Edi Rama – JavaNews.al

Rama për organizimin e ri të PS-së në Tiranë: Përtej përgatitjes për fitore elektorale, synojmë një marrëdhënie të re besimi me qytetarët
Nga Edi Rama

Mirëmëngjes të gjithëve! Sot, nisim organizimin e ri të Partisë Socialiste për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës; partiak, në kuptimin e angazhimit të posaçëm të çdo anëtari të kësaj familjeje politike; qytetar, në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese dhe grupi interesi komunitar në kuptimin e lidhjes proaktive me çdo bashkësi qytetare që është vetëkrijuar nga prejardhja krahinore, besimi fetar apo qëllimet sociale.

Ky organizim do ta marrë forcën e vetë tek arritjet e mëdha të Partisë Socialiste për Shqipërinë dhe për shqiptarët, pasqyra kuptimplotë e të cilave është buxheti 2027.

Por, njëkohësisht në forcë bindëse do duhet t’i kthejmë edhe defiçitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re.

Nga njëra anë, me paraburgimin thuajse dyvjeçar të kryetarit të zgjedhur nga populli i kryeqytetit dhe nga ana tjetër me vendimin absurd të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë atë në detyrë edhe pse në mungesë, domethënë në pamundësi të plotë të ushtrimit të detyrës.

Ky absurditet antidemokratik i prodhuar nga një zhbalancim i hapur i drejtësisë, e cila faktikisht e la thuajse dy vjet kryeqytetin e Shqipërisë me kokë të prerë, është i pashoq në historinë e Europës Demokratike, por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë. Pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës.

Në dorën tonë është t’u tregojmë atyre jashtë këtyre mureve, qytetarëve pra, se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këta dy vjet.

Si do ta mbyllim plagën ende të hapur të rindërtimit në kombinat dhe gjetkë.

Si do ta rrisim volumin e apartamenteve sociale dhe si do ta krijojmë falë reformës së sapomiratuar në parlament të strehimit, shtresën e re zhvillimore të strehimit të përballueshëm. Si do ta adresojmë nevojën për ende më shumë shkolla dhe qendra shëndetësore në një Tiranë që rritet dhe që zgjerohet pa pushim, po sidomos për kopështe dhe për çerdhe të reja, të cilat janë kusht për mbarëvajtjen e punës së prindërve në familjet e reja.

Si do ta zgjerojmë ofertën turistike të Tiranës me rrjetin e ri të muzeve në shtëpitë monument kulture, pasi i kemi shpëtuar nga shembja përmes shpronësimeve të  Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Po sistemin e administrimit të ujit dhe mbetjeve, si do t’i çojmë në një nivel tjetër, duke u nisur nga Tirana dhe pastaj në krejt Shqipërinë, përmes partneritetit të ri strategjik që po ndërton qeveria e Shqipërisë me operatorë të mëdhenj europianë, pa harruar taksat dhe tarifat vendore për të cilat Partia Socialiste duhet të ketë një kontratë unike, të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në rang kombëtar.

Sepse për shembull dhe ka fatkeqësisht shumë shembuj, nuk bën më sens që qeveria ta ketë zero taksën për biznesin e vogël, kurse bashkitë ta ngarkojnë biznesin e vogël me lloj-soj tarifash, për lloj-soj arsyesh. Tirana është një sintezë e Shqipërisë ku dhe kërkesa është e një niveli tjetër edhe oferta duhet të jetë e një niveli tjetër. Prandaj në këtë kontekst, ku ne e nisim sot organizimin e ri, mbajeni mirë parasysh faktin se në Tiranën që e kemi fituar gjashtë herë në shtatë, ne 26 vitet e fundit kemi qenë një ofertë që ka qenë gjithnjë e një niveli tjetër, por mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, po na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë, e bindur se e ka fitoren në xhep.

Nuk besoj se ne rrezikohemi sot nga ajo lloj mendjelehtësie dhe nuk dua të përsëris këtu gjatë çfarë thashë në Asamblenë Kombëtare për fenomenin e “të ëmës së Zeqos në majë të thanës”.

Por dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si “e ëma e Zeqos në majë të thanes” me detyrat ndaj familjes sonë politike dhe me borxhet që u kemi atyre që na dha na kanë besuar drejtimin e Tiranës dhe të Shqipërisë, nuk do ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku absolutisht të gjithë janë të nevojshëm, por ku absolutisht askush nuk është i domosdoshëm. Një njeriu që nuk është i lirë, i falet t’i lexojë gabim situatat, t’i gjykojë gabim gjërat, të fantazojë duke folur gabim dhe të porosisë gabimisht punë të gabuara. Por askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik apo që ka detyrën ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe lëre pastaj të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve.

Kështu që, çdo drejtuesi të çdo hallke të zinxhirit të drejtimit të bashkisë së Tiranës që është dhe anëtar i kësaj familje politike, natyrisht nuk flas për të tjerë, i them sot se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga lart për motive krejt të pajustifikueshme as nuk do të harrohet, as nuk do të falet.

Ne jemi partia që e kemi çliruar shtetin shqiptar nga makthi i keqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna duke shpëtuar nderin dhe dinjitetin e mijëra e mijëra mësuesve, infermierëve, policëve, nëpunësve, që përpara se sa ne ta bënim këtë çlirim, ishin mish për topat e partisë në pushtet, kurse prej vitesh tanimë nuk u kërkon askush llogari për kë votojmë dhe jo më t’i largojë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë sonë. Po si mund largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë, drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?

Ky i fundit i adresohet shkresërisht bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe ndaj kësaj familjeje si  “ e ëma e Zeqos në majë të thanës’’.

E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Po ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin ‘’shërbëtorë’’ publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në rradhët e mijëra e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës. E dimë të gjithë që mugnesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisë vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës.

Dhe ne do ta fitojmë përsëri Tiranën sepse pavarësisht dhe përtej të metave, dobësive, gabimeve apo edhe fajeve tona, në gjatësinë e të një përpjete të vështirë sa 13 vjet përpjekje të mundimshme, PS nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative në një hapësirë politike ku alternativat e tjera janë, jo vetëm shumë më të dobëta, por janë seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pasi pas çdonëjrës prej tyre vjen kaosi, vjen konfuzioni, vjen paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë, si një hije që tanimë është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë.

Jo vetëm për kaq. PS është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqiprinë sepse është thjesht rruga e vetme nga kalon amaneti kombëtar i bashkimit me Europën, fuqizimi ekonomik, shoqëror dhe diplomatik i Shqipërisë, në këtë kohë kaq të ndërlikuar për botën dhe për vetë Evropën ku edhe Shqipëria jonë e vogël, pikërisht se është bërë shumë e madhe në perceptimin e të tjerëve, është bërë dhe arenë e luftës hibride kundër BE, kundër përparimit tonë kombëtar dhe kundër reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar.

Po pse kalon nga kjo parti, rruga e fuqizimit ekonomik të Shqipërisë?

Këtë e tregon më së miri pasqyra e buxhetit të vitit 2027. Ai buxhet nuk ra nga qielli. Atë buxhet nuk e prodhuan as dëshirat tona që i kemi pasur të mëdha, qysh në krye të herës, por që nuk kemi pasur mundësinë t’i kthejmë në buxhete sepse nuk na e ka lejuar ekonomia e tkurrur, por e ka bërë pikërisht ekonomia shqiptare, që është më e fortë dhe që na jep mundësinë që të rishpërndajmë më shumë dhe të rishpërndajmë më shumë sepse kemi arritur të jemi të suksesshëm ekonomikisht.

Dëshirën për t’u dhënë njerëzve më shumë, e kanë të gjithë ata që merren me politikë, apo është një dëshirë e natyrshme e kujtdo që ka humanizëm brenda vetes. Por, kush premton gjithçka  sepse nuk do të thirret kurrë në llogaridhënie për të mbajtur premtimet, e ka kollaj ndërsa kush krijon mundësinë për t’u dhënë njerëzve më shumë, e ka të vështirë.

Për herë të parë në historinë e këtij shteti, ne kapërcejmë pragun e 10 miliardë eurove në pasqyrën e buxhetit, falë një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme, gjë që e nënvizojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare; gjë që e thotë shprehimisht në Raportin e fundit të Progresit Bashkimi Evropian, i cili flet me konsiderata shumë të larta për ekonominë e vendit.

Por, arritjet tona nuk janë medalje për gjoksin e qeverisë, sepse për një familje që numëron lekët në fund të muajit, rëndësi ka jo sa e madhe është ekonomia në grafikët e statistikave tona, po sa e shtrenjtë është shporta në dyanin e lagjes.

Prandaj, është një arritje kuptimplotë e gjithë kësaj përpjekjeje të gjatë, fakti që në buxhetin 2027, 54 produkte të shportës; buka, qumështi, vezët, mishi, vezët, frutat, perimet, ushqimi i foshnjave dhe me radhë, do të kenë TVSH-në të ulur në 6%.

Kjo është ekonomia që rritet edhe për qytetarin, edhe për atë që nuk e ka të lehtë të mbajë presionin e shtrenjtimit të produkteve të shportës.

Kjo është ekonomia që rritet siç rritet buka në një shtëpi dhe ekonomia që njerëzit nuk do ta shohin më të rritet në fjalët tona, apo vetëm për ata që fitojnë më shumë, por do ta shohin të rritet edhe në shenjat dhe shprehjet konkrete të solidaritetit tonë me ta, si Parti Socialiste e Shqipërisë.

Dhe këtu vijmë tek rritja e shoqërisë dhe pse nga kjo parti, kalon rruga e vetme, rruga e vetme e fuqizimit shoqëror të Shqipërisë sepse çfarë vlere do të kishte ende sot rritja e ekonomisë nëse një çift i ri nuk gjen dot rrugë për të pasur një shtëpi të vetën; nëse një nënë e vetme mbetet po vetëm përballë kostos së rritjes së fëmijëve; nëse një pensionist sheh me dashamirësi përpjekjet tona, voton me zemër për Partinë Socialiste dhe vazhdon të mos shohë se si e gjithë kjo rritje ekonomike nuk përkthehet edhe tek pensioni i tij.

Nëse një familje me një fëmijë me aftësi të kufizuar e mban e vetme mbi shpinë të gjithë peshën e përkujdesjes, ndërkohë që ekonomia rritet, buxheti rritet dhe mundësitë rriten. Nuk është e mundur!

E pikërisht prandaj buxheti i 2027 është një buxhet historik, sepse të gjitha këtyre pyetjeve fillon t’u japë një përgjigje pranuese dhe pozitive.

Ne i kemi ditur qysh në krye të herës së pensionistëve u kemi një një borxh që nuk e shlyejm dot në të gjallët tonë, jo thjesht borxhin e pensionit, po borxhin moral ndaj një gjenerate që e mbajti mbi shpinë Shqipërinë në trupin me kockat e varfërisë së vet, duke punuar pafund dhe duke marrë thuajse asgjë mbrapsht nga puna. Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne falë rritjes së ekonomisë mund t’jua bëjmë pak me të lehta dhe çdo vit edhe pak më të lehta vitet që ata kanë përpara.

Ja pse nga 1 janari, e thotë tanimë buxheti që është në Parlament përsëri bonusi i tyre i fund muajit do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush të mos mendojë nga pensionistët që më ndjekin se unë mendoj se këto mjaftojnë. Jo, por pa diskutim që ka një ndryshim midis një pensioni që nuk rritet dhe një pensioni që rritet çdo vit dhe kjo nuk është pika e mbërritjes. Ky është vetëm një stacion i një rruge ku vitin e ardhshëm, pas këtij që po vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe vitin e fundit të këtij mandati përsëri do të dyfishohet rritja e një viti më parë.

Pikërisht pse ekonomia ne na jep mundësinë, ka ndryshuar dhe skema e bonusit të bebeve si filozofi mbështetjeje në radhë të parë. Ju më një dorë e zgjatur me një urim vetëm në ditën e lindjes, por një ndihmë çdo muaj për fëmijët e porsalindur deri në moshën pesë vjeç. Sepse ne duam t’i rrimë pranë familjes pikërisht në këto vite kur një gëzim i madh vjen në shtëpinë e tyre, por bashkë me një barrë të posaçme dhe ambicia jonë është të shkojmë përtej kësaj, të vazhdojmë ta rrisim ekonominë, që të vazhdojmë ta shtrijmë në vite mbështetjen për fëmijët që lindin dhe rriten në këtë vend dhe jo vetëm ta shtrijmë në vite, por dhe ta rrisim çdo muaj.

Dyfishimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe njohja e sigurimeve për kujdestarët e tyre është më shumë sesa një zë buxheti. Është një tjetër shenjë kuptimplotë në drejtimin e duhur për ata që larg syve të botës, brenda mureve të një shtëpie, qëndrojnë të mbyllur, nëna që e kanë të pamundur të shkojnë në punë,  sepse bëjnë një punë tjetër pa orar, pa pushim javor, pa luksin për të thënë u lodhëm, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije të mrekullueshëm, por që nuk është si gjithë të tjerët dhe që ka nevojë për kujdesjen mbi kokë orë e çast. Me buxhetin 2027, ne u themi të gjithë atyre nënave, të gjithë atyre prindërve që ne ju shohim. Ju nuk jeni vetëm dhe jo vetëm kaq, por ju nuk mund të mbeteni pa një pension pse për shkak se qëndroni në shtëpi nuk paguani dot sigurime shoqërore dhe ju nuk mund të mbeteni pa një kujdes mjekësor për shkak se nuk paguani dot sigurime shëndetësore. Këto do t’i mbulojmë ne për ju dhe mbi të gjitha, ne jemi rruga e vetme për fuqizimin shoqëror të Shqipërisë, sepse ne jemi të vetmit që jo vetëm e dimë siç e dinë të gjithë, por dhe e dimë se si do të adresojmë çështjen e mprehtë që ka krijuar zhvillimi dhe rritja e shpejtë. Koston e rritur të strehimit. Sepse në një vend si Shqipëria që është zhvilluar në këto 10 vitet e fundit me një shpejtësi të madhe duke shkuar shumë përpara po duke lënë jo pak njerëz shumë mbrapa, strehimi nuk është më vetëm halli i familjes së varfër që s’ka ku të fus kokën. Strehimi është halli i mësueses. Strehimi është halli i infermierëve. Strehimi është halli i punonjësit të policisë. Strehimi është halli i ushtarakut. Strehimi është halli i një të riu apo një të reje që shërben në administratën publike të shtetit, por që e ka të pamundur ta imagjinojë blerjen e një shtëpie të re. Strehimi është halli i dy rinjve që dashurohen dhe martohen, që punojnë dhe paguajnë çdo detyrim, por nuk mund dot të kenë apartamentin e tyre. Pra, strehimi sot nuk është vetëm një nevojë për më të varfërit, por është një nevojë për një shtresë të re, të mesme që nuk e përballon dot rritjen e çmimeve të apartamenteve. Kështu që, pikërisht për këta, me ligjin e ri që Parlamenti miratoi, ne do të adresojmë në Shqipërinë tonë diçka që deri dje ishte jashtë planeve të vendit dhe gjithçka që është problemi i vendeve më të zhvilluara.

Do të adresojmë nevojën për strehimin e përballueshëm duke krijuar një shtresë të re në mes, midis strehimit të tregut të lirë dhe strehimit social, shtresën e strehimit të përballueshëm. Kredi pa interes për shtëpinë e parë, garanci të shtetit për atë që nuk i ka kursimet e kolateralit, mbështetje deri në gjysmën e qerasë, lagje ku banesa sociale, banesa e përballueshme dhe banesa e tregut ngrihen krah për krah me shkollën dhe me kopshtin pranë, janë të gjitha pjesë të këtij projekti.

Në ndërkohë konkretisht me buxhetin e ri dhe me sistemin e ri të adresimit të çështjes së strehimit nga ligji i sapo miratuar, 10 mijë të parët, familje të reja do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm. Ne kemi ambicien që deri në 2030-n, e kemi të shkruar në programin tonë të 2025-s, të dorëzojmë 55 mijë çelësa sipas të gjitha këtyre kategorive ku shteti u gjendet pranë të gjithë atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre.

Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, po ku gjithnjë e më pak të rinj kanë mundësi ta shikojnë një shtëpi e të mendojnë se mund ta kenë, kanë një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme dhe këtu kam një pikë që dua ta ndaj me të gjithë ata që konfuzohen, çoroditen apo bien pre e asaj propagandës skandaloze që e keqja po vjen nga kullat. Ne nuk kemi faktikisht ende ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të fillojmë të mendojmë për ndonjë pasojë, por në ato pak kulla të ndërtuara në Tiranë, po të bësh llogarinë, të ardhurat ne buxhetin e bashkisë, janë domethënëse. Dhe ndërkohë, të gjithë kur shohin një kullë apo kur shohin një pallat të ri që ndërtohet, duhet ta dinë se aty  janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo një pallat. Ndërkohë që janë dhe 8% taksë për qytetin. Nëse buxhetit të Bashkisë së Tiranës i heq taksat dhe kontributet për strehimin social nga ndërtimi, buxheti  i Bashkisë bëhet praktikisht një buxhet që nuk përballon dot shumë nga nevojat që ka qyteti për shërbime e kështu me radhë.

Dhe tjetra që është e rëndësishme, të mos e  harrojmë dhe të mos e harrojë askush, është pse kalon nga kjo parti rruga e vetme e fuqizimit diplomatik të Shqipërisë. Sepse dikur Shqipëria dhe jo dikur para 100 vjetësh, po edhe ne vitet e para kur unë e përfaqësoja Shqipërinë së bashku me ministrat e tjerë ishte një vend që lutej për tu dëgjuar dhe që ndahej nga tryezat me ndjesinë e një shpërfilljeje ofenduese.

Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte e të shpjegonte pse ishte akoma aq larg Evropës. Dikur Shqipëria ulej formalisht nëpër tryeza po zërin e saj e dëgjonin si zërin e një mize ne qyp.

Sot Shqipëria negocion kushtet për tu bërë pjesë e BE, pasi ka hapur të gjithë kapitujt, ka filluar mbylljen e disa kapitujve dhe ka objektivin shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Evropian që t’i mbyllë të tërë kapitujt në fund të vitit të ardhshëm dhe që të garantojë hapjen e rrugës së anëtarësimit brenda këtij mandati, që nuk është një mandat i dokujtdo, po është mandati i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Prandaj nga kjo parti kalon edhe rruga e vetme e Tiranës së të nesërmes. Nga kjo parti kalon rruga e Tiranës 2030 në Shqipërinë 2030 në BE. E dinë të gjithë, edhe ata që bëjnë sikur s’e dinë, por ne duhet t’ua tregojmë atyre që për arsye se kanë qenë ende shumë të rinj, mund të mos e dinë, se nga çfarë humnere, ne e nxorëm Tiranën në një epokë të gjatë mungesash të kudondodhura për çdo gjë.

Por pikërisht pse kemi bërë kaq shumë, ne duhet të jemi shumë më pak tolerantë ndaj gjithçkaje që nuk e bëjmë mirë apo që vazhdon të mungojë sepse koha kur mjaftoje të tregoje se sa ndryshe është Tirana nga ajo që ishte, ka ikur; koha kur mjaftonte të tregoje sa ndryshe është Shqipëria  sot nga ajo që ishte, ka ikur.

Sot qytetarët e krahasojnë Tiranën jo më me atë që ishte, po me qytetet e Evropës. Dhe kjo është fitorja jonë më e madhe sepse jemi ne që e kemi sjellë Tiranën në këtë pikë por është edhe sfida jonë më e madhe sepse jemi ne që ia kemi ndryshuar njerëzve horizontin e pritshmërive nga Tirana dhe Shqipëria dhe tani njerëzit nuk na presin dot ne po jemi ne që duhet të vrapojmë me shpejtësinë e pritshmërive të tyre.  Sepse sot qytetari i Tiranës nuk jeton më dot me fotografitë e arritjeve tona po jeton me rrugën ku del në mëngjes, me autobusin që pret, me çerdhen që e ka larg për fëmijën apo nuk e ka fare, me trotuarin ku ecën dhe që jo gjithmonë e ka të lirë, me pallati ku banon poshtë të cilit shpesh nuk ka hapësirë komunitare dhe kështu me radhë. Pra, e thënë ndryshe, ne Tiranën e transformuam nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast, cilësi më e mirë jete dhe ne duhet t’ua bëjmë të dukshme njerëzve, të imagjinueshme pa vështirësi, Tiranën ku një çift i ri gjen shtëpi; Tiranën ku një familje e re gjen çerdhen; Tiranën ku një i moshuar ecën në trotuar i papenguar; Tiranën ku çdo familje në Kombinat dhe kudo qoftë tjetër që pret të kthehet në shtëpi pas tërmetit, ka çelësat në dorë; Tiranën ku uji 24 orë nuk është vetëm në një pjesë të konsiderueshme të saj po është në çdo cep të saj; Tiranën ku mbetjet, mbledhja e tyre, riciklimi i tyre nuk janë hall i përditshëm në shumë zona; Tiranën ku transporti urban nuk është një tjetër dhembje koke. Kjo është Tirana 2030 që do të jetë realiteti i shumëkujt që sot, këto që thashë i kërkon sepse i sheh të parealizuara. Tiranën 2030 ku shtëpi të vjetra në rrezik nuk bëhen pallate, po bëhen muze, janë bërë muze sepse është një rrjet i tërë që ka nisur të shkojë në atë drejtim dhe ku bashkia nuk sillet me qytetarin si një taksambledhës që shpik çdo vit e çdo muaj tarifa të reja, dhe e përsëris këtu, kjo nuk është një kritikë për bashkinë e Tiranës, por është një autokritikë për të gjitha bashkitë e Shqipërisë, por justifikon me shërbim çdo qindarkë që i kërkon qytetarit.

Në fund dua t’ju ftoj ta shikoni pak Rrugën e Durrësit; semaforët e shkatërruar, trotuarët e shkulur, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura, gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne. Ajo ishte tamam ashtu, jo vetëm në Rrugën e Durrësit, po në të gjithë hapësirën e saj. Rruga e Durrësit sot është një mundësi për të gjithë ata që nuk e kanë njohur apo nuk e mbajnë mend atë Tiranë për tu kthyer në kohë si në një film, për të ecur nëpër të, për të hequr pemët nga pamja sepse edhe ato i kemi mbjellë ne dhe për të parë se çfarë ndryshimi i madh ka ndodhur në Tiranë.

Dhe atë rikthim në kohë e kanë mundësuar ekzaktësisht ata që e lanë Tiranën ashtu, atëherë. Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë; kur e kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë Tiranën, e kanë lënë të lëngojë; kur të tjerët, ne jemi përpjekur ta ndryshojmë, nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta pengojnë.

Prandaj organizimi që ne nisim sot, nuk mund të jetë thjesht një organizim për të fituar zgjedhjet; organizimi që ne nisim sot, është një organizim për të garantuar Tiranën dhe Shqipërinë për atë që vjen jo në një mandat tjetër, por në 10 vitet e ardhshme. Dhe prandaj këtu nuk jemi për të bërë thjesht një ndarje detyrash midis drejtuesve të partisë apo një marrje detyrash dhe nga të tjerë drejtues apo deputetë që banojnë në Tiranë po që shërbejnë në territore të tjera. As thjesht për një regjistrim të ri anëtarësh dhe mbështetësish. As për të rivënë në punë një makineri elektorale që di të marrë shumë vota sepse ne nuk jemi këtu për thjesht një mënyrë më efikase që të mbrojmë atë që kemi fituar, por jemi këtu për një mënyrë të re për të merituar atë që kërkojmë të fitojmë përsëri, sepse ne kemi nevojë për një Parti Socialiste më të organizuar, ndërsa Tirana ka nevojë për një Parti Socialiste më të pranishme. Më të pranishme në lagje, në rrugë, në shkallët e pallateve, në bashkësitë e qytetarëve, në jetën e përditshme të njerëzve, të të gjitha moshave, shtresave dhe grupeve të interesit. Më të pranishme jo vetëm aty ku ne kemi mbështetje, por sidomos aty ku ne kemi humbur besim, jo vetëm prej atyre që na mirëpresin dhe na duartrokasin, por dhe prej atyre që na kritikojnë apo dhe na shajnë. S’ka problem. Jo vetëm për të shpjeguar çfarë kemi bërë, por dhe për të kuptuar ne vetë çfarë nuk kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë mirë, çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë duhet bëjmë ndryshe.

Një parti e shtrirë në të gjitha ditët e javës me frymën e orës së Pranisë Besnike. Besnike jo ndaj interesave të individëve që mbajnë një post, por ndaj njerëzve që na kanë besuar një përgjegjësi. Besnike jo ndaj interesit të pushtetit, por ndaj detyrimit për të qenë gati tu në shërbim të qytetarit. Besnike jo për votën, por për zemrën dhe për mendjen e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilëve u duhet Partia Socialiste, sepse Partia Socialiste është e vetmja që i kupton dhe që i do.

Besnike sepse një qytetar që ka një hall të cilin ne mund mos t’ia zgjidhim dot, mund të na kuptojë, por një njeri i zakonshëm që të ka një hall të cilin ne as nuk e dëgjojmë, nuk ka as si na kupton dhe as pse na kupton, po ka vetëm pse na ndëshkon dhe nëse ne nuk e kuptojmë këtë, atëherë mund të kemi organizatën më të madhe, makinerinë elektorale më të sofistikuar, rrjetin më të gjerë të kontakteve dhe prapë se prapë të mos kemi dot atë për të cilën të gjithë ne këtu së bashku rrimë nën një çati dhe për të cilën të gjitha këto të tjerat bëhen zero, besimin e njerëzve. Besa e lindur si nocion strategjik nga reflektimi ynë mbi bulevardin e flamingove, mbi atë lum njerëzish të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, jo për të rrëzuar qeverinë, po për të thënë në një kor zërash të ndryshëm se çfarë presin është besim, është empati është shërbim dhe është angazhim.

Është besim, jo si një e drejtë që na takon me dekret historik, apo që njerëzit do të na e japin patjetër sepse kemi një bilanc arritjesh të jashtëzakonshme, por është besim si një marrëdhënie që duhet ta ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo ditë, me atë që bëjmë dhe mbi të gjitha, me mënyrën se si sillemi me njerëzit.

Empati, jo si mirësjellje përpara hallit të tjetrit, por si aftësi për ta parë realitetin edhe me sytë e atij që nuk jeton si ne, nuk mendon si ne, nuk i ka mundësitë që kemi ne dhe mund të mos votojë fare për ne.

Shërbimi, jo si një favor që pushteti ia bën qytetarit, por si arsyeja e vetme që qytetari i ka besuar pushtetit.

Dhe angazhim, jo si pjesëmarrje në mbledhje, mitingje apo fushata, por si një përgjegjësi që nuk fillon me zgjedhjet, por merr kuptim për zgjidhjet që u japim problemeve të njerëzve.

Kjo është besa që duhet ta udhëheqë organizimin tonë të ri në marrëdhënien tonë të përditshme me Tiranën, sepse ne nuk na duhet një parti që i njeh njerëzit si votues, por një parti që i njeh përmes problemeve që kanë, nevojave që shprehin, ideve që propozojnë, kritikave që bëjnë dhe mundësive që kërkojnë. Nuk na duhet një parti që shqetësohet për të numëruar votat, por na duhet një parti që shqetësohet për të mos lënë të kalojë asnjë moment që e cënon lidhjen me qytetarin.

Këtë nuk mund ta bëjë vetëm kryetari i partisë, drejtuesit politikë, deputetët apo këshilltarët bashkiakë, për të cilët, meqë ra fjala, do të hapim edhe një fushatë të posaçme gare në Partinë Socialiste. Këtë do ta bëjë çdo anëtar i kësaj familjeje politike, në çdo lagje dhe çdo komunitet, duke i dhënë organizimit tonë jo vetëm shtrirjen më të gjerë, por edhe përmbajtjen më njerëzore dhe dua që të kuptohet shumë qartë nga të gjithë: ne nuk po ndërtojmë një organizim të ri për të fituar Tiranën në 9 maj. Ne po organizohemi ndryshe, sepse Tirana që ne do të fitojmë në 9 maj kërkon një fuqi të madhe qeverisëse më 10 maj.

Një Tiranë ku oferta jonë nuk mund të jetë thjesht vazhdimi i projekteve të nisura. Jo thjesht më shumë ndërtime, por më shumë mundësi strehimi për ata që sot nuk e përballojnë dot një shtëpi.

Jo thjesht më shumë rrugë, por rrugë ku njerëzit lëvizin më mirë dhe më të sigurt.

Jo thjesht më shumë shkolla dhe kopshte, por një qytet ku cdo fëmijë ka afër shtëpisë kushtet që i duhen për t’u rritur dhe edukuar.

Jo thjesht më shumë gjelbërim, por më shumë hije, më shumë ajër, më shumë hapësirë komunitare dhe më shumë cilësi jete në çdo lagje të vogël.

Jo thjesht më shumë turistë, por më shumë vlerë të shtuar në ekonomi, më shumë jetë kulturore, më shumë mundësi për sipërmarrjen dhe punësimin.

Jo thjesht një kryeqytet që bëhet gjithnjë e më i madh, por një kryeqytet që bëhet gjithnjë e më i mirë sepse Tirana që kemi trashëguar dikur na kërkonte ta nxirrnim nga humnera. Tirana që kemi sot na kërkon ta ngremë në një nivel të ri pritshmërish. Këto janë dy beteja krejt të ndryshme që kërkojnë të njëjtën forcë transformuese, Partinë Socialiste, por jo të njëjtat përgjigje nga forca jonë transformuese.

Dikur duhet të bindnim njerëzit që Tirana mund të ndryshonte, sot duhet t’i bindim që Tirana mund të bëhet aq e mirë sa qytetet më të mira të Europës dhe këtë nuk mund ta bëjmë duke u krenuar, me shumë të drejtë, me ndryshimin historik që kemi sjellë, por duhet ta bëjmë edhe duke treguar se ne kuptojmë shumë mirë sa shumë ka ndryshuar edhe vetë qytetari, sa shumë janë rritur pritshmëritë e tij dhe sa më e lartë duhet të jetë oferta jonë sepse Shqipëria, njësoj si Tirana, nuk krahasohet me Shqipërinë që ishte, por krahasohet me Europën ku kërkon të bëhet pjesë.

Kjo është një fitore e madhe, historike e ndryshimit që kemi udhëhequr, por është njëkohësisht edhe detyrimi ynë dhe sfida jonë më e jashtëzakonshme për të vazhduar të udhëheqim Shqipërinë.

Prandaj kemi bërë shumë, por ajo që kemi bërë duhet të na vlejë më shumë për atë që duhet të bëjmë, me një skuadër të angazhuar që ndjen përgjegjësi ndaj njerëzve, organizata që marrin nisma, dëgjojnë, funksionojnë, zgjidhin, nuk fshihen pas funksionit, nuk përdorin funksionin për t’u fshehur nga përgjegjësia. Kemi nevojë për më shumë njerëz që kuptojnë se besnikëria ndaj PS-së provohet jo duke i fërkuar shpatullat njëri-tjetrit, por duke mos ua kthyer kurrë shpinën atyre që janë jashtë këtyre mureve.

E kështu, organizimi i ri i Tiranës do të jetë shumë më tepër se përgatitje për një fitore tjetër elektorale. Duhet të jetë rifillimi i një marrëdhënieje besimi në një nivel tjetër, mbi të cilën pastaj do ta kemi jo shumë të vështirë të ndërtojmë Tiranën 2030, Shqipërinë 2030, në Bashkimin Europian.

Kemi bërë gabime, pa diskutim. Kemi pasur dobësi, pa diskutim. Kemi bërë edhe faje për të cilat edhe jemi ndëshkuar, pa diskutim, por ne kemi pasur gjithmonë diçka që na ka dalluar nga gjithë të tjerët dhe që nuk duhet ta humbim kurrë: aftësinë për të nxjerrë mësim, për t’u ngritur dhe për të vazhduar përpara.

Ne kemi dalë më të fortë nga tërmeti që na shembi një pafundësi shtëpish, nga pandemia që na ndali bashkë me gjithë botën, nga krizat e shkaktuara prej duarve të mbrapshta po ashtu, por edhe nga ato që i kemi shkaktuar vetë me gabimet tona. Kemi dalë më të fortë jo sepse ishim të pagabueshëm, por sepse nuk u dorëzuam asnjëherë edhe përballë situatave kur të gjithë menduan se ky ishte fundi ynë sepse ne gjithmonë jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë, edhe pasi kemi fituar.

Të tjerët presin të vijnë zgjedhjet për të filluar të organizohen, ne fillojmë të organizohemi sapo zgjedhjet mbarojnë, sepse ne e dimë që fitorja nuk na pret. Fitorja duhet marrë me punë, me përulësi, me kurajë dhe, mbi të gjitha, duhet marrë me avantazh ndaj kundërshtarëve dhe sot, kur dera e Europës, falë gjithë këtyre përpjekjeve, është më e hapur dhe më pranë se kurrë, ne jemi këtu për t’i siguruar Shqipërisë dhe shqiptarëve se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë ne, Shqipëria në të.

Kështu që, në 9 maj, nuk kemi një palë zgjedhje të tjera për të fituar, por kemi kryeqytetin për t’ua rikthyer plotësisht qytetarëve të tij, duke rivënë në lëvizje të plotë të gjithë forcën tonë udhëheqëse dhe në 9 maj, në ditën e madhe të Europës, asgjë nuk është rastësi. Flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit do të valëvitet fitimtar, krah për krah me flamurin e Europës. Jo sepse do të fitojmë ne zgjedhje, por sepse ne do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë dhe Tirana dhe Shqipëria fitojnë vetëm me Partinë Socialiste në drejtimin e tyre.

Faleminderit shumë dhe me trëndafilin në dorë, kurajën në zemër dhe kthjelltësinë në mendje, askush, asgjë, asnjëherë ne nuk na ndal!

Rama përshkallëzon qëndrimin pas protestave, paralajmëron masa ligjore kundër dhunës dhe premton më shumë mbështetje për qytetarët
Nga Edi Rama

Të dashur bashkëqytetarë,

Uroj një të diel të qetë, pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku Partia Demokratike doli nga prapavija, mu në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik e në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe të gjitha burimet e kësaj flame antidemokratike.

Jini të sigurt, se edhe këtë flamë fatkeqësie jonatyrore, do ta shuajmë me patjetër.

Nga një anë, me durim e vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t’i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, të ekstremistëve të Antifas që glorifikojnë dhunën kudo në Europë dhe të duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian e që nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që në fakt, më shumë se sa studentë, përfaqësojnë edhe vetë krimin e organizuar.

Dhe nga ana tjetër, me adresim të kërkesës legjitime të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët me plotë të drejtë presin më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë dhe më shumë garanci në shkallën e meritës në punë.

Projekt-Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë në ditët e para të javës, vjen me plot risi pozitive në drejtim të pikërisht familjeve të zakonshme, të shërbimeve për qytetarët e të të rinjve dhe studentëve po ashtu.

Në ndërkohë, pas një pune intensive në bashkëpunim me ekspertë europiane, si edhe në koordinim të ngushtë me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në modelin e adaptuar së fundmi prej tyre përballë të njëjtës flamë antidemokratike, bazuar gjithashtu në jurisprudencën e Gjykatës Europiane, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane.

Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.

Çdo masë e propozuar është përputhur me nenin 47 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, Udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.

Përgjegjësia është gjithmonë vetjake, masat e mundshme kufizuese janë të përkohshme e të arsyetuara, çdo kufizim i rëndësishëm është i kontrollueshëm nga gjykata.

Paketa përbëhet nga 6 instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin.

Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin “Për tubimet”, një Regjistër Elektronik i Posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Instrumenti i parë: Akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershme të biznesit të vogël.

Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri.

Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë – në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro.

Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre, bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre.

Nga ana tjetër ata që u përfshinë në këto akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset, e për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara.

Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit kalon te prindërit.

Instrumenti i dytë: Ligj i ri sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”.

Nëse akti normativ adreson dëmet e të kaluarës së afërt, ligji i ri që kemi hartuar për “riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve” krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë, “kush shkakton dëm, e paguan”, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot. Ligji zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive, ku vijnë si pasojë dëme materiale mbi pronën,

Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre.

Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit, dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, do të përgjigjet financiarisht.

Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja.

Përjashtohen sigurisht nga ky rregull, gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë, kalimtarët e rastësishëm.

Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestari, sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë.

Instrumenti i tretë: Ndryshimet në ligjin “Për tubimet”

Ligji “Për tubimet” është i vitit 2001 dhe nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë digjitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave.

Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, të cilat aktualisht janë simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune e anarkie urbane.

Konkretisht: Perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme.

Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore.

Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale.

Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar edhe mbështetje psikologjike kur ka nevojë.

Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e figurave të veprave penale ekzistuese por edhe atyre të cilat janë propozuar në Kodin Penal sipas normave të reja europiane.

Identifikimi i personave të maskuar.

Sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar, por ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal, si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane, duke ndjekur modelin francez.

Sanksione të parashikuara.

Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të Bashkimit Europian, që një grup njerëzish apo një turmë e caktuar të ushtrojnë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet dhe duke u penguar punën, shkollën, planin e tyre të ditës.

Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës; mosbindja ndaj urdhërit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës.

Së katërti: Regjistri i Posaçëm Elektronik

Me vendim të Këshillit të Ministrave krijohet Regjistri i Posaçëm Elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.

Regjistri administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave.

Mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ushtrojë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji nr. 39/2025 “Për kontrollin e kufirit shtetëror” për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për këto vepra.

Vendimi parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe të strukturave akomoduese vendase dhe të huaja, për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik, përfshirë dhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.

Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë.

Së pesti: Kodi i Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar

Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët dhe nëpërmjet Kodit të Etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo natyre, në kundërshtim me interesin e tyre e me pritshmërinë e prindërve.

Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës.

Masa natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë. Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve.

Së gjashti: Ndryshimet në Kodin Penal

Ndryshimet në Kodin Penal ndjekin praktikat më të mira të vendeve të BE-së, posacërisht të Francës dhe Italisë dhe mbështeten në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Këto dispozita ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen, qoftë fizikisht në ambiente publike, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale.  Ato e përjashtojnë shprehimisht nga ndëshkimi protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë.

Dhuna gjatë tubimeve.

Qëndrimi mes dhunës pas paralajmërimeve ndëshkohet penalisht vetëm kush vazhdon të qëndrojë në tubim pas paralajmërimeve të policisë, duke ditur që po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona. Ndëshkohet edhe organizimi i tubimit të ndaluar me vendim të ligjshëm. Kush kapet me armë ose sende të tjera të rrezikshme dënohet deri në 2 vjet burg.

Mbajtja e maskës për të dhunuar. Fshehja e fytyrës ndëshkohet penalisht vetëm kur në tubim ka dhunë ose rrezik konkret dhune, me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Nuk ndëshkohet kush e mbulon fytyrën për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, dhe as kush e zbulon sapo dëgjon urdhërin e policisë.

Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve dënohet më rëndë se sa aktualisht dhe deri në dyfish kur prek shkolla, institucione, shërbime publike ose monumente kulture.

Dhuna me fytyrë të fshehur ka një dënim për goditjen e policëve dhe të qytetarëve që rritet deri në një të tretën kur autori është i maskuar.

Nxitja për dhunë, edhe në rrjetet sociale. Kjo është një vepër e re penale, ndëshkohet kush thërret publikisht, edhe në rrjetet sociale, për dhunë, plaçkitje ose shkatërrim gjatë një tubimi, kur thirrja krijon rrezik real dhe të afërt.

Dënim më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna.

Thirrja për protestë, kritika politike dhe gazetaria nuk ndëshkohen kurrësesi

Mbrojtja e çdo qytetari nga kanosja dhe përndjekja, edhe online. Kanosja online ose publike dënohet si një vepër më e gjerë. Sot Kodi Penal e dënon kanosjen online vetëm kur ka motive etnike, racore ose fetare.

Përndjekja online dhe “e drejta për normalitet” çojnë në krijimin e veprës për mesazhe kërcënuese të vazhdueshme dhe monitorimin e vendndodhjes së dikujt, si dhe ndjekja ose filmimi përndjekës i një personi pranë shtëpisë, në punë ose në jetën e përditshme, kur e detyrojnë atë të ndryshojë mënyrën e jetesës.

Publikimi i adresës për ta vënë dikë në rrezik ndëshkohet gjithashtu. Kush publikon të dhëna që nxisin ose lejojnë gjetjen e një personi ose të familjes së tij për ta ekspozuar ndaj sulmeve bëhet subjekt i ligjit.

Videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale dhe shpërndarja e tyre pa pëlqim me foto ose zë të falsifikuar të një personi, kur mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm personit bëhet vepër penale.

Satira dhe parodia e shënuar si e tillë nuk ndëshkohen.

Mbrojtja e deputetëve, funksionarëve e personave publikë. Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tyre.  Kanosja ndaj personave publik dhe familjeve të tyre, janë vepra penale.  Ata mbrohen nga kanosja edhe online, duke përcaktuar një dënim më të ashpër.

Shantazhi dhe presioni për të ndikuar në vendime, çon në ndëshkimin e kush kanos, dhunon ose shantazhon personalisht një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë apo një funksionar publik për të marrë ose për të mos marrë një vendim apo një person publik për të bërë apo më bërë diçka.

Kritika, protesta, peticionet nuk hyjnë këtu dhe nuk ndëshkohen.

Mbrojtja e fëmijëve. Rrezikimi i fëmijës nga pakujdesia, përgjigjet prindi, kujdestari, mësuesi ose edukatorja që e lë fëmijën nën 14 vjeç pa mbikëqyrje në rrezik real për jetën ose shëndetin. Dënimi shkallëzohet sipas pasojës, deri në 10 vjet kur fëmija humb jetën, larg qoftë. Gjykata mund ta zbusë dënimin kur prindi ka humbur vetë fëmijën.

Të dashur miq,

Kjo paketë nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe kur i thonë fjalës. Nuk ka asnjë pikë apo nen të saj që bie ndesh me lirinë e me të drejtat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Përkundrazi, kjo paketë ka në frymën e në gërmën e saj një të vërtetë shumë të thjeshtë:

Liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt, ndalen aty ku cënohen të drejtat e të tjerëve.

Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim nga detyra jo sot, po dje, është në lirinë e të drejtën e tij që ta mendojë, ta thotë, ta propagandojë e ta kthejë në protestë këtë kërkesë të tij.

Deri këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojmë se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër dhe një kryeministër tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni.

Ende më shumë se kaq, unë jam i gatshëm të ulem e të dëgjoj këdo që do të ma shprehë kundërshtinë e tij ballë për ballë, e të më parashtrojë kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Sepse unë besoj se kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund të imponohet me dhunë apo me çfarëdo forme tjetër, por nuk mendoj se ka gabim çdo gjë që thotë e që kërkon.

Por përtej këtij kufiri, unë kam detyrë të mbroj vendin dhe njerëzit nga çdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa, ndërsa shteti ka për detyrë t’i tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private, që kërcënon rendin dhe sigurinë publike.

Kjo është përgjigja jonë ligjore e institucionale ndaj dhunës e anarkisë urbane të ushqyer këto ditë nga gjithëfarë duarsh të mbrapshta dhe të ushtruar nga një turmë dhunuesish, të cilët tanimë mund ta shohë tërë Shqipëria se kush i sjell në qendër të Tiranës, duke i nxitur, paguar, orkestruar jo për një Shqipëri më të mirë, po për ta kthyer përsëri mbrapsht Shqipërinë, nga rruga e amanetit historik dhe kur, tamam kur jemi më pranë se kurrë pikëmbërritjes dhe kur flamuri i Skënderbeut e Ismail Qemalit është ngjitur më lart se asnjëherë.

Por këtë herë nuk do t’ia dalin sepse ai që thyen, djeg, shkatërron qendrën e Tiranës e përmes ekraneve të korruptuara terrorizon Shqipërinë, nuk është populli shqiptar, nuk është as shumica e as pakica e popullit të Shqipërisë, kjo e fundit mund të jetë kundër qeverisë po s’është kurrë pro dhunës e shkatërrimit.

Për shumicën që më ka dhënë mandatin të udhëheq Shqipërinë, e për pakicën që nuk më ka votuar, por që njësoj si shumica pret më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë, do të flas në ditët e para të javës me risitë pozitive të projekt-buxhetit 2027, sapo ta kalojmë në qeveri, që të jetë e qartë për të gjithë se nuk do të jenë thjesht fjalë apo zotime, po vendime konkrete ato që do të ndaj me ju.

Durim dhe kurajo, duhet ta kalonim edhe këtë me sa duket, sepse jo të gjithë e duan suksesin, paqen dhe sigurinë e Shqipërisë. Është përpjekja e tyre e fundit, përpara se sa ne të vulosim faqen e fundit të historisë së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zhurmën e kanë të madhe, shanset i kanë zero.

Faleminderit dhe mos e harroni asnjëherë, më keni votuar ose jo, unë nuk e kam tradhtuar misionin për  të cilin më ka dhënë besën shumica e Shqipërisë dhe e shqiptarëve dhe nuk do ta tradhtoj kurrë besimin e asnjë shqiptari që e do Shqipërinë më të mirë e që  e do flamurin e Ismail Qemalit dhe të Skënderbeut në rradhë me flamujt e tjerë të shteteve të Bashkimit Europian.

E PLOTË/ Qeveria nuk rrëzohet me dhunë! Kush mendon se gjunjëzon shtetin, i ka bërë kalkulimet gabim
Nga Edi Rama

Sot jam këtu përsëri me Ministrin e Brendshëm, i cili dje ishte në një vizitë për të ndarë së bashku me përfaqësues të tjerë të vendeve europiane, eksperiencën dhe njëkohësisht edhe për të koordinuar më tej punën me homologët në Itali dhe në Francë, pasi së bashku me të dyja këto vende, jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke qenë se njëkohësisht në të tria vendet tona, flama e terrorit urban të ANTIFA-s është shfaqur me forcën e vet të verbër e në ndërkohë ne kemi edhe një sërë specifikash, të cilat i ndjekim me shumë kujdes.

Dje, unë ju informova për një listë të gjatë personash me precedent kriminal, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore ushtruan dhunë dhe janë ndalur dhe proceduar nga Policia e Shtetit.

Një listë domethënëse përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën.

Natyrisht që, pas atyre personave, qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht.

Por ajo, që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste, e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës, gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos VIP-ave të mbrëmjeve të hymnizimit të dhunës nëpër këto ekrane, i përkasin një “momenti transformues” për Shqipërinë.

Këtu në fakt nuk ka asnjë moment tjetër transformues, përveçse një sfide të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim, pa diskutim probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, probleme të studentëve, probleme të rinisë të tëra legjitime dhe dhunës, gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve, të kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë.

Dhe këtu do ta bëj shumë të qartë ndarjen se dua të bëj shumë të qartë njëkohësisht edhe faktin se ne jemi duke punuar intensivisht me orë të zgjatura për të adresuar të dyja anët e kësaj medaljeje.

Duhet të bëj të qartë që jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd, përtej faktit që votojnë apo s’votojnë për mua dhe për shumicën qeverisëse, të simpatizojnë një protestë dhe të ndjejnë nevojën për të protestuar pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna për sa kohë ajo protestë, ai terror urban u shkaktua jo nga dhjetra mijëra e qindra mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht ANTIFA, të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të yshtur dasinë fetare, të radikalizuar qytetarisht, njerëz me precedent penal kriminel të futur në turmë, të maskuar si studentë për të ushtruar dhunë.

Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu.

Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Universitetit të Mjekësisë i njohur për qëndrimet e tij le të themi në anën tjetër të spektrit politik, por i nderuar për profesionalizmin e tij, të cilit u mundova t’i them që një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Njeriu proteston kur ka ndjesinë që nuk po e dëgjon kush për atë që ai sheh të nevojshëm.

Pra, një protestë bëhet për t’u ulur në tryezë. Një protestë nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo për të përmbysur shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por është një protestë e një segmenti qytetar, atëherë kuptimi i saj është të ulemi dhe të bisedojmë.

Dhe e pyeta, çfarë problematikash shikoni ju që ju bëjnë që të bëheni pjesë e këtij grupi relativisht shumë të vogël, krahasimisht me gjithë studentët dhe pedagogët që vjen këtu poshtë dritares time. Dhe arsyet që më tha ishin të gjitha arsye që lidheshin me gjëra specifike në spitalin universitar, krejt legjitime, dhe prandaj i thashë, po mirë ne ulemi i diskutojmë dhe i shohim se si mund t’i çojmë përpara.

Pra, çdo protestë për t’u dëgjuar bëhet problem kur qeveria, kur autoritetet, kur institucionet nuk duan të dëgjojnë. Ndërsa kur institucionet, qeveria, autoritetet thonë që ne jemi këtu, jemi gati t’ju dëgjojmë, jemi gati të dialogojmë, jemi gati të kuptohemi dhe të mirëkuptohemi, atëherë këmbëngulja në protestë është pa sens, nëse është ky qëllimi i saj.

Ndërsa liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, dhuna është një krim i ndëshkueshëm.

Dhe kjo është dhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të dyja drejtimet, për të adresuar ato që ne i shohim si momente të rëndësishme psikologjike dhe nevoja imediate të njerëzive për të pasur një dorë mbështetje në kushtet e shtrenjtimit të jetesës, po e përgjithësoj në këtë fjali, dhe nga ana tjetër sigurisht garantimin e sigurisë, të rendit, të qetësisë duke marrë masa kundër dhunuesve, duke marrë masa kundër anarkisë, duke marrë masa kundër idesë se unë jam i lirë të protestoj dhe në emër të kësaj lirie mund t’ia marr të gjithë të tjerëve lirinë për të qarkulluar, lirinë për të punuar, lirinë për të jetuar, lirinë për të çuar fëmijët në shkollë, e kështu me radhë.

Në anën e asaj pjese, padiskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, kërkon më shumë meritë në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t’u strehuar, pa ju marrë krejt fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, që kërkon më shumë rishpërndarje dhe le të themi barazi sociale, – ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije dhe cilat do të jenë masat që do të marrim.

Ndërsa, në anën e sigurisë, në anën e garantimit të të gjitha lirive dhe të drejtave, ne po ashtu në bashkëpunim dhe me partnerët tanë dhe duke parë dhe hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete.

Kjo është pak a shumë panorama e përgjithshme që unë desha të bëj përpara se t’i jap fjalën Ministrit të Punëve të Brendshme.

Dhe në ndërkohë, dua t’ju them të gjithëve që kush thotë se deri më sot, paskam qenë dhe paskemi qenë indiferentë ndaj atyre që erdhën për katër muaj poshtë dritares së zyrës time, harron që në fakt për katër muaj, unë kam dëgjuar më shumë se çdokush tjetër dhe po aq sa ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin çdo gjë që ata kanë thënë.

Sepse unë kam qenë duke punuar lart në zyrë, ata kanë qenë duke sharë, duke ofenduar, duke kërcënuar poshtë zyrës, pa thënë asnjëherë asgjë konkrete dhe pa kërkuar asnjëherë asnjë gjë konkrete, madje duke refuzuar në vazhdimësi që të ulen dhe të bisedojnë dhe unë e kam thënë, nuk kam ndërmend të tregoj komunikime me mesazhe me një sërë prej tyre që ishin aty poshtë.

Kam komunikuar dhe me telefon, i kam ftuar dhe ata i ka karakterizuar frika nga njëri-tjetri, dëshira për të folur, por frika nga njëri-tjetri, frika se do cilësoheshin si tradhtarë, frika se do pastaj, pësonin pasojat e dhunës së të tjerëve, të cilët janë një grup ANTIFA aty, i ideologjizuar nga “profesori” i mirënjohur, “predikuesi” i mirënjohur i dhunës që e njohin të gjithë dhe nuk dua as ta përmend me emër dhe që kanë një aftësi dhe një kapacitet vërtetë të spikatur për të futur të tjerët në terror psikologjik dhe për të detyruar të tjerët që t’i shkojnë nga mbrapa.

Pastaj ka pasur dhe një komponent tjetër, komponent kriminelësh, të cilët kanë qenë të pranishëm, njerëz të hurit dhe të litarit që kanë bërë të tyren në atë protestë.

Unë jam i bindur që ditët dhe muajt do të sjellin në dritë dëshmi të vetë atyre protestuesve, kur ata të çlirohen nga gjithë ky qerthull i një revolucioni tërësisht imagjinar pas të cilit qëndrojnë edhe forca që nuk e duan përparimin e Shqipërisë. Kjo është pak po është shumë e sigurtë. Zoti ministër…

Edhe një herë tjetër për ta përmbyllur; protesta, qëllimet, arsyet dhe mbi të gjitha nevoja e asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës dhe ndaj problematikave që lidhen me meritën në promovimin e burimeve njerëzore, e kështu me radhë, janë fokusi absolut i imi dhe i qeverisë dhe do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata, të cilët duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe duan t’i artikulojnë dhe idetë e tyre, për se si mund të adresohen këto nevoja.

Gjithsesi ne, çështje orësh, ditësh do të prezantojmë atë që është reflektimi ynë i përgjithshëm mbi këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë thjesht e vetëm, duke simpatizuar një protestë, tek e cila sheh nevojën dhe sheh mënyrën se si ta bëjë qeverinë ende më të vëmendshme.

Ndërkohë që, të gjithë ata, të cilët hymnizojnë dhunën, të gjithë ata, të cilët i bëjnë jehonë dhunës, të gjithë ata, të cilët ushtrojnë dhunën, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv dhe i përqendruar dhe i zgjatur terrori urban, terrori mbi popullsinë e Shqipërisë, terrori mbi bizneset dhe mbi familjet e zakonshme, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse, ajo që vjen nga ana e shtetit.

Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar dhe kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit apo duke shfrytëzuar simpatinë natyrale të shoqërisë për figurën e studentëve mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s, mund të bëjë këtu punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare, e duan Shqipërinë të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës, e harmonisë dhe e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që, jo vetëm nuk do t’ia dalë, por do të paguajë, do të paguajë në një sërë formash që nga ajo penalja për ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës tek ajo financiarja për hymnizuesit dhe për propaganduesit e saj.

Do t’i ekspozojmë të gjithë: Nga protesta e flamingove te dhuna e ANTIFA dhe emrat pas saj
Nga Edi Rama

Jam këtu për të ndarë me ju një nga komponentët e asaj që ndodhi në ditët e terrorit psikologjik mbi kryeqytetin dhe mbi popullin e Shqipërisë, komponentë që po zbërthehen dhe po çmontohen hap pas hapi.

Dua ta përsëris se në ndërkohë që liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari në Shqipëri, dhuna është një krim i parelativizueshëm dhe i pajustifikueshëm dhe për fat të keq në protestat e javës së fundit u bëmë bashkë që të dyja, nga një anë liria për të protestuar si një e drejtë e pamohueshme dhe nga ana tjetër dhuna si një krim që u relativizua dhe jo vetëm kaq, por u glorifikua në ekranet e korruptuar të mbrëmjeve mediatike. Pa pushim, e pa pushim, e pa pushim, orë e çast, Shqipëria dhe shqiptarët jo vetëm në Shqipëri panë me ankth se si terrori mori peng që të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë tërësisht të rreme se studentë të pafajshëm, studentë idealistë, studentë të dalë në rrugë për të çliruar Shqipërinë u vunë nën dhunën policore. Një përmbysje dramatike manipuluese e një realiteti tërësisht tjetër. Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në Europë dhe në Shqipëri, në vendet ku ka ndodhur diçka e ngjashme dhe në Tiranë, ku faktikisht ka pasur më shumë se dy punonjës policie të plagosur për një protestues apo kalimtar të lënduar.

Ndërkohë që në të gjitha vendet e tjera raporti është tërësisht i ndryshëm. Nuk bën vaki që në një manifestim apo në një seri manifestimesh, pjesa më e dëmtuar, më e plagosur, më e dhunuar të jetë policia. Ka bërë vaki këtu, me shifra dhe me fakte. Përtej asaj ç’ka u krijua, e përsëris në ekranet e korruptuara, por për ekranet e korruptuara do të ketë një kohë të dytë për të folur.

Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje si një koment fyes për studentët.

Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamingove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Arsyet për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë dhe më mirë, mund të jenë edhe të pafundme. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tanimë në duart e Policisë së shtetit.

Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ‘’Antifa’’, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit, anarkisë edhe anti-kapitalizmit ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë së shtetit.

Por në duart e Policisë së shtetit janë edhe pjesëmarrësit apo më saktë një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para’ e ardhur nga jashtë, ku padyshim qershia mbi tortë ose më saktë glasa mbi tortë është Partia Demokratike, e cila dje mori dhe autorësinë e fillimit të dhunës tek Ministria e Arsimit.

Tani unë do të ndaj me ju pamje të cilat me siguri do të tronditin shumëkënd; për arsye të konfidencialitetit është ruajtur identiteti i personave në respekt të ligjit dhe nga ana tjetër të gjithë personat që do të shihni, janë tanimë subjekt dhe objekt i punës së Policisë së shtetit dhe drejtësisë shqiptare.

Janë të gjithë persona të ndaluar nga Policia e shtetit në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë, janë diçka tjetër; nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata studentë të cilët nuk i janë bashkuar kësaj ‘’dallge’’ terrori urban, por që qëndrojnë në një front proteste paqësore, proteste të lidhur me jetën e tyre të përditshme dhe natyrisht që përmes Instagram-eve dhe përmes TikTok-eve të tyre e mbështesin këtë protestë sepse fatkeqësisht shikojnë tek dhuna një mundësi për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë, për të ulur në gjunjë institucionet dhe natyrisht në fund fare, për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të ‘’kontratës’’ me shqiptarët.

Po i marr me radhë një për një dhe besoj që çdo koment është i tepërt nga ana ime, sepse mjaftojnë çehret që pavarësisht fshehjes së identitetit mund të lexohen si përfaqësi e një bote të zymtë, të errët dhe të jashtëligjshme dhe karrierat e këtyre individëve që e përsëris, janë paguar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, që me çdolloj kusht duan ta kthejnë përmbys edhe njëherë Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria ka ngritur kokën dhe me dinjitet është vendosur në arenën ndërkombëtare si një kandidat i respektueshëm i familjes së Europës së bashkuar.

Këta nuk janë studentët. E kam thënë qysh në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha ditë pas dite, rast pas rasti që fjalia “këta nuk janë studentët” të mbështetet nga fakte, të mbështetet nga dokumente.

1. Po e filloj me studentin e parë: studenti i parë është ‘’studenti’’ G.I: 57 vjeç, i cili është dënuar më parë për veprat e dhunës në familje dhe mosbindjes ndaj urdhrit të policisë, dënuar më parë.

2. Precedent kriminal ka ‘’studenti’’ B.P: 41 vjeç, prishje të rendit dhe qetësisë publike, dhunë në familje ndaj vëllait të tij dhe ndaj motrës, tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale me të motrën.

3. Vazhdojmë me studentin, gjithmonë në thonjëza, A.B, 40 vjeç, precedentë kriminal për pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme si dhe për dhunë ndaj punonjësit të policisë gjatë organizimit të protestave të paligjshme.

4. Vazhdojmë me ‘’studentin’’ E.K: Vjedhje, pjesëmarrje në protesta dhe tubime të paligjshme, pengimi i qarkullimit, dëmtime të tjera me dashje, të gjitha këto vepra për të cilat është dënuar më parë.

5. S.X: 28 vjeç, precedent kriminal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

6. E.V: 45 vjeç, precedent kriminal për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash, i dyshuar për marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit.

7. S.D: 45 vjeç, precedentë kriminal për goditje për shkak të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe ndotje.

8. Vazhdojmë me XH.P: 27 vjeç, precedentë kriminal, pjesëmarrje në protesta të paligjshme, pengim të qarkullimit, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

9. Vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar.

10. Vazhdojmë me V.A 36 vjeç. Precedent kriminal dënuar me 40 muaj burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në Britaninë e Madhe si dhe me dy vjet dhe pesë muaj burgim për veprën penale trafikim i qenieve njerëzore.

11. Vazhdojmë me A.M 28 vjeç precedent kriminal për veprën penale shkelje rregullave të qarkullimit dëmtim me dashje, mashtrim, falsifikim dokumentash.

12. Vazhdojmë me A.F 38 vjeç prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike si dhe vjedhje, precedentët e tij kriminalë.

13. Z.M 30 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike dënuar në Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht vjedhje.

14. A.P 17 vjeç, as nxënës as student, precedent kriminal dëmtime të tjera me dashje.

15. L.A, 24 vjeç. Mashtrim, kundërshtim dhe goditje për shkak të detyrës së punonjës të policisë. Asnjë lidhje me universitetin, asnjë lidhje me studentët.

16. AB 20 vjeç, dëmtime me dashje, shkatërrim i pronës, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, asnjë lidhje me universitetin

17. F.D 32 vjeç, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Dëmtime të tjera me dashje pa asnjë lidhje me universitetin

18. L.M 37 vjeç. Kundërshtimi i punonjësit të policisë, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Asnjë lidhje me universitetin

19. S.D 24 vjeç. Vjedhje, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike

20. F.M 25 vjeç, precedent kriminal, plagosje lehtë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, vjedhje, dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Pra, një grabitës me dhunë.

21. I.G 36 vjeç, lokal për prostitucion, precedenti kriminal.

22. K.K 39 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.

23. L.V 24 vjeç, asnjë lidhje me Universitetin, precedent kriminal vjedhje.

24. M.A 32 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Edhe ky i fundit i dyshuar për financime nga republika Khomeniste e Iranit.

25. I.D 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, pa lidhje me universitetin.

26. K.B 20 vjeç asnjë lidhje me universitetin, dhunë në familje, prodhim dhe shitje lëndëve narkotike, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, prodhim dhe mbajtje pa leje armeve të ftohta.

27. R.B 30 vjeç, precedent kriminal vjedhje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.

28. M.J 28 vjeç precedent kriminal kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, asnjë lidhje me universitetin dhe ky.

29. N.L 28 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike pa lidhje me universitetin.

30. G.P 46 vjeç, goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, prishje rendit dhe qetësisë publike.

31. E.N 23 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.

32. D.H 24 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndës narkotike, dhunë në familje.

33. E.H 19 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.

34. E.A 37 vjeç falsifikim dokumentash, fshehje të ardhurash, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e personit. 37 vjeç. Çfarë studenti është ky?

35. E.B 27 vjeç, precedent kriminal i deportuar nga Greqia për motivin e emigracionit të paligjshëm. Asnjë lidhje me universitetin.

36. D.C 28 vjeç. Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt. Asnjë lidhje me universitetin.

37. K.Z 22 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin.

38. E.LL 42 vjeç prishja e qetësisë publike. Kundërshtimi i punonjësit të policisë asnjë lidhje me universitetin. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeniste e Iranit.

39. A.LL 52 vjeç. 23 vjet burg për vrasje me paramendim armbajtje pa leje. Liruar nga burgu në 14/2/22. Shoqëruar disa herë në polici në vitet 2022, 2024, 2025 për konflikte dhe mosmarrëveshje, dhunues shembullor në protestën studentore në thonjëza.

40. A.I 33 vjeç, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Kundërshtimi i punonjës të policisë, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.

41. O.B 21 vjeç, mbajtje pa leje armëve të ftohta. Dëmtime të tjera me dashje, asnjë lidhje me universitetin.

42. D.L 32 vjeç. Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Asnjë lidhje me universitetin.

43. B.P 39 vjeç, precedent kriminal për veprën finale penale falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave dhe vizave. I dyshuar edhe ky për financime nga Republika Khomeiniste e Iranit.

44. J.G 26 vjeç, precedent kriminal për veprën penale, prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta.

45. A.B 42 vjeç, president kriminal për veprën penale pushtimi i tokës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike, dy herë goditje për shkak të detyrës, lidhje me universitetin zero.

Këta janë një pjesë e komponentit kriminal të një proteste e cila u heroizua nga ekranet e korruptuara, nga VIP-at dhe nga të gjithë ata që shtriqen në sallonet e mbrëmjes duke grabitur pensionet që paguhen me shuma të majme të padeklaruara dhe që në ndërkohë qajnë hallin e pensionistëve, qajnë hallin e studentëve, kërkojnë më shumë për popullin shqiptar, por përsëri e thashë kjo është një temë tjetër.

Të gjitha këto nuk duan thonë që studentët, qytetarët, familjet e zakonshme të këtij vendi që janë kundër kësaj qeverie nuk kanë asnjë të drejtë. Përkundrazi, të gjitha këto duan të thonë vetëm një gjë që rruga për të kërkuar të drejtat, rruga për të luftuar demokratikisht kundër kujtdo që ti ndjehesh se nuk të përfaqëson, është rruga paqësore e ballafaqimit demokratik të ideve dhe të forcave.

Idetë ballafaqohen çdo ditë, forcat ballafaqohen në zgjedhje. E në ndërkohë mes të dyjave qëndron edhe liria e paprekshme, e drejta e padiskutueshme e protestës paqësore. Fakti është se, me ose pa vetëdije instinktivisht shumë studentë, shumë qytetarë që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht, nuk iu bashkuan asaj turme, e cila në kulmin e vet arriti të jetë në 1500 vetë një konglomerat ku padyshim, brenda vetes ka edhe studentë, të reja dhe të rinj idealistë, idealistë por krejtësisht të keqkuptuar të radikalizuar e të ekstremizuar me teoritë destruktive të Antifa-s dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila tek dhuna dhe tek terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Europën, për të marrë peng vendet demokratike, për të marrë peng institucionet, për të marrë peng këtë rrugë të zhvillimit që kemi zgjedhur të gjithë së bashku.

Atyre u them të distancohen nga dhuna. Idetë janë çështje zgjedhje dhe në një vend të lirë e demokratik gjithkush mund të ketë idetë e veta. Por dhuna nuk është ide. Dhuna është krim. Dhuna është armik i demokracisë, është armik i lirisë, është armik i qetësisë, është armik i sigurisë dhe nëse Shqipëria ka shumë gjëra për të bërë ende, Shqipëria ka një domosdoshmëri absolute për të garantuar në të përditshmen e vetë sigurinë. Sigurinë e pacënueshme të rendit dhe të lirisë dhe të qetësisë së çdo individi, të kujtdoqoftë që qarkullon i lirë në rrugët e vendit dhe jo më të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të vetë.

Ka një orë për të folur për të gjitha. Ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur tek informacioni, të rrënjosur tek funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar. Shumë faleminderit!

Rama: Kjo rini është peng i grupit të zjarrit, pas dhunës fshihen duar të huaja
Nga Edi Rama

Mirëmëngjes edhe ja ku jam. Nuk kam ikur dhe nuk është ose më saktë është e njëjta veshje, por nuk janë të njëjtat bluza ose e njëjta xhaketë.

Gjithsesi pak humor me një pikë ujë në oqeanin e çudirave që thuhen dhe që përhapen dhe vendosa të jem këtu sot, t’ju shoh në sy, t’më shikoni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia, pasi për disa ditë, qyshse kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë, për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës,që kërkon gjak. Kërkohet gjak.

Dhe unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk, në këtë perimetër, jo një kazan, jo një makinë, po ku nuk u prek me asgjë. Asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe ku u vranë me plumba nga kjo godinë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, të cilët nuk shkuan dot as në spital se edhe në spital i priste përsëri druri, dhe u mjekuan nëpër shtëpira. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë e qëllojnë me zare hekuri e me vida, për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, përsëri unë e kam mirë parasysh që ata janë fëmijë “të verbër’’ të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës.

Kështu që, vetëpërmbajtja është A-ja dhe Zh-ja e kësaj historie, ndërkohë që patjetër që dëmet nuk janë më të vogla, por ndreqen edhe ndreqen shpejt përsa i përket dëmeve fizike.

Të tjera janë dëmet e mëdha për të cilat do përpiqem të flas.

E pra, prandaj unë kam qenë pak i përfshirë dhe “fushën” e kanë pasur të lire, ata që e fillojnë dhe e mbarojnë ditën, duke nxitur dhunë, ekranet e dhunës, ku nuk dëgjon asnjë që ta dënojë dhunën qartësisht.

Ky është një nga mijëra gurët e shkulur te trotuarëve të bulevardit “Dëshmorët e Kombit’’ për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet, deri dhe largqoftë, vdekjeprurëse.

Imazhet që tregojnë televizonet kur shfaqin atë të ashtuquajaturin ‘’grupin e zjarrit’’, atë 200-300 qindëshen e maskuar që nuk ka asnjë lidhje me studentët, që nuk ka asnjë lidhje me të nesërmen e Shqipërisë por që është aty e yshtur, e gatuar nga duar të lloj-llojshme, nuk i shohin këto.

Unë nuk e kam të vogël kokën, por shikojeni se çfarë mund te bëjë ky gur kur vjen si gjyle në kokën e dikujt. Nuk është etike që unë të tregoj radiografinë, skanerin e kafkës së oficerit të goditur të policisë së goditur në Shkodër. Kjo është një dhunë e verbër, e cila nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare, nuk ka asnjë lidhje me fëmijët që të gjithë prindërit kanë në shtëpi, dhe të gjithë prindërit duan t’i shohin e të bëjnë hajër. Dhe përballë kësaj dhune qëndron policia, qëndrojnë policët dhe teksa dëgjoj në pafundësi ankesa dhe justifikime që mund të jenë dhe legjitime dhe nganjëherë janë dhe legjitime, për inatin, për mllefin, për arsyet, për të drejtat e atyre që janë aty në rrugë si studentë, një fraksion i asaj turme që në rastin më të mirë shkon në 1500 vetë, ku një pjesë janë paqësorë, Mendova dhe mendoj vazhdimisht, po punonjësit e Policisë shikoni, i dini kush ja u dini jetën ja u dini hallet?

Dhe ja se çfarë më shkruante sot ose më sakte më ka shkruajtur nga mbrëmë dhe sot, do ta lexoj në lumin e mesazheve një kolege për një mesazh shumë domethënës që unë mora nga një djalë i cili është në administratën publike dhe më tregonte këndvështrimin e tij mbi situatën duke folur për veten e tij ne administratë dhe duke ndarë me mua ndjesinë që ai nuk bënte dot karrierë sepse të tjerët e bënin atë më kollaj brenda administratës.

Dhe teksti është ky, mesazhi që morëm në grup sepse e ndava atë mesazh me kolegë, kolege tregon shumëçka për psikologjinë e një brezi që ndoshta ende nuk e kemi kuptuar sa duhet, brezi i rritur me më shumë mundësi dhe liri dhe njëkohësisht brezi që artikulon edhe më shumë pakënaqësi. Më sjell në mendje një situatë kur dikujt i thuhet “i didnt mean to hurt you,” nuk doja t’u lëndoja dhe tjetri i përgjigjet: “But I’m hurt”, por më ke lënduar sepse ndjehet i lënduar.

Të dyja mund te jenë vërteta njëkohësisht. Për fat të keq progresi ynë objektiv nuk e bën më pak reale ndjesinë e zhvillimit dhe frustrimit të këtij brezi. Sikur as ndjesia e padrejtësisë së tyre nuk është automatikisht provë e padrejtësisë. Por përtej drejtësisë që kërkon djali, nuk po ia citoj emrin për aspekt sepse kam marrë udhëzimin që t’ përdor emrin djalit që shkruajti, mendoj se është e dhimbshme që askush nuk po mendon për drejtësinë që u detyrohemi atyre qindra policëve, shumë prej të cilave i përkasin po këtij brezi. Edhe ata me siguri kanë pakënaqësitë e tyre, por ndryshe nga pjesa tjetër nuk bëjnë thirrje për qëndresë kundër shtetit, por janë vetë qëndresa e shtetit. Duhet të gjejmë mënyrën për t’i motivuar pa rreshtur këta njerëz që në të gdhirë, çdo orë e çdo minutë te këtyre ditëve. Ndryshe nga djali i mesazhit, policët nuk po kërkojnë vëmendje, nuk po kërkojnë promovim, nuk po kërkojmë shumëçka që me siguri ju takon, por me siguri ata kanë nevojë të ndjejnë praninë tonë dhe te shoqërisë ne këtë sakrificë te tyre përballë gurëve, saçmeve, molotovëve, flakëve të një turme të maskuar.

E pra unë dua që ta nënvizoj këtë me shumë forcë. Familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë në uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë në breshri, pa pushim me orë e orë të tëra ndërkohë që nga ekranet e televizorëve dhe nga pasqyrat e histerisë dixhitale demonizohen si autoret e dhunës, janë familje qe jetojnë me të ardhura modeste, shumë modeste në fakt për sakrificën për qëndresën e këtyre heronjve të shtetit në këto orë ku nuk po sfidohem unë, nuk po sfidohet qeveria, nuk po sfidohet një shumicë qeverisë apo parti fituese në zgjedhje por po sfidohet një rrugë, po sfidohet misioni, po sfidohet një objektiv, po sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030, po sfidohet një mënyrë e të menduari tradicionale e marrëdhënieve mes njerëzve, mes palëve, mes grupeve, mes forcave në një hapësirë demokratike ku liria jote mbaron ku fillon imja dhe ku e drejta ime mbaron ku fillon jotja.

Kjo është sfida e këtyre orëve të vështira. Natyrisht që, unë i kuptoj shumë mirë, shumë me mirë sesa ç’mund të mendojnë shumica dërmuese e atyre që duan një qetësi të shtirur. Të gjitha arsyet pse sot jemi nën këtë terror gurësh, jo nga populli, por nga një grusht njerëzish krahasimisht me masën e madhe të popullit edhe pse pjesë e kësaj mase e mbështet qorrazi këtë dhunë. E kuptoj por nuk kam se si te pranoj të diskutoj asnjë nga ato arsye të shoh një biznes të vogël të rrënuar dhe më ka sjellë natyrshëm kjo ngjarje edhe pamjet përtej 21 janarit. Pamjet që me siguri ata të cilët protestojnë sot si student si kanë parë dhe nuk e dinë t’i perkasin kësaj Shqipërie ku ne të tjerët kemi bërë rrugëtimin tonë të 1998 kur kjo godinë u sulmua me armë nga po nga po ajo dorë që sot nxit, orkestron, paguan dhunën e gurëve. U sulmua me armë kryeministria, u gjuajt me mijëra plumba, kallashikovësh. Madje ka pamje në YouTube edhe raketa dore si ato të terroristëve të Hamasit dhe megjithatë nuk u dogj asnjë biznes, as i vogël as i madh. Nuk u turrën ata barbarë tek bankat, sepse Shqipëria sapo dilte me një llahtar e humbjes së kursimeve të shqiptarëve nga gërmadhat e piramidave të ngritura nga po ai matuf që del edhe bën thirrje për dhunë nga mëngjesi deri në darkë dhe nga ata rreth tij që ishin njësoj si këta të brezit të dytë të rritur nën sqetullën e tij të tredhur dhe agresiv.

Pse sulmohen sportelet e bankave? Pse sulmohen automatet? Ës injoranca që thotë që shko te sporteli se do gjesh lek, hap automatin se janë lekët brenda. Mund të jetë një pjesë, po nuk është kjo. Sulmohem sepse ky është plani.

Është injoranca që thotë dhe “shko te sporteli se do gjesh lekë, hap automatin se janë lekët brenda’’.

Mund të jetë një pjesë, po nuk është kjo. Sulmohen sepse ky është plani, përhapje e panikut dhe ëndërr shumë e keqe për të nxjerrë njerëzit në rrugë për të kërkuar para, sepse nuk janë fare aty sepse nuk janë sot bankat e Shqipërisë, piramida e Sudes dhe e Xhaferrit që i mbanin lekët e ndyra poshtë tavolinës përpara atij sporteli të vogël ku i jepnin deri kur dolën pastaj dhe thanë ‘’kjo ishte loja, mbaroi’’. Por sepse duan që të kenë popull në rrugë. Në rrugë s’ka popull. Patjetër e thashë, një pjesë e popullit nuk diskutohet që e mbështet, siç e ashtuquajtura një pjesë e popullit, diasporë, nuk diskutohet që e mbështet.

Por çuditërisht ose aspak çuditërisht, të gjithë ata që janë protagonistë në diasporë, janë të gjithë personazhe të njohura nga zgjedhjet e kaluara që udhëhiqnin fushatën e dështur të Partisë Demokratike në diasporë. Nuk ka asgjë tjetër përveç kësaj dhe ndërkohë që këtu, në bulevard patjetër që është një pjesë shumë e vogël e studentëve të ideologjizuar,të ekstremizuar dhe të zemëruar nga idera ekstremiste, të cilat po shfaqen siç e keni parë në të njëjtën formë në Paris, në Romë, në Milano, në Portugali, në Brazil, në një flamë të përgjithshme, por kjo flama jonë ka specifikën e vet.

Është sa pjesë e kësaj flame të përgjithshme nga ku merr frymëzimin dhe merr lëndën e parë, aq edhe pjesë e një përpjekjeje të madhe për të bërë çfarë? Për të bërë pikërisht atë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur shansin e saj në histori të ngrejë kokën dhe të marrë frymë edhe ndërkohë që e ka ngritur kokën lart si asnjëherë më parë në historinë e vet, që është më afër se kurrë ëndrrës historike,i vjen kjo formë terrorizuese murtaje, e gjitha e inskenuar me ustallarë që ua kam thënë që ditën e parë, edhe pse shumëkush ma mori për ters, mbase me të drejtë, nuk janë në Shqipëri dhe nuk e duan Shqipërinë.

Rinia po, është e frustruar, është e inatosur. Studentët po, duan më shumë, duan ndryshim, ata gjithmonë e kanë dashur, e duan dhe gjithmonë do ta duan. Është në natyrën e qenies së tyre por me keqardhje të madhe them që kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard, janë pengje të atij ‘’grupit të zjarrit’’ atje në krye, të maskuar me maska ku përdoren gjerësisht edhe të miturit. Të miturit si ato mburojat për të përparuar, për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur shtetit,duke ia bërë të pamundur policisë që të reagojë me forcë, me fëmijë të vegjël.

Aty brenda është dhe krimi. Përpara dy ditësh, është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ajo ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash. S’ka rini dhe s’ka studentë dhe s’ka të mitur që i shkon mendja, edhe jo më që ta vërë në jetë këtë plan. Kjo është një dorë e huaj. Dje në mënyrë të befasishme për shumëkënd, por që ma çonin vazhdimisht, por edhe mua, ‘’babai’’ i Vladimiroviçit, Vladimirovic Putinit foli; ‘babai’ ideologjik, udhëheqësi shpirtëror, justifikuesi i të gjitha agresioneve kundër demokracisë dhe kundër perëndimit, mistifikuesi i Rusisë imperialiste foli, foli dhe tha; ‘’tani po, tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, një popull ortodoks, një popull sufistësh dhe ortodoksësh’’.

Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘’duarve të huaja’’ , ku natyrisht një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit, kulmi i dezinformimit.

Në darkë mblidhen ‘’kllounët’’ që hymnizojnë dhunën nëpër ‘’sallonet’’ e medias tradicionale, ndër të cilët pak fare, pak janë ata që thonë edhe ndonjë fjalë kundër dhunës. Mbase janë terrorizuar dhe nuk i vë faj, sepse erdhi momenti po nuk ka për të ardhur kurrë dita që në Shqipëri njerëzit të terrorizohen rrugëve për atë që mendojnë, që gazetarët të shpallen shënjestra, që politikanët të shpallen shënjestra, që njerëzit e njohur të shpallen shënjestra, nëse thonë një mendim që bie ndesh me planin e këtyre maskave pas të cilave fshihen të gjithë dashakëqinjtë e Shqipërisë dhe ata që Shqipërinë e duan vetëm për vete dhe për të cilët Shqipëria është atdheu që duhet të lulëzojë vetëm kur e kanë ata pushtetin.

Nga një anë hymnizimi i dhunës, ku askush nuk e thotë një fjalë për atë që ju ndodh pa pushim atyre që përfaqësojnë shtetin dhe që mbrojnë rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë nën uniformë, po përkundrazi ku gjithkush flet për një rini që po dhunohet, flet për të mitur që po sakatohen, flet për vajza që po rrëmbehen…

Fjala e plotë/ Rama: Korrupsioni po goditet, Shqipëria nuk kthehet pas
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama nga Rinasi për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni

Sapo jam kthyer nga Nju Jorku, ku siç e dini, përfaqësova Shqipërinë, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vendosa t’ju drejtohem menjëherë nga këtu, në aeroportin ‘’Nënë Tereza’’, sepse zhvillimet e ditëve të fundit, pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ, kërkojnë një adresim të menjëhershëm dhe të drejtëpërdrejtë. Sy më sy. Ishte padiskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Po unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë. Nuk e kam bërë në asnjë rast më parë dhe nuk do ta bëj as në këtë rast. Çdo dyshim i arsyeshëm, për këdoqoftë, duhet të hetohet deri në fund.

Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdoqoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindoqoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetem në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës. Këto piketa të vijës së sjelljes sime e të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Për të gjithë. Por nga ana tjetër, respekti për pavarësinë e drejtësisë, nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.  Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.

Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht. U desh, që të dhëna të dosjes hetimore, të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se sa gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht pa asnjë sukses.

Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë. Me fjalë të tjera, nuk është me siguri hera e parë në historinë e botës, që shefi i shërbimit sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës, që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar e ndërkombëtar thashethemesh mediatike, për shkak të mosmarrjes së asnjërës prej masave, që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq sa ky.

Që të jemi shumë të qartë: Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. As kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrësesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. E këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë, prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkarisht dhe seriozisht.

Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal. Siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive.

Ndërsa orvajtjet e këtyre ditëve, për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me turlilloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën. Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere – nënvizoj, e shkëlqyera – ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit.

As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer. Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrësesi më i drejtë, kur njerëzit e vendosur nën hetim nga prokuroria, linçohen nëpër tezgat mediatike, sikur të ishin shtriga të lidhura mbi turrat e druve të Mesjetës. As kjo shoqëri nuk bëhet kurrësesi më e mirë, kur i fryn zjarrit të atyre turrave me bulçitë e urrejtjes së kanaleve sociale, ndërkohë që mbllaçit e rimbllaçit nëpër pazar kinse sekretet hetimore, të cilat nxirren në mexhelis nga brenda institucioneve të drejtësisë, duke e katandisur prezumimin e pafajësisë në një leckë të djegur.

Askush nuk mund të pretendojë që sekretet hetimore t’i ruajnë mediat, sepse mediat ekzistojnë për të zbuluar jo për të mbuluar. Prandaj problemi nuk nis tek zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren si gazetarë nga prokurorë apo gjykatës të caktuar, për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa filluar ende gjyqi – njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet vetëm një formalitet. Prandaj ky problem gjithnjë e më shqetësues, i cili nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, poshtëruar, nënshtruar e dënuar publikisht njeriun përpara se ta gjykojë gjykata, nuk mund të anashkalohet më tej.

Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e politikës, sipërmarrjes apo krimit, duke e normalizuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e shumëpritur e drejtësisë nuk mund të shfaqet assesi si pavarësi nga Kushtetuta, si papërgjegjshmëri ndaj ligjit, si shkëputje nga të drejtat e njeriut dhe si shpërfillje ndaj etikës shoqërore.

Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë. Gjykata ka të drejtën dhe detyrën të gjykojë. Media ka të drejtën dhe detyrën të zbulojë, informojë, kërkojë llogari. Por askush nuk ka të drejtën ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit, e jo më pastaj ta dehumanizojë botërisht. Shteti ligjor provohet në çdo hap dy herë; me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe me disiplinën për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton – edhe sikur ky të jetë krimineli më i madh.

Për sa më takon, si për çdokënd tjetër, në çdo rast tjetër, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar rreth kësaj teme në vetvete. Por tani kam ende për të thënë mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi, pasi edhe këtë herë, u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë e përgjithshme, kundër qeverisë dhe sigurisht, edhe kundër meje personalisht, me refrenin e shfrenuar, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”…

Të dashur zgjedhës e zgjedhëse, pavarësisht bindjeve e kahjes së votës, Fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, edhe anëtarë të qeverisë a bashkëpunëtorë të saj, nuk provon kurrësesi se na mbyti korrupsioni apo se korrupsioni po rritet. Përkundrazi.

Fakti se në episodet e këtij kapitulli të ri, të dobishëm e të shëndetshëm për Shqipërinë, hetimet e pavarura u hapin llogari me drejtësinë individëve të veshur me pushtet apo të lidhur me pushtetin, nuk provon assesi që shumica qeverisëse është e korruptuar.Përkundrazi. Ky fakt, këto episode, kjo histori e re drejtësie në Shqipëri, ku, kurrë më parë, s’ka pasur asnjë lloj drejtësie të pavarur, sepse s’ka pasur kurrë më parë një udhëheqje politike të interesuar për t’i dhënë pavarësi drejtësisë dhe as ka pasur një forcë politike të gatshme për të mbështetur një drejtësi të pavarur, duke i marrë përsipër kostot e saj mbi lëkurën e vet, provojnë krejt, po krejt të kundërtën e avazit, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”…

Ato provojnë se korrupsioni nuk po rritet, por po goditet. Ato provojnë se shumica qeverisëse nuk është e korruptuar, po është e palëkundur në mbështetjen e organeve të pavarura të luftës kundër korrupsionit, edhe dhe mbi të gjitha brenda radhëve të saj. Ato provojnë se ne jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reformat e masat e mëtejshme anti-korrupsion nga ana e qeverisë, qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi anti-korrupsion i organeve të pavarura të drejtësisë. Patjetër, e kam fort mirë parasysh, se sa herë del një rast i ri, ku një bashkëpunëtor a zyrtar i lartë ose i ulët, përshihet në librin e llogarive me drejtësinë, rimerr hov drejt meje avazi i vjetër, vulgar dhe përqeshës:

“Po si mund të mos e dija; po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë; po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës; po si si si…” Sepse sipas atij avazi, kryefajtori i çdo rasti jam pikërisht unë, që e desha kur askush nuk e besonte si të mundshme, e udhëhoqa kur shumëkush e donte të vdekur dhe e mbroj si askush tjetër Reformën në Drejtësi. Por ja që një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd, që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, sepse përndryshe shkelësi është ai vetë.

Kryeministri dhe krejt shumica qeverisëse gjykohen nga qëndrimi që mbajnë dhe veprimi që bëjnë, kur hapet llogaria e drejtësisë për dikë mes tyre apo pranë tyre. A e justifikojnë? A e mbrojnë? A i kundërvihen drejtësisë apo e lenë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe individin të mbajë përgjegjësinë e vet? Unë premtova rilindjen e një Shqiperie të rrënuar dhe shtetbërjen europiane të Shqipërisë, jo një qeverisje ku askush nuk do të shkelte askurrë në dërrasë të kalbur dhe as një administratë engjëllore, ku xhagajdurët do të avullonin me urdhërin e peshkut, kur I thonë fjalës.

Mirë do ishte, por se ka arritur kush në botë. E mbi të gjitha unë u zotova për çlirimin e pavarësimin e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm, pavarësisht përkatësisë politike apo afërsisë me majën e pushtetit politik. Dhe ky është ndryshimi historik që sot po ndodh, ndërkohë që pyetja me vend, nuk është si ka mundësi të mos e dijë kryeministri kur një vartës i tiji shkel ligjin, po është si mund ta dijë kryeministri që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin apo po vepron fshehtazi në shkelje të ligjit? Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo fillon të kurdiset për të punuar së prapthi.

Prandaj edhe demokracitë kanë organe qeverie, po kanë edhe organe të pavarura drejtësie dhe prandaj e kam kërkuar me aq këmbëngulje Reformën në Drejtësi dhe e mbështes me kaq vullnet drejtësinë e re – përtej të gjitha boshllëqeve e lajthitjeve të saj, sa të dhimbshme, aq edhe të kuptueshme. Tani unë me siguri dhe e them sinqerisht duhet të kem fajet e mia, padiskutim.

Por ajo që mund të them me sigurinë më të madhe është se kurrë, në asnjë rast e për asnjë arsye, mua nuk më bën dot askush palë, për asgjë që në të 28 vjet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të ketë prekur paratë e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, interesat e shqiptarëve. Patjetër që mund të dalin plot e të flasin në emrin tim, apo kundër emrit tim. Mund të thonë se pas një kërkese personale apo pune të tyre private, jam unë. Mund të thonë se pas një bëme korruptive a një gjëme kriminale, jam unë. Mund të tregojnë përralla me arkitektët e tërë botës, mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia.

Mund të rrëfejnë historira, me tërë kriminelët e Shqipërisë që mblidhen që të  fitojnë zgjedhjet për mua. Mund të thonë se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, që u shes atyre nën dorë copa Shqipërie dhe jetoj në saraje luksoze, e fluturoj në tërë qiejt e botës me avionë privatë, të paguar dhjetra miliona euro me taksat e shqiptarëve.

Të tëra e shumë më shumë se këto i kanë thënë dhe mund t’i thonë përsëri e përsëri, bashkë me të tjera të reja, që do t’u pjellë mendja e fantaksur prej luftës për pushtet apo e urrejtjes për vajmedet. Po ama një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë. Sepse nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni.

E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë. Kush më njeh e di mirë çfarë flas. Kush ka përfituar të drejta kushtetuese zhvillimi të pronës a mundësi të ligjshme investimi, edhe falë firmës sime, e di po aq mirë se çfarë flas. E di mirë çfarë flas po ashtu, kur ju them se pushteti im s’është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme. Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri.

Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo me sqep sorrash e korbash në vend të buzëve, të cilët ndër plot jashtëderdhjet e tyre në mexhelisin e Shqipërisë, kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë, që unë e paskesha marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka thuajse një duzinë orash të shtrenjta e super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua, personalisht, jo nga kriminelë po nga miq të fuqishëm a vizitorë shumë të nderuar. Por ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, me tërë dhuratat e tjera të tetë viteve të tij në zyrën e kryeministrit, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time.

Prandaj për shembull privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër ose prandaj fjala vjen, makina ime merret me qera nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie. Prapë e them, sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia dhe në 28 vitet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të kem bërë madje shumë më tepër gabime se sa ato jo pak që unë i di vetes. Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten. E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta.

E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje. Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë: Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.

Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin. Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata. Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri  dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij.

Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletë-thirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjenike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të ministrisë së mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore.

E di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi. E di gjithashtu, e di që çke me të , që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjermësot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato “bombat çudibërëse” anti-qeveri, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”.

E di edhe që një tjetër televizion “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, i ushqyer nga paratë e evazionit marramendës fiskal, ka marrë peng një prokurori të tërë në Tiranë, ku në vend se të thirret evazori i madh për të dhënë llogari për milionat e detyrimeve ndaj shtetit, prokurorët e trembur dhe të tredhur prej tij, hapin çështje për të trembur punonjësit e tatimeve që denoncojnë evazorin.

E di që Shqipëria e deridjeshme e harmonisë me korrupsionin dhe padrejtësinë, nuk ka ikur përfundimisht nga jetët tona. Bishtat e panumërt të atij vendi i kemi ende nëpër këmbët e jetës së përditshme.

Por ama e di me siguri, që koha, kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe një dhomë e hapur sa herë e keqja donte pazar, nuk kthehet më.Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë.

Ka ikur ajo kohë, sepse unë, Partia Socialiste dhe shumica e shqiptarëve që na besoi, i hymë detit në këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë, më sfiduese e më të dhimbshme në historinë e shtetit shqiptar. Reformën e reformave, sfidën e sfidave, përmbysjen e të gjitha përmbysjeve.

Morëm përsipër aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë, nga duart e pushtetit politik që e mbante atë shpatë qysh prej vitit 1912, në duart e një pushteti të ri, atij të drejtësië së çliruar e të pavarësuar me vullnetin tonë.

E bëra unë atë dorëzim jo se isha naiv, as se nuk e dija që ajo shpatë do të kërkonte koka në radhët tona, po sepse ishte e imja, e jona dhe e askujt tjetër, barra e asaj sakrifice të madhe politike, po njëkohësisht investimi të madh, strategjik dhe vendimtar, për të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë.

Ndërsa sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, vetë sistemi institucional i Shqipërisë po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë, kjo është një arritje e madhe kombëtare, autorësinë e të cilës, ndjesë, po nuk e negocioj me askënd; është imja dhe e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë – apo që po bëjne me disa qeveri të tjera rrotull në rajon.

Dhe padyshim, nuk e solli pavarësinë e drejtësisë PeDeja, sorrat, korbat e dështakzemërakët, që sot bërtasin “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni” dhe e shikojnë SPAK-un si armën e vetme fatale kundër meje, që i kam mundur e mundur në çdo zgjedhje, e që i mund në këto betejat e shpifura të arenës politike dhe mediatike te akuzave e të shpifjeve, sa herë u gënjen mendja se më zunë ngushtë e ma bënë gropën.

Po natyrisht, nuk është mundja e tyre që ma prish gjumin dhe asfare nuk është gjelfryrja e pulëkakarisja e tyre e rastit, arsyeja e këtij adresimi të posaçëm.

Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavaresi të plotë.

Deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe ky është një ndryshim epokal që ka nisur.

Vetëpastrimi i sistemit në këtë fazë ende në formësim të shtetit të ri europian të Shqipërisë është i zhurmshëm. Madje është nganjëherë edhe i pistë dhe shpeshherë po shumë i dhimbshëm.

Ai prek e lëndon edhe individë të pafajshëm, ashtu sikundër keqtrajton e dehumanizon këdo edhe të fajshmit.

Por vetëpastrimi i sistemit është një zhvillim i shumëpritur në organizmin e shtetit, pas një agonie tejet të gjatë sa historia e shtetit shqiptar.

Organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra, e kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar; kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat e piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur; kur tymrat e pasqyrave digjitale të jenë shpërndarë e pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime, janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria.

Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas.

Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë.

Ndryshimi i ri i Partisë Socialiste
Nga Edi Rama

Ky takim me drejtuesit politikë, si edhe me drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse.

Dokumentin strategjik “Besa” e keni tanimë në dorë; ky tjetri që është këtu, të cilin e keni marrë dhe që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneks i atij të parit.

“Prania Besnike” adreson vetëm partinë, me synim që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt dhe, nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot do të flas për “makinerinë” tonë të partisë.

Dhe dua t’ju them se, paralelisht me reflektimin përpara pasqyrës së bulevardit të “flamingove”, kam kaluar edhe disa kohë në “varrezat” ku prehen historitë e partive dhe të lëvizjeve që fituan gjithçka, por që, më herët ose më vonë, humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre.

Të gjithë gurët në ato “varreza” kanë të njëjtin mbishkrim: asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi; të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti.

Barack Obama fitoi në vitin 2008 me lëvizjen më të madhe vullnetare që kishte parë historia e demokracisë amerikane. Mbi 2 milionë vullnetarë ose, siç quhen në shqip, patronazhistë aktivë; ekipe lagjesh me emra, role, me përgjegjësi të matshme dhe të matura çdo javë, si dhe 13 milionë adresa njerëzish të lidhura me kauzën. Një muaj pas fitores, të cilën askush nuk e parashikoi në fillim, por pastaj gjithë bota e admiroi në fund, ajo lëvizje vullkanike u ftoh. Rrjeti nuk u zhduk formalisht, por u fut brenda zyrave të administratës dhe u vu në shërbim të agjendës së Shtëpisë së Bardhë. Protagonistët kryesorë u kthyen në zëdhënës të pushtetit të ri dhe kori më masiv i përcjelljes së një mesazhi politik në historinë e Amerikës u tret në lumenjtë e turmave të jetës së përditshme.

Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e para të mesmandatit, makineria që kishte magjepsur botën nuk kishte më jetë dhe partia e presidentit pësoi njërën nga disfatat më të rënda në historinë e saj. Vetë Obama e ka pranuar më vonë si një nga dështimet më të mëdha politike.

Ndërkohë që, më poshtë, në jug, Partia e Punëtorëve të Brazilit, një tjetër fenomen i pazakontë politik, kishte vendosur në Porto Alegre gurthemelin më mbresëlënës të së majtës botërore, të gdhendur në historinë e saj: buxhetimin me pjesëmarrje.

Dhjetëra mijëra qytetarë vendosnin vetë, me votë të hapur në asambletë e lagjeve, se ku do të shkonin investimet e qytetit. Uji dhe kanalizimet vajtën nga 75% në 98% të mbulimit. Katër mandate radhazi populli zgjodhi Partinë e Punëtorëve, pastaj partia fitoi Brazilin. Kuadrot më të mirë të Porto Alegres ikën nëpër ministritë e kryeqytetit. “Energjia” politike që e mbante gjallë buxhetimin me pjesëmarrje filloi të shteronte dhe partia, që i kishte mësuar botës dëgjimin, humbi qytetin e vet një vit pas fitores kombëtare. Mekanizmi mbijetoi formalisht edhe për disa vite, por pa të njëjtën fuqi, pa të njëjtën pjesëmarrje dhe pa të njëjtin vullnet politik, derisa u fashit. Kutia e buxhetimit mbeti aty, por fryma që e kishte bërë atë zemrën e komunitetit iku bashkë me ata që u futën në administratë.

Nga kjo anë e oqeanit ka plot raste, por unë zgjodha të kujtoj këtu Francën. Emmanuel Macron e ndërtoi partinë e tij në kohë rekord. Trokiti në 300 mijë dyer; 5 mijë vullnetarë për 3 muaj; 25 mijë bashkëbisedime të regjistruara me pesë pyetje të hapura: çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në Francë. Përgjigjet u bënë program dhe, pasi ai fitoi presidencën, partia e tij fitoi edhe shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Më pas, komitetet lokale mbetën në hartën e partisë, por pa funksion, pa autonominë dhe pa arsyen për të cilën njerëzit kishin hyrë në ato komitete. Zgjedhësit që u anëtarësuan për të qenë bashkëautorë të lëvizjes e gjetën veten spektatorë të një pushteti që fliste vetëm nga lart. Partia shkoi nga rënia në rënie, duke e lënë praktikisht, për herë të parë pas shumë vitesh, presidentin pa shumicë dhe Francën me një fragmentim parlamentar krejt të pazakontë për historinë e Republikës së Pestë.

“Podemos” në Spanjë u bë një parti me influencë të madhe në skakierën politike, me gjysmë milioni anëtarë të regjistruar në platformën e vet digjitale. Por, kur erdhi dita që të votonin për drejtimin e partisë, votuan vetëm 59 mijë prej tyre. Kështu u zbulua se regjistrimi nuk është pjesëmarrje, se një klikim nuk është angazhim dhe se një turmë llogarish digjitale nuk është ende një bashkësi politike.

Ndërsa lëvizja “5 Yjet” në Itali, që u rrit, duke u tallur me partitë e vjetra dhe që mori pushtetin, ia kishte besuar platformën e saj digjitale një shoqërie private. Kur filloi grindja në pushtet, partia mbeti pa asnjë kontroll mbi të dhënat e veta dhe me votime të ngrira në çastin më kritik të jetës së saj. Themeluesi i saj shkroi edhe nekrologjinë e saj jo shumë kohë më parë. Revolucionarët hynë në pallatet e pushtetit për të ndryshuar pushtetin; pushteti i ndryshoi ata.

Pesë vende, pesë parti, e njëjta sëmundje. Filluan me veshë hapur, qeverisën me veshë mbyllur dhe, pasi u ngjitën shpejt, shumë lart, ranë poshtë po aq shpejt.

Por ka edhe një lloj tjetër sëmundjeje që besoj se ne na intereson edhe më shumë për ta kuptuar në skanerin e historisë së partive fitimtare. Është historia e partive që rrinë gjatë në krye, por që dëgjojnë vetëm nga njëri vesh dhe shikojnë vetëm nga njëra anë.

Peronizmi kishte në çdo lagje të Argjentinës një njësi bazë të hapur gjatë gjithë vitit, ku hallexhiut i gjendej ilaçi, dokumenti, thesi me miell, puna për djalin. Në pamje të parë, tingëllon si “Prania Besnike” që unë po ndaj me ju sot, por, në fakt, ndryshon prej “Pranisë Besnike”, siç ndryshojnë veshi dhe syri i sëmurë nga dy kolegët e tyre të shëndetshëm, sepse njësitë peroniste e jepnin ndihmën me kusht dhe ndihmësi i lagjes matej nga partia me votat që dorëzonte. Prandaj, ai nuk quhej më ndihmës, por quhej puntero, domethënë sekser, dhe populli e dinte që dera e shtetit hapej vetëm me çelësin e sekserit politik në zyrën e partisë.

Mirëpo, erdhi një ditë e bukur që presidencën e Argjentinës e fitoi një njeri pa makineri territoriale që mund të krahasohej, qoftë edhe teorikisht, me peronizmin, me një llogari në TikTok dhe me zemërimin e algoritmit si aleatin e tij më të madh. Kurse makineria më e madhe elektorale e Amerikës Latine u parkua në opozitë dhe aty, thonë, do të kalojë një dimër shumë të gjatë politik. Por, për këtë, ne s’kemi pse të shkojmë deri në Argjentinë; mjafton të shohim komshien e vajtueshme që kemi në sallën e Kuvendit, që u ndryshk dhe u bë teneqe krejt në opozitë.

Në dukje, sëmundja e ndryshkjes pas një pushteti të gjatë mund të perceptohet si e pashmangshme, por nuk është. Është thjesht shumë më e përhapur sesa rastet e partive që kanë ditur t’i rezistojnë ndryshkjes edhe për kohë shumë të gjata, për të cilat shkëlqen shembulli i Partisë Socialdemokrate të Suedisë.

Socialdemokratët suedezë qeverisën praktikisht për 44 vjet me radhë. Ata ndërtuan vërtet një shtet social të admiruar nga bota, por themeli i suksesit të tyre ishte se, ndërkohë, ndërtuan shoqërinë e tyre politike. Partia nuk ishte vetëm selia ku shkonte aktivisti për të marrë porositë për fushatën; ishte sindikata ku shkonte punëtori, kooperativa ku shkonte familja, shtëpia e popullit ku mblidhej lagjja dhe rrethi i studimit, ku anëtarët nuk mësonin vetëm çfarë duhej të mendonin, por mësonin si të mendonin, si të flisnin dhe si të dëgjonin.

Ata nuk e trajtuan qytetarin si klient të partisë, por si bashkëkrijues dhe bashkëkujdestar të saj. Dhe partia nuk shfaqej vetëm kur kishte nevojë për shoqërinë, por ishte e pranishme aty ku shoqëria jetonte çdo ditë.

Ndërsa partia që qeveris Singaporin prej më shumë se 60 vjetësh ka rrënjosur një rregull që nuk është prekur për më shumë se 60 vjet. Deputetët, përfshirë ministrat, ulen rregullisht në lagjet e tyre dhe presin qytetarët një për një. Takimet nisin në mbrëmje dhe shpesh mbarojnë në mesnatë.

Për çdo hall përgatitet një letër zyrtare, e cila u drejtohet ministrive, agjencive apo institucioneve përgjegjëse. Dhe kjo, natyrisht, nuk është më fushatë; është ritual, ku njerëzit shkojnë si në kishë apo si në xhami, jo për t’i lutur Zotit, por për t’u dëgjuar nga të zgjedhurit dhe nga qeveritarët e tyre.

Sidoqoftë, në këtë kontekst, “Prania Besnike” e Partisë Socialiste nuk mund të jetë as zyra e puntero-s argjentinas, as sportel ankesash dhe asnjë kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo një tentativë e dështuar nostalgjike për partitë e masave të shekullit të kaluar. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve mësimin, por pa trashëguar sëmundjen dhe duke ndërtuar metodën e saj: praninë pa klientelizëm, dëgjimin pa teatër, organizimin pa burokratizim, ndihmën pa kushte dhe dixhitalizimin pa robotizim e pa kapitalizim.

Dhe këtu vjen një pyetje që, me siguri, mbase askush nuk e bën në këtë sallë. Po, e bëjnë njerëz që janë duke na ndjekur. Po pse doni të qëndroni ju akoma më gjatë? Po pse s’ju mjaftojnë juve gjithë këto vite? Po pse nuk e kuptoni që është koha të thoni boll dhe t’ia lini vendin të tjerëve?

Ose, edhe më shkurt, mund të mos e bëjnë fare si pyetje, por ta shprehin copë, si dëshirë apo si urdhër, gjë që, zëre se po i lexoj në komentet që bëjnë:

-“Po çfarë më gjatë?”

-“Po ishalla vdisni një orë më parë dhe t’u hapni rrugë të rinjve”.

-“Po çohuni që aty dhe shkoni nëpër shtëpi, se s’jeni vetëm ju këtu.

Tani, pyetjet janë legjitime, dëshirat me zë të lartë dhe urdhrat kështu në ajër janë shprehje lirie, kurse mallkimet dhe sharjet unë nuk i konsideroj, sepse janë konflikt shumëfish interesi. Por do të shtoja diçka: që, pas 13 vjetësh në qeverisje, “Pse doni të qëndroni akoma?” është ndoshta pyetja më legjitime që mund të na bëhet.

Por, këtu duhet të ndajmë dy gjëra që nuk janë e njëjta gjë. Njëra është: pse nuk largohemi ne sot? Tjetra është: pse duam ne ta meritojmë vazhdimësinë nesër?

Së pari, duket e çuditshme që duhet thënë, por, me sa duket, duhet thënë, se kjo është demokracia dhe një parti politike as nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit, as nuk e ka pronë me testament, por as nuk ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit.

Partia Socialiste ushtron pushtetin sipas Kushtetutës për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend për të bërë ato për të cilat është zotuar përpara popullit.

Ata thonë se flasin në emër të popullit, madje pretendojnë se janë vetë populli. “Ne jemi populli. Dëgjoni popullin. Ka dalë populli.”

Por, që të jemi të qartë, me ligj dhe me zakon, as ata nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi populli dhe asnjë individ, kushdo qoftë, apo grup, kudoqoftë, nuk është populli. Të gjithë jemi vetëm pjesë e tij; mund të përfaqësojmë popullin ose të flasim në emër të popullit na e jep këtë mundësi Kushtetuta; përndryshe, ne flasim vetëm në emrin tonë apo të kujtdo që na ka mandatuar të përfaqësojmë ndonjë gjë, por jo në emër të popullit. As unë, që e kam me vulë dhe me firmë mandatin për ta përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, nuk e kam tagrin të them në emër të popullit atë që mund ta thotë vetëm populli: kush duhet të jetë në qeveri dhe kush duhet të jetë në opozitë.

Këtë populli e thotë vetëm vetë, vetëm me votë dhe vetëm kur zgjedh të mandatuarit e tij.

Nga ana tjetër, po, unë, për shembull, e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat ose urdhrat e një pjese që këndon poshtë zyrës sime: “Rama, jepe dorëheqjen!” Ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon aq shumë, sa, të them të drejtën, më gënjen mendja që mund të bëj edhe një këngë tjetër me të. Por, në çdo çast dhe rrethanë, përtej këngës, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti institucionale; është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe.

Ndërsa të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit, duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona, do të ishte shpërfillje e pafalshme e një porosie shumë të madhe kombëtare. Kështu që, kushdo le të këndojë, kur të dojë le të pushojë, po i erdhi prapë oreksi le ta rifillojë.

Misioni ynë do të vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar.

Unë jua kam thënë midis nesh edhe herë të tjera: mua nuk më intereson fare roli i kryeministrit si kohë qëndrimi në pushtet. Më intereson vetëm për veprat që mbeten dhe për të mos e humbur në asnjë mënyrë orën vendimtare të Shqipërisë: përmbylljen e anëtarësimit në familjen e Europës së Bashkuar.

Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panumërta të anëtarësimit, të cilat nuk presin as ditën, jo më javën, kaq e ngjeshur është axhenda e negociatave dhe kalendari i detyrave që ne duhet të plotësojmë, si dhe nëse dera e hapur për herë të parë e Bashkimit Europian për Shqipërinë, – jo vetëm me fjalë, si gjithmonë më parë, por konkretisht, nuk do të ishte kaq afër, – me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje tw madhe në katundin tim të vogël, pas 12 vjetëve të jetuara me mish e me shpirt në krye të detyrës më të lartë që vendi i jep një biri të tij dhe pas gjithë këtyre viteve në krye të Partisë Socialiste, sepse Shqipëria, pas atyre 12 vjetëve të Partisë Socialiste në drejtim, me punët e panumërta transformuese dhe përtej gjithë gabimeve e të metave, u bë një Shqipëri aq tjetër nga ajo që morëm në kurriz kur e gjetëm në buzën e greminës së vitit 2013, saqë, pa këtë orën e historisë në dyert e Europës, mund të quhej, me kokën lart, mision i përmbushur.

Por pikërisht pas gjithë asaj përpjekjeje dhe pune kolosale dhe tamam kur dera e Europës është hapur realisht, mandati i katërt ishte, jo vetëm vazhdimi më i natyrshëm, por edhe e vetmja zgjedhje logjike. Dhe deri në ditën e fundit të këtij mandati të katërt, bashkë me ju, do të bëj të pamundurën që jo vetëm unë apo ju, por e gjithë kjo partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Por, nëse mandati i vitit 2025 shpjegon pse jemi këtu deri në vitin 2029, ai nuk mjafton për të shpjeguar pse kjo parti duhet ta synojë besimin edhe më tutje. Dhe këtu vjen përgjigjja e pyetjes tjetër.

Pse duam të qëndrojmë ne gjithnjë në krye? Jo sepse, hëpërhë, ne dimë më shumë se të tjerët. Jo sepse sot për sot vetëm ne mundemi ta udhëheqim Shqipërinë, e jo të tjerët. Jo sepse nesër do të jetë prapë kështu, pavarësisht nga të tjerët. As sepse kundërshtarët tanë janë pa kokë kur janë të vjetër dhe janë të vjetër edhe kur janë të rinj. Por as, jo e jo, sepse jemi të lidhur pas karrigeve të pushtetit për hir të pushtetit.

Përgjigjja e vërtetë, them unë, nuk ka të bëjë vetëm me ne. Ka të bëjë, mbi gjithçka tjetër, me atë që thashë edhe më parë: me orën ku ndodhet Shqipëria.

Shqipëria nuk është sot ende një vend në një rrugë të zakonshme, që mund të ecë, mund të ndalojë, të ndërrojë qeverinë, të vazhdojë pastaj aty ku e la, sikur koha të mos kishte çmimin që ka sot në këtë orë të historisë dhe historia të ishte një tren që rri në stacion derisa të gjithë bien dakord të niset treni.

Demokracitë e vjetra janë vende ku kjo mund të ndodhë, sepse ato e kanë shtetin të ngritur denbabaden. I kanë institucionet me tabiate të kolauduara me breza e breza të tërë. E kanë administratën me shekuj të kolauduar dhe, kur ecin në rrugën e shtruar të shtetit të së drejtës, ndërrojnë shoferin edhe shtatë herë në 10 vjet, si Britania, për shembull, por ama nuk e kthejnë shtetin nga rruga. Ose si Belgjika, që ndenji dy vjet pa qeveri, sepse nuk bëhej dot koalicioni, por shteti funksionoi a thua se qeveria ishte aty çdo ditë.

Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Për herë të parë, dera e hapur e asaj shtëpie shihet me sy në kalendar dhe ajo shtëpi nuk është më vetëm një dritë që herë duket larg, herë zhduket fare nga mjegulla nëpër shtigjet e rrugës; është mu aty, është përpara nesh, është reale, njësoj si dyert e kësaj godine.

Por, nga ana tjetër, dihet botërisht se ajo nuk është një derë që rri hapur në pafundësi, por hapet një herë në çdo brez dhe mbyllet papritur, pa pyetur dhe pa pritur më askënd.

Dhe pikërisht tani, përpara derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë rreth udhëkryqit të fundit historik apo, larg qoftë, të ndryshojë drejtim në mes të rrethrrotullimit.

Dhe ta themi qartë, që të mos keqkuptohet nga askush, të paktën, jo nga ata që nuk duan ta keqkuptojnë. Kjo nuk është beteja e Partisë Socialiste për të mbetur në pushtet. Është beteja e Shqipërisë për të zënë përfundimisht vendin që i takon në sofrën e Europës së Bashkuar.

Dhe ne nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do ta mbajmë medoemos dhe me sukses përgjegjësinë që historia na ka vënë mbi supe për ta çuar këtë betejë deri në fund.

Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk duhet të njohë rotacionin, se ditën e rotacionit nuk e caktojmë ne; e cakton populli me votën e tij. Por detyra që kemi marrë nga populli është të bëjmë gjithçka që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda derës së Europës dhe jo duke ardhur rrotull në udhëkryqin e fundit, që pastaj mund të bëhet udhëkryqi i një brezi tjetër.

Është fare e qartë që, ne e nxorëm Shqipërinë nga një mungesë tërësore, një epokë mungesash të kudondodhura, varfërie, zvarritjeje, pafuqie të qeverisë dhe shpërfilljeje ndërkombëtare.

Dhe sot jemi në një epokë mundësish të reja, si asnjëherë më parë, me pritshmëri të rritura më shumë se kurrë dhe me vlerësim ndërkombëtar më të lartë se ndonjëherë.

Por pikërisht pse kemi hyrë në këtë epokë, ka nisur prova dhe sprova jonë më e vështirë, sepse zhvillimi i deritanishëm ka provuar aftësinë tonë për ta ndryshuar Shqipërinë, por fuqizimi i besimit te shteti, te qeveria, te institucionet është prova dhe sprova e pjekurisë demokratike për ta bërë ndryshimin të qëndrueshëm, shtetbërjen të pakthyeshme dhe Shqipërinë të papashaportizuar në BE.

Prandaj mandati i katërt nuk mund, nuk duhet dhe ne duhet të bëjmë çmos që të mos jetë zgjatimi aritmetik i tre mandateve të mëparshme. Mandati i katërt duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe, jo vetëm për faktin historik që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, as vetëm për faktin se prodhimi ynë i brendshëm do të kapërcejë kufirin e 30 miliardë eurove në vit, çka në vetvete përbën një kthesë për ekonominë, por edhe sepse ky, për Partinë Socialiste, duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore; nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën e tyre, duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.

Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje, kur e sjell nevoja jonë, te detyrimi ynë për të qenë atje kur ata kanë nevojë të dëgjohen.

Nga halli i qytetarit që shënohet dhe rëndom mbetet pa përgjigje, te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin deri te vajtja e përgjigjes.

Nga qytetari që kërkon të hapë një derë në rrugën e vet të jetës, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën pa i kërkuar votën pse i hap derën.

Nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve, te fuqia e besimit qytetar që fitohet çdo ditë kur s’ka zgjedhje.

Dhe, po, të qëndrosh gjatë në pushtet nuk mund të nënkuptojë t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’u hapësh rrugën të rinjve. Nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, të hapësh procesin qeverisës për njerëz të rinj, jo thjesht në moshë, por në mendësi. Të krijosh hapësirë për ide të reja dhe të punësosh burime energjish të reja; të prodhosh drejtues dhe jo vetëm ndjekës, duke u bërë në çdo hap shembull për t’u ndjekur edhe nga të tjerët.

Unë nuk dua që ne të qëndrojmë sa më gjatë në vendet ku jemi ulur, por t’i kryejmë së bashku gjërat që do të qëndrojnë shumë më gjatë sesa të gjithë ne në këtë vend, që është i të gjithëve ne.

Unë dua ta ngjisim Shqipërinë në Bashkimin Europian, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundshme pavarësinë e drejtësisë dhe t’i bëjmë institucionet tona të denja për çdo qytetar të këtij vendi, të afta të funksionojnë njësoj, në mënyrë të barabartë për të gjithë, të fortë apo të dobët. T’i japim jetë një marrëdhënieje tjetër mes qytetarit dhe qeverisë dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë.

Të guxojmë me kurajë zhvillime të reja në këtë epokë të re dhe të ecim përpara me ide të qarta dhe me këmbëngulje të madhe, pa u lodhur, pa u ndalur, deri në ditën kur populli pastaj të flasë ndryshe me votën e tij.

Dhe deri atë ditë, detyra jonë nuk është t’u provojmë atyre që nuk duan të binden se nuk jemi të lidhur pas pushtetit, njerëzve që duan të na largojnë. Detyra jonë është të mos lidhemi pas pushtetit në asnjërën prej atyre mënyrave që na largojnë nga njerëzit.

Sepse, njësoj si njerëzit, partitë nuk ndryshken nga pushteti dhe as nuk plaken nga numri i viteve që mbajnë mbi supe. Ndryshken kur pushojnë së ndryshuari, plaken kur ngatërrojnë eksperiencën me pagabueshmërinë.

Ne mund ta çojmë jo vetëm këtë mandat me sukses deri në fund, por Partia Socialiste mund të kërkojë një tjetër dhe të tjera mandate vetëm nëse, gjatë këtij mandati, do të dimë të dëgjojmë edhe atë që nuk na votoi, të shohim edhe atë që nuk na duartroket dhe të qajmë edhe hallin që nuk arrijmë ta zgjidhim.

Vetëm nëse “Prania Besnike” nuk mbetet një stampë e re me një bluzë të vjetër, por një ndryshim i vërtetë i marrëdhënies sonë me njerëzit, ne mund të vazhdojmë të bëjmë histori, sepse ka vetëm nder të duash të përmbushësh një mision historik me pushtetin që të kanë dhënë.

Turp është vetëm të duash ta mbash pushtetin pasi e ke harruar se për çfarë ta dhanë.

Tani dua të kthehem drejtpërdrejt edhe më afër te makineria jonë, e cila nisi të rindërtohet seriozisht pas zgjedhjeve vendore të Tiranës në vitin 2011. Kur e pamë se si një fitore të sigurt ne e katandisëm në një fitore aq të ngushtë, prej vetëm 10 votash, saqë mjaftoi një robot politik në krye të KQZ-së për të na nxjerrë të rruar, pastaj një tufë me plepa në Kolegjin Zgjedhor për të na nxjerrë të qethur, për derë jashtë nga Bashkia e Tiranës.

Aty e kuptuam se, megjithëse kishim mbështetjen e shumicës së qytetarëve, nuk kishim makinerinë elektorale që e kthen shumicën e mbështetjes qytetare në votën e shumicës së zgjedhësve.

Në atë kohë kemi diskutuar, kemi analizuar, kemi lexuar, kemi nxjerrë mësime dhe nisëm ndryshimin që na duhej për ta transformuar Partinë Socialiste në një makineri elektorale fituese.

Natyrisht që s’do t’ju marr kohë me një histori që të gjithë e dini se si u zhvillua, nga dita kur kjo parti doli e dërrmuar prej humbjes pa apel në 2005, në ditën kur nuk ia doli të kthehej fitimtare në 2009 për një “pellg” me vota dhe një “mal” me kuti mëkatesh që nuk u hapën kurrë, dhe pastaj, prej çdo dite zgjedhore e deri sot, kur, falë pikërisht një makinerie të pathyeshme elektorale, kemi koleksionuar së bashku 9 fitore dhe vetëm një humbje. Ajo makineri na ka dhënë mundësinë dhe kohën që ta vëmë pushtetin politik në shërbim të një ndryshimi të madh dhe ta transformojmë Shqipërinë nga një vend ku mungesat ishin të kudondodhura në një realitet ku pritshmëritë e njerëzve janë rritur eksponencialisht.

Por sot, kur bulevardi i “flamingove” na ka futur zyrtarisht pikërisht në fazën e re të pritshmërive të rritura dhe kur, në jetën sociale dhe politike, një faktor i ri, me një fuqi gjithnjë e më shtypëse për të vërtetën, algoritmi, është futur duke spostuar dita-ditës burimin e informimit të qytetarëve në pasqyrat e celularëve, ku një botë e re risish dhe djallëzish thith babëzisht edhe mendjen e njeriut, ka ardhur koha që ne t’i bëjmë vetes shumë pyetje, duke e nisur me një pyetje mbi “makinerinë” tonë elektorale.

Mund t’ia drejtojmë atë pyetje kryetarit të organizatës më të mirë socialiste në çdo bashki të vendit. Ai, apo jo, se kemi bashkëkryetarë, normalisht di të na thotë sa vota socialiste ka në qendrën e tij të votimit, apo në një pallat, apo në një fshat. Por, po të provojmë të pyesim: “Sa herë i keni dëgjuar ju me veshët hapur të gjithë ata që i numëroni symbyllur?”, kam frikë se, po të përgjigjen pa dorashka, do të thonë: “Asnjëherë”. Qysh se kemi qenë në opozitë, mbase.

Dhe ndryshimi i kësaj përgjigjeje është domosdoshmëri jetike për ecurinë e mëtejshme, për mosndryshkjen dhe mosplakjen e Partisë Socialiste; një domosdoshmëri me të cilën ne që jemi këtu – drejtuesit politikë dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore – duhet të jetojmë nga sot e tutje, me sensin e përparësisë së përditshme.

Në epokën e mungesave, “makineria” jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë. Në epokën e pritshmërive, kjo makineri duhet të bëjë një transformim jetik, sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërish sapo ka filluar.

Kur flas për mirënjohjen, kam parasysh edhe dijen se janë bërë shumë gjëra dhe shpresën, e mbështetur te ajo vetëdije, se të tjera gjëra do të bëhen dhe, prandaj, ju e meritoni mbështetjen.

Ndërkohë që sot është krejt tjetër skena që po formësohet, për të gjithë ata faktorë që fola, dhe detyra jonë është jo ta mbrojmë “makinerinë” nga çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë “makinerinë” nga vetvetja.

Dhe pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që e keni përpara si draft, tërësisht të hapur për shënimet e secilit prej jush.

Po me shumë pak fjalë, shumë më pak fjalë sesa dokumenti, dua t’ju jap vetëm frymën e tij, në mënyrë që të gjitha shënimet që mund të shtohen apo çfarë mund të hiqet, të mbajnë parasysh pikërisht frymën: respektin si gatishmëri për të dëgjuar; jo dëgjimin si pritje e radhës për të folur, por dëgjimin si puna e parë e partisë; dëgjimin si disiplinë e re e partisë; dëgjimin në çdo stinë: edhe kur nuk ka kamera, edhe kur nuk ka fushatë, edhe kur ka duartrokitje, edhe kur nuk ka rreth e rrotull simpatizantë.

Empatia si angazhim për të ndërvepruar.

Empatia nuk është dobësi sociale, është forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Njeriu që hap derën e hallit të vet të ka dhënë diçka shumë më të çmuar sesa vota; të ka dhënë besimin dhe, duke të dhënë diçka që është e tija, personale, të ka lënë në dorë edhe dinjitetin. Dhe halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik.

Solidariteti si ndihmë pa kusht.

Partia dëgjon dhe i shërben kujtdo pa e pyetur: me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahjeje politike të pëlqen; pa e pyetur për votën, madje pa e pyetur fare për politikë. Se halli nuk ka teserë dhe dera që hapet vetëm për “tanët, tanët, tanët”, është derë që hapet që një ditë të mbyllet për të gjithë ne. Kur them për të gjithë ne, them për Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Korrektesa si detyrim për të kthyer përgjigje.

Mospërgjigjja duhet të shpallet e ndaluar në Partinë Socialiste. Po ju rikujtoj shembullin, jam i bindur që ju keni plot të tjerë, e atij fermerit nga Lushnja: tre vjet për një përgjigje. Tre vjet.

Dhe njerëzit nuk kërkojnë nga ne që të themi medoemos “po”, se e dinë që ne nuk jemi zotërues të një çelësi magjik, por njerëzit kërkojnë: po, jo, kur? Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet, por bëhet poshtërues kur nuk përfillet.

Përkushtimi ndaj transformimit të “makinerisë” me forcën e shembullit individual.

Kjo kthesë nis nga ne që jemi në këtë sallë ose nuk nis fare. Nis nga grupi parlamentar ose nuk shkon më tutje. Nis patjetër nga qeveria ose nuk merr besueshmërinë për të vazhduar si një kthesë e gjithë Partisë Socialiste.

Kritika jonë e brendshme mikpritet dhe kultivohet si ushqimi i vetëdijes së skuadrës, së familjes politike, por ajo ka vetëm një rrugë të ndershme: brenda nesh flitet hapur, flitet me zë të lartë, flitet drejt e në sy, ndërsa përballë qytetarit, kur rasti e kërkon, ajo bëhet vetëm si vetëkritikë, në emër dhe në interes të skuadrës, jo si konstatim publik i një spektatori që shfrytëzon problemin për interesin e vet dhe ia lë skuadrës “kodoshin” në derë. Kjo nuk është prani besnike. Kjo është prani hileqare.

Vija e re ndarëse e kësaj faze të re, siç e thashë edhe herën e kaluar, nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë; kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe atyre që “duan shesh për të bërë përsheshet e tyre”. Në anën tonë të asaj vije duhet të ketë shumë më tepër hapësirë për njerëz të rinj, për forca të reja, për prurje energjish dhe vullnetesh të reja dhe është domosdoshmëri që i gjithë drejtimi politik i partisë të fokusohet te shkrirja e kufijve që janë shumë të dukshëm për njerëzit që janë në territor, por që bëhen të padukshëm kur ne shkojmë në territor: kufijtë mes nesh dhe atyre.

Ndërkohë që përpjekja e brendshme kundër hendekut me ata që, me demek, janë tanët – e them me demek, se ata mund të mos jenë tanët në kuptimin e partisë, por tanët janë të gjithë shqiptarët që duan të njëjtën gjë që duam ne dhe s’janë tanët shqiptarët që nuk e duan të njëjtën gjë që duam ne, në kuptimin e partisë gjithmonë, se për qeverinë të gjithë janë tanët, edhe ata – dhe ky hendek i “tanëve” me “ata” është shumë më tepër në kokën tonë sesa në realitetin e territoreve, ku njerëzit bashkëjetojnë me probleme, halle e nevoja shumë të ngjashme, shumë më të ngjashme sesa ngjyrat e partive dhe ku ndarja është shumë më e lidhur me territoret e influencës sesa me territoret politike.

Dua t’ju them dhe pastaj, më tutje, në këtë diskutim që s’mbyllet sot, natyrisht, mund ta shohim më në detaj, se një nga studimet më domethënëse të viteve të fundit në fushën e bindjes politike ka nxjerrë diçka që duket e pabesueshme, por që faktikisht është e provuar në mënyrë shkencore.

Një bisedë e vetme 10-minutëshe, ku tjetri dëgjohet pa u gjykuar përpara se të flasësh, ndryshon qëndrime më thellë dhe më shumë sesa kontakti i zakonshëm elektoral.

Dhe eksperimentet e bëra kanë nxjerrë këtë metodë – parafytyroni këtë metodë – më shumë se 10 herë më efektive sesa kontaktet dhe teknikat standarde dhe e kanë nxjerrë me një impakt 100-fish më të lartë sesa impakti i përpjekjes për t’i bindur njerëzit përmes publicitetit politik.

Prandaj, dëgjimi duhet të bëhet teknologjia më e avancuar e Partisë Socialiste.

Njerëzit që nuk votojnë për ne, që s’kanë votuar për ne, por që janë njerëz që i besojnë punës dhe besojnë te vetja dhe te zhvillimi i tyre përmes punës, janë njerëzit tanë.

Midis nesh dhe atyre mungon vetëm një gjë: komunikimi ynë i drejtpërdrejtë, nga i cili jo vetëm ne mund të mësojmë më shumë sesa në 10 mbledhje ku flasim me njëri-tjetrin, por mund të ndryshojmë edhe qëndrime të rrënjosura të tjetrit që kemi përballë.

Po e mbyll me thelbin e kësaj përpjekjeje.

Nëse “Besa” është fjala që qëndron në krye të dokumentit tonë strategjik, kjo lidhet me faktin që fjala jonë ndaj qytetarit kërkon të kontrollohet në gjithë procesin e trajtimit të saj dhe këtë gjë e bëjnë mekanizmat e metodës që do të duhet të vërë në zbatim qeveria.

“Prania Besnike” është diçka tjetër: është fjala jonë ndaj vetvetes, të cilën ne duhet ta bëjmë të kontrollueshme nga çdo qytetar që i beson pranisë sonë në territor.

Ata që kanë humbur armatat e fitoreve, të gjithë bashkë, kanë pasur, natyrisht, karakteristika të ndryshme, por kanë paguar një haraç të përbashkët: kanë fituar me vesh të hapur, kanë qeverisur me vesh të mbyllur.

Partia Socialiste duhet të hyjë te përjashtimet. Ky është misioni ynë lidhur me Partinë Socialiste. Mund të duket shumë e ekzagjeruar, por më besoni, është po aq e thjeshtë sa ç’duket e ekzagjeruar.

Nga lidershipi i sotëm i Partisë Socialiste – dhe ju e dini se unë e përsëris gjithmonë, me lidership nuk kuptoj veten; kuptoj të gjithë grupin drejtues të Partisë Socialiste, kuptoj grupin parlamentar dhe kuptoj qeverinë, së bashku me drejtimin, kuptohet, të vetë partisë – varet jo thjesht nëse do të fitojë Partia Socialiste më tutje, por varet nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim apo do të përjashtohet nga historia e mëtejshme e këtij vendi.

Kjo është pak, por besoni që kjo është e sigurt. Nëse Partia Socialiste do të bëhet përjashtim, ose, më saktë, nuk do të jetë përjashtimi i vetëm, se ka edhe përjashtime të tjera, por do të hyjë te përjashtimet, atëherë Partia Socialiste do të jetë jo vetëm në skenë, por në qendër të skenës, edhe pasi të paktën disa prej nesh këtu të mos jenë më në këtë detyrë.

Nëse jo, atëherë nuk do të ketë skenë për Partinë Socialiste. Ka një sërë forcash historike, që nuk i solla këtu në atë rrëfimin tim, të cilat kanë pasur karakteristika të ngjashme dhe që sot nuk ekzistojnë.

Faleminderit!

Kjo ishte hyrja që m’u duk e udhës ta ndaj jo vetëm me ju, por edhe me ata që na ndjekin, duke pasur parasysh, në radhë të parë, socialistët.

Dhe mund të vazhdojmë më tutje me një diskutim shumë paraprak, duke pasur parasysh që të dy dokumentet do të duhet t’i nënshtrohen një diskutimi më të gjerë, duke marrë kontribute konkrete nga të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë ose kanë vullnetin për të kontribuar.

Përgjigjja ime për “flamingot”
Nga Edi Rama

Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam gjatë muajit qershor, kur Bulevardi u mbush me njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë brenda vetëm një muaji.

Përveç videos që sapo patë, tek e cila do të kthehem më tutje, kam sjellë sot me vete edhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, për tu analizuar, ndryshuar, në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre.

Ky i pari është një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës. I dyti është një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.

Po e nis me një episod që edhe mund ta keni dëgjuar. Qëlloi pikërisht në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie, shok yni, njeri që i rri në kokë punës edhe komunitetit, më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që kishin dalë në protestë për një problem në lagjen e tyre, diku në një periferi të asaj bashkie.

“I kam gjetur në llumë”, – tha. “Nuk kishin rrugë, nuk kishin trotuare. Për ndriçim s’bëhet fjalë. Vetëm gropa, ferra, plehra”, – tha. “Me trotuar, me drita, me pemë, u bëra kopsht, u vura dhe stola, por janë mosmirënjohës.”

Ai, shokë dhe kolegë, të dashur, miq, jemi “ne” të gjithë, se secili prej nesh e ka menduar, qoftë dhe njëherë atë fjalë të keqe, kur i ka ardhur shpirti majë të hundës në marrëdhëniet e punës me popullin, qoftë me dikë, qoftë me diçka, shpesh me disa, kam menduar që janë mosmirënjohës. Pikërisht kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet sepse pikërisht në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria.

Prandaj, dua që t’ua them unë që në fillim, duke shfrytëzuar këtë rast, drejt e në sy atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, vetëm apo me të tjerë, kudo nëpër Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, jo vetëm gjatë qershorit, por qysh pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar: Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matës i ri i standardeve tona.

Ju, atje në periferinë e një bashkie, nuk protestuat kundër atyre që kryebashkiaku kishte bërë për ju, as kundër atij vetë. Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve të para. Dhe këtu po ndaj pak posaçërisht ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo dhe anëtarë të Partisë Socialiste, por dhe ata që gjatë ditës ishin në punën e shtetit dhe mbrëmje shkonin në protestë.

Ata nuk dolën në bulevardin e flamingove për të mohuar transformimin e Shqipërisë, për të sulmuar qeverinë apo për t’ju bashkuar këngës “Rama, jepe dorëheqjen”.

Ata që votuan për ne në qershorin e shkuar dolën dhe u bashkuan me të tjerët, edhe kur protesta drejtohej kundër meje, sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese mbi ta sesa figura ime.

Ata të administratës, ku plot mund të mos kenë votuar për ne, dolën dhe ata me të tjerët, sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, kur njerëzit flakeshin nga puna e shtetit, me farë dhe me fis, pse shkonin në një takim tonin në opozitë, – se të shkonin në protestë kundër qeverisë, as që bëhej fjalë.

Të gjithë bashkë, ata qytetarë u mblodhën aq të shumtë aty, kur sorrat dhe korbat nuk e kishin nxjerrë ende kokën, sepse i çoi një nevojë e thellë, një nevojë e brendshme për të përcjellë një mesazh më të fortë sesa përkatësia e tyre ndaj një partie apo sesa ngjyra e qeverisë për të cilën ata mund të kenë votuar.

Shija kontaminuese e lirisë së asaj proteste dhe nevoja për t’u bashkuar me atë rrjedhë të pazakonshme njerëzish për Tiranën, duke dalë nga rrugicat e rutinës së përditshme dhe duke ushqyer celularët me energji të rrallë instagramike, një energji e mahnitshme, besoj, ishin më të fuqishme sesa i gjithë arsenali ynë i fakteve kundër gënjeshtrave, shpifjeve dhe akuzave lidhur me projektin e Zvërnecit.

Prandaj, mësimi i parë që dua të ndaj me ju është: faktet tona nuk mjaftojnë më.

Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin, as me inkurajimin nga gjërat që ndërtohen, siç ndodhte deri dje, kur prisnin me besim që, pas rrugës, shkollës, lulishtes që u ndërtuan në lagjen tjetër, t’i vinte radha rrugës, shkollës, lulishtes, lagjes së tyre.

Ata, sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’iu përgjigjur. Dhe në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin si një tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë, herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë, si ndjenjë pasigurie për pjesën e tyre në një ekonomi që rritet shpejt, por bashkë me koston e jetesës së tyre.

Me fjalë të tjera shokë dhe shoqe nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, arritje, integrime duke treguar çfarë bëmë deri këtu, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm sepse zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më aty ku ishin deri dje, tek çfarë ndryshon në territor dhe nuk kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar mu te pritshmëritë tyre.

Prandaj dhe bulevardi i flamingove duhet parë, jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara, duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re, të cilën në radhë të parë dhe medoemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasën e saj.

Unë vetë, në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave, kur një rrugë e re ishte fitore kolektive, ku një shkollë e re ishte festë e përbashkët, një lulishte e re pritej me duartrokitje dhe ndezja e dritave në lagje përcillej me bekime. Në epokën e mungesave shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë të rrënimit dhe poshtërimit dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmija një dhurate. Toleranca e tyre ndaj atyre gjerave që mungojnë është shumë e madhe, deviza e asaj epoke është “ka edhe më keq”.

Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore, shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë, jo arsye për të festuar. Çdo shërbim i mirë merret i mirëqenë dhe asnjë mungese shërbimi nuk durohet më dot si deri në mbylljen e epokës së mëparshme. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka dhe më keq. Toleranca e saj ndaj çka nuk shkon, vjen duke u zeruar sepse deviza e kësaj epoke është “ka edhe më mirë”.

Alexis de Tocqueville një ndër studiuesit më të mprehtë të demokracisë dhe ndryshimit shoqëror na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht, kur jo ka nisur t’i ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që ne kemi sjellë në këtë vend janë të panumërt në çdo drejtim, ndërkohë që rreziku për të cilin ai shkruan është tanimë fare i lexueshëm.

Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar dhe aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur një i vetëm zyrtar i lartë, një, 100 e ca vjet. As një! Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë reformën në drejtësi, duke kërkuar vettingun si besimtarët që kërkojnë shpëtimtarin prapëseprapë pyetjes nëse besonin se ata do shihnin një ditë zyrtarë të lartë përpara drejtësisë i përgjigjeshin masivisht: jo.

Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që deri dje, as nuk imagjinoheshin. Monumenti i pandëshkueshmerisë ra, siç deri dje as mund të imagjinohej, por ky fakt nuk mjafton fare që njerëzit t’i gëzohen kësaj arritje historike, përkundrazi, ky fakt del dhe tepron që ata të jenë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë.

Për 30 vjet shqiptarët ndenjen në radha kilometrike për të marrë shërbimet më elementare duke pritur në shi, duke pritur në diell një dokument të rëndomtë, certifikatë lindjeje,  duke u shtyrë për të paguar dritat që mezi vinin apo duke ardhur nga jashtë për të kaluar gjysmën e pushimeve nëpër sportele që ngjanin si ato dyert e urbanit që futet gjithë dynjaja në kohën kur akoma ishin turnet e kombinatit të tekstileve por e kishin pranuar atë realitet, sikur të ishte një trashëgimi e patundshme.

Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, falas dhe merren dhe nga çdo pikë e botës, por ky fakt nuk mjafton fare, që njerëzit t’i tolerojnë më lehtë shërbimet që ende çalojnë. Përkundrazi, del dhe tepron që toleranca e tyre të jetë thuajse zero.

Nuk e di a e dëgjuat kur tregova një ditë rastin e së ëmës së një shokut tim. Gjyshe 80 e ca vjeçare. Edhe ajo doli në protestë. Jo për Zvërnecin, jo për ligjin e zonave të mbrojtura, as për bio diversitetin, doli ngaqë sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë për një sëmundje kronike, ngrihej pa zbardhur dita bashkë me të moshuar të tjerë për të zënë radhën pasi mjeku në atë poliklinikë shkonte vonë dhe rrinte dy, tre orë.

Ne, mund t’i tregojmë tani asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë, si ka ndryshuar si nata me ditën sistemi ynë shëndetësor krahasimisht me kohët kur morëm detyrën. Të gjitha këto dhe gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që ne kemi bërë për shëndetësinë, janë fakte si drita e diellit, por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma.

Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes ne nuk mund t’i kërkojmë asaj të ndryshojë përvojën. Duhet të ndryshojmë ne, që zëri i saj të dëgjohet, halli i saj të qahet, përvoja e saj të ndryshojë dhe ajo të shohë që shteti nuk nis dhe nuk mbaron tek tabiati i mbrapshtë i një mjeku, përndryshe të gjitha ndryshimet që kemi bërë për shëndetësinë do të mbeten aty, fakt i pamohueshëm.  Po ne nuk do të jemi më këtu, nëse vazhdojmë të besojmë se mjaftojnë investimet dhe faktet e përparimit që njerëzit të vazhdojnë ta investojnë besimin e tyre tek ne.

Pa ndryshuar diçka domethënëse në cilësisë e përvojës së tyre me shtetin. Përsëri, këtu na vjen në ndihmë Tocqueville, abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten.

Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe zhvillimi i pandalshëm, pritshmëritë e qytetarëve nuk ulen po rriten dhe rriten më shpejt se shpejtësia e ndryshimit. Asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit, me këtë sy duhet parë dhe video që ju shfaqa në hyrje të kësaj fjale.

Kur ne morëm detyrën, pyjet priteshin si të ishin nën agresionin e një ushtrie alienësh në formë sharrash elektrike dhe kafshët vriteshin për epshet shtazarake të gjahtarëve të huaj dhe shqiptar. 50 mijë “vrasës” që hynin me çifte pyll më pyll e lagunë më lagunë, sikur Shqipëria të ishte një rezervat jashtë hartës së qytetërimit, ndërsa për pirgjet me kufoma shpendësh lagunave, që pastaj shiteshin nëpër restorante, shkruante ndonjë revistë ndërkombëtare e natyrës. Po meazallah se ngrihej ndonjë zë që të dëgjohej përtej ndonjë kronike televizive, para lajmeve për motin.

Në një vend ku shoqëria vuante mungesat e veta të mëdha dhe ku vritej statistikisht, një njeri në tre ditë, nuk kishte se të kishte ndonjë pritshmëri optimiste për jetën e kafshëve.

Në një dekadë, ne kemi bërë për florën dhe faunën e Shqipërisë një përmbysje historike të vizionit, të qasjes, të administrimit, me rezultate të pamohueshme.

Bëmë ligjin e parë të integruar me standardet e Bashkimit Europian për zonat e mbrojtura dhe në këtë dekadë zgjeruam në mënyrë të ndjeshme, si asnjë vend tjetër në rajon, sipërfaqen e tyre, shtuam kategoritë e mbrojtjes dhe e kthyem ruajtjen e natyrës nga një thirrje sporadike, në një sistem administrimi.

Një parantezë këtu: ndryshimet e vitit 2024, le ta mbajë shënim kush e dëgjon. Në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vazhdojnë, si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë dhe disa eurodeputetë që, në rastin më të mirë, nuk e kanë lexuar fare çfarë kemi ndryshuar, ndërsa, në rastin më të keq, kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan.

Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane dhe fatmirësisht, nuk është këtu fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe, po ka një proces, në zbatim të kalendarit të negociatave, ku do skanohen një për një, me Komisionin Europian, për ta përputhur krejt atë ligj 100% me direktivën e BE-së, edhe ato ndryshime. Kështu që ky konflikt i stisur do zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit.

Tani, le të ngrejë dorën një i vetëm këtu, në këtë sallë, jashtë mureve të kësaj salle, kudo në Shqipëri apo jashtë kufijve të Shqipërisë, dhe të thotë: “Po, unë e kisha imagjinuar, në kohën e koreve shurdhuese të sharrave elektrike dhe atyre shkulmuese të çifteve shfarosëse, se do vinte një ditë kur, po në të njëjtin bulevard ku, në atë kohë sharrash dhe çiftesh, protestuesit vriteshin si shpendët e lagunave, me plumba nga dritaret e Kryeministrisë, do vërshonte një protestë masive qytetare për fatin e biodiversitetit të një lagune të vendit.”

Por ja që, nëse do ta shtrëngonim me zor dikë që t’i thonim: “Po mirë, po dakord, parafytyroje, kur mund të vijë ajo ditë?”, nuk ka shans që të thoshte se ajo ditë do të vinte kaq shpejt dhe Shqipëria, ku, deri dje natyra dhe popullsia e specieve të saj ishte preja e pambrojtur e njeriut të lëshuar nga çdo zinxhir etik, moral dhe ligjor, në raport me nënën natyrë, u bë vendi i një proteste popullore që mori si shkak një zog dhe një lagunë. Jo vetëm kaq, por për ta mbrojtur zogun dhe lagunën nga unë dhe nga ju, që biodiversitetit i kemi kthyer përkushtimin e ekzekutivit dhe të legjislativit, me rezultate aspak modeste.

Mosmirënjohje? Në asnjë mënyrë, jo! Edhe këtu çelësin na e jep ai që e kuptoi shumë herët dhe shumë më qartë se shumë të tjerë. Tocqueville, prapë: pakënaqësia nuk rritet thjesht në një realitet ku njerëzit e kanë humbur shpresën, por rritet, mbi të gjitha, aty ku shpresa është rritur më shpejt se realiteti sepse, kur një shoqëri bindet nga vetë fakti se ndryshimi po ndodh, duke e prekur me sy që ndryshimi është i mundur, çdo gjë që ende nuk ka ndryshuar i duket e padurueshme.

Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët nuk e krahasojnë më Shqipërinë me vendin e mungesave, nga ku ne të gjithë së bashku u nisëm me bekimin e tyre, po me vendin e mundësive ku ata mezi presin të mbërrijnë.

Prandaj, nuk na vlerësojnë më vetëm për çfarë kemi ndryshuar. Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që e mbajnë mend akoma, sepse janë të përqendruar të na gjykojnë gjithnjë dhe me më pak mëshirë për gjithçka që, pikërisht sepse panë sa shumë mund të ndryshojë, nuk pranojnë dot të mbetet siç ishte.

Prandaj, shokë dhe shoqe,

Udhëkryqi për të cilin kam folur edhe më parë, po as jam kuptuar si duhet, as kam qenë në gjendje ta perceptoj sa duhet përpara se ta shikoja veten tek pasqyra e bulevardit të flamingove, është ky: “Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave, ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që nuk e mat më Shqipërinë me mungesat e saj, po me pritshmëritë e veta. Një popull që nuk na vlerëson më sa do të donim ne për gjithçka kemi bërë deri këtu, po na kërkon llogari më shumë sesa do donim ne për gjithçka që mbetet për t’u bërë. Një popull që bezdiset kur i tregojmë nga sa poshtë jemi nisur, për t’u ngjitur deri këtu dhe që na tregon se sa lart do të jetë, pa pritur kohën që duhet për t’u ngjitur me ne ose pa ne. Dhe ka të drejtë. Pikë. Ka të drejtë!

Kush përpiqet ta zvogëlojë apo ta relativizojë përmasën e kësaj të drejte që na e tregoi bulevardi i flamingove, do zvogëlohet dhe do relativizohet deri në irrelevancë. Madje, madje, sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je, nëse nuk e kupton se kjo e drejtë është më e madhe dhe më e fortë se ti, qofsh dhe vetë Partia Socialiste apo u quajtsh edhe Edi Rama po deshe.

Tre mandate me radhë ne folëm me gjuhën e fakteve, sa rrugë, sa shkolla, sa spitale, sa investime sa turistë sa rritje ekonomike. Faktet janë dhe do të mbeten aty, kokëfortësisht dëshmitare  për ne qe e transformuam këtë vend deri këtu fatkeqësisht nga një realitet që bënte lajm vetëm për keq në një shtet në gjunjë, që nuk kishe as drita se gjysma paguante për gjysmën tjetër nga një emër të përbuzur të shpërfillur ndërkombëtarisht në një destinacion të dëshiruar me një flamur ndërkombtarisht të respektuar. Por kjo është histori, ne jemi aktualitet, kjo është histori.

Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistike nuk e tregon, por që asnjë provën nuk e rrëzon.

Ne, lart kishim fakte, njerëzit poshtë kishin përjetimin. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit është tokë private, përjetimi i tyre ishte se toka e shtetit po i shitej të huajve. Fakti ynë ishte se projekti  është ende sot që flasim në duart e një skuadre arkitektësh, inxhinierësh mjedisorë, gjeologë dhe hidrologë ndër më të mirët në botë, përjetimi i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe duhej anuluar. Faktet tona thoshin se ne kishim me vete të vërtetën, por përjetimi i tyre ishte se e vërteta ishte e gjitha në anën e tyre, pa diskutim në atë protestë pati ndërhyrje të huaj brutale manipulime të panumërta, lajme të rreme, video të deformuara dhe plot aktorë të vënë me qëllime nga më të ndryshmet në funksion të shumëfishimit të zemërimit.

Edhe këto, janë fakte dhe ishin pjesë e rëndësishme e protestës.

Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar atë protestë në çdo dimension, por asnjë prej tyre dhe as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendek, në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigja për themelin e atij hendeku nuk  duhet kërkuar te ato pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur te pritshmëritë e rritura të njerëzve dhe konflikti i tyre me përvojën e përditshme.

Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë  derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard.

Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur dhe mbyllja e tij nuk bëhet dot as duke bërë sikur ai u mbyll vetë, meqë bulevardi u zbraz nga flamingot dhe aty mbetën  vetëm puplat e ditëzinjve dhe vezët e punëzinjve, as duke u kapur thjesht e më  fort pas fakteve dhe duke menduar ne, se përjetimi i popullit do të ndryshojë kur ne t’ia përsërisim faktet tona edhe 100 herë të tjera,  as duke bërë thjesht ca lëvizje njerëzish dhe duke bindur veten se populli do të bindet kur të shijojë veprën aty, ku sot ai shikon “atdheun e nxjerrë ne shitje”.

Asnjë nga këto, as të tëra bashkë nuk mjaftojnë dot për ta mbyllur atë hendek dhe për ta kuptuar deri në fund atë hendek. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve sepse kur midis faktit tonë dhe përjetimit të njeriut të zakonshëm hapet një hendek i atillë, atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do realizohen dhe kur besimi për këtë arsye ka rënë edhe fakti më kokëfortë fillon duket si gënjeshtër, por më keq, më zi edhe gënjeshtra më e madhe fillon duket si vërtetë.

Patjetër që, ajo protestë e thashë nuk mund të kuptohet pa renë e mbingarkuar të të dhënave digjitale mbi bulevardin e flamingove, e cila mblodhi dhe lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjitha anët e globit sepse Zvërneci nuk mbante vetëm peshën e një investimi të madh, të një lagune të ndjeshme, pikëpyetjeve mbi pronën, të një vendimmarrje të debatueshme, të cilat krijuan patjetër një forcë magnetike mbi planetin tokë pas viralitetit të një videoje, ku brishtësia e individit që proteston përplaset me gardhin e lartë me tela me gjemba, si të ishte një kufi i pakapërcyeshëm mes jetës së tij dhe një rruge të madhe zhvillimi që e ka flakur atë jashtë shtratit të saj.

Mbi Zvërnecin qëndronte dhe hija e emrit më polarizues të politikës dhe medias botërore përderisa në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje protestat do të ishte në rastin më të mirë një çështje shqiptare, jashtë vëmendjes së dynjasë, por falë asaj lidhjeje, ajo u bë menjëherë një legjendë globale, ku shumëkush ndër fansat e huaj të protestës përfshirë dhe një senator mitik të Shteteve të Bashkuara do ta shikonte Shqipërinë si shëmbëlltyrën guximtare të një Davidi të vogël që u ngrit dhe u rebelua ndaj Goliathit të plotfuqishëm duke bërë thirrje që bota mbarë ta merrte nga Shqipëria mësimin dhe të ngrihej në atë revolucionin e madh dhe të shumëpritur të ish proletareve. Ky është fakti i kohës së kanaleve sociale, ku noton sot bota.  Zvërneci dha videon revoltuese,  flamingoja dha simbolin magjepsëses, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur dhe nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera bëri pjesën tjetër. Me një shkrepëse të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë shpërndau brenda pak orësh si zjarr marramendës anembanë botës.

Zelli i kundërshtarëve të gjithandejshëm për të luftuar me vjehrrin e madh në çdo çast, për çdo gjë dhe kudo qoftë e ktheu në skenë identifikimi me qindra miliona njerëz në disa kontinente bulevardin e transformuar në hendek. Ama prapë shkaku i hendekut ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Prandaj, përgjigja për ta duhet të jetë e jona dhe jo e sharlatanëve, ekstremistëve apo çdo dështaku publik që në këto raste gjenden gjithmonë gati me receta çudibërëse për popullin të cilat shkruhen vetëm me një parim, “o burra të rrëzohet gjithçka, të rregullohet çdo gjë  dhe unë të kap diçka”.

Ata kishin nevojë për plagën, por nuk e krijuan ata protestën, e rrëmbyen dhe vazhduan ta mishërojnë si llumi që dekanton pasi thahet prurja e ujit të rrjedhshëm. Tani vazhdojnë të kruajnë plagën me nervozizëm, duke u mbledhur si pupla të zeza mbi bulevard apo rrotull Parlamentit pasi zemra e protestës ka ikur ka shtegtuar bashkë me famingot.

Ata nuk janë armiqtë e Shqipërisë, por bij të verbër të saj që në shumicën e tyre ecin pa ditur ku shkojnë dhe as nuk e kanë haberin se janë njëkohësisht “mishi për top” i armiqve dhe dashakëqijve të huaj të Shqipërisë, në radhë të parë, atyre shtetërorë, që lëshuan përmes resë digjitale breshërinë masive avatarësh në profile false, të cilat tanimë, i kemi të dokumentuar.

Po çfarë interesi kanë ustallarët malinj në Shqipëri? Zero. As për qeverinë, as për opozitën, as për popullin, zero. Vetëm kaosin dhe rrënimin e besimit që shqiptarët të mos i besojnë më askujt, as shtetit, as medias, as drejtësisë, as parlamentit, as Europës, as njeri-tjetrit, sepse një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është një “shesh për përshesh”.

Fakti që, për herë të parë, Shqipëria përjetoi shijen e keqe të ndasisë fetare dhe të urrejtjes etnike, të cilat u manifestuan për turpin e të gjithëve ne, në rrugën e protestës ishte drejtpërdrejtë objektivi i operacionit të tyre, shenjëstrimi i kombit hebre, me një antisemitizëm  të panjohur për Shqipërinë deri në atë moment, që shkoi deri të shkulja e flamurit të ambasadës së Izraelit, edhe ajo e nxitur nga elementë të huaj që në atë rast ishin fizikisht rrotull dhe shfrytëzuan një tufë nga të verbrit vendor, ishte përdhunimi publik i kujtesës së shenjtë të atyre familjeve shqiptare me shumicë myslimane që i dhanë lavdi dhe nder përjetë Shqipërisë, duke marrë në mbrojtje hebrenjtë me jetën e tyre dhe duke i treguar Evropës së madhe të të pasurve dhe të fuqishmeve se një vend i vogël, i varfër dhe i dobët u bë busulla e mbetur morale e një kontinenti të tërë.

Por, dhe këtu prapë duhet ta përsëris dhe të jem shumë i qartë, as ndërhyrja e aktorëve të huaj shtetërore as sponsorizimi marramendës i breshërive digjitale nga lobet e konkurrencës së industrisë mesdhetare të turizmit nuk e shpikën sëkëlldinë që i nxorën flamingot në bulevard.

Ata pa diskutim e shfrytëzuan egërsisht atë sëkëlldi dhe u përpoqën shumë ta kthejnë në një zjarr të pakontrollueshëm. Pasojat mbi sezonin turistik dhe mbi ekonominë e familjeve që jetojnë me turizmin, i tregoi bilanci i fund qershorit, kur për herë të parë pas shumë vitesh dhe krejt në kundërtendencë me janar – majin që ishin zjarr në rritje, rritja stopoi, në shifrat e qershorit të kaluar aty-aty.

Ama, dua të jem po kaq i troçtë, se duke i treguar shqiptarëve që po ndodhte kjo, asnjëherë nuk më shkoi mendja të akuzoja protestuesit e sinqertë si bashkëpunëtorë të vrasësve të Teheranit apo kukulla të tjetërkujt, që bashkë me Iranin u fut në mendjen e miletit përmes lloj-lloj postimesh ndjellakëqija dhe komentesh me gjuhë urrejtje, të cilat nuk i lexuan vetëm shqiptarët, po u lexuan kudo.

Sepse përqindja më e madhe e përmbajtjes dixhitale u prodhua në këto vende, e dokumentuar. As më ka shkuar dhe as më shkon ndërmend se mund të jetë shpallja e protestuesve si armiq dhe e kritikëve si agjentë. Reagimi im ndaj kësaj risie negative që na i futi armiqtë brenda në shtëpi, jo përmes bombardimit kibernetik si disa vjet më parë, por përmes përmbytjes së kanaleve sociale të cilin deri në qershor e kishim dëgjuar si fenomen nga historitë e pabesueshme të vendeve të tjera demokratike dhe përtej rritjes së domosdoshme të kapaciteteve teknologjike mbrojtëse, ne duhet ta shtrijmë reagimin dhe për këtë tek adresimi i atij hendekut duke dëgjuar më herët, shpjeguar më qartë dhe mbi të gjitha duke e bërë këtë me empati për njerëzit.

Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa takime të brendshme me ju, ajo fitore sa ç’është bekim është dhe mallkim. Bekim sepse na dha forcën për të vazhduar transformimin me besimin e madh të popullit. Mallkim, jo vetëm sepse pas atij besimi të madh që na dhanë shqiptarët e shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon, por dhe sepse fitoret e mëdha si ajo e qershorit të shkuar e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërisë së qytetarit. Dhe kjo, sado e pamëshirshme t’ju duket është rrjedhojë e faktit që ne vetë e bëmë Shqipërinë një vend ku tanimë krahasimet nuk i bën më thuajse askush me dje, po të gjithë i bëjnë me Europën e zhvilluar.

Por ne, jo vetëm nuk kemi drejtë të ankohemi pse po gjykohemi kështu, po duhet pranojmë dhe atë që dhëmb edhe më shumë. Faktet tona shpesh nuk dëgjohen edhe sepse përjetohen si arrogancë. Jo se janë të rreme, as vetëm sepse vijnë pa dëgjim përpara, pa shpjegim të mjaftueshëm më pas, po sepse dhe kur jepen, jepen pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati. Dhe që të kuptohemi mirë se për çfarë po flas, dëgjoni një tjetër nga një duzinë historish që unë i kam ndarë veç, i kam shënuar duke parë pasqyrën e bulevardit të flamingove. Për bujqësinë ne kemi bërë sa nuk ishte bërë kurrë. E thonë statistikat e prodhimit, të eksporteve, të mbështetes për fermerët. Po një djalë që akoma sot unë nuk e njoh për fytyrë, po e quaj Arbër, pasi s’kam leje t’i përdor emrin, nuk e nxori bulevard mospajtimi me statistikat, as kundërshtia me faktet tona kokëforta në mbështetje të bujqësisë. E nxori përjetimi, përvoja e mungesës së empatisë në marrëdhënien e tij personale me shtetin.

Ai është një fermer nga një fshat i Lushnjës, ka tetë vjet që merret me bujqësi. E nisi me një hektar manaferra, krijoi një shoqëri bashkëpunimi bujqësor. Kaloi te kajsitë e një varieteti të patentuar dhe sot ka 12 hektarë me kajsi. Ka lidhur marrëveshje me një kompani të madhe italiane dhe ka përgatitur një plan biznesi prej 1.5 milion eurosh për të investuar në 80 hektar tokë publike në Vlorë, plan të cilin e ka çuar në Ministrinë e Bujqësisë. Tre vjet priti përgjigjen, Jo tokën, përgjigjen. As po, as jo. As bëhet, as nuk bëhet. Rri prit.

Në mesazhin e tij, Arbëri shkruajti, citoj: “Nuk e di nëse jam sorrë, flamingo apo korb. Jam një katunar që e dua sadopak këtë vend.”

Unë fola me të po në atë pasqyrën e bulevardit të flamingove ishin plot si ai . Unë pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit, arroganca e zyrtarëve pa gjak, që u flasin sikur të kenë karrige në vend të fytyrës, ndërkohë që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu s’po flas fare, hiç, për ata që u kërkojnë dhe lekë, se pastaj është fjalim më vete ky.

Dua ta dëgjojnë të gjithë “Arbëri”-t e atij bulevardi se nuk janë as sorra, as korba, ata janë flamingo. Sepse flamingo nuk është kush na jep të drejtë gjithnjë, po kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari.

Flamingot janë revolta e brendshme, paqësore e qytetarit, sorrat janë balta e pështirë e sharlatanit.

Flamingot janë kërkesa legjitime e llogarisë qytetare, korbat janë jargët e urrejtjes ekstremiste.

Flamingot janë njerëz e krijimtarisë, të punës, djersës, që kërkojnë më shumë nga ky vend dhe më shumë vend në zhvillimin e këtij vendi.

Sorrat dhe korbat janë dështakzemrakët politikë dhe mediatikë, kemi njohur nga këta, se kemi kontribuar dhe ne për atë tufë, njerëzit e mllefeve dhe hakmarrjeve, që nuk duan të ndërtojnë asgjë, po vetëm që gjithçka të rrëzohet.

Flamingot na treguan plagën që ta mbyllim ne, sorrat dhe korbat e kruajnë plagën që ta mbajnë sa më gjatë hapur.

Flamingot kërkojnë provën e empatisë sonë, korbat kërkojnë gjak nga çdo provë e punës dhe e mundit tonë.

Flamingot na treguan dhe unë po ju rikthej tek historitë e mia me një histori që besoj e keni parë të gjithë dje. Atë nënën, atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te Parlamenti për ta kthyer në viktimën e policisë, që ishte aty për të mbrojtur deputetët nga të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë.

Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë. E kemi rritur mbështetjen dhe për nënat e tyre, por ky është fakti ynë, thjesht. Ndërsa përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar ose dhe mund të jetë e informuar për dyfishimin e mbështetjes për djalin, por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, aty, në atë fundin e atij hendekut mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese dhe pikërisht aty, në fund të hendekut, e futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit, për ta marrë me vete te Parlamenti dhe për ta abuzuar atë nënë, bashkë me fëmijën autik, me të njëjtin manual që përdorin edhe terroristët, kur abuzojnë gratë dhe fëmijët, duke i përdorur si mburojë, teksa sulmonin me maska Policinë e Shtetit.

Dhe pastaj e vunë dhe përpara kamerës. E përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit. Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për te mikrofoni në bulevard. Njësoj si skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë të tjerët “mish për top” dhe pastaj kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz, duke mbajtur fjalime dhe duke kërkuar që Zoti të dënojë terroristët në pushtet, në emër të viktimave të shtetit policor.

Të dashur deputetë dhe ministra, flamingoja mund të dalë kundër nesh në protestë dhe të jetë aleati ynë natyral i kësaj epoke të re. Sorrat mund të vijnë edhe rrotull nesh, edhe rrotull flamingove, po në fund, tek plaga e hapur, bashkë me korbat e kanë shpirtin.

Prandaj, vija e re ndarëse e kësaj epoke të re nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë, po kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë edhe me ta dhe që Shqipëria të jetë më e mirë edhe për ta dhe atyre për të cilët Shqipëria është më e mira kur është e mirë vetëm për ta dhe bëhet menjëherë më e keqja kur ajo bëhet më e mirë pavarësisht nga ata.

Për Arbërin, fermerin e kthyer në flamingo, Shqipëria po u jepte të huajve atë që administrata shqiptare nuk denjonte as t’ia thoshte qartë nëse mund t’ia jepte ose jo atij. Një djali Shqipërie që po kërkonte prej tre vjetësh tokë për ta bërë më të mirë këtë vend edhe me punën e tij, duke e bërë vendin më të mirë edhe për familjen e tij.

Ai nuk e mbante më veten. I kishte plasur shpirti dhe shkruante nga protesta në mesazhin e tij: “Lekë për ryshfet unë nuk kam dhe as e kam çuar ndërmend, sepse edhe këto vonesa e dimë se për çfarë bëhen.”

Kur fola me të, i shpjegova situatën me procedurën, ndalimin që ne ia kemi bërë dhënies me qira të tokave të papunuara publike në bujqësi, pasi në vitet e para të qeverisjes sonë u dhanë qindra e mijëra hektarë të atilla dhe u kthyen në letra për lloj-lloj pazarxhinjsh, duke krijuar dhe konflikte me bujqit, por ç’e do. Këto fakte ai i dëgjoi pas tre vjetësh dhe unë u ndjeva si ai që s’thuhet kur ia shpjegoja. As morëm mundimin t’ia shpjegojmë si dhe sa duhet tre vjet dhe e lanë në ajër, madje krijuan dhe idenë poshtëruese që mbase duhet të paguante lekë për një gjë që s’bëhej. Dhe normal, përballë tre viteve me plan biznesi, një njeri që jeton me tokën, një njeri që numëron kajsitë në 12 hektarët e tij, një njeri që ka partner dhe ambicie, një njeri që mban mënjanë 1.5 milion euro, çdo shpjegim që ti mund t’i japësh pasi ai ka dalë në protestë nuk tingëllon si justifikim, tingëllon si një arrogancë përmes një përralle që ai e di, a e besoi, a s’e besoi në fund.

Po di që, pasi fola me të, kërkova me zë pak më të lartë se ky sot: “Pse nuk i i ke dhënë përgjigje atij djalit? Pse duhet ai të presë tre vjet vetëm për të mësuar që kjo kërkesa jote nuk bëhet, mor vëlla?”

Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet me një “jo”, po bëhet më poshtërues kur mbetet as “po”, as “jo”.

Pas ca orësh, vjen një mesazh me “screenshot” nga postimet e Arbërit në protestë, si për të thënë që “mos mërzitet shefi se ky tipi është kundër qeverisë, nuk u bë qameti qenka mërzitur ky”, dhe ja ku del i gjithë cullak, jo problemi që kanë flamingot me ne, por problemi që kemi ne me veten si bartës të atij besimi të mishëruar në 83 mandate.

Arbri nga Lushnja nuk është problemi ynë. Arbri nga Lushnja, është prova dhe sprova që ne kemi me veten tonë. Ky është një tjetër mësim shumë i shtrenjtë i bulevardit të flamengove dhe nga këto mësime lindi edhe ky dokumenti i parë që kam sot.

E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh: “Besa”. E di që ky emër do të hapë debat, por e zgjodha edhe sepse ha debat. Asnjë fjalë tjetër të gjuhës sonë nuk gjeta që ta thotë më qartë çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit e këtij vendi të mos i përjetojnë më vendimet tona si prerje në besë. Të mos ndihen më të padëgjuar, të painformuar dhe përveçse të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur.

Po nuk do shtjelloj këtu dokumentin, larg qoftë, se është më shumë faqe se fjalimi, që, siç e shihni, është karakteristikisht jo i shkurtër.

Do ta merrni të gjithë me vete për ta shkoqitur qetësisht gjatë pushimeve, sepse është i hapur për, siç thashë, kontribute. Megjithëse e di që, përpara se të filloni ta lexoni, do të jetë hedhur nëpër kanalet sociale i mbuluar me pupla sorrash. “C’est la vie!”

Bashkë me dokumentin strategjik “Besa”, kam shkruar edhe një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë kthesën e domosdoshme. Atë nuk do ta merrni, sepse më parë dua ta diskutoj në një takim më të ngushtë me drejtuesit politikë dhe disa nga drejtuesit e komisioneve. Më pas do ta keni të gjithë në dispozicion, edhe atë.

Ne nuk kemi, miqtë e mi, asnjë luftë për të bërë me flamingot. Po kemi vetëm një aleancë, për të ndërtuar me shumë durim me ta. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarit që kërkon më shumë. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë, më të besueshme, më europiane në përvojën, në përjetimin, në eksperiencën e individit të zakonshëm në raport me shtetin dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të zemëruar, të përçarë dhe pa besim tek shteti, tek institucionet, tek rregullat e bashkëjetesës demokratike. Atyre që i patë edhe dje të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e Parlamentit edhe pse tani bulevardi i flamengove por edhe i sorrave bashkë i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë

Aleanca që na duhet nuk është një aleancë që ne të heshtim kritikën. Është një aleancë për ta mbrojtur kritikën nga përvetësimi i ekstremistëve për ta kthyer zemërimin në ndryshim, për ta kthyer pyetjen në provë dhe për ta kthyer protestën nga një çast përplasje në një test pjekurie të demokracisë tonë.

Ne nuk kemi, po Shqipërisë as nuk i duhen qytetarë që të na besojnë ne me sy mbyllur. Ne kemi nevojë për qytetarë që na masin me sy hapur dhe më lejoni ta mbyll me dy pyetjet që i pashë të shkruara në fund mbi pasqyrën e bulevardit të flamengove.

Ku po shkon Shqipëria me këtë zhvillim dhe ku jam unë njeriu i zakonshëm në rrugën e këtij zhvillimi?

Përgjigjen e pyetjes së parë do ta jap hap pas hapi. Puna e pandalshme për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, e cila, “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian pra nuk është një pikë e shtuar në hartën e Europës së Bashkuar, por është një mënyrë e re jetese që sapo ka nisur të marrë formë, me paga që afrohen me ato europiane, shërbime që maten me standarde europiane, drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë, mundsi që mbajnë më shumë fëmijët tanë këtu dhe që kthejnë gjithmonë e më shumë ata që kanë ikur.

Ndërsa përgjigjen e pyetjes së dytë, pra ku jam unë njeriu i zakonshëm në rrugën e këtij zhvillimi, do ta kërkojmë bashkë me njerëzit duke nisur pikërisht nga kjo metodë: Besa. Ku qytetari nuk është spektator i zhvillimit, as pengesë e tij, por është bashkudhëtar dhe gjykatës njëkohësisht. Kur një investim pretendohet që i shërben interesit publik, ne duhet të provojmë çfarë pune krijon, për kë? Çfarë të ardhurash sjell, për kë? çfarë garanton për natyrën, për pronën dhe të drejtat dhe në fund si ndahet fitimi dhe jo vetëm duhet ta bëjmë këtë, por duhet ta bëjmë me empati. Zhvillimi që nuk provohet dot pa ndodhur, se i shërben njeriut, sado i rëndësishëm dhe i dobishëm të jetë, prodhon atë që pamë  në bulevard, të huajësimin e njeriut në raport me zhvillimin. Zhvillimi nuk bëhet mbi apo rreth qytetarit, por bëhet bashkë me të dhe për të. Kjo është ajo që përsëri na nxjerr, jo vetëm tek faktet, por tek empatia në radhë të parë.

Dhe në mbyllje, tre mandatet e para ju përgjigjën pa diskutim dhe këtë e kemi me certifikatë ne, se e kanë vulosur shqiptarët pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte. Përgjigja është dhënë dhe është e pakthyeshme. Mandati i katërt do t’i përgjigjet një pyetje më të vështirë. A mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve? Dhe duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje me empati. Kjo është kthesa, nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit; nga autoriteti që mjaftohet me pushtetin, te autoriteti që mbështetet te besimi; nga fjala e dhënë politikisht, te fjala e kontrollueshme institucionalisht.

Atyre njerëzve të zakonshëm që mbushën bulevardin dua t’i them një fjalë të fundit. Ju kam dëgjuar! Flamingot nuk i mban në lagunë as gardhi as dekreti. I mban vetëm uji i qetë. Kur uji trazohet, ngrihen, ikin dhe kthehen vetëm kur e gjejnë ujin ashtu siç e duan. Kështu është dhe besimi i një populli. Nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji dhe nuk kthehet me thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor.

Puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme, të mbledhim ngado, nga të gjitha burimet, ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do kthehen.

Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik.

“Besa” është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë.

Faleminderit!

Shqipëria, amaneti i socialistëve!
Nga Edi Rama

Të dashur themelues, përfaqësues, anëtarë dhe anëtare të familjes sonë të madhe politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë!

Puna e solli që  pikërisht në muajin e kremtimit të 35 vjetorit të lindjes kësaj familjeje për Shqipërinë, një masë e madhe njerëzish të dilte e vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmje, bulevardin e Tiranës.

Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomik dhe social të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 miliardë euro, në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh. Vetëm ky investim është më shumë se 1/7 e Prodhimit të Përgjithshëm të vendit tonë dhe është dy herë e gjysmë më shumë sesa i gjithë stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e shkuar.

E vërteta është se edhe unë personalisht po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale duke dëgjuar dhe parë turlillojet  e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati si dhe lloj-lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, “pelikanë të ngordhur”, “flamingo në arrati”, “ruspa rrafshuese të natyrës”, “gradaçela mbi lagunën dhe mbi Sazan”, “tabelë kufiri e Izraelit” mbi një gardh me tela me gjemba, – do kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga gjithë ai apokalips dixhital. Do të më dukej dhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit ishte aq e tmerrshme sa befas krejt bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kanal më kanal, ekran më ekran, kontinent më kontinent për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër, shfarosës për zogj dhe për breshkat e ujit, vrastar për njerëzit, varrosës për të ardhmen e Shqipërisë dhe pa diskutim anulimi i një projekti kriminal që u trumbetua me nota ulëritëse dhe si shitje e të vetmit ishull të Shqipërisë, si falje e një toke publike në zonë të mbrojtur, si shqelmim brutal i të drejtës së pronës do më dukej më e pakta gjë që duhet të ndodhte.

E kam vënë veten vijimisht sepse ma ka mësuar kjo punë që të futem në këpucët e tjetrit në anën e atij grupi njerëzish që në mes të asaj turme, prurjesh dhe interesash të sojsojshme i ka çuar pasioni i sinqertë për zogjtë, dashuria për natyrën e virgjër, ideja e një Shqipërie ideale të paprekur dhe të paprekshme. Këto burime të energjisë ambientaliste, bashkuar me ndjesinë e hidhur të dhunimit nga arroganca e atyre që një pushtet sado të vogël e ushtrojnë, duke shpërfillur hallet dhe interesat e njerëzve janë më shumë sesa të mjaftueshme për të dalë në rrugë.

E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie nuk është si duket nga bulevardi.

Përkundrazi edhe unë mendoj një për hiret e natyrës shqiptare, për rëndësinë e mjedisit për jetën e banorëve të tokës, brishtësinë e mjedisit përballë vendimeve të njerëzve me pushtet dhe jo thjesht mendoj njësoj, por qysh se e kam shkelur në zyrën e parë të shtetit si Ministër Kulture, deri më sot, kam bërë gjithnjë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe për pastërtinë.

Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj për ta kujtuar Tiranën e 25 vjetëve më parë kur me Partinë Socialiste morëm drejtimin e një kryeqyteti që kishte më shumë pemë të prera sesa pemë të mbjella. U them atyre sot se 90% e pemëve që shohin nëpër rrugët e Tiranës, nga buzët e Lanës në Laprakë, nga Kinostudio në Kombinat e rrotull Unazës së vjetër e kështu me radhë, i kemi mbjellë së bashku me disa të tjerë që janë këtu, në kohën kur si kryetar bashkie, dola nga zyra, duke lënë mbrapa 55 mijë rrënjë pemësh dhe shkurresh dekorative të mbjella në qytetin tonë. Shumë prej atyre pemëve shtatlarta kanë qenë fidanë të mbjellë me sherr pasi duheshin shkulur kioska, shembur ndërtime, zgjeruar trotuare dhe unifikuar katet e para të pallateve që ishin dyqane.

Vetëm nga dy skarpatet e Lanës janë hequr 123 000 ton beton, gërmadha godinash të paligjshme për të mbjellë të gjithë atë gjerdan të gjelbër të Tiranës, i cili sot ka dhe dy tunele të gjelbër kur bashkohen kurorat e pemëve të rritura në anën tjetër të dy akseve të unazës.

Ajo e epopesë së rilindjes së Tiranës ka qenë një rrugë e një vështirësie që sot është zor të imagjinohet dhe që atëherë unë e mësova me pahir se në këtë vend nuk hidhet dot një hap për të ecur përpara pa u hapur një sherr për t’u kthyer mbrapa. Ashtu sikundër ajo rrugë më mësoi se shumica e heshtur është gjithnjë me hapin që hidhet përpara, asnjëherë me sherrin e zhurmshëm për t’u kthyer mbrapa dhe që atëherë më flet gjithmonë në vesh vazhdimisht Faik Konica: – “Bëj durim se shqiptari e ka zakon që kundërshton përpara se të marrë vesh”.

Kur më pas morëm mandatin e asaj shumice për të rilindur Shqipërinë e zhytur në pisllëk, në gropa, në borxhe, në cepin e përbuzjes dhe shpërfilljes ndërkombëtare, dy nga vendimet e para që morëm në tryezën e qeverisë, tamam në ditën e betimit ishin vendosja e fotografisë së atit të Shqipërisë shtet, Ismail Qemalit në vend të fotografive të presidentëve që venin e vinin si edhe ndalimi i importit të plehrave.

Me fjalë të tjera, ne u përcaktuam edhe simbolikisht si një forcë në shërbim të misionit për t’i dhënë dinjitetin e humbur Shqipërisë dhe shtetit të saj dhe u angazhuam konkretisht në një veprimtari të pandalur për të rivendosur ekuilibrin e humbur të njerëzve me Shqipërinë, ndalimin e importit të plehrave dhe heqjen e maleve të mbetjeve të grumbulluara kudo, kudo, kudo ku hidhje sytë e pasuan më tej edhe dy vendime të tjera që u kontestuan nga një pakicë e zhurmshme.

Ndalimi i prerjes pyjeve për 10 vjet dhe ndalimi i gjuetisë për 10 vjet. Dy moratoriume që kanë krijuar sot dy pamje krejt të ndryshme të Shqipërisë të asaj kohe kur nëpër pyje gjinkallat ishin zëvendësuar nga sharrat elektrike, ndërsa shpendët dhe kafshët shfaroseshin nga turizmi barbar i gjahtarëve të huaj, të cilët futeshin në vendin tonë si tufa çakejsh me dy këmbë për të bërë masakra që në Europë as nuk janë imagjinuar dot shekuj më parë.

Ishim ne që pastaj kryem regjistrimin në Kadastër të 1.3 milionë hektarë pyje mbi mesataren e Bashkimit Europian është kjo sasi. Ishim ne, që përmes moratoriumeve 10 vjeçare të gjuetisë dhe pyjeve mundësuam disafishimin e popullatës së shpendëve të egër, çka e tregon dhe censusi që bëhet çdo vit në mënyrë të rregullt.

Flitet këto kohë pa pushim, pa karar për zonat e mbrojtura. Kjo është gjë e mirë, por çfarë nuk është aspak e mirë, nuk është thjesht fakti që harrohet se ligjin e parë me standarde europiane zona të mbrojtura e bëri qeveria e Partisë Socialiste në mandatin tonë të parë.

Deri në 2017 Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojta, por vepronte me ca rregullore. Ishim ne që gjatë mandatit të dytë dhe të tretë e kemi çuar në thuajse 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Pra në Shqipëri 1/4 e territorit është zonë e mbrojtur.

Ishim ne që krijuam për herë të parë Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, një strukturë që është unikale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e bëmë qysh në fillim mandatit të parë. Sot, Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e mirënjohur dhe e lëvduar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me një administratë të shtrirë në të gjithë vendin për zonat e mbrojtura ku kemi 12 parqe kombëtare, 28 parqe natyrore, 11 peizazhe të mbrojtura dhe mbi 700 monumente natyre. Ishim ne, që i bllokuam duzina e duzina, lejesh të dhëna qorrazi mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm në lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e plot nëntë hidrocentraleve, nëntë!

Fakti është se për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar bashkë me degët e veta Drino, Bënça Shushica, plot 12.000 hektarë, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. 40! Dhe për dijeni në Greqinë fqinje dhe mike ku ndodhen 70 km e para të Vjosës nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Europë një mbrojtje kaq e fortë siç i kemi dhënë ne, në Vjosën që jo vetëm e shpëtuam nga hidrocentralet duke shpallur Park Kombëtar, mu ashtu siç ishim zotuar në programin tonë, por ndërkohë sot e gjithë ditën jemi ende në një betejë fyt për fyt me një kriminel që u bë heroi i opozitarëve tanë kur me demek i mori Shqipërisë 110 milionë euro në arbitrazh dhe kur opozitarët tanë, ata të vjetrit dhe ata të rinjtë shpërndanin përpara zgjedhjeve në të gjitha makinat, nëpër xhama dhe nëpër shtëpi fletushkën se ikën 110 milionë dollarë nga taksat.

Në fakt ai llum i sjellë në Shqipëri nga tjetërkush më parë për ta mjelë këtë vend si lopën e komshiut, jo vetëm që s’ka marrë deri tani që flasim asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, por po përballet aktualisht me drejtësinë në Belgjikë pas shumë fakteve të depozituara pranë organeve të drejtësisë belge nga qeveria shqiptare.

Kurse hidrocentrali i tij monstruoz bashkë me mjetet dhe materialet e sekuestruara iku për skrap. Sepse qysh se Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin historik për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe shqiptarët më kanë besuar udhëheqjen e tyre drejt asaj maje, Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje! Ky vend nuk ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur përpara askujt!

Flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku legjendar i pavarësisë nuk ka qenë më kurrë asnjë çarçaf patriotizmi të shtirur, asnjë tortë për t’u ofruar, në vend të reformave shtetndërtuese, por për ne, për mua Shqipëria është një amanet i shenjtë në sytë, në mendjen dhe në zemrën time.

Prandaj jam krenar sot në këtë përvjetor përballë të gjithëve ju, qoftë përballë atyre që më besuan kur mora drejtimin e kësaj partie të madhe, qoftë përballë atyre që ishin në të drejtën e tyre të mos besonin si njeriun e duhur në krye të kësaj familje politike dhe qoftë përballë atyre që kishin të drejtën e tyre të më luftonin si njerëz të së njëjtës familje.

Jam krenar edhe përballë atyre që mungojnë sot sepse nuk janë më mes nesh ku dua të veçoj liderin historik të socialistëve Fatos Nanon. Krenaria e shprehur publikisht e të cilit për mua si pasardhës i tij pikërisht në vitet e fundit të jetës fatkeqësisht të shkurtër dhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në faza dramatike kryesisht për të, mbetet për mua një vlerësim i veçantë. Ashtu sikundër sot, nuk mund të harroj këtu çdonjërin nga veteranët e luftës edhe ata nuk janë më me ne që i njoha fillimet e këtij misioni, që mu bënë krah i fortë edhe pse më pritën fillimisht me këmbët e para.

Nuk krenohem përpara jush dhe çdo anëtari të familjes sonë se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm apo se nuk i kam hyrë në hak askujt. Jo, nuk e kam bërë gjithçka mirë. Kam gabuar, jo njëherë dhe pse kurrë nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë që ta kem bërë pa qëllim ose ngaqë mund të kem bërë ndonjë vlerësim të gabuar, por unë krenohem sepse i kam dhënë dhe do t’i jap Partisë Socialiste pa kursim gjithçka që kërkohet nga një lider dhe së bashku me Partinë Socialiste, ja kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe çdo shqiptari që sot kudoqoftë e thotë pa asnjë siklet, “jam shqiptar” dhe jam krenar se ne dhe askush tjetër do ta çojmë Shqipërinë në krah në majën ku dielli lind andej nga perëndon! Ata ndër ju që më njohin dhe që kanë punuar apo punojnë afër me mua, e kuptojnë se çfarë kam parasysh, duke iu thënë që e di shumë më mirë sesa mund t’ju dukem disave, se çfarë nuk shkon në këtë Shqipëri që kemi ndërtuar me kaq shumë mund deri këtu.

Ma kërkon detyra dhe ma imponon respekti që kam për të gjithë ata që ma kanë besuar këtë detyrë të lartë, për 4 mandate rresht që t’i ndjek punët e vendit në çdo drejtim, të drejtoj dhe të kuptoj problemet e njerëzve kudo dhe sido që ata i kanë dhe mbi të gjitha, t’i ndiej hallet dhe dhembjet e atyre që nuk ia dalin, por gjithashtu kjo rrugë ma ka provuar në mish, kockë dhe deri në palcë, në shpirt dhe në mendje, atë që një burrë i madh ka lënë shënim për të gjithë burrat në arenë, nuk ka rëndësi kritiku, njeriu që tregon me gisht sesi burri i fortë pengohet, apo se ku ai, që i bën gjërat mund t’i kishte bërë më mirë; merita i takon atij që eshtë vetë në arenë, fytyra e të cilit është e shkarravitur nga pluhuri e nga djersa dhe gjaku; atij që guxon, që gabon dhe ngec përsëri e përsëri sepse nuk ka përpjekje pa gabime, apo ngecje; atij që i njeh entuziasmet e mëdha, përshkushtimet e palëkundura, atij që e shpenzon veten për një kauzë të drejtë, i cili në rastin më të mirë përjeton në fund triumfin e një arritjeje të lartë apo në rastin më të keq, nëse dështon, të paktën dështon duke guxuar fort.

Kësisoj vendi i tij nuk do të jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ftohtë dhe frikacakë që nuk njohën as fitoren dhe as humbjen.

Motra dhe vëllezër,

Mund ta merrni me mend që këto ditë nuk kanë qenë të lehta as për mua, për shumë arsye dhe nuk ka një vend dhe një ditë më të duhur, sesa pikërisht ky vend dhe kjo ditë, që me lejen tuaj unë t’u drejtohem me disa fjalë edhe atyre që nuk janë këtu mes nesh dhe nuk janë sot me ne, duke u  nisur në radhë të parë nga ata që dolën dhe janë në protestë për të ‘’mbrojtur’’ Zvërnecin dhe Sazanin nga unë dhe nga qeveria e Partisë Socialiste, por duke përfshirë dhe këdo tjetër që  e ka këtë shqetësim.

Lutem që të bëjnë një përpjekje dhe të më dëgjojnë pak sepse ndryshe nga shumëkush, çfarë nuk kanë thënë tërë këto ditë në të gjitha gjuhët, unë mbaj përgjegjësi për çdo fakt që them, të paktën përpara 800 e ca mijë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që më kanë besuar udhëheqjen e këtij vendi, nëqoftëse të tjerët nuk duan as të dëgjojnë, edhe lëre pastaj të besojnë atë që them unë.

E përsëris dhe e them me shpirt, po të ishin të vërteta ato që u është mbushur mendja, se janë ashtu siç ua kanë thënë, shkruar, treguar nëpër kanalet e internetit, do isha dhe unë po aq i neveritur, sa më duket se janë disa prej jush.

E vërteta është se po jetojmë këto ditë, një nga ato zhvillimet e kohës së rrjeteve sociale, ku vendet e tjera, përpara nesh kanë rënë në kurthe të paimagjinueshme, si rezultat i manipulimit masiv të njerëzve, në metoda të provuara dhe në disa raste edhe të demaskuara në vende të tjera. Prandaj, unë cilitdo që është i interesur për të mbrojtur interesin publik, që është i interesuar vërtetë për mjedisin, biodiversitetin, të ardhmen e shpendëve në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo i  ishullit të Sazanit, i them se faktet që ne kemi ne dispozicion, duhet të jenë normalisht mëse të majftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo në këtë drejtim, prandaj, bujrum ejani t’i dëgjoni.

Ejani t’i shikoni dhe ejani t’i verifikoni vetë faktet.

Ejani të merrni provat e nevojshme për t’u ndjerë, jo vetëm të lehtësuar, por edhe krenarë, po, për t’u ndjerë krenarë për, se si institucionet tona e kanë përfaqësuar, qoftë në lidhje me interesimin për Sazanin, qoftë në lidhje me procesin e aplikimeve dhe të reagimeve zyrtare ndaj tyre, për zhvillimin e Zvërnecit.

Ejani të shikoni me sytë tuaj, që nuk ka asnjë status ‘’investitori strategjik’’ të dhënë për investitorin më të madh privat në historinë e Shqipërisë.

Ejani të shikoni, duke dëgjuar me veshët tuaj, por edhe duke parë dokumentat se si për Sazanin nuk ka asnjë marrvëshje, ende sot që flasim, por ka vetëm një negociatë që zgjat prej shumë kohësh tanimë dhe pse zgjat? Zgjat pikërisht sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, sado të fuqishëm e sado miq të mirë të Shqipërisë të jenë. Ne përfaqësojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe në emër të atyre interesave, në tryezë ne kemi bërë të qartë dy gjëra themelore; ishulli nuk shitet, gjë që për hir të së vërtetës, as nuk e kanë kërkuar; dhe ishulli nuk jepet me qera. Ishulli është dhe mbetet pronë e shtetit shqiptar.

Ndërkohë që shteti kërkon të marrë pjesë si partner në investim dhe kërkon pjesë nga fitimi i investimit për popullin shqiptar.

Nuk ka njeri me logjikë që nuk e kupton se shitësat, se tradhëtarët dhe se të pabesët nuk mbajnë pronën për shtetin dhe nuk kërkojnë fitime për shtetin. Se ata që e mësuan Shqipërinë për 20 e kusur vite që të rrinte si e kërrusur përpara të mëdhenjve të kësaj bote, nuk do ta kishin problem fare që t’i kishin bërë të gjitha këto për të cilat na akuzojnë ne dhe më akuzojnë mua, por ne nuk jemi si ata.

Unë nuk jam si askush prej tyre dhe si askush prej atyre të tjerëve që i dëgjojnë këto ditë me vëmendje të shtuar ato sirena. Këtë që bëjmë ne edhe me atë grup aq të fuqishëm investitorësh, e bëjnë vetëm përfaqësuesit e denjë të një populli që i ka votuar për t’u kujdesur për interesat e republikës dhe për interesat e tij.

Ejani, ejani, ejani të ballafaqoheni me të gjitha kërkesat e lëna nga institucionet për të respektuar standartet mjedisore dhe biodiversitetin dhe po, ejani të shikoni me sytë tuaj, se si janë tërhequr vetë investitorët nga aplikimet, pikërisht sepse kërkesat tona kanë qenë rigoroze, institucionet tona kanë qenë këmbëngulëse dhe ajo që ne duam të bëjmë me atë investim, nuk është një biznes i radhës në plazh, në bregdet, po është një xhevahir që ne duam t’ia vëmë kurorës së Mesdheut në emër të Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, në emër të të gjithë fëmijëve tanë që kur të dëgjojnë për destinacionet ku të gjithë ata që dalin në bulevard dhe shohin veten në ekran, shkojnë për të bërë pushimet e tyre t’ju thonë të tjerëve, kemi dhe ne Vlorën, kemi dhe ne Zvërnecin.

Ejani, ejani, ejani të shikoni se kush jua ka thënë në mënyrë të përbindshme, të përsëritur, që ne paskemi ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë këtij zhvillimi, ju ka shaluar me një rreng shumë të fortë që ju e keni marrë për kalë beteje dhe prandaj nuk bëni dot betejë me atë rrenë.

Halli është se kur unë i them këto, përgjigjja juaj është nuk ka negociata. Ndërkohë që, unë nuk kam asnjë negociatë për të bërë me ju, sepse nuk negocioj dot as vizionin, as programin, as kontratën me ata që më kanë votuar që bashkë me Partinë Socialiste ta çojmë në 35 miliardë euro prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë në vitin 2030, që ta çojmë në 15 mijë euro shifrën e të ardhurave për frymë dhe që ta bëjmë Shqipërinë një princeshë të turizmit meshetar. Këto nuk negociohen!

Gjithsesi, për sa i takon kësaj teme, unë jam në dispozicion në çdo kohë, ashtu sikundër jam i hapur për çdo diskutim mbi mënyrën se si duhet të harmonizojmë mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e turizmit.

Ndërkohë që, lidhur konkretisht me fatin e zhvillimit në Zvërnec, atë do ta vendosë vetëm cilësia e projektit dhe shkalla e ambicies së programit që investitorët do të paraqesin për zhvillimin e zonës.

Por, merreni një këshillë nga unë me këtë rast. Ikini hienave!

Ikini hienave që ju janë mbledhur rrotull se ju jeni të parët që do mbyteni në jargët e asaj urrejtje, që unë e njoh mirë, në jargët e asaj hipokrizie dhe të asaj urie për pushtet që unë dhe ne socialistët e njohim nga shumë larg, të cilën e fshehin nën qeleshet që i vënë në kokë për herë të parë apo nën flamujt që lidhin në qafë.

Nëse doni të mbroni vërtetë Shqipërinë, ju njerëzit që jeni sinqerisht të dashuruar me natyrën, sinqerisht të shqetësuar për mjedisin, mos ngatërroni drejtimin nga i vjen rreziku natyrës, mjedisit dhe Shqipërisë.

Po hajde bashkohuni me ne, me Partinë Socialiste e cila ka nevojë, ka shumë nevojë për këdo që nuk bie dakort me çfarë nuk shkon, por që është gati t’i luftojë bashkë me ne, gjërat për t’i bërë më mirë, me ide, jo me britma, me propozime dhe me të ndenjurat ulur aty në punë, jo veç me video selfie edhe me skërrmitje, me Shqipërinë në zemër dhe me mendjen në punë, jo me Shqipërinë në gojë, me smirë në zemër dhe vetëm me hesape në mendje.

Unë jam shumë i qartë që tanimë një protestë e nisur për natyrën është kthyer në një protestë me natyrë politike absolutisht legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij dhe krejt normale. Asgjë jo normale edhe në faktin se megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe hallin për ditën më të madhe kanë se po u dëmtohet sezoni nga anullimet e rezervimeve për shkak të protestës, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët – deri dhe nga Kosova dhe nga Tetova – dhe fshehin dorën, njësoj si opozita që derdh në bulevard prurjet e kënetës së vet grusht-shtetasit e rraskapitur të 98-ës e deri tek tabakatë që mbi taka mbledhin llajke, duke ecur me pasqyrë përpara dhe duke qarë hallin e popullit, ndërkohë që dhe partitë e reja që mbetën të vogla po u bënë të vjetra, kërkojnë dhe ato një copë aty në atë prurjen e re të protestës.

Kuptohet që me të tërë këta, unë dhe ju s’kemi asnjë punë. Ndërsa për të rejat dhe të rinjtë që besojnë vërtetë se po bëjnë një revolucion, unë kam vetëm simpati dhe jam gjithnjë gati të flas nëse ata duan të flasin, por mbetem plotësisht mirëkuptues nëse ata s’duan të flasin.

Fundja, një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë vërtetë për Tiranën me praninë e tyre.

Kanë pastruar zhulin e shoqatës së molotovarëve që e kthyen bulevardin në vendderdhje të vetes së tyre të humbur shije dhe të humbur ngjyre e të mbetur vetëm ere.

Tani, më lini në fund të kthehem tek ne, tek ju dhe unë.

Jemi në një moment kur ajo që po ndodh me shumëkënd që nuk del në atë protestë apo që nuk e mbështet atë protestë për ndonjë parti të vjetër të re apo ende në bark të bulevardit, faktikisht po ndjen sëkëlldi, po ndjen mërzi, po ndjen maraz me ne dhe kjo është gjëja që ne duhet të na interesojë më shumë nga të gjitha. Prandaj dhe do duhet që procesin e mëtejshëm të zgjedhjeve në parti ta shoqërojmë me një proces reflektimi, jo ne me vete, por bashkërisht me ata njerëz të mirë e të arsyeshëm që ndjehen në sintoni me nevojën për protestë, por që kanë nevojë të udhëhiqen dhe kanë nevojë të shohin perspektivën e qartë të cilën me vete e ka vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, duhet të bëjmë çmos që e gjithë kjo familje dhe sa më shumë shqiptarë jashtë perimetrit të kësaj familje, të kuptojnë dhe diçka tjetër që kjo që po ndodh nuk është thjesht, vetëm ajo që duket, por është shumë më delikate dhe më e rëndësishme për të nesërmen sesa një investim në Zvërnec apo sesa kërkesat e protestuesve, pa llogaritur pastaj “uf”-et, “buf”-et dhe “duf”-et e një kategorie robsh që janë shfaqur, rishfaqur në dhe rreth bulevardit dhe që kujtojnë se u bë deti kos, një si grup karnavalesh, lloj-lloj emrash, të dëgjuar për lloj-lloj arsyesh nga të gjitha rrugët e jetës e patjetër dhe nga rruga e politikës, brez pas brezi pas brezi, të cilat kanë dalë si kërpudhat pas shiut, të ngushëllojnë hallet e tyre, të ngushëllojnë dështimet e tyre, të ngushëllojnë paaftësitë e tyre dhe fundja, fundit të ngushëllojnë edhe pamundësinë e tyre për të dhënë diçka më shumë, duke i treguar Shqipërisë gjoksin. Kjo është shumë më e ngatërruar se kaq.

Ky është investimi më i madh që i ka ardhur si mundësi Shqipërisë në historinë e saj dhe ky është një investim, të cilin Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë. Natyrisht që, për këtë investim ka vend për debat, ka vend për kundërshtim, ka vend për shumë kujdes dhe për vigjilencë. Kjo është e drejtë, kjo është e shëndetshme, kjo është demokratike. Por, ajo që nuk është e drejtë, që është e patolerueshme është që sa herë që guxojmë të ëndërrojmë fort, sa herë guxojmë të kemi ambicien për një ide më të madhe sesa ato të përditshmet, menjëherë përballemi me shpalljen e tyre krim, përpara se ato të marrin formë. Çdo investim, çdo projekt, çdo vepër dënohet përpara se sa e deri të projektohet, vetëm sa thuhet, vetëm sa shfaqet, vetëm sa artikulohet. Çdo përpjekje për zhvillim konsiderohet automatikisht armike e natyrës, por natyra nuk mbrohet duke e ngrirë jetën. Natyra nuk mbrohet duke e lënë një vend të varfër, as duke i kërkuar një vendi që ta pranojë varfërinë e vet si një arsye për ata që na thonë: “mbrojeni Vjosën, Lumi i fundit i egër i Europës” dhe ndërkohë i kanë “zbutur” të gjithë lumenjtë e tyre.

Natyra nuk mbrohet që peizazhi të mbetet i paprekur vetëm nga mungesa e njerëzve. Sfida jonë, sfida e kohës nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, sfida jonë është të mësojmë si t’i bëjmë të dyja bashkë, të mbrojmë natyrën duke krijuar mirëqenie, të krijojmë mirëqenie, duke respektuar natyrën, të ndërtojmë pa shkatërruar, të zhvillojmë, duke ruajtur dhe rigjeneruar, të rrisim ekonominë, duke rritur njëkohësisht përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe trashëgimisë së natyrës dhe historisë që ia kemi borxh fëmijëve tanë. Sepse ne nuk jemi budallai i lagjes. Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen dhe ajo që sot i duhet shtuar këtyre të gjithave është guximi për të ëndërruar më fort, është guximi për të guxuar më shumë dhe është kurajo për të përballuar prurje të tilla investimesh me të cilat ne nuk jemi mësuar.

Tani a ka njeri këtu dhe a ka shqiptar që mendon me mendjen e vet që nuk e ka kuptuar akoma që gjithë kjo lemeri në gjuhë të huaja, në mbështetje të protestës, është projektimi i një lufte politike që nuk është lufta jonë, i një lufte ideologjike që nuk është lufta e Shqipërisë, i një përplasje mes të mëdhenj që nuk është fare puna jonë.

Nëse do të ishte bota kaq e ndjeshme dhe nëse deri dhe senatorët e mirënjohur amerikanë do kishin në zemër zogjtë dhe plazhet e Shqipërisë do kishin thënë ndonjë fjalë për Rrjollin apo jo? Asnjë fjalë! Këtu fjala nuk është për Zvërnecin, këtu fjala nuk është për flamingot, këtu fjala nuk është për turizmin, këtu fjala nuk është për mjedisin, këtu fjala është për Presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Tani kanë çfarë kanë të tjerët me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, nuk mund ta importojnë në Shqipëri dhe mbi të gjitha nuk mund të përdorin shqiptarët si mish për top. Nuk mund t’i përdorin shqiptarët që shqiptarët t’i dalin kundër vetes, t’i dalin kundër të ardhmes, t’i dalin kundër rrugëve të rritjes mirëqenies.

“Nuk duam ne turizëm elitar, se turizmi elitar nuk është për ne, se turizmi elitar është për ata që kanë shumë lekë dhe ne nuk shkojmë dot të kemi akses në këto resorte”. E kundërta është e vërtetë! Ne na duhet sa më shumë turizëm elitar, sepse çdo lekë që vjen është gati dyfishi, për çdo lek që vjen, për çdo euro që vjen, është gati 2 euro ajo që futet në ekonominë e komunitetit dhe të vendit, sepse ata që vijnë në këto zhvillime vijnë me shumë para dhe sjellin pak trafik, sjellin pak mbetje, sjellin pak stres të përgjithshëm.

Turizmi i masës ka qenë i shkëlqyer sepse është bërë ambasadori i jashtëzakonshëm i një Shqipërie që sot flitet në të gjitha gjuhët e botës, por Shqipëria nuk mund të mbetet me turizmin e masës dhe Shqipëria nuk mund të mbetet mbrapa as Greqisë e jo më Malit të Zi dhe të tjerëve dhe Shqipëria nuk është e thirrur të shpiki rrotën, por Shqipëria është e thirrur vetëm që të hapi portën.

Shqipëria është vendi që ka disa bekime. Bekime që i detyrohen të parëve tanë.

I detyrohet të parëve tanë bekimi i mikpritjes, i besës, i shtëpisë së shqiptarit që është e Zotit dhe e mikut.

I detyrohet gjyshërve tanë bekimi i një vendi kaq të vogël mbase shumë herë më i varfër se vendi më i varfër i Europës në Luftën e Dytë Botërore, i cili u bë fari, fari që shkëlqeu në atë errësirë ku vende shumë më të mëdha, shumë më të pasura i dorëzuan hebrenjtë. Gjyshërit tanë nuk e bënë këtë dhe historia e shqiptarëve është historia e njerëzve që përtej feve kanë Zot respektin për tjetrin, respektin për mikun, respektin për atë që është në nevojë, respektin për atë që është në rrezik dhe ishin muslimanët shqiptarë në radhë të parë që u bënë mburoja e hebrenjve dhe kjo është dhe arsyeja sot që Shqipëria duhet ta mbajë me shumë krenari atë lidhje që vjen nga historia dhe atë bekim të qenit vendi ku pavarësisht etnive, pavarësisht feve gjithkush ndjehet në shtëpinë e vet sepse “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Sot ne kemi arritur të jemi miq të shkëlqyer edhe me Izraelin edhe me ata që janë përballë Izraelit me vendet e gjirit, me Arabinë Saudite, me Katarin edhe me Turqinë, ndërkohë që Emiratet janë më pranë Izraelit. Tani çfarë do bëjmë ne? Cili është “djalli” që po tenton të hyjë në mes nesh? Cili është “djalli” që po provon që t’iu lë fëmijëve tanë në kurriz diçka nga e cila ne duhet t’i mbrojmë? Cili është “djalli” që po shfrytëzon një investim për një zhvillim turistik për të shpërndarë një djallëzi të madhe? Sa e gënjeshtërt, aq edhe çuditërisht e thithur nga ata që duan të gjejnë rrugë për urrejtjen. Ç’lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec?

Ç’lidhje ka marrëdhënia me shtetin e Izraelit në një investim ku dy investitorët kryesorë janë dy myslimanë, dy vëllezër bashkëpronarë të njërës prej kompanive më të mëdha të Lindjes së Mesme nga Katari që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin apo se dhëndri i Presidentit të Shtetevde të Bashkuara është e hebre. Po pastaj? Kaq budallenj mund të bëhemi ne, sa më falni po të hedhim përpjetë atë që nuk hidhet dhe t’i bëjmë karshillëk dynjasë. Ndërkohë që ne jemi shumë të vegjël për të bërë karshillëqe të tilla dhe duhet të jemi mjaft të mençur që ne të na duan që të gjithë dhe me të gjithë ata që duhet ne t’i kemi marrëdhëniet vëllazërore, miqësore, strategjike.

Kam dëgjuar ca molotovarë edhe ca karnaval që thonë “nuk ka lidhje fare Irani këtu. Kjo është një protestë bio”. Protesta e atyre që janë shqetësuar për Zvernecin është bio natyrisht, por ajo që bëjnë vendet, të cilat futen armiqësisht në trupin e një vendi tjetër është pikërisht shfrytëzimi i protestave bio, i mërzive, i sëkëlldive, i shqetësimeve, i alarmeve bio dhe pastaj e dinë ata se çfarë bëjnë se duhet të jesh idiot që të mohosh përfshirjen aktive të një vendi armik, i vetmi vend armik që ka Republika e Shqipërisë.

Jo se kemi zgjedhur ne ta bëjmë armik, por se ka tentuar të na shkatërrojë të gjithë investimin që kemi bërë për infrastrukturën digjitale është Republika Khomeiniste e Iranit dhe duhet të jesh idiot që të thuash Irani nuk ka asnjë punë, kur vetë zëdhënësi i qeverisë iraniane shkruan shqip “Rama ik”, shqip!

Dhe ndërkohë nuk është e rëndësishme se sa shumë ka lidhje të drejtpërdrejta një armik që futet përmes rrjeteve digjitale dhe tenton të bëjë çorap vendin tënd, nuk është nuk është si “Fijet që Priten” por është se si dikush tjetër shfrytëzon ty, shfrytëzon sinqeritetin tënd për ta bërë çorap vendit tënd.

Dhe nga ana tjetër si shpjegohet që është hedhur përpjetë gjithë dynjaja që ka të bëjë me turizmin në Greqi? Si shpjegohet kjo? Jo qeveria greke, jo politika greke, gjithë dynjaja sepse jemi futur në territorin e një konkurrence të ashpër dhe një konkurrence me ata që kanë vite që e zotërojnë këtë treg.

Dhe ne kemi një zgjedhje shumë të qartë. O do pranojmë që do të rrimë mbrapa, o do të vendosim që do të ecim për të kaluar në ligën e tyre përfundimisht.

O do pranojmë që ndërkohë që Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia dhe të tjerët patjetër do t’i ofrojnë mikpritje dhe do t’ju marrin lekët atyre që janë më të pasur, ndërsa ne do jemi vendi ku do vijnë me bukë me vete turistët ose do vendosim që ne do të bëhemi për këtë zonë siç është Dubai në kuptimin e atraksionit për Lidhjen e Mesme. Jo në kuptimin e formës, por të atraksionit.

Si do bëjmë ne? Për herë të parë një kompani që ka hotelin më të famshëm të botës, i cili është vendosur në Dubai, ka pranuar të konsiderojë kërkesën për të ardhur në Europë dhe ka pranuar të vijë në Zvërnec. Do t’i themi “jo, mos hajde ti, mos hajde ti se ne kemi frikë, ne kemi frikë të ëndërrojmë, ne kemi frikë të zhvillohemi, ne kemi frikë të rritemi, ne kemi frikë ta pasurojmë popullit tonë”. Po me çfarë do ta bëjnë mirëqenien këta patriotët që nuk shesin Shqipërinë demek, me çfarë?

Do shesin flamuj? Do shesin qeleshe? Do shesin çifteli? Cfarë do shesin këta? Apo do shesin shqiponja?

Prandaj miqtë e mi, ne jemi Partia Socialiste!

Taksirati, taksirati i të qenit i madh është që duhet të përballesh me të gjitha erërat, me të gjitha stuhitë, me të gjitha dallgët, me të gjitha pengesat dhe ne jemi bërë shumë të mëdhenj, jemi bërë shumë të fortë, jeni bërë shumë të pathyeshëm për të na pranuar kështu siç jemi. Por përgjigja jonë është “ne jemi këta që jemi. Nuk kemi ndërmend të bëhemi ata që nuk i duhen dreqit”.

Ne jemi këtu për Shqipërinë dhe Shqipëria e 2030-ës do të jetë në Bashkimin Europian. Shqipëria 2030-ës do të jetë vendi për të cilin ne të gjithë do të jemi krenarë.

Ju falenderoj shumë dhe mos e harroni asnjëherë: jini ambicioz, ëndërroni, guxoni, besoni dhe vazhdoni përpara të gjithë së bashku, sepse është një popull i tërë që na ka zgjedhur për t’u udhëhequr, jo për të ndjekur mbrapa të tjerët dhe ne do të udhëheqim!

Faleminderit!

Raport i ri me drejtësinë, jo me pavarësinë
Nga Edi Rama*

Përshëndetje! Siç e tha kryetari i grupit, sot jemi në këtë mbledhje të posaçme të fundmuajit, ku këtë radhë do të jetë qeveria që do të raportojë përpara grupit dhe duke qenë se temat e posaçme që lidhen me çdo sektor, do të trajtohen nga ministrat përkatës, unë dëshiroj të ndaj këtu me ju, duke përfituar dhe nga prania e publikut dhe veçanërisht zgjedhësve tanë përmes mediave, opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi, jo thjesht ne, shumica qeverisëse, por vendi ynë sot.

Pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë rreth 9 muaj më parë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE, në një kohë rekord për historinë e integrimeve evropiane, si edhe pas zhvillimeve qe lidhen sa me ecurinë dhe me fatin e reformës historike në drejtësi, aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2023 në BE.

Për hir të së vërtetës, unë besoj që duhet të shohim së bashku, se jemi në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, duke afirmuar një rritje të qëndrueshme, e cila për nga kohëzgjatja e saj në harkun e këtyre 35 viteve, është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, duke u vlerësuar dhe duke u respektuar në çdo forum dhe instancë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërkohë që projektet në zhvillim, në hartim e sipër apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat, janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë, udhëkryqi ku ne ndodhemi sot, paraqet sipas meje, disa rreziqe, të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë dhe kur them nga ana jonë, kam parasysh në radhë të parë ne këtu, deputetë, deputete, ministre, ministra sepse përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëjë në vendnumëro, duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për të ngjitur më në fund aty ku prej dekadash, shekujsh e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe ku patjetër e meritojnë fëmijët tanë dhe gjeneratat e tjera dhe çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe i fuqisë se vendit nesër për të vazhduar të jetë tërheqës, të jetë dinamik dhe të jetë i respektuar ndërkombëtarisht.

Rreziku që ne të bëhemi irelevantë, është real dhe kur them ne, kam parasysh vendin tonë, ndërkohë që jemi me relevantë se asnjëherë dhe mund të bëhemi edhe më relevantë.

Pse i them këto?

Le ta nisim së pari dhe si gjithnjë nga vetja sepse e vërteta është që ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave po është një udhëkryq mjegullash botëkuptimore dhe erërash artificiale që rrezikojnë të na mpijnë, të na çorodisin dhe të na ngatërrojnë pastaj me këmbët tona, gjë që ka ndodhur më parë dhe u ka ndodhur më parë, jo vetëm këtu, por edhe në të tjera vende, partive të mëdha kur ka ngatërruar sensin e madhësisë dhe të forcës së tyre me thellësinë e sfidave dhe peshën e përgjegjësisë së tyre.

Sot, po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, e para e familjes sonë politike, po edhe e krejt vendit, pikërisht kur duhet të ngjitemi ende më lart dhe kur tanimë diferencën midis pikës ku jemi dhe pikës ku duam të mbërrijmë, e bën çdo detaj dhe e bën çdo ditë nga mënyra se si ne e shfrytëzojmë ditën. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që ne e bëmë me shumë vështirësi, por është edhe më e vështirë që të ngjitesh më lart sot dhe po të shohësh edhe dinamikën edhe natyrën e sfidave në procesin e negociatave, kjo bëhet edhe më evidente sepse çdo hap i ri, vjen me një sfidë të re më komplekse sesa ajo e mëparshmja dhe për këtë duhet shumë përgatitje dhe shumë forcë.

Gjithsesi ajo që është më e rëndësishmja është që në këtë udhëkryq, ne kemi fatmirësisht në dorë për një busull që është e pagabueshme, që është Shqipëria në BE.

Dhe sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit dhe ketë e them faktikisht jo metaforikisht sesa ç‘ishim fjala vjen në 26 janar apo lëre pastaj, në 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Dhe e përsëris, kjo nuk është letërsi, ky është fakt sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në at proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë se bashku sepse për shembull, së bashku në fund të janarit, pas një pune vërtetë të jashtëzakonshme kaluam në Kuvend një ‘’masiv‘’ të tërë ligjesh dhe amendimesh që ishin kryekëput të lidhura, pikërisht procesin në fjalë dhe të tjera ‘’masivë’’ na presin më tutje.

Aktualisht tani që flasim, ne kemi rritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme, të cilat janë sipas drejtueseve tona në këtë proces, një test i vështirësisë shumë të lartë dhe kërkojnë një përgatitje shumë të lart të vendit.

Për të tjerët para nesh për shembull janë dashur edhe vite për të kaluar testin e piketave të ndërmjetme. Për planin tonë ky test duhet kaluar në disa muaj dhe kjo do forcë. Dhe forcë në këtë rast do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Unë jam besimplotë, që ne do ta kalojmë dhe këtë test dhe edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pangushëllueshëm opozitar por e kam për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë e përditë duke hedhur përpjete kapakët e 700 tenxhereve mediatike të cilat e kanë kthyer mexhlisin e Shqipërisë në pazarin më të neveritshëm të gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash.

E ka thënë populli thonë qysh se asnjë prej nesh s’kishte lindur akoma, se kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botes, e vërteta s’ka veshur ende pantallonat. Po aso kohe populli s’kishte parë asgjë akoma se s’kishte ardhura ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike kurse tenxherja e vetme mediatike ishte tellalli i qytetit. Ndërkohë që sot tellallët e gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber të ditës. Por ne s’kemi ç’t’i bëjmë as tellall hanes së madhe ku na e solli jeta të jetojmë duke qenë në krye të vendit në një moment kyç të historisë së tij as vrapit të marrë të gënjeshtrave të botës, ndërkohë që në rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit.

Prandaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona të mëdha dhe të vogla, të shtojmë forcat për t’i bërë sa më mirë dhe për t’i komunikuar sa më shumë dhe të përpiqemi dhe me më shumë këmbëngulje të vet korrigjohemi dhe të përmirësohemi dhe këtu bujrum jepni idetë tuaja dhe ndërkohë le të debatojmë këtu së brendshmi, hapur, pa dorashka për sesi gjerat mund dhe duhen bërë më mirë në këtë drejtim, por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri tjetrin opinionet duhet të përqendrohemi në një pikë, ne vetëm një pikë. Një pikë dhe asnjë pikë tjetër. Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030.

Kur e lexojmë historinë, ne jemi njerëz të zakonshme ndërsa historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Por edhe ata kur e kanë lexuar historinë përpara tyre kanë qenë njerëz të zakonshëm dhe ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë patur mundësi ta bëjnë historinë dhe nuk figurojnë në librat e historisë sepse nuk e kanë bërë të jashtëzakonshmen që duhet për të bërë histori.

Sot, rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë e kanë sjellë që ne të jemi me historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe me forcën tonë.

Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është një tjetër etapë e zhvillimit të vendit. Shqipëria në BE është histori dhe pa diskutim që nuk është e lehtë të përqendrohesh në kushtet kur përtej zhurmës së përditshme dhe të përnatshme të bombave artizanale që plasin në tenxhere, ka filluar dhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm të afërt të SPAK duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletë të prera nuk u kursye as deri dhe një punonjëse model e shtetit 5 vjet në luftë me kancerin dhe me një fëmijë dy muajsh në gji. Apo duke shpërndarë fletëthirrje për paraqitje në prokurori në sasi që i ngjanin biletave të teatrit, deri dhe për absurditete të skajshme siç është një rast emblematik këtu në Tiranë ku një ndërtues pa leje që duhej të përgjigjej përpara drejtësisë dhe të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin dhe prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që bënë procesin për të futur agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje.

Tani me siguri do thonë që sapo ka ndërhyrë në punët e drejtësisë, por ne asnjë mënyrë jo.

Unë këtu sot do them një të njëmijtën e atyre që kam në fakt për të thënë për ndërhyrjet, jo vetëm të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme të gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe të legjislativit bashkë. Të pajustifikueshme sepse shteti ka tre pushtete të pavarur nga njeri-tjetri dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e tjetrit, shteti nuk funksionon si duhet.

Kjo vlen kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e pushtetit gjyqësor dhe po njësoj vlen kur pushteti gjyqësor ndërhyn në punët e pushtetit ekzekutiv. Do ta shpjegoj më pas çfarë kam parasysh. Por përpara do të them që pikërisht sepse ne e besojmë që kur Kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha kushtetutat demokratike të Europës ku duam të bëhemi pjesë, thonë se ka tre pushtete të pavarura dhe këto tre pushtete të pavarura nuk mund të jenë në letër siç ishin deri përpara sesa ne të bënim gjithçka kemi bërë, po duhet të jenë realitet, kjo parti, kjo shumicw qeverisëse i hyri detit në këmbë dhe pas 100 e kusur vitesh shtet shqiptar, ne i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor.

Prandaj dhe unë që e kam udhëhequr kokëfortësisht partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësimin e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht lloj – lloj bombash artizanale që kur ndizen nga lloj – lloj prokuroresh e gjykatësish lartë e poshtë nëpër Shqipëri, të cilët shija e pavarësisë reale i deh, iu mjegullon arsyen, iu errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë minimalisht shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut se maksimalisht ka ende shumë më keq, por unë nuk do zgjatem këtu dhe prandaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që ekzekutivi apo legjislativi të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, po është që gjyqësori të gjymtojë, jo thjeshtë pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar dhe kjo ka ndodhur në vende të tjera, nuk është diçka e panjohur në historinë e zhvillimeve të drejtësisë, por kjo nuk mund të ndodhi në këtë vend. Sepse ky vend që është në ngjitje të vazhdueshme, nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të frenohet, e jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte.

Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës me një vendim të një seancë paraprake pa gjyq, i pa ndodhur në historinë e botës.

Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave të një vendi?

Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për se si parlamenti ka vendosur të ndajë Komisionet Parlamentare – “hapu dhe”, i thonë kësaj.

Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore të përfaqësuesve të pushtetit të pavarur gjyqësor të fashiten, sepse në të kundërt as nuk do të kemi dot një gjyqësor, jo vetëm të pavarur, por edhe domosdoshmërisht të paanshëm dhe profesional, po as do të kemi dot një shtet funksional, një administratë publike, e cila të japë më të mirën e vet për performancën e shtetit, pa pasur frikë të marrë vendime, deri dhe për blerjen e letrës higjienike.

Ky është fakt, dhe është një nga mijëra faktet që mund të jap, po e zgjodha enkas, sepse është më tragjikomiku i zinxhirit kilometrik të fakteve të prodhuara nga frika, po as do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet dhe larg qoftë deri dhe një konsumator të çliruar nga frika se mund të bjeri në sy.

E përsëris, këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara. Ne nuk kemi luksin dhe Shqipëria nuk e ka luksin të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime dhe këto rreziqe janë serioze, nuk janë imagjinare, prandaj duhen marrë në konsideratë nga të gjithë, sa nuk e kanë prekur palcën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, siç ka ndodhur gjetkë kur antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme sesa vetë sëmundja e korrupsionit dhe ka mijëra, në mos miliona, po mijëra studime, libra, doktoratura për këtë temë.

Ndërkohë, unë personalisht qëndroj me shpresë dhe me besim dhe përpiqem t’i ushqej me këtë shpresë shumë partizanë të zhgënjyer të reformës në drejtësi, sepse për hir të vërtetës, gjithmonë e më të shumta janë rastet e pajustifikueshme të brutalitetit, sa të pajustifikueshëm, aq dhe të panevojshëm, të prokurorëve, po edhe të gjyqtarëve. Këta të fundit, për shembull, kanë arritur maja që habisin edhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të këtij qyteti të reformës në drejtësi dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kur dëgjojnë që një gjykatës, i thotë prokurorit, “rëndoje dorën, se e ke të lehtë akuzën”, apo një tjetër gjykatës në apel i jep ankuesit një dënim edhe më të rëndë se sa ai që kishte në shkallën e parë, këta kujtojnë, anglisht folësit, se këto janë bomba artizanale të propagandës qeveritare, këto janë fakte, fakte të tmerrshme.

Por halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në horizontin e pushtetit gjyqësor dhe këtë perceptim shqetësues ma përforcon një fakt, për mua është shumë domethënës që kur unë ngre shqetësimet e kësaj natyre, këshillat e prokurorisë dhe të gjyqësorit, sipas rastit, më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mia ca deklarata nervoze, si ato të njerëzve që një daulle dasme iu prish gjumin e drekës. Me ca thirrje bajate për aktorët politikë, që të mos i bëjnë presion drejtësisë, bla bla. Pavarësisht faktit që unë nuk jam “aktorët politikë”, po jam kryeministri i dalë nga një votë popullore që i dha Partisë Socialiste një shumicë të hatashme prej 83 mandatesh, ndërkohë që kjo parti nuk e ka një konkurrent në historinë botërore, si faktori qeverisës më mbështetës i pavarësisë drejtësisë dhe faktori më i heshtur politik ndaj fajeve dhe gafave të drejtësisë së pavarësuar në thelb, unë ngre probleme serioze me të cilat duhen të merren në fakt pikërisht hartuesit e atyre deklaratave të kota. Dhe para se të shkruajnë me kollajllëkun më të madh, fjalën presion, është fjalë shumë e madhe fjala presion, për mbështetësin më të madh të pavarësisë së tyre, që jam unë këtu personalisht, mirë është ta kujtojnë se ku ishin fshehur ekzaktësisht, kur paraardhësi im e ngrinte, “puçistë” dhe e ulte “lavire” Prokuroren e Përgjithshme, ose nëse iu vjen zor ta kujtojnë se ku mund të jenë fshehur, apo aq më keq, ju vete mëndja ta quajnë të panevojshëm për kujtesën e tyre këtë detaj se helbete iku ajo kohë dhe tani po hymë në Europë, le të mos e harrojnë se tani, tani, sot, në këtë kohë, atij që s’u bë dot pasardhësi im, pasi ishte paraardhësi im nuk i artikulojnë dot, jo një deklaratë, por gjysmë llafi, edhe pasi del dhe i lexon librin e shtëpisë prokurorit tonë më kurajoz, mu tek dera e SPAK-ut.

Prandaj u sugjeroj të merren me mesazhin, jo me mesazherin, se paguhen “si frëngu pulën” nga taksat e shqiptarëve, bashkë me 500 sekretarë dhe këshilltarë të tyre, që të qeverisin sistemin e ri tw drejtësisë, jo që të ankohen për ndërhyrje dhe për presione inekzistente nga unë, që u kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur, e cila rrinte në zyrën time që nga viti 1912.

Kurrë nuk do ndërhyjmë ne në çështjet që i takojnë drejtësisë! Kurrë! Po të drejtat dhe liritë e njeriut, siguria juridike e qytetarëve, e punonjësve të shtetit apo e sipërmarrësve, garancitë e procesit të rregullt ligjor e me radhë, e me radhë nuk janë çështje që i takojnë vetëm prokurorëve e gjykatësve, apo thjesht pushtetit gjyqësor, por janë çështje që lidhen me funksionimin demokratik të shtetit shqiptar dhe me jetën e njerëzve të këtij vendi që i takojnë çdo qytetari të këtij vendi, e jo më pastaj të zgjedhurve nga qytetarët e këtij vendi.

Kur unë të hyj në meritën e ndonjë çështjeje, përsa kohë ajo çështje është në gjykim, atëherë hajde, mund ta diskutojmë, por kur unë ngre zërin se më vjen turp pasi lexoj raportin alarmant të Këshillit të Europës për nivelin skandaloz të paraburgimeve, të burgosurve pa gjyq në Shqipëri dhe nga ana tjetër këshillat në fjalë nuk bëjnë asgjë për ta trajtuar atë raport me seriozitetin maksimal dhe për ta shtruar këtë problem minimalisht me të njëjtin alarm që e shtrojnë disa të huaj atje në Strasburg, përkundrazi. E vetmja gjë që i bën të ndjehen se ekzistojnë janë deklaratat për mua, atëherë kjo është për të vënë duart në kokë. Po halli i vërtetë këtu është se po bëhen pak si shumë këto arsyet për të vënë duart në kokë.

Se fjala vjen, deklaratat e prishje gjumit të Këshillave janë lule, përpara atij çarçafit që nxori ajo shoqata rroga-rritëse e gjykatësve. Një fletë rrufe e vërtetë, të cilën do ta kishte lexuar, jo vetëm me ton dramatik, por me bindje të plotë politike edhe vetë heroina e telenovelës “Rruga e shpresës”, Albana Bulku, ndërkohë që unë vura alarmin si kryeministër i Shqipërisë për gropën që shoqata në fjalë donte të hapte në buxhetin e shtetit, duke i rritur rrogat vetes me gjyq dhe padrejtësisht dhe halli i halleve pastaj është se duart ne këtu nuk i kemi për t’i vënë në kokë, por për të hapur rrugën e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian me një shumicë parlamentare prej 83 deputetësh dhe po e përsëris, e po e përsëris, e po e përsëris që ta dëgjojnë të gjithë se ndoshta nuk e kanë mirë parasysh dhe këtë shumicë ky popull na i ka vënë në dispozicion që të përveshim mëngët e të mos ndalemi, duke na hequr dhe çdo lloj alibie të mundshme për çdo lloj vend numëroje, prandaj ka shumë rëndësi që njerëzit e sistemit të drejtësisë, jo vetëm ta kryejnë punën e tyre të patrazuar, gjë për të cilën mbështetja jonë s’ka munguar dhe s’do mungojë asnjëherë, të paktën derisa unë të jem këtu në krye të kësaj shumice, por edhe të përpiqen t’i marrin shqetësimet e shprehura publikisht nga ana ime, si shqetësime në interes së shtetit, jo të pushtetit që ne përfaqësojmë. Them nga ana ime, pasi pakti ynë i brendshëm këtu, në këtë grup është që askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e drejtësisë së re, sepse pikërisht qëllimi ynë si forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, nuk është të bëjmë presion, por të kërkojmë mirëkuptim për gjërat që nuk shkojnë, apo ende më keq që shkojnë aq keq sa e dëmtojnë kauzën e përbashkët për shtetin ligjor demokratik të shqiptarëve.

Fola më lart për lajthitjet të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme.

Të panevojshme totalisht sepse kurrë, askush nuk ka ngritur dhe nuk do të ngrejë në emër të kësaj shumice qeverisëse asnjë pretendim që pengon hetimet nga ana e prokurorive për këdo qoftë, edhe pse kjo alibia e pengimit të hetimeve ka arritur në kulme të një absurditeti që do të ishte për të qeshur, po të ishte skeç i Vitit të Ri po është për të qarë, për të vënë kujën, për të vënë ulërimën kur paketohet si kërkesë për arrest, me disa argumente që i thonë logjikës mbylle gojën, se të futa brenda. Cila është nevoja?! Çfarë e justifikon?!

Një kuturisje të marrë për të bërë 40 kontrolle banesash në ditën e vigjiljes së Vitit të Ri, për një çështje të regjistruar para 5 vjetësh, jo vetëm duke i trajtuar punonjësit e administratës si të ishin ndonjë organizatë kriminale për t’u mbledhur e tëra njëkohësisht në burg dhe duke përcjellë në tërë tenxheret e Shqipërisë, haberin që s’ka asgjë të gëzueshme për një ditë thuajse të shenjtë në mbarë globin, kur tërë bota rri në shtëpi me familjen dhe me fëmijët.

Shteti ligjor nuk është shtet policor dhe rendi ligjor demokratik nuk është rend antinjerëzor as për kriminelët më të mëdhenj, jo më për punonjësit e administratës publike, e cila është kapitali njerëzor i vyer i një shteti dhe jo më kot, në shtyllat themelore të procesit të negociatave, krahas forcimit të drejtësisë është dhe forcimi i administratës publike.

Drejtësia dhe administrata publike nuk janë në dy barrikada përballë njëra-tjetrës. Po si mund të forcohet administrata publike nëse çdo punonjës i saj prezumohet i fajshëm dhe trajtohet si i tillë, duke i shkuar në banesë për kontroll ditën e fundit të vitit, apo deri duke e thirrur në prokurori për t’i kërkuar të pranojë faje që nuk i ka bërë, me presion. Ai është presion sepse duhet inkriminuar me patjetër dikush tjetër, a thua se njerëzit janë statistika dhe lëkura e tyre është asfalt që duhet shtruar për të kryer planin 3 mujor të prokurorive.

Po ç’është ky hall, që thirren njerëzit nga puna me tufa në orar të punës dhe mbahen atje me orë të tëra, pa pyetur një herë “more keni ndonjë punë ju”, “keni ndonjë mbledhje ju”, “keni ndonjë afat ju se për të njëjtin shtet punojmë” dhe thirren dhe deri kur në fakt, duhet të jenë në krye të detyrës, në fronte emergjencash natyrore. A thua se në këtë vend, vetëm prokurorët punojnë për shtetin, ndërsa të tjerët punojnë vetëm për planin e hetimeve të arrestimeve të prokurorëve.

E kam thënë dhe herë të tjera, dua ta përsëris, unë personalisht kam pasur shumë rezerva për administratën tonë publike, dhe kam qenë dhe unë vetë viktimë e të njëjtit perceptim, që për shembull, është për spitalet, sipas të cilit në spitalet tona të lënë të vdesësh po nuk dhe lekë, po perceptimin për spitalet e kam rrëzuar sepse i kam vizituar vetë, i kam parë vetë të gjitha transformimet që kemi bërë dhe i kam dëgjuar vetë njerëzit jo me kamera, pa kamera, ndërsa këtë perceptim për administratën e kisha dhe unë goxha të rezervuar për ta thënë me fjalë të buta, mirëpo dhe kaq të rezervuar e kisha se janë dëshmitarë të gjithë kolegët që kanë qenë së bashku me mua në atë periudhë në qeveri, kur thosha “mirë do t’i hapim negociatat, po kur t’i hapim ç’do bëjmë? Si do të përballojmë ne me këtë administratë ata peshkaqenët atje që janë të rrahur me të gjithë llojet e dallgëve dhe që kanë negociuar me vende shumë më të mëdha se ne?”

Dhe u deshën pikërisht muajt e procesit “screening’’ përpara fillimit zyrtar të uljes në tryezë për negociatat që unë të filloja të shikoja tek administrata, jo problemin, por zgjidhjen e shumë problemeve, përtej faktit qe edhe administrata si çdo pjesë tjetër e shoqërisë sonë ka problemet e veta, ka dhe individët e padenjë.

Dhe kur fillova të dëgjoj nga kryeministri i Holandës krejt jashtë kontekstit në një takim ndërkombëtar: “Edi dëgjoj fjalë të jashtëzakonshme për skuadrën tuaj negociatore. Bravo!”; nga kryeministrja e Danimarkës; “Edi, ministri i jashtëm thotë që skuadra juaj negociatore po “i zhgënjen” të gjithë në kuptimin pozitiv’’, sepse prisnin diçka tjetër dhe pastaj kur i takova vetë 1000 vetë, jo një e dy, se ne kemi drejtues të shkëlqyer të procesit, po procesi ka 1000 vetë. Tani, kur mendoj për ata 1000 vetë e konsideroj të tmerrshme që në shpirtin e tyre të ketë frikë, frika irracionale se ‘’po na vijnë’’. Kot. Pa lidhje.

Kam folur edhe më parë për AKSHI-n, edhe për drejtoren e AKSHI-t, e cila sot e gjithë ditën ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të them asnjë fjalë për përmbajtjen e çështjes, po di të them një gjë; që ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie kombëtare si AKSHI, i ngritur me vite dhe i duartrokitur edhe ndërkombëtarisht, të ‘’bëhet shesh’’ për të mbytur psikologjikisht inxhinierë dhe inxhiniere, vajza e djem, që me në krye drejtoren e atij institucioni kanë punuar pa orar, duke bërë punëra me një vlerë të jashtëzakonshme. Çfarë duhet të them me këtë? Meqë janë bërë të gjitha këto, atëherë nuk duhet hetuar? Jo, në asnjë mënyrë. E kundërta është e vërtetë. Të dyja duhen bërë dhe të dyja mund të bëhen. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe t’u jepet mundësia që të hetohen si njerëz të pafajshëm deri kur të provohet ose jo, fajësia e tyre. Është shumë e thjeshtë. Po sikur Linda Karçanaj të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele, pjesë e një grupi të strukturuar, si personazhi që ka krijuar për të, nguti për ta arrestuar dhe ‘’për ta masakruar me bomba artizanale, tenxhere më tenxhere’’, duke i vënë në kurriz vila dhe makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe që siç mora vesh, as nuk e nget makinën dhe s’ka një të tillë.

Çfarë fiton pastaj shteti dhe çfarë mesazhi marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet? Se këtu flasim për shtetin; për si shteti i garanton të gjithëve lirinë, të drejtën e punës dhe të drejtën e marrjes së vendimeve. Dhe natyrisht, garanton të gjithë që cilido që me vendimet e veta, realizon qëllime të fshehura, nuk është në asnjë mënyrë i pandëshkueshëm.

Po sikur drejtori i KESH-it, një tjetër specialist që e kam njohur personalisht dhe menaxher me vlera i shtetit, prej muajsh dhe ai në arrest shtëpie, për arsye që janë krejt të paqarta për hir të së vërtetës, të jetë i pafajshëm? Kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes? Po sikur e njëjta gjë të jetë e vërtetë dhe për të tërë të tjerët? Për 58% të njerëzve që sot janë nëpër burgje dhe që nuk u është bërë gjyqi? Se çdokush është i pafajshëm deri kur nuk provohet fajtor në çdo shkallë të gjykimit, apo jo? Ça ndodh sikur të jetë e vërtetë? Po nga plot e plot të pafajshmit tani që kanë kaluar eksperienca traumatike me ‘’Prokurorinë e pavarur”? Kanë mbaruar punë, kanë dalë të pafajshëm. Ku janë sot? Dini ku janë një pjesë e madhe e tyre? E kanë lënë punën në shtet ose vazhdojnë gëzojnë një status të vetëfituar dhe të vetëpranuar nga të tjerët; nuk firmosin më asnjë copë letër nga frika. Disa kurohen nga psikologët. Ça ka fituar këtu drejtësia dhe ça ka fituar ky shtet që për hir të vërtetës nuk i ka burimet njerëzore sa të Kinës, por i ka të kursyera dhe duhet të bëjë më të mirën që t’i menaxhojë me sa më shumë kujdes dhe me sa më shumë dinjitet.

Këto pyetje duhet t’ia bëjnë vetes njerëzit e drejtësisë, të cilëve pavarësia e dhuruar nga pikërisht, pushteti legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv, duhet t’i bëjë shumë më të vetëdijshëm për dëmet që mund t’i bëj fuqia e tyre e pakontrolluar nga njeriu brenda tyre, nga egoja, ambicia dhe të gjitha ato ndjesi të tjera që të gjithë njerëzit i kemi, por që tek dikush që merret me jetën e të tjerëve, janë për tu frenuar sa më shumë.

Fuqia e tyre e pakontrolluar nga prindi brenda tyre, nga vëllai dhe motra brenda tyre, nga familjari dhe qytetari brenda tyre. ‘’Mos i bëj dikujt atë, që nuk do që të tjerët të ta bëjnë ty’’, thonë librat e shenjtë dhe kjo duhet të jetë devizë e çdo njeriu që ka pushtetin të lëndojë apo të ngrejë lart jetën e dikujt tjetër; jo për të mbyllur sytë para provave të fajit, në asnjë mënyrë jo, po për t’i hapur sytë katër që faji të mos jetë për askënd fat i paracaktuar nga dora dhe egoja e atyre dhe të mos e harrojnë atë postulatin e famshëm; ‘’më mirë 100 fajtorë jashtë, sesa një i pafajshëm prapa hekurave’’.

Kur grupi ynë i punës që po punon me ekspertët e drejtësisë të Italisë dhe Francës për reflektimin mbi procedurat tona penale, vuri në tavolinë një pikë të caktuar për diskutim, profesoresha e njohur që është në anën e palës franceze tha diçka që unë dua ta ndaj publikisht me ju këtu, e kam ndarë me disa prej jush: “me sa kam lexuar dhe mësuar deri tani”,– tha, “ju në Shqipëri nuk niseni nga liria kur mendoni për drejtësinë, por niseni nga heqja e lirisë dhe ky është një problem shumë i madh që shkon përtej kodeve dhe ligjeve të shkruara. Ndërkohë”, –tha, “kodet, edhe kodi penal shkruhet për të garantuar lirinë, jo për heqjen e lirisë dhe heqja e lirisë është funksion i garantimit të lirisë”.

Dhe ne këtu, e kaloj në një pikë tjetër, grupi udhëheqës dhe qeverisës i këtij vendi jetojmë brenda një paradoksi të madh, sa të padrejtë dhe të dhimbshëm aq dhe të pashmangshëm për hir të së vërtetës dhe ky është një tjetër rrezik i këtij udhëkryqi nëse ne nuk e lexojmë, nuk e trajtojmë si duhet dhe nuk distancohemi që të gjithë sa duhet. Ne e deshëm reformën në drejtësi, qysh se ishim në opozitë dhe e bëmë kur erdhëm në pushtet, madje duke treguar dhe gatishmëri të plotë për ta hedhur në erë qeverinë e koalicionit të asaj kohe, nëse aleati ynë i mandatit të parë, nuk do të na ndiqte deri në fund dhe ky është fakt.

Kush tregon një histori tjetër nuk tregon të vërteten.

Patjetër që, aleati dhe kundërshtarët e tjerë të reformës u rreshtuan nën trysninë e asaj që quhet Rruga e Elbasanit dhe këtë e dimë. Por për sa na takonte neve, ne ishim ata që e projektuam dhe e diktuam rreshtin pa na a diktuar dhe pa na trysnuar askush se nëse s’do kishte një kalë që të tërhiqte karrocën, ata n’daç të rrugës së Elbasanit dhe n’daç të rrugës Durrës-Bari-Brindisi nuk kishin nga ta shpiknin kalin se këtu ishin që nga viti 1991. Dhe pa diskutim që ne e bëmë këtë me vetëdije të plotë edhe për atë që do vinte. Të paktën, unë personalisht, nuk e kam imagjinuar as si fasadë dhe as si një shëtitje në park reformën në drejtësi, përkundrazi e kam ditur që do të vinte me gjak nga i yni dhe me baltë mbi ne sepse ishte një përpjekje e vërtetë për ta dorëzuar shpatën e pushtetit të drejtësisë në duart e njerëzve të drejtësisë dhe ajo shpatë në duart e një pushteti që nuk do ishte më në kontrollin tonë për të punuar, do kërkonte kokat tona. Kështu funksionon. Dhe për ta marrë me mend këtë nuk ishte nevoja të ishe as profet, as fallxhor, por mjafton të ishe një lexues kurioz i historisë së revolucioneve të drejtësisë në vende të tjera.

Përmbysja që ne i bëmë sistemit të vjetër të drejtësisë ishte revolucionare për pavarësinë e drejtësisë. Tani po jetojmë një periudhë ethesh revolucionare të një drejtësie të re dhe të pavarur që pikërisht pse është shumë e re nuk është as e paanshme, as profesionale.

Nëse do bëja një krahasim, çdo krahasim çalon, drejtësia sot është si qeveria shqiptare e vitit 1992. Fuqi e madhe politike, traditë demokratike 0, nga 1 në 10 dhe autokontroll që varion nga 0 në 4, por që mbetet prapë nën notën kaluese po të kesh parasysh që po sipas Këshillit të Europës jemi, jo vetëm vendi me më shifrën alarmante të paraburgimit në kontinent, por jemi të dytët vetëm pas Rusisë për raportin mes dënimeve dhe pafajësive dhe me një diferencë shumë të sikletshme edhe nga rajoni ynë këtu, nga gjithë këta të tjerët këtu me të cilët jemi pak a shumë njësoj në të gjitha aspektet.

Po ku është paradoksi shumë i madh sa i padrejtë dhe i dhimbshëm aq dhe i pashmangshëm?

Sa e thjeshtë aq dhe për të qarë hallin, që s’pres në fakt të na e qajë askush, paradoksi është që ndërkohë që falë nesh nën udhëheqjen e deri dhe me lëkurën tonë po bëhet në Shqipëri, ky transformim, i cili do të hyjë në histori si një transformim epokal me një drejtësi të re dhe pavarur me të gjitha dobësitë dhe lajthitjet e veta të natyrshme për moshën fare të re që ka, por që e ka marrë shpatën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me bekimin tonë, qeveria jonë goditet pa pushim si më e korruptuara dhe Shqipëria baltoset pa pushim si më e kriminalizuara.

Shikojeni sesi uturijnë tenxheret që prokuroria nuk i heton dhe pse i ka prej kohësh dosjet atje për pastrim parash dhe për evazion fiskal me fakte dhe të nënshkruara nga autoritetet e të njëjtit shtet. Po si mundet, si justifikohet, si gëlltitet kjo burracakëri e neveritshme prej trimash që bëjnë shpatarin e verbër me punonjësit e shtetit dhe me politikanët e Partisë Socialiste, për gjithfarëlloj çështjesh dhe akuzash që shkojnë nga ato seriozet, deri tek shpërdorimet imagjinare të detyrave të punonjësve të administratës dhe friken si pula nga dy oturakë. Dy oturakët më të mëdhenj të pazarit mediatik të Shqipërisë, të cilat nga ana e tyre bombardojnë publikun me jashtë nxjerrjet e lloj – lloj personazhesh antikorrupsion në ekran dhe me para të zezë në dorë pasi mbaron bombardimi, ndërkohë që dosjet me të gjitha faktet për riciklimin e parasë së pistë dhe për evazionin e tyre fiskal, janë në prokurori prej vitesh.

Dhe këta të parave të zeza nën dorë arrijnë të teorizojnë sesi duhet djegur Shqipëria për të shpëtuar nga unë dhe nga ju apo të tregojnë se si me korrupsionin tim, unë kam korruptuar dhe Komisionin Europian që Komisioni Europian të mos bëhet si oturakët, ku ata jashtë nxjerrin gjithë vrerin e tyre, por ja që fatmirësisht Komisioni Europian shikon faktet, lexon shifrat, kupton të dhënat e transformimit dhe luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk e sheh, as përmes avujve të tenxhereve dhe as përmes fjalëve të pasionit tim për Shqipërinë europiane me rend ligjor demokratik, po i vlerëson lartë arritjet tona në tërësi apo punën e SPAK në veçanti.

Se që të jemi të qartë, sa thashë më lartë e sa do them më pas për çfarë nuk shkon me prokuroritë pa përjashtuar dhe SPAK-un që ka kusuret e veta, siç kemi dhe ne kusuret tona nuk ka diskutim për mua që sot jemi në një pozicion tjetër në raport me të ardhmen, falë pikërisht edhe SPAK-ut. Nuk besoj se unë e kam një konkurrent për numrin e fjalëve inkurajuese që kam thënë, qoftë për SPAK, qoftë për drejtuesit e mëparshëm. Shpresoj dhe drejtuesi i ri të meritojë të njëjtat fjalë, prandaj uroj shumë që dhe fjalët po aq të sinqerta për çfarë nuk shkon, që e përsëris nuk janë fjalët e mia si qytetar privat, por janë fjalët e mia si kryeministri i një vendi që nuk mundet dot të paguajë çmimet që kanë paguar të tjera vende, kur kura është bërë më e rrezikshme se sëmundja, t’i marrin këto fjalë si inkurajim për t’u përmirësuar, për t’u bërë më të përgjegjshëm, në raport me liritë e njerëzve dhe të drejtat e tyre, si dhe më të vetëdijshëm për sfidën e madhe të rritjes profesionale e mbi të gjitha gjykatësit e këtij vendi të kuptojnë që të jesh gjykatës, do të thotë të jesh i paanshëm, jo thjesht i pavarur. I pavarur dhe i anshëm është një tmerr për këdo.

Çfarë mund të presë njëra palë nga gjykatësi, ku gjykatësi bëhet palë me akuzën dhe i kërkon akuzës të rëndojë pozitën e palës tjetër. Do të thotë që nuk është më një gjyq me gjykatës, është një përballje e kotë midis një njeriu që s’ka asnjë në dorë dhe një force të verbër të një pushteti që i ka të gjitha në dorë, përfshirë edhe për të paracaktuar fatin e jetës së tij.

Por duke u kthyer te paradoksi, dua të ndaj me qetësi dy, tre fakte për të gjithë ata që duan të dëgjojnë natyrisht se, – mua më duket se sikur nuk shkon se sa më shumë u luftoka korrupsioni, aq më shumë korrupsion paska. Dhe për më tepër pastaj, për të dhënë për të gjithë ata që na kanë zgjedhur në radhë të parë, një pasqyrë për të parë realitetin përtej tymit të bombave artizanale të 700 tenxhereve.

Në historinë e Prokurorisë së Posaçme ka vetëm 10 akuza për korrupsion, 10, në të gjithë historinë. 16 për shpërdorim detyre, tani shifrat mund të variojnë me pak, se për fat të keq nuk janë të gjitha të publikuara në mënyrë transparente, këto janë shifra të Ministrisë së Drejtësisë dhe 15 raste për pabarazi në tendera dhe në ankande publike. 10 për korrupsion, flas akuza, nuk flas dënime.

Tani çfarë është e rëndësishme në këto të dhëna, 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë dhe të dytë, pra një logjike e thjeshtë, të thotë që nuk është se sa më shumë ne rrimë në qeveri, aq më shumë ka korrupsion, po më shumë ne jemi në qeveri, aq më shumë luftohet me korrupsionin dhe sa më shumë jemi në qeveri, aq më shumë janë edhe rastet, të cilat dalin nga varret e së shkuarës.

Përtej paradoksit dhe këtë nuk rri dot pa e thënë jashtë tekstit, që 4 varre të vrarësh janë ende në kërkim të drejtësisë, po nuk ka ngut, as për të bërë kontrolle banesash, që s’ka nevojë të bëhen në këtë rast, as për të ngritur akuzë për arsye që gjithkush mund t’i marrë me mend në mënyrën e vet, por ne nuk i dimë faktikisht, cilat janë. Tani, ky është një fakt.

Një fakt tjetër, është që Shqipëria renditet nga Komisioni Europian, jo nga ne, në vendin e parë në rajon për Prokurimet Publike, për integritetin e Prokurimeve Publike, me diferencë nga vendi i dytë, që do të thotë që ka më pak korrupsion, jo më shumë.

E treta është Shqipëria e “e-Albania”, që i ka kursyer shqiptarëve sipas një konsulenti ndërkombëtar që ne morëm disa kohë më parë për të bërë një audit të rezultateve, një radhë të gjatë sa 22 mijë rrotullime rreth tokës. 22 mijë rrotullime rreth tokës dhe thuajse një miliardë euro nga xhepi për të gjitha llojet e situatave, do të thotë që ka më pak korrupsion, jo më shumë.

Por, ka një fakt tjetër që e ushqen fuqishëm paradoksin.

Raste akuzash për korrupsion mund të jenë vërtetë 10 në total, ku këtu përfshihen, jo thjeshtë anëtarë qeverie, po dhe kryetarë bashkie, po edhe drejtorë të lartë, 10. Po emisione, lajme, postime në të 700 tenxheret e poteres së madhe politike-mediatike mund të jenë 10 milionë. Vetëm në tenxheren e Blendi Fevziut, që me madhësinë e vet më thith edhe mua ndonjëherë, mund të jenë bërë 1 mijë emisione, ku fjala “korrupsion” mund të jetë përdorur 100 milionë herë, dhe fjala “përgjim” 100 mijë herë, dhe fjala “hajdut” 10 mijë herë.

Tani, imagjinoni vetë se ça batërdie bëhet mbi daullet e veshëve të shqiptarëve, që shohin akoma televizor dhe çfarë bombardimi bëhet mbi retinat e syve të shqiptarëve, që haberet e pazarit i marrin nga celulari, pa llogaritur këtu ata të verbrit që e çajnë rrugën e jetës me shkopin e kryeplakut të botës gënjeshtrave dhe hedhin bomba artizanale te xhamia, që të rrëzojnë narko-shtetin.

Ekonomia rritet, e rrit korrupsioni! Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar rritet, e rrit korrupsioni! Buxheti i shtetit rritet, e rrit korrupsioni! Pagat rriten, i rrit korrupsioni! investimet rriten, i rrit korrupsioni! Edhe zjarret i rrit korrupsioni! Edhe shirat i rrit korrupsioni! Edhe negociatat i hap korrupsioni! Edhe kapitujt i hap korrupsioni! Edhe piketat e ndërmjetme do t’i kalojë korrupsioni! Edhe Bordin e Paqes e mbledh korrupsioni! Shqipëria vetë rritet në çdo drejtim, falë korrupsionit!

Ka disa ditë që po bëhet nami nga tenxheret për rrëshqitjen e rrugës në aksin Librazhd – Përrenjas, një rrëshqitje shumë më dramatike është në anën tjetër të kufirit, në një autostradë nga më të rejat e Greqisë dhe tenxheret e Greqisë nuk është se janë tenxhere pa presion. Nuk e kam kapur absolutisht, asnjë lloj ngjashmërie me këtë lemeri këtu, që edhe tokën e lëviz korrupsioni.

Ndërkohë që, në atë aks po bëhet një nga veprat më të mëdha të infrastrukturës, e cila do të jetë një tjetër krenari e kësaj qeverie. Ju kujtohet rrëshqitja e rrugës Korçë- Ersekë brenda afatit, u mor, u riparua totalisht me fondet e sipërmarrësit, rruga sot është e shqiptarëve. Ndodhi diçka që nuk duhet të ndodhte, por këto nuk janë gjëra që nuk ndodhin askund dhe ndodhin vetëm këtu. Ndryshimi i vetëm është që në Portugali, në Suedi, në Itali, në Greqi janë çështje gjeologjike, këtu jo, këtu janë çështje të korrupsionit.

Dhe më e bukura në këtë mjerim lavazhesh mediatike të trurit është se të gjithë ata që janë kundër nesh, i besojnë një për një, të gjitha këto fjalë. E besojnë që, një ministër e lan makinën me 10 mijë euro një dorë, se mbasi i hidhet shkumë, i hidhet dhe qumësht dallëndysheje dhe dallëndyshet vriten me pushkë nga ministri tjetër, që me puplat e tyre, shet jastëkë.

E besojnë që dikush tjetër ka 300 shtëpi, dikush tjetër ka 2 anije dhe prandaj dhe vetë “zorraxhinjtë e lavazheve”, ata të parave të zeza që i marrin nën dorë pas debateve antikorrupsion, ngaqë kanë shpëlarë kaq gjatë edhe trutë e tyre duke përsëritur këtë refren, dhe i besojnë kaq verbërisht ekzistencës së pushtetit absolut të korrupsionit në Shqipëri, budallepsen. E keni parë si budallepsen fare kur bëhet numërimi i kutive të votimit?! Se rrinë atje, dhe presin që më në fund të dalë fitorja mbi narko-regjimin dhe ju del prap po i njëjti “noc rroku”.

Mirëpo, e vërteta është që kjo zhurmë e pambarimtë është e dëmshme për shoqërinë, kjo është e vërteta dhe përveç Shqipërinë, padyshim.

Shikoni Malin e Zi, është bashkë me ne, në krye të rreshtit për të hyrë më fund në Bashkimin Europian, ka të njëjtat probleme si ne, pak a shumë, po keni parë ju ndonjë bombë artizanale që nga Podgorica të shkojë të shpërthejë nëpër faqet e gazetave të botës? Asnjëherë! Jo se atje nuk ka opozitë, as se atje nuk ka opozita arsye për të qenë e palumtur, por se atje “One and Only” është një hotel i jashtëzakonshëm me 5 yje, ku turistë nga e gjithë bota, me të ardhura të larta, kontribuojnë në të ardhurat e shtetit malazez.

Kurse këtu, “One and Only” është një plak i marrë, me 5 dërrasa mangët që tërheq zvarrë pas vetes, 500 vetë me krejt dyshemenë përtokë, që kontribuojnë me pasion për të cenuar me çdo kusht imazhin e Shqipërisë, duke shpërndarë fotografi dhe “One and Only” e solla këtu, jo sepse mu përshtat me dellin tim satirik, por sepse ekzaktësisht CEO-ja i “One and Only” dhe ekzaktësisht pas publikimit të këtyre fotografive në një valë të shkuar të protestave, më ka marrë në telefon: “Çfarë po ndodh atje?” sepse ishim dhe jemi në diskutime me ta, për ta sjellë në Shqipëri “One and Only” dhe është një detaj, sesi afektohet Shqipëria nga një barbari e tillë.

Natyrisht që unë nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet dhe me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, sepse normalisht do pres dhe raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të them dhe unë fjalën time, në mënyrë shteruese për temën e imunitetit, por dua të ndaj me ju këtu, diçka që e kam thënë dhe pa praninë e publikut, përmes mediave.

Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, qysh në mbrëmjen e ditës kur iu ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion, se është shumë interesant që, ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar të gjitha ato vepra, akuza nuk është për korrupsion. Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj, edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç ju kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes dhe pse vlen kjo të përsëritet, dhe pse dua që ta ndaj dhe publikisht sepse unë kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, ku ndryshe nga vendet me drejtësi dhe me institucione të konsoliduara, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, ne nuk mund të hymë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. Po do bëjmë secili punën e vetë, ne tonën, drejtësia të vetën.

E di unë shumë mirë dhe teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, e cila megjithatë nuk praktikohet kudo dhe kurdoherë njëlloj as në Europë, por sot në Shqipëri, kur sidomos përmes SPAK-ut drejtësia ka filluar të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin, por po bën dhe një dëm serioz, kolateral mbi administratën, duke përmbysur faktikisht rregullisht parimin e shenjtë demokratik të prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisjes së vendit nuk mund të kurdiset dhe të ç’kurdiset sa herë Prokuroria ngre një akuzë. S’bëhet dot.

Është shumë kollaj të thuash, në Gjermani, një ministër i akuzuar jep automatikisht dorëheqjen, por për shembull kjo nuk ndodh në Itali, madje dhe në Francë nuk ndodh gjithmonë. Madje, madje në Francë ministri i Drejtësisë qëndroi në zyrë kur iu ngrit një akuzë shumë e rëndë dhe mori dhe pafajësinë, në zyrë, por kush i bën këto krahasime, nuk duhet të harrojë që përtej këtyre që them unë, Gjermania është një shtet model i së drejtës.

Prezumimin e pafajësisë Gjermania e ka në një piedestal ari.

Nuk imagjinohen dot në Gjermani tezgat, lavazhet dhe tenxheret e pazarit politik dhe mediatik të mbushura me materiale të nxjerra vjedhurazi me bekimin e prokurorëve nga dosjet hetimore dhe ku, në Gjermani, Gjykata i bën të pavlefshme ato materiale që dalin rrugëve dhe që mendohet se kanë cenuar balancën e drejtësisë, duke u përdorur si ushqim mediatik për të influencuar rezultatin e procesit.

Jo vetëm kaq por, në Gjermani dhe në të tjera vende europiane drejtësia nuk merret me gërmime në të kaluarën e ministrive dhe të agjencive, sepse nuk e ka fituar pavarësinë para 10 vjetësh dhe nuk e ka filluar punën Prokuroria e pavarur para 5 vjetësh, por prej shekujsh, shekujsh, prezumimi i pafajësisë në Gjermani është në piedestalin e artë nga ku s’e ka zbritur askush, pa llogaritur kohërat e tmerrshme që ka kaluar Gjermania në një fazë të historisë së vetë.

Kështu që, aty nuk ka dyshime të natyrës historike mbi korrupsionin për të qëmtuar nëpër arkivat e dikastereve të qeverisë, siç ndodh këtu, ku siç e thashë, mbi 85% e çështje i takojnë mandatit tonë të parë dhe të dytë, apo ndonjë çështje që i takon atyre para nesh, por ato të atyre para nesh, janë çështje që nuk kanë ngut ato. Ndërkohë që, 700 tenxheret e pazarit tonë, bubullojnë më shumë se asnjëherë për korrupsionin, që na qenka më i madh se asnjëherë, dhe nga ana tjetër, as në Gjermani dhe as në demokracitë e konsoliduara të Europës, nuk ka një kompani transporti, Prokuroria, ose më saktë nuk funksionon Prokuroria si kompani transporti që merr male me dokumente nga arkivat e ministrive e agjencive e i çon në zyrat e prokurorisë. Madje, madje, tani është arritur dhe një nivel tjetër se deri dje, ishte niveli që një konkurrent i mërzitur, pse humb një tender, i shkruan SPAK-ut pa dhënë as edhe një provë, vetëm duke bërë fantazinë e tij dhe hapet hetimi, mbi dokumentesh, a thua se shteti nuk i ka institucionet që merren me shqyrtimin e dokumenteve po tani kërrehen dhe ‘’futen në furgon’’ dhe dokumentet e një tenderi që është në proces, që nuk ka mbaruar fare, është në proces. Po në Gjemani këto nuk i imagjinon dot njeri sepse atje kufijtë mes problemeve administrative dhe problematikës penale janë shkruar përpara se ata të nxirrnin shtypshkronjën, jo si në Shqipërinë e kësaj faze të re historike në drejtësi, kur drejtësia e pavarur, duhet rritur duke mësuar, po duke mësuar në kurriz të lirive dhe të drejtave të njerëzve. Duke mësuar edhe deri në dhunim të administratës apo sipërmarrjes, se është kollaj të marrësh të pandehur një tufë sipërmarrësish edhe t’i linçosh publikisht po ata sipërmarrësit kanë kredi nëpër banka, ata sipërmarrësin kanë plane zhvillimi, ata kanë mijëra e mijëra njerëz për të ushqyer dhe kur u del emri ashtu, bankat u thonë ‘’stop, shkoni sqarohuni një herë, pastaj hajdeni prapë’’.

Ndërkohë që prezumimi i pafajësisë do të ishte i mjaftueshëm që edhe ata sipërmarrësit dhe ata punonjësit e administratës, të hetoheshin në gjendje të lirë, pa u linçuar publikisht, duke ju dhënë të gjithë respektin që meritojnë si qytetarw të Republikës së Shqipërisë dhe madje, duke pasur shumë mirë parasysh që mund të jenë të pafajshëm dhe kundërshtaret tanë s’kanë arsye ta kujtojnë, përkundrazi, por ne s’duhet ta harrojmë për asnjë çast, se ne jemi këtu për të çuar punët e shumta përpara, pa e ulur, por duke e rritur ritmin dhe prandaj u zgjata në këtë panoramë mjegulle sepse është shumë e rëndësishme, që ne të fokusohemi shumë më tepër në punët tona dhe të përqendrohemi shumë më tepër në objektivat tona, duke parë të gjithë përpara dhe duke shmangur shikimet mbi njëri-tjetrin, mendoj unë dhe sigurisht drejtësia ka detyrë të hetojë, të gjykojë, të ndëshkojë apo të pafajësojë, krejt e pavarur prej nesh ndërsa ne kemi detyrë të realizojmë objektivat, të marrim vendimet e duhura dhe të zbatojmë programin për të cilin jemi zgjedhur, krejt të pavarur nga drejtësia.

Koha e të ashtuquajturave dorëheqje morale nuk diskutohet që do të vijë, por pasi të kalojë kjo fazë revolucionare e pavarësisë së drejtësisë, ku Shqipëria figuron si vendi me një rekord të zymtë europian, që unë e përsëris dhe e përsëris dhe së fundmi u fut dhe në Guinness si vendi unikal i botës, i planetit, i historisë së botës, ku një gjykatës i jep të drejtë një prokurori, mbyllur atje të dy bashkë në një zyrë, për të pezulluar një ministër apo kur një gjykatës apeli i jep të drejtë vetes që ‘’t’ia kërcasë kokës‘’ dyfish dënimin atij që shkon e ankohet në Gjykatën e apelit për të marrë dënim më të lehtë. Këto janë rekorde prej Guinness, këto nuk kanë ndodhur ndonjëherë.

Tani, për ta mbyllur se nuk rri dot pa e sjellë këtu dhe një fakt tjetër, në një bisedë para jo shumë ditësh, me disa nga shokët e grupit, s’kishte asnjë shoqe çuditërisht, mu tha troç se unë duhet të ndihem përgjegjës për reformën në drejtësi. Copë.

Natyrisht, jo vetëm unë, se ka dhe ndonjë tjetër këtu që duhet të ndihet përgjegjës, po aty mu tha mua copë. Sepse jam unë fajtori kryesor që kjo reformë ka prodhuar këto efektet e dëmshme anësore. Jam i bindur që, jo vetëm ata, po do të ketë plot këtu, që mendojnë njësoj si ata dhe që edhe si disa ish-mbështetës të flaktë të reformës në drejtësi në mexhlisin mediatik, i përmbledhin të gjitha këto në një fjalë që unë as e kam thënë dhe as do ta them ndonjëherë, dështim.

Tani, unë e mirëkuptoj zhgënjimin, jo dhe aq të shokëve që e kanë votuar reformën apo kanë punuar për të sepse ta quash dështim reformën në drejtësi nga pozita e mbështetësit të dikurshëm mediatik të saj, je në të drejtën dhe mbase dhe në detyrën tënde për të vënë alarmin, sipas perceptimit tënd.

Por ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues dhe miratues të saj, do të thotë të mos shohësh më larg ditës së sotme, të mos llogarisësh përtej kostove aktuale dhe të mos vlerësosh më shumë sesa komoditetin tënd.

Ndërkohë që, unë kam qenë dhe mbetem kokëfortë në mbrojtjen e bindjeve të mia, jam gjithnjë e më pak rezistent ndaj mundësisë që ta kem gabim, por jam i interesuar të kuptoj kur kam gabuar, ku kam gabuar, që do të thotë s’e kam problem të pranoj gabime. Kjo është provë e sigurtë që nuk jam më i ri, por sinqerisht që, jo vetëm nuk gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar dhe aspak për kokëfortësi po e them prapë këtu, pas gjithë këtyre që thashë, 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do zgjidhja reformën në drejtësi me të gjitha të mirat e të këqijat e ardhura prej saj, krahasimisht me alternativën, atë batakun e llahtarshëm, pa asnjë dritë të ardhmeje, pa asnjë shans për të marrë respektin e askujt dhe pa asnjë mundësi për tu ndjerë i respektuar në rast se largqoftë, rruga të çonte nga ajo derë.

Nuk i hedh unë poshtë shqetësimet që ndan me mua shokët në fjalë apo gjithçka që ju ndani mes jush për problematikën e mprehtë të këtyre efekteve anësorë në jetësimin e pavarësisë së drejtësisë, ashtu sikundër unë e respektoj shumë për të hir të së vërtetës, edhe pse nuk e ndaj opinionin e atyre që janë thellësisht të zhgënjyer dhe që e thonë publikisht nëpër media si aktorë mediatikë, por ka një gjë, nëse të gjithë të tjerët munden vetëm të konstatojnë duke shkuar nga ekstremi i hosanave për drejtësinë që vret dhe pret e gjyq e pa gjyq; me prova, pa prova; me të drejtë, pa të drejtë, nuk ka asnjë rëndësi sepse rëndësi ka ‘’të vriten e të priten sa më shumë njerëz’’ tek ekstremi i deklarimit të dështimit të reformës në drejtësi, detyra jonë është të udhëheqim duke qeverisur sa më mirë çdo ditë, pa u ndikuar në këtë proces nga hyrje-daljet e drejtësisë në territorin që Kushtetuta na e ka njohur si hapësirë të pavarësisë sonë, si dhe duke reformuar dhe përmirësuar më tej kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë, pa harruar ama asnjë çast se konteksti krejt i ri historik i negociatave të anëtarësimit, na detyron të mbajmë pesha gjithnjë e me të mëdha në aspektin e përafrimit të ligjeve tona me ato të BE, por edhe na jep mundësinë që të përfitojmë nga eksperienca dhe ekspertiza më e kualifikuar në çdo fushë të interesit tonë dhe sidomos në fushën e shtetit të së drejtës.

Kush në radhët tona mendon sot se reforma në drejtësi ka dështuar sepse dje ka menduar se ajo do zbatohej pa gjak, pa lot, pa djersë në radhë të parë brenda familjes tonë politike, duhet ta gjejë të vetja fajin që ka qenë dritëshkurtër dhe kujt është duke menduar se unë po i them këto fjalë pa i besuar as vet apo se “kështu i do drutë mushka e Europës”, iu them kthehuni tek fjalët e mia shumë herë më parë për drejtësinë, para miratimit, gjatë miratimit dhe pas miratimit të reformës dhe pa filluar fare ky përshkallëzimi i pritshëm i viteve të fundit.

E kam thënë dhe herë të tjera unë, që nga të gjitha reformat që bën politika, kjo e drejtësisë kur është e vërtetë është më e renda sepse lidhet drejtpërdrejt me lëkurën e politikës. Prandaj nuk u bë kurrë një reformë e vërtetë në drejtësi dhe prandaj nuk pati kurrë drejtësi në Shqipëri dhe prandaj as kurrë asnjëherë nuk e panë shqiptarët një njeri me pushtet të shkonte para drejtësisë qysh nga viti 1912, deri kur ne së bashku, unë me ju, vendosëm të bëjmë reformën e vërtetë duke i hyrë detit në këmbë dhe e bëmë. E bëmë sepse ose e bënim në këtu ose se bënte dot askush tjetër. Njësoj si Shqipërinë 2030 në BE, ose e bëjmë ne ose askush tjetër se bën dot.

Shikojini vet rreth e rrotull, që nga hunjtë e vjetër dhe të thyer që juve që shkoni e hyni nëpër zyrat e Kuvendit i takoni përditë korridoreve, tek filizat e rinj e të shtrembër që i keni nga ana tjetër e bulevardit poshtë dritares time e deri tek ballisti Agron dhe komunisti Arlind që i mbajnë sytë të gjithë tek stacioni i trenit duke pritur që SPAK t’i hapë rrugën njërit për kotecin e pulave qyl e tjetrit për kasollen e Galigatit me yll.

Unë nuk dua ta relavizoj problematiken e mprehtë, shumë të mprehtë të efekteve anësore të reformës në drejtësi, përkundrazi, por dua që të sigurohem se të gjithë ne këtu do ta mbajmë shumë fort parasysh beben përpara sesa të derdhim ujin e pistë, që do ta derdhim sepse reforma në drejtësi është një investim strategjik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për një ndryshim të pakthyeshëm historik me plot kuptimin e fjalës si pavarësimi i drejtësisë dhe çdo diskutim, reflektim apo vendim i yni si ligjvënës që zotërojmë, jo rastësisht. Thonë që kur populli zgjedh, populli ndjen dhe është ajo që populli ndjen që shtyn rezultatin në drejtime ta caktuara që nganjëherë befasojnë të gjithë ata që i shikojnë gjërat nga lart dhe jo nga poshtë siç i sheh njeriu i zakonshëm.

Ne si zotërues të kësaj shumice të cilësuar në lidhje me sistemin e drejtësisë duhet të udhëhiqemi nga kjo e vërtetë e madhe dhe duhet t’i shërbejmë vetëm kësaj të vërtete të madhe. Drejtësia e pavarur është investimi më i madh i Partisë Socialiste për të gjithë brezat që vijnë. Asnjë hap mbrapa.

Pavarësia e gjyqësorit nuk preket, vetëm forcohet.

SPAK nuk preket, vetëm mbështetet. Hapa përpara po, pa asnjë diskutim.

Politika penale, procedurat penale, garancitë juridike për nëpunësit civil, dënimet alternative, rivijëzimi i kufijve mes çështjeve penale dhe atyre administrative që janë bërë si ato vizat e bardha që kanë vetëm namin, por jo nishanin dhe natyrisht në radhën më të parë ngritja e piedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë, jo vetëm si një parim universal i lirisë dhe të drejtave të njeriut në një rend demokratik, por edhe si një domosdoshmëri shoqërore për një vend si yni i cili ka dalë nga një traumë dehumanizimi si ajo e diktaturës së prokurorëve dhe gjykatësve të kohës së komunizmit pasojat e të cilës luajnë ende sot rolin e tyre dhe në jetën e sotme institucionale të vendit, janë çështjet tona në radhë të parë. Janë përgjegjësia jonë!

Ata 58% shqiptarë dhe shqiptare që rrinë nëpër burgje pa gjyq janë çështja jonë dhe janë përgjegjësia jonë. Ai numër rrëqethës që e vendos Shqipërinë të parafundit gjysmë hapi para Rusisë për raportin mes dënimeve dhe pafajësimeve është çështja jonë, është përgjegjësia jonë dhe këto nuk na i merr dot askush. Këto nuk ia delegojmë dot askujt dhe për këto duhet t’i përgjigjemi ne në radhë të parë gjithkujt.

Është një tematikë e vetëvendosur në rendin tonë në ditës. Prandaj jemi angazhuar si fillim me ministritë e Drejtësisë së Italisë dhe të Francës. Na kanë vënë në dispozicion një rrjet ekspertesh më të mirët që ata kanë në fushën e politikë penale dhe të proceduarve penale me Këshillin e Europës që po ashtu na ka vënë në dispozicion ekspertët e vetë për të hartuar një dokument ndryshimesh lidhur me procedurat penale të cilën natyrisht do ta konsultojmë edhe me Komisionin Europian.

Edhe draftin e ri të Kodit Penal, një punë kolosale e një grupi ekspertësh të pavarur nën udhëheqjen e drejtorit të shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi pasi u reflektua prej grupit edhe një lumë vërejtjesh të nxjerra nga konsultimi publik, e kemi ndarë së bashku me ata që thashë, me mbështetjen e këtyre mistrive si dhe qeverisë së Holandës, e cila na ka vënë bujarisht një ekspert me shumë përvojë.

Prandaj, të qëndrojmë te fokusi, të përqendrohemi më shumë se asnjëherë tjetër tek punët tona dhe si përfundim propozoj që marsin dhe nëntorin ne t’i bëjmë dy muaj të familjes sonë së madhe socialiste që të rikthehemi tërësisht aty ku e kemi dhe burimin e fuqisë sonë për të hapur një odë të dialogut të brendshëm me anëtarët e më simpatizantët tanë për gjithçka që ne duam të ndajmë me ta dhe për gjithçka ata duan të ndajmë me ne.

Faleminderit shumë për durimin!

Uroj dhe shpresoj që zgjatja e zakonshme e fjalës të mos ketë sjellë mërzi tek asnjeri prej jush.

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në mbledhjen e Grupit të PS