Etleva Bragjeçi – JavaNews.al

8 Marsi i femrave shqiptare
Nga Etleva Bragjeçi

“Sikur të gjithë burrat që nuk iu është dëgjuar ndonjëherë zëri në Kuvend të zëvendësoheshin nga gratë, do të ishte shumë më mirë”. Më nxiti kjo frazë e Ish-Pedagoges time në Fakultetin e Gazetarisë, njëkohësisht edhe aktiviste për të drejtat e grave, Iris Luarasi, për tu ulur e shkruar disa radhë për 8 marsin e femrave shqiptare.

Që nga koha e protestës së parë të 8 marsit të vitit 1908 në SHBA, ku me qindra gra që punonin në një fabrikë tekstilesh në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u futën në grevë për të kundërshtuar kushtet mizerable në të cilat punonin, ka kaluar shumë kohë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar e janë përmirësuar. Nga ajo protestë, ku vdiqën 129 gra, janë miratuar ligje, janë themeluar Konventa, organizata e nisma të ndryshme, të cilat kanë përmirësuar dhe kanë shtuar listën e të drejtave të grave.

Por, sot më 8 mars, sikundër çdo vit tjetër, shoh femra të lyera dhe veshura me fustane e taka që në mëngjes, të cilat mezi presin që eprorët në punë tu thonë, “Ikni më herët sot se do të festoni”; Shikoj vajza të reja apo edhe gra të reja, të cilat presin darkën e 8 marsit për tu shfrenuar në klubet e kryeqytetit me striptistë të huaj, që vijnë enkas për këtë datë në Shqipëri të ftuar nga pronarët e lokaleve; Çdo vit, fëmijët u blejnë buqeta me lule dhe urojnë mamatë e tyre që në mëngjes, kjo për shkak se në vendin tonë është perceptuar më shumë si festa e nënës dhe jo e femrës; Çdo 8 mars bashkëshortët bëhen shumë të dashur dhe të sjellshëm me bashkëshortet e tyre, madje madje edhe nëse nuk e kanë për zakon, rregullat e reja u imponojnë që tu blejnë ndonjë buqetë me lule apo ti nxjerrin gjëkundi për drekë ose darkë; Çdo vit më 8 mars përsëritet e njëjta sinfoni ligështuesë, e trishtueshme, e shtirur deri në palcë dhe përsëri femrat vazhdojnë të bien pre e meshkujve edhe për 8 marsin, “ në ditën e tyre”.

Nënat, motrat, bashkëshortet, vajzat dhe çdo femër vazhdojnë të besojnë se 8 marsi është festa e tyre dhe për këtë arsye ata duhet të festojnë dhe meshkujt atë ditë duhet që tu qëndrojnë në gadishmëri për tu plotësuar dëshirat e tyre mjerane.

Edhe ato femra që 364 ditët e tjera të vitit janë dhunuar sistematikisht nga burrat e tyre, dhunë fizike dhe psikologjike, gëzojnë dhe festojnë më 8 mars; Edhe ato femra që nuk ndjehen asnjëherë të vlerësuara nga meshkujt e jetës së tyre sërish ngazëllejnë më 8 mars; Edhe punonjëset femra që gjithë vitin mund të jenë të diskriminuara në punët e tyre, sërish në një ditë të vetme gëzojnë se do ta bëjnë pushim atë ditë, apo se punëdhënësit e tyre mund tu organizojnë një drekë-festë për “nder të festës së tyre”; Femrat që punojnë në administratën publike gëzojnë në drekën që institucioni ka shtruar atë ditë enkas për ta; Edhe femrat qeveritare festojnë dhe dalin të hareshme përpara mediave, duke thënë se me siguri ata do të punojnë më shumë që vitin tjetër femrat të kenë më shumë të drejta dhe të kenë një përfaqësi më të lartë në Parlament.

Nga ana tjetër politikanët meshkuj, edhe ato që nuk janë dukur ndonjëherë në Kuvend dhe pakkush i njeh që janë deputetë apo ministra, dalin me ca “selfie” nëpër rrjetet sociale apo qorrtas në ndonjë media duke pozuar lumturisht krah femrave, si për të treguar se ata i mbështesin dhe i vlerësojnë femrat po aq sa dhe veten!

Mund të kuptoj shumë festa të tjera, qofshin ato fetare apo pagane në Shqipëri, por FESTEN e 8 Marsit nuk mundet ta kuptoj në këtë shoqërinë tonë. Mund ta kuptoja nëse femrat në Shqipëri do të trajtoheshin e të kishin të njëjtat të drejta dhe standarte siç ndodh në Perëndim, apo do të isha e lumtur dhe e mbushur me shpresë nëse këto femra do të protestonin për të gjitha ato gjëra që iu mohohen atyre. Por në kushtet ku numri i femrave të dhunuara është në rritje, kur numri i femra që nxirren në rrugë për të prostituar është po ashtu në rritje, ku numri i femrave që na përfaqësojnë në institucione, Kuvend apo organizmat e tjerë sërish është shumë i ulët krahas meshkujve, kur të jesh femër dhe të shkosh të kërkosh punë shpesh të shohin si objekt seksual, ku pjesa më e madhe e drejtuesve kudo që të shkosh është meshkuj dhe kjo në shumicë të rasteve jo me meritë, në një vend ku të jesh femër është shumë herë më e vëshitrë të jetosh, ka vend për protesta dhe jo për festa.

Të dashur burra, nëse doni të tregoni respekt, vlerësim e dashuri për bashkëshortet tuaja, bëjëni këtë 364 ditë të vitit dhe jua siguroj së ditën e 365, ditën e 8 marsit, do t’jua lënë pushim gratë, nuk do e duan dashurinë tuaj atë ditë.

Fort të dashur fëmijë, të paktën ju të rriturit që e kuptoni mirë se çbëhet në këtë botë, nëse doni që të përkujdeseni për nënat dhe motrat tuaja, tu dhuroni atyre dashuri dhe respekt, bëjeni këtë duke u bërë njerëz të mirë për veten dhe për shoqërinë, mësoni shumë dhe punoni ndershëm, tregoni mëshirë në ditë të vështira për ata që kanë nevojë për ju, mos u marrosni pas parasë duke e kthyer atë në një qëllim për jetën tuaj, duajeni dhe respektojeni familjen tuaj qoftë edhe duke ju thënë një fjalë të mirë, tregojini motrës se jeni krenar për të dhe se jeni aty gjithmonë për ta mbështetur atë, thuajini mamasë tuaj çdo ditë sesa e doni dhe se është njeriu më i rëndësishëm i jetës tuaj, kujtojeni me një telefonatë sa më shpesh të mundeni edhe nëse jeni larg dhe gjejeni kohën që ta vizitoni atë më shpesh. Nëse i bëni të gjitha këto çdo ditë, nëna juaj do të jetë nëna më e lumtur në botë dhe më krenarja për ju dhe s’do të ketë nevojë të festojë më 8 mars, pasi festa e saj është çdo ditë dhe ajo festë quhet “Ti”, Ti je festa e saj, je lulja më e bukur për të dhe dhurata më e paçmuar që mund ti jetë bërë ndonjëherë në jetë.

Shumë të dashura femra dhe zonja që punoni çdo ditë po aq shumë sa edhe meshkujt, tregojuni eprorëve tuaj se nuk ju duhet një ditë pushim apo festë më 8 mars, por se ju meritoni të vlerësoheni po aq sa edhe punonjësit e tjerë meshkuj.

Fort të dashur politikanë, lerini ekspozimet dhe fjalët e bukura e premtimet boshe që bëni çdo 8 mars se femra është forcë e madhe, e fuqishme, e zgjuar etj, etj. Ju gra politikane, bëjeni punën dhe tregojini meshkujve kolegë që jeni po aq të zgjuar sa edhe ata, në mos edhe më shumë, tregojuni atyre se e bëni punën po aq mirë madje edhe më mirë sesa ata dhe tregojuni atyre se ju e meritoni të jeni në atë vend po aq sa edhe ata.

Për ju politikanë meshkuj do kisha dashur që përkrah çdo karrigie përkrah jush të ishte një femër e zonja dhe e ndershme, do doja shumë që shumicën prej jush të mos i shihja më kurrë në atë Parlament apo institucion publik që përfaqëson, po ashtu do doja shumë që shumë prej jush të cilëve nuk ua kam dëgjuar zërin të largoheshit nga ai vend dhe t’ja linit vendin një zonje të nderuar. Edhe për ata që i kam parë e dëgjuar shumë herë, por që vetëm të liga kanë mbjellë dhe përcjellë, duke përfituar nga pushteti që kanë, do doja që të zhdukeshin përgjithmonë dhe në vend të tyre të ishin zonja të zgjuara, me vullnet të fortë dhe me mirësi të plotë. Aty ku është femra, është e sigurtë që ka shumë më shumë punë të ndershme dhe shumë më shumë të mira për popullin.

Ndërsa për ju nëna apo gra që ankoheni dhe qaheni se jeta po ju përball me vështirësi dhe ju nuk mund t’ja dilni dot, mos mendoni se si të qaraviteni por se si mund ti kapërceni vështirësitë që ju përball jeta, të ngriheni edhe atëherë kur rrëzoheni, të shpresoni edhe kur duket se shpresat kanë vdekur, të kërkoni lumturinë edhe kur duket se çastet e lumtura janë pakësuar si pika e fundit e ujit të jetës.

Unë jam ende e re ndoshta për të menduar kësisoj, apo për të guxuar të shpreh dhe të jap këshilla prej një të rriture. Nuk e kam përvojën e jetës sa një grua apo femër që i ka kaluar pothuaj të gjitha stadet e jetës. Por ama unë kam një shembull të madh, të cilin e kam përpara syve dhe zemrës sa herë që mendoj dhe veproj për jetën. Shembulli më i mirë i jetës time, është nëna ime, është ajo të cilën jeta e ka përplasur fort shumë herë, e ka rrëzuar shumë herë por sërish është ringritur, i ka hequr buzëshjen por sërish ka mundur ta gjejë atë, në një moment mundet ndoshta edhe ti ketë hequr shpresat, por sërish është kapur fort pas fijes së fundit që i ka mbetur edhe është ringritur edhe më e fortë se më parë. Sepse në jetë duhet të luftosh çdo ditë për të marrë atë që të takon dhe për të patur grimca lumturie. Sepse femra ka fuqi dhe forcë të pashtershme, pavarësisht se me çfarë i duhet të përballet në jetë.

Gjërat në jetë nuk të dhurohen por fitohen! Ndaj, fort të dashura femra, luftoni dhe kërkojini ti merrni me ngulm ato që meritoni!

Kishat apo xhamitë?
Nga Etleva Bragjeçi

Nuk di nëse para pushtimit 500-vjeçar turk të parët e mi kanë qenë myslimanë apo të krishterë, por di se që prej qindra vitesh fisi im dhe familja ime janë myslimanë (sunitë). Jam rritur në një familje ku gjyshi i festonte festat fetare (Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, Natën e Kadrit etj) dhe ku gjyshja agjëronte përgjatë gjithë muajit të Ramazanit, edhe pse i duhej të punonte edhe në mes të vapës, kur Ramazani i binte në muajin korrik apo gusht. Mbaj mend që për Bajram apo për Natën e Kadrit gjithmonë bëhej kurban një ‘gjë e gjallë’, pasi gjyshi thoshte se ishte mirë që të përgjakej ajo festë dhe një pjesë e mishit të jepej për sevap apo ‘sadaka’, siç i thonin gjyshërit tanë në turqishten e vjetër.

Pa dyshim që edhe festat e tjera si Viti i Ri, Dita e Verës ( e cila në vendlindjen time është traditë e vjetër), Sulltan Novruzi dhe çdo festë tjetër e kësaj natyre festohej në familjen tonë dhe tek çdo familje tjetër, por çdo gjë mbetej deri tek festimet, pa ndjekur apo predikuar ndonjë ritual fetar të veçantë.

Kur isha fëmijë, jam futur një ose dy herë tek xhamia e fshatit, duke ikur fshehurazi nga shtëpia, pasi kurioziteti prej një fëmije 7-8-vjeçar më shtynte të shikoja se çfarë bëhej në atë godinë (xhami), ku me dhjetëra burra të fshatit çdo ditë të premte mblidheshin për të falur ‘xhumanë’. Shikoja burra që uleshin e ngriheshin dhe që këndonin disa vargje në arabisht, por asgjë nuk kuptoja.  Fshati i lindjes nuk kishte kisha, pasi ishte një vend me popullsi muslimane, ndaj sa isha fëmija dhe jetoja atje nuk pata kurrë mundësinë të futem në një kishë. Pas shumë vitesh, kurioziteti që qëndronte akoma brenda meje, më bëri që të futem në 2-3 kisha të ndryshme. Nga pikëpamja e një te reje, e cila nuk i predikon dhe as nuk i ka qejf ritet fetare, në thelb edhe kisha edhe xhamija më duken njëlloj: në xhami hoxha këndon xhumanë ndërsa në kishë prifti mban meshën, njerëz që falen në xhami dhe të tjerë që luten në kishë, ikona të ndryshme fetare nëpër mure etj. E di që nëse dikush që predikon njërën nga fetë dhe po e lexon këtë shkrim, do ngrejë kryet dhe nuk do bjerë aspak dakord me këndvështrimin tim, por tek e fundit kjo është liria e mendimit dhe besimit fetar.

Unë nuk mendoj se një bashkëmoshatar/re e imja që mund të dijë më shumë sesa unë mbi fenë apo që predikon ritet fetare është më i/e mirë sesa unë; Unë nuk mendoj se të mos mësosh fenë do të thotë të jesh më i keq, më i ligë, më pak i mençur apo me vese të këqija; Unë nuk mendoj se të mos mësosh fenë do të thotë të bëhesh radikal apo kamikaz, apo e kundërta, të jesh fetar të bën radikal e vrasës për hir të fesë. Jo aspak!  Mendimit të disa personave, apo më mirë të propagandës së tyre se viktimat e Parisit, Ankarasë apo Brukselit janë viktima të fesë muslimane, janë vetëm demagogji që ose bëhen nga padija (ç’ka e dyshoj), ose duan të nxisin medoemos konfliktet fetare, në një kohë kur nuk ekzistojnë.

Unë jam nga ata persona që mendoj se, në vend që të mësosh mbi fenë, ku ndër të tjera të mëson edhe sesi të “sakrifikohesh” për Muhamedin apo Krishtin, është shumë herë më e frytshme të mësosh historinë apo gjeografinë e vendit tënd nëse je në shkollë, e nëse nuk je nxënës shkolle apo student, fare mirë mund të lexosh libra të tjerë, të merresh me një studim, të mësosh një gjuhë të huaj, të merresh me sporte apo ta shfrytëzosh kohën sipas dëshirës.

Nëse ka një gjë që krenohemi ne shqiptarët, përveç historisë, bukurisë së natyrës dhe mikpritjes, harmonia fetare është një nga virtytet më të çmuara që ne si komb kemi. Në Shqipëri nuk ka asnjë lloj problemi nëse një djalë i krishterë martohet me një vajzë muslimane, apo e kundërta. Në vendin tonë, nën të njëjtën çati jetojnë njerëz të besimeve të ndryshme fetare, ashtu sikundër këtë harmoni e shikon edhe në gëzime e hidhërime, në festa, në punë e kudo tjetër. Bashkëjetesa fetare është nga të paktat gjëra nga të cilat edhe shtetet më të mëdha në botë marrin shembull nga ne.

Ishte pikërisht kjo bashkëjetesë vëllazërore e të gjitha feve në Shqipëri, ajo me të cilën Kryeministri ynë u krenua teksa mbaheshin homazhe në Paris për nder të viktimave të “Charlie Hebdo” në Francë. Është pikërisht kjo harmoni fetare që na ‘justifikon’ ne edhe nga sulmet radikale që po kërkohet të shiten si të fesë muslimane dhe të distancohemi prej tyre.

Nisur nga krenaria që Kryeministri ynë ka treguar dhe tregon kudo që shkon nëpër botë për harmoninë fetare të Shqipërisë, nuk e  kuptova dhe nuk e kuptoj kur artikuloi në publik futjen e fesë në shkollat publike. Është krejt normale që Kryeministrin e vendit të mos e kuptojë një qytetare e vendit të tij për një rast të caktuar, por nëse si kjo qytetare ka apo do të ketë edhe shumë të tjerë të rinj e të reja të shkolluar, akademikë, profesionistë apo qytetarë të thjeshtë, pastaj normalja kthehet në anormale.

E para, kushdo që dëshiron të mësojë më shumë për një fe të caktuar mund ta mësojë atë nga familja, nga institucionet fetare, nga shkolla private fetare të licensuara për këtë gjë, apo nga organizata e OJF-të fetare dhe nuk ka përse të mësohet me detyrim nëpër shkolla.

E dyta, me këtë logjikë, i bie që edhe ata që nuk duan të dinë përreth fesë, dhe që nuk janë pak, i detyron të mësojnë. Disa nocione të përgjithshme mund të integrohen në historinë e vendit, pasi feja shkon përkrah historisë së një kombi, dhe nuk ka përse hartohet një lëndë e veçantë.

E treta, kush do ti shkruajë tekstet fetare që do të aplikohen nëpër shkolla? Është fakt që çdo vit nëpër shkolla shohim tekste të ndryshme historie, ku historia e vendit tonë deformohet sipas orekseve të historianëve dhe nuk është çudi që e njëjta gjë të ndodhë edhe me tekstet e feve në Shqipëri.

E katërta, besoj dhe mendoj se sa më shumë të dish përreth një feje tek e cila edhe beson, aq më shumë personat bëhen më të predispozuar për ta përqafuar atë fe dhe rrjedhimisht për të ndjekur ritet fetare. Mos kjo do të çonte në një shoqëri më tepër fetare?!

E pesta, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 10, pika 1 thotë: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”, ndërsa në pikën 2 të këtij neni thuhet: “Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare”. Kështuqë çdo individ është i lirë të besojë dhe manifestojë cilën fe dëshiron apo ndjen se i përket dhe nuk mundet ta detyrosh të mësojë me forcë për një fe tjetër. Projektligji i ri, akoma i pahartuar, në çfarëdo mënyre që të hartohet, do të cënojë Kushtetutën e vendit.

Futja si lëndë e detyruar nëpër shkolla apo universitete e fesë, nuk do të bënte gjë tjetër përveçse do të shtonte kaosin e madh ku është futur sistemi ynë arsimor që prej shumë vitesh dhe që çdo përpjekje apo reformë për ta nxjerrë nga ajo gjendje ka qenë e dështuar deri më tani.

Për t’ju kthyer pyetjes së fillimit: kishat apo xhamitë? Unë në vend të tyre, pa më të voglin dyshim, do të zgjidhja shkollat, do të zgjidhja arsimin, do të zgjidhja edukimin e fortë dhe solid, pa asnjë qasje politiko-fetare. Vetëm kjo na shërben për të rritur breza më të edukuar, më të arsimuar dhe qytetarë më të mirë. Feja nuk i shërben aspak këtij qëllimi!

Muxhahedinët apo refugjatët?
Nga Etleva Bragjeçi

Në maj të vitit 2013 qeveria Berisha ra dakord për marrjen e 210 muxhahedinëve, ndërkohë që tani qeveria Rama ka rënë dakord që të pranojë edhe 2 mijë muxhahedinë të tjerë, edhe pse ka zëra që ky numër mund të rritet.

Muxhahedinët i përkasin organizatës Mujahedeen-e-Khalq (MEK), e themeluar 50 vjet më parë si një zë kundër dy regjimeve diktatoriale të Iranit. Sipas raportimeve të mediave botërore rezulton se MEK është stërvitur nga Saddam Hussein në guerrilje, luftë urbane, mashtrim, torturë etj. Aktualisht grupimi është rreshtuar me Ushtrinë e Lirë Siriane në Siri duke i dalë kundër regjimit të sotëm të Iranit.  Fillimisht Washingtoni e cilësoi MEK-un si një organizatë terroriste, për shkak se kjo e fundit vrau 6 amerikanë në vitin 1970. Por politika e SHBA-ve ndaj MEK ndryshoi pas rënies së Sadam Hussein-it, duke i hequr nga lista e organizatave të huaja terroriste dhe e cilësoi si një grup të vendosur në Lindjen e Mesme dhe që kishin mbështetjen e SHBA-ve. Vendimi u mor nga Sekeretarja e Shtetit, Hillary Clinton, vendim i cili u argumentua me faktin se muxhahedinët kishin hequr dorë nga dhuna e aktet terroriste dhe bashkëpunuan për mbylljen e kampit Ashraf. Elizabeth Rubin, një bashkëpunëtore e “Neë York Times”, e cila ka vizituar në vitin 2003 kampin Ashraf, thotë se veç akteve terroriste kundër regjimit iranian, në të cilat mund të ketë vrarë rreth 12 mijë persona, ky grupim ka vepruar si grup mercenarësh në favor të Sadam Hysseinit, i cili i kishte armatosur dhe i paguante sa herë kishte nevojë për ta. Të njëjtën linjë argumentesh raportojnë edhe një sërë mediash botërore.

Informacionet mediatike dhe historike për këtë grupim japin një panoramë të tyren si grupim terrorist, si një sekt i organizuar rreth kultit të individit dhe liderëve të tij. Kjo do të thotë që muxhahedinët e ardhur dhe ata që pritet të vijnë nuk duhen trajtuar si individë, por si grup me potencial për të qenë i rrezikshëm. Madje, në një intervistë për një nga të përditshmet shqiptare, një prej muxhahedinëve të ardhur në Shqipëri, paralajmëron se duhet patur kujdes me vetë ata (muxhahedinët), pasi përbëjnë rrezik dhe “poshtë fytyrës së tyre fshihen ujqër”, -citohet të ketë thënë muxhahedini i ardhur para disa muajsh në vendin tonë.

Për një vend të vogël si ky i yni, direktivat e Fuqive të Mëdha, e aq më tepër të një superfuqie si SHBA që po komandon botën, janë ligje të pashkruara por që prevalojnë mbi këto të fundit. Janë pak a shumë si një lloj kanuni në vendin tonë, që të gjithë i binden dhe nuk guxon kush ti thyejë rregullat. Ndaj edhe direktivat e SHBA-ve për të strehuar 2 mijë muxhahedinë në Shqipëri, nga pikëpamja gjeopolitike dhe diplomatike është në një farë mënyrë e pakundërshtueshme, dhe pse shumë shtete të tjera, fqinje apo jo, guxuan ta kundërshtojnë këtë direktivë dhe ndoshta në këtë grup shtetesh mund të ishim edhe ne.

Nga ana tjetër, ndaj direktivës së Europës për të hapur kufijtë e për të aplikuar një politikë lehtësuese për emigrantët që po dynden nga shtete të ndryshme, kryesisht ato të Lindjes së Mesme, që janë në konflikte të armatosura e ku u rrezikohet jeta, po dukemi paksa kryeneçë. Kjo kryeneçësi është e justifikueshme, duke marrë parasysh kapacitetet e vendit tonë për të strehuar refugjatët, apo sikundër thotë edhe Kryeministri i Shqipërisë, se vendi ynë nuk e ka luksin për të hapur kufijtë, por ama as nuk do të ndërtohen mure për të ndaluar ardhjen e emigrantëve.

Pikëpamja pragmatiste, se për sa kohë që vetë Europa nuk i hap kufijtë e as Shqipëria nuk ka arsye për ti hapur kufijtë është më se e drejtë dhe legjitime. Por pyetja që unë shtroj është: Përse Shqipëria ndërton kampe për të strehuar muxhahedinët dhe nuk i ndërton për refugjatët? Përse ne i hapim dyert një grupimi me rrezikshmëri të lartë për vendin tonë por edhe më gjerë dhe nuk i hapim dyert për ata që ikin nga lufta e mjerimi? Jo se vendi ynë është më i begatë, por të paktën mund të mbijetosh e tu shpëtosh plumbave të luftës që gëlojnë çdo ditë në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. Përse Shqipëria mundi të përballojë valën e refugjatëve të vëllezërve e motrave tona në kohën e Luftës së Kosovës, kur nga çdo pikëpamje Shqipëria nuk kishte më shumë kapacitete dhe nuk ishte më e fuqishme se kjo e sotmja dhe nuk mundet ti hapë kufijtë tani? Natyrisht që ndjeshmëria për vëllezërit tanë kosovarë është shumë herë më e madhe dhe as që mund të krahasohet me ndjeshmërinë që ne kemi për refugjatët e vendeve të tjera, por tek e fundit të gjithë janë qënie njerëzore!

Përse Europa i hapi dyert qindra-mijëra apo miliona shqiptarëve, që turreshin të iknin nga sytë këmbët me gomone, anije, maune apo çdo lloj mjeti tjetër vetëm pak kohë pasi u hapën kufijtë e Shqipërisë?  Përse Shqipëria duhet ti hapë dyert atyre që mund të minojnë sigurinë e vendit tonë dhe mos tu hapim dyert atyre që ikin pikërisht nga përpjekja për të shpëtuar vetëm jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, asgjë më tepër!

Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të strehuar qindra-mijëra emigrantë që dynden çdo ditë drejt kufijve të Europës dhe Ballkanit. Shqipëria ka me mijëra qytetarë të saj që janë të papunë e nuk kanë mbase me çfarë të ushqejnë fëmijët; Shqipëria ka më shumë se gjysmën e popullsisë së saj jashtë kufijve, në emigrim. Mirë apo keq, me apo paragjykime, me apo pa tortura, me apo pa racizëm, shqiptarëve iu hapën dyert në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Turqi etj dhe sot e kësaj dite emigrantët shqiptarë janë burimi kryesor i të ardhurave për shumicën e familjeve në Shqipëri.

Ndaj është radha e Shqipërisë tani të bëjë rolin e mikut dhe të mirëpresë me “bukë e kripë e zemër të bardhë” siç thonë shqiptarët!

Nuk do të doja që Shqipërisë sonë plot mundime, ti shtoheshin edhe ca halle më tepër me ardhjen e refugjatëve. Por në kujtesën time dhe të të gjithëve ne kanë mbetur imazhet e qindra-mijëra shqiptarëve, të cilët tentonin të iknin nga mjerimi për një jetë më të mirë. Shumë herë kjo arrati mbeti në mes për dhjetëra shqiptarë të tjerë që u mbytën në det apo mbetën rrugëve të maleve, në tentativë për të kapërcyer kufijtë. Atëherë isha vetëm një fëmijë dhe pamjet e të afërmve tanë e ato çfarë dëgjonim prej tyre, kur je fëmijë nguliten thellë në memorie për të mos u zhdukur mbase kurrë. Nuk mundet të bëjmë sikur harrojmë tani që ne jemi rritur, edhe Shqipëria është pak më e rritur…Më mirë të strehojmë ata që janë sot siç ishim ne dje, thjeshtë emigrantë; më mirë të strehojmë ata të cilët nuk na rrezikojnë sesa ata prej të cilëve nuk e dimë se ç’mund të presim…!

Kërkon të marrësh frymë e merr një shpullë
Nga Etleva Bragjeçi

Të paguash për të të rrahur! Kjo ishte ajo çfarë pamë dje në protestën e qytetarëve në parkun e liqenit, ku dikush që kërkon të marrë frymë, merr si këmbim një shpullë!  Protesta është e drejtë themelore e çdo individi dhe nuk mundet t’ua mbyllësh gojën qytetarëve me shpulla, grushte, shqelma apo kapje prej flokësh. Është e papranueshme teksa qytetarët protestojnë për të drejtat e tyre dhe rrihen nga efektivët e policisë, të cilët paguhen me taksat tona! Sado provokuese të ketë qenë ajo zonjë në atë protestë, apsolutisht nuk mund të trajtohej në atë mënyrë. Çdo turmë protestuesish mund të dalë jashtë kontrollit në një moment të caktuar,  dhe detyra e policisë është që ta mbajë nën kontroll situatën, ta mirëmenaxhojë dhe jo të degradojë në atë farë feje! Si qytetare më erdhi keq teksa pashë që policia, e cila presupozohet të na sigurojë rendin dhe jetën, na rreh pikërisht mu përpara të gjithëve; Si femër ndjeva akoma më tepër keqardhje që një zonjë të gjuhet me shpullë e të kapet prej flokësh. E përse? Sepse po proteston që të mos i hiqet ajo pjesë e vogël e gjelbëruar që i ka mbetur Tiranës. Turp!

Nëse një pjesë këmbëngul që atë protestë ta kthejnë dhe ta përdorin për qëllimet e veta, qoftë për të thënë që ajo protestë është e nisur nga opozita, apo kjo e fundit së bashku me ndonjë degë të thatë të saj siç mund të jetë AK tenton ta përdorë si kauzë të saj, e kanë gabim. Opozita le ta gjejë tjetërkund kauzën e saj, pasi ajo është kauza e qytetarëve të thjeshtë, që nuk kanë asnjë lidhje partiake, e aq më tepër me PD. Një pjesë të mirë të atyre që protestuan dje i njoh personalisht, e njoh Arditin, e njoh Eraldin, e njoh profesor Ervinin, e shumë të tjerë me radhë, të cilët s’kanë kurrfarë lidhjeje me të qenit militant i ndonjë partie politike, e jo më të përdoren nga opozita për një çështje të tillë. Zonjën e dhunuar nuk e njoh personalisht, por nga informacionet e dhëna nga media rezultonte që ajo zonjë ka qenë edhe në protestën e 21 janarit 2011, edhe në protestën për pronën në vitin 2014 dhe ishte edhe dje në protestë për parkun. Logjika të çon që ajo zonjë nuk është një militante partiake, por proteston edhe për kauza qytetare, siç është ajo e mbrojtjes së parkut të liqenit. Ai grup qytetarësh, me përjashtim të 2-3 personave që mund të ishin partiakë dhe që qytetarët u distancuan prej tyre që pa nisur mirë protesta, janë të njëjtët që protestuan edhe për ndërtimin e 17-katëshit që u nis të bëhej tek diga e Liqenit Artificial, janë po të njëjtët që kanë protestuar edhe për kauza të tjera në të mirë të qytetit. Flas për qytetarët që protestojnë se ai park vërtetë u dhemb dhe jo për militantët e opozitës apo njerëzit e politikës që protestuan sot. Jo, po flas për ata të djeshmit dhe të shumë herëve të tjera që i kam parë të mbrojnë kauza për qytetarët dhe qytetin ku jetojnë.

Po do të bëjmë pyetjen nëse është apo jo një protestë e drejtë, do të përgjigjem po me pyetje. Po citoj disa prej pyetjeve që një prej aktivistëve të shoqërisë civile, i cili ishte në protestë dhe madje edhe u dhunua dhe u shoqërua në polici, i bënte në një debat publik në rrjetet sociale dikujt që fliste si militant partie:

E para, pse qytetarët nuk u informuan për projektin, por një ditë të bukur u gjendën përballë faktit të kryer që aty do të ndërtohej dhe e panë hapësirën të rrethuar dhe pemët e prera?

E dyta, pse parku nuk bëhet poshtë digës së liqenit?

E treta, përse nuk pati dëgjesa publike?

Mbase mundet edhe që ata qytetarë ta kenë gabim, por pse nuk u informuan ata në mënyrë që të mos krijohej e gjithë kjo situatë. Bindni qytetarët me të dhëna e argumente dhe jo me dhunë.

Këtyre pyetjeve, po u shtoj edhe unë një dorë tjetër: Përse një park i tillë nuk ndërtohet tek Parku Rinia ku do të priteshin më pak pemë dhe ku është shumë më afër për qytetarët?; Përse një park i tillë të mos bëhet aty ku ka beton dhe ky beton të kthehet në gjelbërim dhe kënd lojërash për fëmijët?; Përse u dashka me ndërhyrë pikërisht në të vetmen hapësirë të gjelbërt të Tiranës, pak vende të tjera ka në Tiranë ku mund të ndërtohen parqe të tilla?

Askush nuk është kundër ndërtimit të parqeve, të gjithë jemi pro që të ndërtohen sa më shumë të tillë, por të ndërtohen atje ku nuk prishin por ndreqin, atje ku nuk priten pemë por mbillen të tilla, atje ku qytetarët janë dakord dhe jo atje ku qytetarët dhunohen për ta mbrojtur të vetmen mushkëri që i ka mbetur Tiranës.

Më erdhi vërtetë keq teksa lexoja një të ri partiak, që duke dashur të gjente argumente për të mbrojtur ndërtimin e parkut brenda parkut thoshte: Po ç’të keqe ka edhe sikur nga parku të ketë biznese fitimi?!

Po pse, pak biznese fitimi ka Tirana? Pse të mos mendojmë njëherë të vetme për frymën që marrim çdo ditë, se po na e hoqën atë nuk na duhen as bizneset më pas!

Për atë djalin e ri që mendon në mënyrë të tillë dhe për të gjithë të rinjtë e tjerë që mendojnë si ai, do t’u thoja: Jo doemos duhet me gjetur argumente edhe atje ku nuk ka për të qenë pro linjës së partisë. Të jesh në opozitë me problemin, në Shqipëri është si të jesh në pozitë me opozitën dhe në opozitë me qeverinë!