një njeri, i cili është ndarë nga jeta, ta kujtojmë thuajse çdo ditë, për vite me radhë, e të flasim kaq shumë për të, sikur të ishte gjallë e midis nesh.

Nuk ndodh shpesh e nuk ndodh me këdo, ose për këdo. Ndodh, mesa duket, me dhe për ata njerëz, të cilët i kemi të shtrenjtë dhe i çmojmë veçanërisht, të cilëve ua dimë vlerat e rralla, dhe të cilët jemi mësuar t’i kemi mes nesh, t’i dëgjojmë e të ndajmë me ta historitë e jetëve tona, gëzimet dhe shqetësimet tona, dhimbjet tona fizike e shpirtërore, idetë tona, krijimet tona, miqtë dhe miqësitë tona.

Pikërisht për shkak se njerëz të tillë kanë bërë vend në jetën tonë dhe në mendësinë tonë si një rutinë e përditshme—si kafeja e mëngjezit që pimë, si telefonata e parë që bëjmë, si ora kur nisemi për punë, si shoku me të cilin udhëtojmë lart e poshtë Shqipërisë, si njeri të cilit i kërkojmë një këshillë—humbja e tyre lë një boshllëk të tillë te ne, që koha—e matur me vite e jo me ditë—nuk arrin ta mbushë dot.

Humbja e disa njerëzve është më e rëndë—dhe e pazëvendësueshme—se sa ajo e shumë të tjerëve. Prindërit, vëllezërit e motrat, kur i humbasim, nuk ka të tjerë që mund t’i zëvendësojnë për asnjërin nga ne. E njëjta gjë ndodh me shokët tanë më të ngushtë dhe, për mua, Moikomi ishte një i tillë.

Një shok besnik—në ditë të mira e të vështira.

Një studiues polihistorian dhe autor i shkëlqyer.

Një punëtor i palodhur i kulturës dhe i shkencës.

Një individ me talente të rralla në shumë fusha.

Një intelektual i gjithëditur, e kundërta e “gjithologëve” filistinë të ekraneve të sotëm.

Një bashkëbisedues i ditur dhe i mençur, por edhe modest e tolerant.

Një zë publik i respektuar gjerësisht, edhe nga ata që nuk pajtoheshin me idetë e tij.

Një njeri që e njihte të keqen dhe e vuajti atë, por që në jetën e tij bëri vetëm mirë.

Dhe bëri punë shumë të mia e që do të mbahen mend për artin dhe letërsinë, për kulturën dhe shkencën, për historinë e Shqipërisë, për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Si Ministër i Kulturës. Si Ligjvenës. Si Mbrojtës i thesareve të historisë së popullit shqiptar në Muzeun Historik Kombëtar.

Një intelektual publik kurajoz dhe i pakorruptueshëm

Një demokrat i vërtetë në ide dhe në sjelljen politike.

Një humanist i madh—Erazmi shqiptar.

Mirëdita Moikom!

Edhe këto ditë të kujtuam me shokët tanë të përbashkët—Pëllumbin, Artën, Dianën, Etemin, Marenglenin e shumë të tjerë Na mungon shumë, edhe pse të kemi përherë mes nesh!