Albatros Rexhaj – JavaNews.al

Beqir Balluku, një tavolinë dhe pesëdhjetë vjet frikë
Për më shumë se gjysmë shekulli, tavolina e Beqir Ballukut qëndroi larg zyrës së ministrit të Mbrojtjes. Diktatura kishte rënë, por frika që e kishte larguar tavolinën kishte mbijetuar. Derisa Ermal Nufi e gjeti në një korridor.

Nga Albatros Rexhaj

Në një korridor të Ministrisë së Mbrojtjes, mes sendeve që kishin humbur prej kohësh vlerën në sytë e atyre që vendosnin për fatin e tyre, ndodhej një tavolinë e madhe prej druri të errët. Me këmbë të gdhendura, zbukurime të punuara me dorë dhe një shqiponjë dykrenore në ballë. Një mobilie që, edhe pa ia njohur historinë, e kuptoje se nuk ishte bërë për ndonjë zyrë të zakonshme.

Ishte lënë aty për t’u hedhur.

Ermal Nufi, ministri i Mbrojtjes, e pa rastësisht. I tërhoqi vëmendjen punimi, materiali, përmasat. Pyeti për të.

Mbi të kishin punuar dikur ministrat shqiptarë të Mbrojtjes. I fundit që e kishte përdorur ishte Beqir Balluku. Pas arrestimit dhe ekzekutimit të tij, tavolina ishte larguar nga zyra. Për dekada të tëra kishte mbetur nëpër ambiente të tjera të Ministrisë, derisa përfundoi në atë korridor.

Arsyeja e largimit, siç ma tregoi vetë ministri pas një interviste që bëra me të, kishte qenë supersticioni. Ministrat që erdhën pas Ballukut nuk donin të uleshin në tavolinën e një njeriu që kishte përfunduar përpara skuadrës së pushkatimit.

Duket si histori folklorike, nga ato që qarkullojnë nëpër institucione dhe që njerëzit i përcjellin me buzëqeshje. Deri kur pyet kush ishte Beqir Balluku.

Kishte qenë ministër i Mbrojtjes për më shumë se dy dekada. Ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, pjesë e sistemit që kishte ndihmuar të ndërtohej dhe e mekanizmave të tij të dhunës. Nuk ishte një i pafajshëm i humbur rastësisht në oborrin e diktaturës.

Balluku gëzonte respekt në ushtri. Autoriteti i tij mbështetej edhe te marrëdhënia me oficerët, te përvoja dhe njohja e strukturave ushtarake.

Në fillim të viteve shtatëdhjetë, drejtues të ushtrisë shqiptare u përfshinë në hartimin e një koncepti mbrojtës që i jepte më shumë rëndësi manovrës dhe lëvizshmërisë, në vend të mbështetjes së ngurtë te pozicionet mbrojtëse. Ishte një përpjekje për të futur mendim profesional në një doktrinë që përcaktohej, para së gjithash, nga vullneti politik i Enver Hoxhës.

Dokumentet hynë në histori me emrin Tezat e Zeza.

Unë besoj se këtu duhet kërkuar një pjesë e shpjegimit për fatin e Ballukut.

Një ushtri që modernizohet ia rrit prestigjin atij që e drejton. Dhe prestigji që lind nga respekti i ushtarakëve është një lloj autoriteti që diktatori nuk e kontrollon dot plotësisht. Mund të emërosh një ministër, mund ta shkarkosh, por nuk mund t’i urdhërosh njerëzit se kë duhet të respektojnë.

Për Enver Hoxhën, një ministër i tillë mund të kthehej në kërcënim edhe pa pasur asnjë plan për ta rrëzuar.

Në verën e vitit 1974 Balluku u godit politikisht. Në dhjetor u arrestua. Më 5 nëntor 1975 u ekzekutua bashkë me Petrit Dumen dhe Hito Çakon, të akuzuar për një komplot ushtarak për të cilin nuk janë paraqitur prova bindëse.

Pastaj erdhi radha e kujtimit të tyre.

Diktaturat kanë një marrëdhënie të veçantë me kujtesën. Pasi e largojnë njeriun, duan ta largojnë edhe nga historia, nga fotografitë, nga muret, nga bisedat. E, ndonjëherë, edhe nga sendet që ka përdorur.

Tavolina e Ballukut mbeti pa të zot.

Largimi i saj nuk e ndryshoi fatin e njerëzve që trashëguan postin.

Mehmet Shehu, që mori Ministrinë e Mbrojtjes pas Ballukut, u gjet i vdekur në dhjetor 1981 dhe u shpall armik i partisë. Kadri Hazbiu, që e pasoi Shehun në atë ministri, u arrestua dhe u pushkatua në shtator 1983.

Dy njerëz të tjerë, me pushtet të jashtëzakonshëm, të përpirë nga i njëjti sistem të cilit i kishin shërbyer.

Fati nuk ishte i fshehur në dru.

Enver Hoxha vdiq. Diktatura ra. Shqipëria u bë republikë pluraliste, ndryshoi aleancat dhe hyri në NATO. Në zyrën e ministrit të Mbrojtjes u ulën njerëz të tjerë, të ardhur nga parti dhe breza të ndryshëm.

Tavolina vazhdoi të mbetej jashtë.

Nuk e dimë nëse secili prej tyre e njihte historinë, as sa prej tyre besonin vërtet në tersin e saj. Por një vendim i lindur në atmosferën e frikës së diktaturës kishte mbijetuar pa pasur më nevojë për diktatorin.

Kështu trashëgohet frika, në heshtje. Pushon së kërkuari shpjegime dhe kthehet në zakon. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë diçka sepse kështu e kanë gjetur, derisa një ditë askush nuk e mban mend përse.

Kur dëgjoi historinë e tavolinës, Ermal Nufi e ndaloi hedhjen e saj. Kërkoi vetëm ta pastronin, pa restaurime që do t’ia fshinin shenjat e kohës, dhe ta kthenin në zyrën e ministrit.

Bashkë me zyrën, një ministër trashëgon edhe historinë e institucionit, me arritjet, gabimet, padrejtësitë dhe krimet që kanë ndodhur në emër të tij. Nuk ka detyrimin t’i mbrojë paraardhësit. Ka detyrimin të mos i fshijë nga historia.

Beqir Balluku mbetet me përgjegjësitë që kishte si pjesë e regjimit. Tavolina e kthyer thotë vetëm se ai ka qenë aty, dhe se fundi i tij ka pushuar së qeni arsye për ta fshehur.

Sot tavolina është përsëri në zyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Mbi të ka kompjuterë, telefona, dokumente dhe sende të zakonshme pune. Në njërën anë qëndrojnë flamuri shqiptar, ai i NATO-s dhe flamuri i Bashkimit Evropian.

Në ballë ka të njëjtën shqiponjë dykrenore që kishte edhe kur mbi të punonte Beqir Balluku.

Vëllai i Vuçiçit që i duhet opozitës
Nga Albatros Rexhaj

Të mërkurën në mbrëmje Aleksandar Vuçiqi e quajti Edi Ramën “një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë”. Të enjten, në rrjete sociale, në ekrane televizive, deri te Opinioni i Fevzos, Rama ishte zari i Vuçiqit. Brenda një nate një fjali e presidentit serb u bë certifikatë pronësie mbi kryeministrin shqiptar, dhe askush nuk pyeti që kur Beogradi lëshon certifikata të tilla. Në Tiranë, me sa duket, noterët punojnë natën.

Dy ditë më herët i njëjti Vuçiq, në të njëjtën fushatë, e kishte sulmuar edhe një herë aleancën Zagreb, Tiranë, Prishtinë si kërcënim për Serbinë. Deklaratën e mbrojtjes me Kosovën dhe Kroacinë e nënshkruan ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve, në Tiranë, më 18 mars 2025. Ministri i Ramës, me mandatin e Ramës. Albin Kurti e kishte kërkuar me vite. Rama e bëri dhe e mban, me gjithë sherrin mes tyre. Vuçiqi e bërtet në çdo tubim. Këtë deklaratë Tirana nuk e dëgjoi. Dëgjoi vetëm tjetrën.

Kështu që pyetja u takon atyre që e quajnë vëlla: nëse Rama është njeriu i Vuçiqit, kush e dërgoi ministrin të nënshkruante marrëveshjen që Vuçiqi e quan rrezik për Serbinë? Dhe pse nga dy deklarata të të njëjtit njeri brenda një jave, zgjodhët pikërisht atë që i duhej atij?

Sepse Vuçiqit i duhej. Ka zgjedhje të dielën. Në intervistën e fundit të fushatës, për Sputnik, e paraqiti veten si njeriun që Perëndimi do ta rrëzojë dhe Serbinë si shtet që duhet mbrojtur. Në atë tregim çdo fqinj ka rolin e vet. Rama e ka dyfish: të hënën kreu i aleancës armike, për votuesin serb; të mërkurën pasuria e Shqipërisë, për rrjetet shqiptare. Njëri publik mori frikën, tjetri mori zarin. Vuçiqi nuk pagoi asgjë për asnjërën. Ka tregtarë që një mall e shesin dy herë. Ai e shet dy herë dhe e mban.

Dhe shikoni çfarë e kritikoi. Rama “gaboi” se u mundua t’i qetësojë protestuesit. “Humbi kohë”. Kjo është kritika e një njeriu që studentët e vet i urren. Kur në Serbi dolën studentët, paqësorë, pa gurë dhe pa maska, Vuçiqi nxori policinë, pastaj nxori të tjerët, njerëz pa uniformë që rrihnin para kamerave ndërsa policia shikonte. Rama duroi gjithë verën sharje në shesh, në parlament, para shtëpisë, dhe policia qëndroi në vend. Kur në tetor dolën falangat e maskuara dhe nisën të djegin qytetin, policia doli me ujë dhe gaz. Legjenda thotë se Rama është kapo bandash. Një javë më parë e pyeta këtu ku i ka. Tirana u dogj tri net dhe bandat nuk u dukën, sepse nuk ka. Ai që i ka, i nxori në Beograd natën e parë. Para të rinjve që dolën në rrugë Rama nxori Besën, Praninë Besnike, pasqyrën e Flamingos dhe atë të çmimeve. Mund të qeshni me emrat. Për Vuçiqin kjo është dobësia që e quajti gabim. Nuk e kritikoi Ramën pse është si ai. E kritikoi pse nuk është.

Në nëntor 2014 Rama shkoi në Beograd, i pari kryeministër shqiptar pas gjashtëdhjetë e tetë vjetësh, në kohën kur edhe aleatët tanë i peshonin fjalët se mos lëndonin Serbinë. U ul krah Vuçiqit, para kamerave të tyre, dhe e tha troç: pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Serbia duhet ta njohë. Vuçiqi shpërtheu aty për aty, para gjithë Serbisë, dhe ajo mbrëmje është ende në internet për këdo që e ka harruar. Asnjë shqiptar tjetër nuk e ka kërkuar njohjen e Kosovës në mes të Beogradit. Unë e di sa peshon ajo fjali e thënë atje; jam rritur në anën tjetër të saj. Në mars të këtij viti Rama e tha fjalinë që Beogradi e dëgjon më shumë se çdo marrëveshje: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë; nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është. Më 14 korrik, në një televizion serb, e shtynë të fliste kundër Kurtit. Tha: mos më kërkoni të them në gjuhë të huaj gjëra për Albin Kurtin dhe për vëllezërit e motrat e mia në Kosovë. Më 11 tetor, pasi Daçiqi premtoi flamurin serb mbi Prizren, Ferit Hoxha e përmendi Banjskën me emër dhe e përsëriti të njëjtën fjali në emër të Ramës. Dymbëdhjetë vjet e njëjta fjali. Dhe këto të sivjetmet janë thënë të gjitha pas 18 marsit 2025. Janë dëshmia se Rama e merr deklaratën me Kosovën dhe Kroacinë seriozisht, deri në fund, dhe se Beogradi e di. Vëllai i Vuçiqit?

Dhe nuk mbeti te fjalët. Shqipëria është në investimin më të madh në mbrojtje që nga rënia e komunizmit: baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Pashalimani që po hapet për flotën aleate, dronët, fabrikat e industrisë ushtarake, buxheti i mbrojtjes në rritje nga viti në vit. Këtë e bën qeveria e Ramës, dhe pas 18 marsit 2025 e bën bashkë me Prishtinën dhe Zagrebin. Me paratë e kujt dhe kundër kujt?

Do të dalë dikush me Ballkanin e Hapur. Flasin për të njerëz që nuk dinë asgjë nga prapaskenat, dhe njerëz që i dinë dhe i heshtin. Ballkani i Hapur nuk u lind në Tiranë. Ishte Gjermania e Merkelit ajo që kërkoi me çdo kusht që shqiptarët dhe serbët të fillonin të flisnin, ishte Merkeli ajo që e shpalli Serbinë lokomotivën e rajonit, ishte Berlini ai që diktoi kushtet dhe ritmin, dhe ishte Uashingtoni ai që insistoi në të. Shqipëria e atyre viteve ishte e varfër, pa zë, dhe nuk kishte ku të zgjidhte. Berlini as që e mendonte se ky vend do të dilte më i fortë nga tërmeti dhe nga Covidi, dhe se një ditë kryeministri i tij, me një mesazh të shkurtër në televizion, do të tërhiqej. Rama nuk u tërhoq sepse ndërroi mendje. U tërhoq sepse Shqipëria tani mund ta mbante Ballkanin hapur edhe pa Serbinë. Kushdo që e njeh e di sa kokëmushkë është dhe se nuk e bind kush për asgjë. Vendimi ishte i tij, dhe ishte shenjë fuqie.

Deri këtu Rama dhe Vuçiqi nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. Njëri e kërkoi njohjen e Kosovës në Beograd, tjetri e quan tradhti. Njëri nënshkroi mbrojtjen me Prishtinën, tjetri e quan kërcënim. Njëri duroi një verë sharjesh, tjetri nxori bandat natën e parë.

Dhe më komikja: zhurma më e madhe për “vëllain e Vuçiqit” vjen nga Partia Demokratike, partia që po lufton në Kushtetuese për ta vrarë marrëveshjen prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për armë. Ata që duan t’i vrasin armët amerikane e quajnë Ramën njeriun e Beogradit. Turp më të madh nuk kam parë.

Rama ka zgjedhur të heshtë. Shkullakut, Bushatit, Këlliçit, Xhixos dhe armatës së trollave marksistë në rrjete sociale nuk u detyrohet asgjë, dhe e sheh si më të dinjitetshme të mos ulet në atë nivel. E kuptoj. Është zgjedhja e një njeriu që e di se çfarë ka bërë dhe nuk ka nevojë t’ia shpjegojë askujt. Në vendin e tij do të bëja njësoj. Prandaj po e shkruaj unë.

Por heshtja ka një kosto, dhe kostoja është e lartë. Përballë nuk ka njerëz që lexojnë fakte. Ka zhurmaxhinj që nuk i shikojnë, dhe fjalia e Vuçiqit, e përsëritur çdo natë, arrin tek ata që nuk e dëgjojnë më Ramën: tek ata me maska, që janë gati ta çojnë këtë deri në fund. Për ta “vëllai i Vuçiqit” nuk është polemikë televizive. Është leje. Dhe arrin edhe më larg, tek shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë, në Luginë, në Maqedoni, në Mal të Zi, që te Shqipëria shohin shpresën për ditët më të vështira. Atyre kjo tezë u helmon të vetmen gjë që kanë rezervë. Nëse Tirana është e Beogradit, ku të kthehen kur Daçiqi të vijë për flamurin? Unë jam njëri prej tyre, lindur në Prizren, në të njëjtin qytet me Daçiqin. Dhe sa më gjatë që kryeministri i vërtetë hesht me dinjitet, aq më shumë flet ai i Vuçiqit pa të.

Beogradit i duhet Shqipëria e përçarë, për ditën kur diçka fillon në veri të Kosovës. Vuçiqi e di se nuk e lëviz dot Ramën nga marrëveshja dhe nga Kosova. Prandaj nuk e provoi. Provoi të na lëvizte ne. Dhe ne lëvizëm, dy ditë rresht, pa pyetur kush po na shtyn.

Kur të hyjnë në shtëpi, çfarë bëni ju?
Nga Albatros Rexhaj

Grida Duma i bëri Blendi Klosit një pyetje të hënën në mbrëmje, dhe pyetja ia vlen të ndalemi te ajo më shumë se te përgjigjja. Si guxuat, i tha. Si guxuat të dilni të mbroni selinë.

Jo si guxuan ata që erdhën të maskuar. Jo kush i dërgoi, kush i pagoi, kush u tha se selia e një partie është objektiv si çdo tjetër. Pyetja e parë e një moderatoreje, një ditë pas tentativës për të hyrë me forcë në selinë e Partisë Socialiste, ishte për sjelljen e atyre që ishin brenda.

Klosi, i shkreti, u mbrojt si i akuzuar. Po çfarë të bënim ne? Dhe ajo vazhdoi: kjo çon në përplasje civile, duhej të kishit thirrur policinë. Një rafal fjalish me nerv, që në studio tingëllon si mendim. Kur e ndalon dhe e lexon ngadalë, nuk mbetet asgjë.

Ta marrim ashtu siç është. Të vijnë në shtëpi njerëz me fytyrë të mbuluar. Ti i ke parë një javë duke djegur, duke thyer, duke vjedhur, duke rrahur këdo që nuk e njohin si të tyrin. Tani janë te dera jote. Çfarë bën? Sipas Gridës, thërret policinë dhe pret. Nëse policia vjen vonë, pret. Nëse nuk vjen, pret prapë. Dhe nëse del te dera, nuk je më i sulmuari. Je provokatori.

Kjo nuk është vetëm pyetja e një moderatoreje. Është gjendja e Tiranës. Kemi mbërritur në pikën ku njerëzit që mbrojnë derën e tyre gjykohen më ashpër se njerëzit që përpiqen ta thyejnë.

Selia e PS-së është shtëpia e socialistëve. Aty punojnë, aty mblidhen, aty i kanë letrat dhe kujtimet e tridhjetë vjetëve. Njerëzit e shtëpisë e panë turmën që po afrohej, panë sulmin që nisi, dhe atëherë dolën para derës. Nuk shkuan askund, nuk hynë në asnjë shtëpi tjetër. Qëndruan te pragu i tyre. Vetëmbrojtja brenda pragut dhe oborrit është e drejtë që ta jep Zoti dhe ta jep ligji, me të njëjtin zë. Ata djem që dolën, hallall qumështin e nënës. Bënë atë që duhej bërë, aty ku duhej bërë.

Pse pra këtë të drejtë një pjesë e Tiranës e sheh si arrogancë?

Shiko se ku shkoi vëmendja këtë javë dhe ku nuk shkoi. Dyqanet e grabitura, makinat e djegura, xhamat e thyer, prona publike e shkatërruar nga e hëna deri të dielën. Fëmijët me maska gazi që dikush i nxori nga shtëpia dhe i vuri në rresht të parë përballë policisë. Për këto, asnjë fjalë. Për socialistët që dolën te dera e tyre, një emision i tërë. Një javë dhune mori më pak kritikë se një mbrëmje mbrojtjeje. Heshtja për dyqanin dhe për fëmijën nuk është neutralitet. Është miratim. Dhe miratimi të bën pjesë të së gjithë gjësë.

Top Channel e meriton një fjalë më vete. Prej vitesh na shitet si televizioni i Ramës, dhe nën këtë fasadë ka kaluar krizat e veta, nga pronësia e trashëgimisë te frekuencat, që një televizion tjetër nuk do t’i kishte mbijetuar. Këtë javë tregoi se çfarë është me të vërtetë: vendi ku sulmi quhet protestë dhe mbrojtja quhet përplasje civile.

Edhe partitë e tjera kanë heshtur. Dhe heshtja e tyre peshon më shumë se ajo e studiove, sepse ato pretendojnë ta qeverisin këtë vend. Opozita flet çdo ditë për rend dhe ligj. Një parti opozitare nuk ka pse ta mbrojë Partinë Socialiste. Por një parti që kërkon të qeverisë një shtet ka arsye parimore të mbrojë të drejtën e çdo partie tjetër që të ekzistojë pa dhunë. Selia e një partie është selia e të gjitha partive.

Në Tiranë qarkullon prej ditësh një informacion që askush nuk e ka mohuar: falangat e maskuara kanë bërë lista. Emra njerëzish që i shohin si të rrezikshëm për kauzën e tyre, që duhen sulmuar, dhe sipas disave, vrarë. Nuk e di nëse lista ekziston në letër. E di se ekziston në mendje, se e kemi parë në veprim gjithë javën. Ata që bëjnë lista nuk ndalen te e para. Dhe një ditë, në njërën prej tyre, do të jenë edhe Grida, edhe Top Channel, edhe PD-ja. Turmat e maskuara nuk mbajnë mend kush i mbrojti në studio.

Dhe në fund Edi Rama, se paradoksi më i madh është i tij.

Një kryeministër që kundërshtarët e kanë quajtur diktator dhe kryemafioz çdo ditë, dhe që nga ky cunam propagande është kompleksuar aq sa heziton të thotë edhe fjalën më të thjeshtë: djemtë e mi bënë mirë. Ata bënë atë që ai nuk po ka guxim ta bëjë. Mbrojtën shtëpinë. Ai ka frikë se nëse e thotë, konfirmon etiketën. Dhe kështu frika për t’u dukur autoritar e bën të heshtë pikërisht aty ku duhet mbrojtur autoriteti i ligjit. Diktator i leshit.

Një javë e tërë, dhe të vetmit që u detyruan të japin llogari para kamerës ishin ata që qëndruan te dera e tyre. Të tjerët, kur t’u vijë radha, do ta gjejnë derën e tyre të hapur. E hapën vetë, të hënën në mbrëmje, në studio.

politikashqiptare.com

Ku i ke bandat, Edi Rama?
Nga Albatros Rexhaj

I dashur Edi Rama,

Po filloj të dyshoj se na kanë gënjyer për ty. Jo ata që të mbrojnë, por ata që prej vitesh na tregojnë se kush je. Nëse u besoj, ti ke nën komandë të gjitha bandat e Shqipërisë, i kontrollon mediat deri te kronika e motit dhe ke ngritur një diktaturë ku njerëzit kanë frikë të hapin gojën. Unë, si njeri që i marr seriozisht akuzat, kam pritur të shoh të paktën ndonjë provë të këtij pushteti të tmerrshëm.

Tirana po digjet, Edi Rama, kurse ti nuk po bën asgjë.

Ku i ke bandat, o burrë?

Na kanë thënë se nuk ka lagje ku nuk sundojnë njerëzit e tu, se i ke në dispozicion sa herë të duhen dhe se me një telefonatë mund të mobilizosh gjysmën e botës së krimit. E tani, kur në mes të kryeqytetit dalin njerëz që hedhin molotovë mbi institucione, thyejnë e shkatërrojnë, askush nuk del t’ua qërojë hesapet. Nuk po të kërkoj t’i nxjerrësh, por të paktën na trego ku janë, se edhe ne duam të dimë çfarë ndodhi me gjithë atë ushtri që na kanë thënë se ke në dispozicion.

Pastaj janë mediat.

Këtu zhgënjimi im është edhe më i madh. Unë e kisha besuar se nuk ka televizion që merr frymë pa lejen tënde. Se pronarët, drejtorët, gazetarët dhe analistët i ke rreshtuar si ushtarë dhe ua dikton edhe mendimet. Por prej disa ditësh, sa herë ndez televizorin, dëgjoj njerëz që të shajnë, të mallkojnë, kërkojnë largimin tënd dhe, për ta bërë më interesante, gjejnë justifikime edhe për ata që po i vënë flakën qytetit.

Dikush thotë se popullit nuk po i mban më pilafi. Një tjetër se je arrogant dhe njerëzit nuk kanë rrugë tjetër. Dëgjoj të flitet për shkatërrimin e institucioneve me një mirëkuptim që nuk e gjen as për njeriun që vonon të paguajë faturën e dritave.

Dhe nuk po gjej dot një prezantues që t’i thotë të ftuarit se urrejtja ndaj një kryeministri është e drejtë e tij, por djegia e pronës së tjetrit nuk është qëndrim që televizioni e mbështet.

Ti, që i kontrollon të gjitha këto media, a nuk ke mundësi të kontrollosh të paktën një fjali?

Me diktaturën tënde punët janë edhe më të çuditshme. Në diktaturat që njoh unë njerëzit kanë frikë nga policia. Në Shqipëri, përkundrazi, polici duhet të ketë frikë nga të gjithë. Nga ai që i hedh gurin, nga ai që e filmon kur përpiqet ta arrestojë dhe nga analisti që, pasi e ka parë skenën nga kolltuku, del në televizor për të shpjeguar se polici e ka tepruar.

Po të ishte polici aq i zgjuar sa analisti, ndoshta do ta priste molotovin me duar dhe do ta kthente mbrapsht me një buzëqeshje.

Nuk po të them se Shqipëria nuk ka probleme. Ka korrupsion, padrejtësi, varfëri dhe institucione që shumë herë sillen sikur qytetarit po i bëjnë nder që ekzistojnë. Ti ke qeverisur mjaftueshëm për të mos ia lënë të gjitha fajet historisë. Por ke nisur edhe një rrugë që, po të përfundojë siç duhet, do ta detyrojë këtë vend të ndryshojë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një flamur tjetër mbi ndërtesat e shtetit. Është detyrimi që ligji të zbatohet edhe kur nuk i pëlqen kryeministrit, opozitës, biznesmenit apo gazetarit.

Plagët e Enverit nuk na u shëruan me rrëzimin e bustit të tij. Saliu na la mjaft plagë të tjera, disa prej të cilave vazhdojmë t’i mbajmë si të ishin medalje. Nuk e di sa kohë do të duhet të çlirohemi nga kjo trashëgimi, por e di se nuk mund të bëhemi Evropë duke kërkuar ligj për kundërshtarin dhe përjashtim për veten.

Ka diçka te ne që më habit prej kohësh.

Shkojmë në Vjenë, admirojmë pastërtinë dhe rregullin, bëjmë fotografi në rrugë ku askush nuk guxon të hedhë as një bisht cigareje, pastaj kthehemi në Shqipëri dhe e trajtojmë çdo rregull si fyerje personale. Na pëlqen policia gjermane sepse nuk bën kompromis me ligjin, ndërsa policin tonë e quajmë kriminel sa herë guxon të prekë dikë që nuk pranon t’i bindet.

Na mahnitin kullat e Dubait dhe ndërtesat e qyteteve evropiane. Përpara tyre bëjmë selfie, i tregojmë në rrjete sociale dhe ankohemi se Shqipëria është ende në mesjetë. Kur ndërtohet diçka në Tiranë, fillojmë të vajtojmë për qytetin që po ndryshon. Natyrisht, ka ndërtime që duhen kundërshtuar, ka beton që ka zënë vendin e gjelbërimit dhe ka leje që meritojnë hetim. Por te ne shpesh nuk ka rëndësi çfarë ndërtohet. Rëndësi ka kush e ndërton dhe cilën parti urrejmë atë ditë.

Edhe me turistët e kemi një marrëdhënie të çuditshme. Kur shkojmë jashtë dhe shpenzojmë paratë tona, jemi qytetarë të botës. Kur vijnë të huajt e shpenzojnë paratë e tyre këtu, dëgjojmë njerëz që flasin sikur Shqipërisë po i bëhet ndonjë padrejtësi.

Por askush nuk ma ka shpjeguar ende një fenomen tjetër shqiptar.

Si ka mundësi që njerëzit më të zëshëm për hallet e fukarenjve janë kaq shpesh ata që jetojnë mes një luksi që fukaraja nuk mund as ta imagjinojë?

Blogerë, personazhe televizive, këngëtarë, njerëz që kanë bërë miliona, me vila, makina të shtrenjta dhe pushime që kushtojnë sa paga disa vjeçare e një mësuesi, dalin para kamerave dhe na shpjegojnë se sa shumë u dhemb shpirti për të varfrit. Nuk kam asgjë kundër pasurisë. Përkundrazi, do të doja që shqiptarët të pasuroheshin sa më shumë. Por do të doja të dija edhe sa prej këtyre milionave janë deklaruar, sa taksa janë paguar dhe si ka mundësi që disa njerëz që nuk kanë pasur kurrë ndonjë biznes të njohur jetojnë sikur të zotëronin gjysmën e ekonomisë.

Pastaj janë analistët. Këta që çdo natë qortojnë qeverinë për mungesë transparence, ndërsa për të ardhurat e tyre duhet të besojmë në Zot. Flasin për moralin, për drejtësinë, për të varfrit dhe për të ardhmen e vendit, por nuk është e vështirë të dallosh se disa prej tyre e trajtojnë ekranin si zyrë ndërmjetësimi për favore, tenderë dhe punë shteti.

Sa do të doja që një ditë dikush t’i pyeste nga u vijnë paratë. Jo ti, Edi Rama. Institucionet që duhet ta bëjnë këtë pa pyetur askënd. Të njëjtat institucione që duhet të shohin edhe si financohen televizione që harxhojnë më shumë sesa fitojnë. Sepse nëse një media mbijeton prej vitesh duke shpenzuar para që nuk dihet nga vijnë, pyetja nuk është vetëm kush e kontrollon. Është edhe kush e paguan.

Por e di që kjo punë është e ndërlikuar. Madje, sapo të fillonin kontrollet, do të dëgjonim se diktatura po godet fjalën e lirë. Dhe do të dilnin në mbrojtje të saj pikërisht ata që sot na thonë se fjala e lirë nuk ekziston.

Dëgjova se kishe nxjerrë RENEAN në rrugët e Tiranës.

Mos, Edi Rama. Shumë gabim.

Pse duhet ta prishësh gjithë këtë shfaqje? Njerëzit kanë dalë të protestojnë, disa kanë marrë me vete edhe molotovë, por nuk mund t’i kërkosh qytetarit të mendojë për gjithçka përpara se të dalë nga shtëpia. Dikush merr një pankartë, dikush një shishe benzine. Secili e shpreh zemërimin sipas mundësive që ka.

Policia le të qëndrojë në vend. Le t’i durojë gurët, le të ruhet nga zjarri dhe, nëse dikush ia djeg makinën, të mos reagojë me nerva. Në fund të fundit, policët paguhen nga taksat tona dhe ne, si taksapagues, paskemi të drejtë të vendosim edhe sa gurë duhet të hanë në kokë.

Nëse digjet një ministri, do ta rindërtojmë. Nëse shkatërrohet një biznes privat, pronari le të bëjë durim. Nëse ndonjë polic përfundon në spital, do të gjejmë një analist që të na shpjegojë se gjithçka mund të ishte shmangur po të kishte treguar pak më shumë profesionalizëm.

Vetëm mos guxo të përdorësh forcën që ligji ia njeh policisë për të ndalur dhunën, se pastaj do të kemi prova të reja për diktaturën tënde.

Dhe kur gjithë kjo të marrë fund, kur rrugët të jenë pastruar, xhamat të jenë zëvendësuar dhe faturat e dëmeve t’i paguajnë njerëzit që nuk kanë hedhur asnjë gur, do të fillojë emisioni i radhës.

Do të flasim për varfërinë. Për mungesën e investimeve. Për turistët që nuk duhet të vijnë. Për kullat që nuk duhet të ndërtohen. Për Evropën që nuk po na pranon aq shpejt sa duam. Dhe, natyrisht, për ty, që nuk po e bën Shqipërinë.

Nuk e di nëse do ta bësh. As nuk e di sa nga premtimet e tua do t’i mbash deri në fund. Për këtë do të japësh llogari, siç duhet të japë çdo njeri që merr përsipër të qeverisë.

Por për një gjë po bindem gjithnjë e më shumë. Në Shqipëri ka njerëz që nuk do të jenë kurrë të kënaqur me një vend që bëhet. Sepse në një vend që bëhet duhet të respektosh ligjin, të paguash taksat, të justifikosh pasurinë, të pranosh se edhe kundërshtari ka të drejta dhe se vota nuk mund të zëvendësohet me një shishe benzine.

Dhe kjo kërkon shumë më tepër mund sesa të dalësh në televizor e të shpjegosh pse Shqipëria nuk bëhet.

Prandaj lëri, Edi Rama. Lëri.

Sa herë që ky vend është përpjekur ta ngrejë kokën, është gjendur dikush që ka dashur ta kthejë me krye në hi.

Dhe ata që i kanë vënë flakën kanë qenë gjithmonë të parët që janë ankuar se po u mbetet hiri në duar.

Faleminderit, Elisa
Nga Albatros Rexhaj

Mbrëmë në Real Story të Sokol Ballës thashë se Partia Socialiste është në mes të një lufte civile. Sot Elisa Spiropali e mori autorësinë.

I jam mirënjohës. Prej një viti kjo luftë zhvillohej me pseudonime, me portale, me “burime të afërta”, me ish-zyrtarë që flisnin në emër të të tjerëve. Tani ka një emër dhe një firmë. Kjo është gjëja e parë e ndershme që ka ndodhur në atë kamp.

Se lufta nuk nisi dje, as me kangjellat. Nisi vjeshtën e kaluar, kur në Bruksel e Berlin u tha, nëpër korridore dhe nëpër darka, se Edi Rama ka marrë fund dhe se tani duhet përkrahur Elisa. Dhe meqë i njoh rrethanat nga të dy anët e gardhit, e di edhe këtë: ato fjalë nuk i kishin thënë evropianët për Elisën.

I kishte thënë vetë Elisa për veten, dhe evropianët i kishin përsëritur. Thjesht ashtu. Sikur shqiptarët të ishin kope dhe bariun ua zgjedhin ca të huaj. E kemi parë këtë film. Në 1914 na sollën Princ Vidin, me kurorë e me protokoll, dhe pas gjashtë muajsh iku me anije. Shqipëria nuk pranoi atëherë dikë që e kishin zgjedhur të tjerët. Nuk ka arsye ta pranojë sot.

Por dua të jem i saktë, se mbrëmë nuk isha. Kur thashë “luftë civile”, isha bujar. Lufta civile nënkupton dy palë. Nënkupton që Elisa përfaqëson diçka që i afrohet gjysmës së partisë. A e përfaqëson?

Sa degë i ka pas vetes? Sa struktura? Sa kryetarë bashkish, sa deputetë, sa organizata të rinjsh? Apo pas saj janë ca ish-zyrtarë, secili me nga një dosje hetimore mbi krye, që janë shkëputur nga partia ditën që u mbyll dera e zyrës? Dhe a ka mes tyre njerëz që kanë paguar, dhe kanë premtuar të paguajnë, që dosjet e tyre të mbyllen?

Nëse po, luftë civile nuk ka. Ka një grup njerëzish që mbrojnë veten dhe mbrojtjen e vet e quajnë demokraci. Dhe e thashë mbrëmë, e përsëris sot: grupi me maska që doli nga radhët e PS-së nuk ka pas vetes vetëm ish-zyrtarë. Ka edhe grupe të krimit të organizuar, që kanë arsyet e veta të duan një qeveri tjetër.

Pas tyre vijnë ish-zyrtarët e qeverisë shqiptare që kanë blerë akses në China Club të Berlinit dhe që prej andej flasin, pa autorizim, në emër të qeverisë gjermane. Një darkë në Behrenstrasse nuk është mandat. Por këta njerëz i veshin Berlinit pjesëmarrje në një komplot për ndryshim jodemokratik të pushtetit në një vend anëtar të NATO-s. Ky është akuzim i rëndë për Gjermaninë, jo për Ramën. Dhe do ta ndjekim deri në fund, deri te zyra e kancelarit, se Berlini ka të drejtë ta dijë kush flet në emër të tij nëpër Tiranë, dhe me çfarë bilete ka hyrë.

Letra e Elisës bën shumë pyetje. Para se t’i bëjë, duhet të marrë frymë. Tirana u dogj. U plagosën qytetarë dhe policë. U thyen vitrina, u plaçkitën biznese, u ndezën makina, u hodhën gurë në bulevard. Në letrën e saj dhuna shfaqet si pasojë e natyrshme e “pushtetit që nuk dëgjon”. Jo. Dhuna është zgjedhje e atij që e ushtron. Kush e kërkon ndryshimin me letër të hapur nuk mund të bëjë apologjinë e atyre që e kërkojnë me molotov. Nuk shkon bashkë.

Me përvojën e saj qeveritare, Elisa mund të përgjigjet edhe për diçka tjetër. Pse u ngutën OSBE-ja dhe zyra e OKB-së në Tiranë të dalin me deklaratë duke ofruar ndërmjetësim? Ndërmjetësim mes kujt dhe kujt? Shqipëria është anëtare e NATO-s. Është kandidate për BE që po mbyll kapituj. Ka parlament, ka gjykata, ka zgjedhje. Dy organizata ku Rusia ka fjalë të madhe ofrojnë ndërmjetësim sikur të ishim Bosnja e vitit 1995. Kush i ftoi? Kush u tha se këtu ka dy palë në konflikt që kanë nevojë për një të tretë? Nëse Elisa e di, le ta thotë. Nëse nuk e di, le ta pyesë veten pse ndërmjetësimi erdhi pak para letrës së saj.

Tani, fjala e fundit për Edi Ramën.

Sipas gojëdhënave që dalin nga eksponentët e kësaj lufte brenda PS-së, Rama është diktator. Ka pafund banda pas vetes. Komandon krimin e organizuar. Nëse është kështu, atëherë Edi Rama është vërtet një mashtrues i madh. Se një diktator me banda pas vetes nuk i mban bandat në garazh kur i digjet kryeqyteti. I nxjerr.

Vuçiçi i nxori, para syve të botës, dhe askush nuk u habit. Rama nuk i nxori. Të tjerët i nxorën, me maska. Dhe një diktator me banda nuk e mban në parti dikë si Elisa, që i kujtohet demokracia vetëm pasi i humbi pozita.

Ose Rama është diktator pa banda dhe pa diktaturë. Ose ata që e thonë këtë gënjejnë. Nuk ka të tretë.

Faleminderit, Elisa, që na ndihmove ta bëjmë pyetjen.

Ku do të jeni më 28 Nëntor?
Nga Albatros Rexhaj

Ivica Daçiq ka lindur në Prizren. Edhe unë.

Ai lindi më 1 janar 1966. I ati ishte polic serb, i ardhur nga Serbia me shërbim në qytetin tonë. Ishin vitet e Rankoviqit, dhe shqiptarët e Kosovës e dinë çfarë ishte policia e atyre viteve për ta. Gjashtë muaj pas lindjes së djalit, familja u kthye në Serbi. Unë jam vendas, me rrënjë malësore ndër breza. Nuk e di çfarë kujtimesh mund të ketë njeriu nga gjashtë muajt e parë të jetës. Të miat i di.

Të mërkurën, më 7 tetor, në një tubim zgjedhor në Rashkë, pak larg kufirit të Kosovës, Daçiqi u tha njerëzve të vet: “Herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren, të jeni të sigurt.” Pastaj shtoi vetë: “Do të thonë se po kërcënojmë dikë.”

Ka të drejtë. Kështu themi.

Sot ai është zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë. Komandon policinë e saj. Në vitet ‘90 ishte zëdhënësi i partisë së Sllobodan Millosheviqit. Dy ditë pas fjalimit të tij, në tubimin e Vuçiqit në Kragujevc, krah djalit të presidentit doli Milan Radoiçiqi, njeriu që e ka marrë përsipër sulmin e Banjskës.

Unë e kam dëgjuar këtë gjuhë një herë. Më 1988 isha katërmbëdhjetë vjeç. Isha rritur me vëllazërim-bashkimin dhe e besoja. Nuk e kuptoja nga doli gjithë ajo urrejtje.

Tre vjet më vonë, në shtator 1991, policia serbe na ndaloi te dera e shkollës. Bashkëmoshatarët tanë serbë hynë. Ishin ata me të cilët kishim luajtur në lagje, me të cilët kishim kujtime fëmijërie. Nuk thanë asnjë fjalë. Shokët tanë të fëmijërisë mendonin se shkolla u takonte vetëm atyre. Aty e kuptova se për ta ne ishim diçka më pak se njerëz.

Së pari erdhën fjalët. Pastaj na u mbyll dera. Shtatë vjet më vonë erdhën tanket, e me to varret dhe kolonat e njerëzve drejt kufirit. Brezat e rinj nuk e mbajnë mend atë kohë. Dua të mbetet kështu.

Për këtë po u shkruaj dy njerëzve: Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Ju jeni kryeministrat e dy shteteve të një kombi. Sherret tuaja i kemi dëgjuar të gjitha, e shpesh kemi mbajtur anë. Sot nuk më intereson kush e nisi sherrin. Më intereson kush e lë mënjanë i pari.

Serbia ka ndarë këtë vit për ushtrinë 3,3 për qind të gjithë prodhimit të saj. Ka blerë raketa kineze që fluturojnë disa herë më shpejt se zëri. Po kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në shtator, në Peshter, ushtria e saj stërviti atë që vetë e quajti “operacion sulmues”, me udhëheqjen e Republikës Sërpska në tribunë. Askush nuk e kërcënon Serbinë. Asnjë fqinj nuk kërkon tokë prej saj. Për kë janë, pra, gjithë këto armë? Daçiqi e tha me emër.

Kroatët, që i njohin serbët më mirë se kushdo, nuk e fshehin më. Më 2 tetor, në Zarë, ministri i tyre i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se “askush nuk blen kaq shumë armë vetëm sa për t’i pasur”. Kroacia, tha, nuk është caku i parë, “por fatkeqësisht disa shtete fqinje mund të jenë”. Serbia ka dy fqinjë jashtë NATO-s: Bosnjën dhe Kosovën. Unë u besoj kroatëve. Edhe ata e kanë dëgjuar këtë gjuhë një herë. Serbia po përgatitet për luftë.

Bota ka ndryshuar. Retë e luftës po mblidhen mbi Evropë. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë. Rregullat me të cilat u rritëm, se kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe se Amerika vjen gjithmonë, nuk janë më të sigurta.

Do të më thoni se Kosova ka KFOR-in. E ka, dhe për këtë flemë të qetë. Të qetë flinin edhe armenët e Karabakut. Ata i ruanin rreth dy mijë ushtarë rusë. Azerbajxhani u armatos për vite me paratë e naftës, ndërsa armenët merreshin me njëri-tjetrin. Priti derisa Rusia u zhyt në Ukrainë. Më 19 shtator 2023 sulmoi. Lufta mbaroi brenda një dite. Ushtarët rusë nuk lëvizën nga kazermat. Brenda një jave mbi njëqind mijë armenë lanë shtëpitë ku kishin lindur.

NATO-ja nuk është Rusia, e di. Por Azerbajxhani nuk e mundi Rusinë. E priti të ishte e zënë. Unë besoj se Beogradi e ka lexuar këtë histori me laps në dorë dhe se po e ndjek pikë për pikë: armatoset, stërvit sulmin dhe pret ditën kur NATO-ja ta ketë mendjen gjetkë, për një luftë rrufe që mbaron para se bota të zgjohet.

Dhe ne, ushtarakisht, jemi të dobët. Kjo duhet thënë pa u skuqur.

Nën zhurmën e sherrit, megjithatë, vetëdija kombëtare ka ecur përpara. Më 18 mars 2025, në Tiranë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në mbrojtje. Shtetet e kishin kuptuar rrezikun edhe kur burrat në krye të tyre ishin të zënë me njëri-tjetrin.

Sivjet sinjalet kanë ardhur nga të dy. Në shkurt Edi Rama erdhi në Prishtinë për promovimin e librit të një miku, Ahmet Shalës. Kishte ardhur për një libër. Albin Kurti i shtroi tapetin e kuq dhe e priti me ceremoni zyrtare. Në mars Rama i tha gazetës Türkiye Today: “Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial.”

Pastaj erdhi 14 korriku. Rama ishte në një televizion serb dhe deshën ta shtynin të fliste kundër Kurtit. Mund ta kishte bërë. Nuk e bëri. “Mos më kërkoni”, tha, “të them në gjuhë të huaj gjëra për Albin Kurtin dhe për vëllezërit e motrat e mia në Kosovë.” Ka gjëra që nuk i thuhen kundërshtarit të përbashkët, sado i zemëruar të jesh me tëndin.

Në shtator, kur kundërshtarët ia quanin Kurtit Kuvendin jolegjitim, e me të edhe Qeverinë, Rama e uroi. Katër sinjale, nga shkurti në shtator.

Tani sinjalet duhen kthyer në punë. Kurti premtoi në shkurt, para Kuvendit, një miliard euro për mbrojtjen, dhe mirë bëri. Për më shumë se një vit Kosova nuk kishte institucione të plota, e kjo ishte arsye për të pritur. Sot ka Kuvend, Qeveri dhe Presidente. Arsyeja ka mbaruar. Kemi shumë më tepër sesa kishim më 1998, dhe ende nuk kemi bërë me të aq sa duhet. Nuk kemi kohë për t’u humbur në detaje ideologjike a në hatërmbetje nga e shkuara.

Më 28 Nëntor mblidhni dy qeveritë në Vlorë. Për flamurin kemi folur një jetë të tërë. Atë ditë flisni për njerëzit që jetojnë nën të.

Flisni për mbrojtjen dhe për paratë që ajo kërkon, sepse kemi investuar pak. Na duhet një industri ushtarake e jona, që së paku municionin ta prodhojmë vetë, dhe sistemet moderne që na mungojnë. Na duhen të rinj që e duan këtë vend pa pasur nevojë ta humbasin më parë, dhe diaspora jonë në Evropë e në Amerikë, me dijen, paratë dhe dyert e hapura që ka.

Dhe thirrni opozitën, në Tiranë e në Prishtinë. Jo çdo gjë duhet të jetë sherr e tension. Në disa gjëra duhet të jemi të gjithë bashkë, dhe mbrojtja është e para. Ajo nuk është pronë e pushtetit dhe nuk ndryshon sa herë ndryshon qeveria. Armenët merreshin me njëri-tjetrin deri ditën e fundit.

Mendojeni natën kur diçka nis në veri të Kosovës. Nëse atë natë Tirana dhe Prishtina nuk kanë një plan të përbashkët, askush nuk do t’i mbajë mend sherret tona shqiptare. Do të pyesin vetëm ku ishit ju të dy kur kishte ende kohë.

Burrat që u mblodhën në Vlorë më 1912 nuk mendonin njësoj dhe nuk duheshin të gjithë mes tyre. Askush nuk ju kërkon të bëheni miq. Vetëm nuk keni të drejtë ta lini sigurinë e shqiptarëve peng të marrëdhënies suaj.

Unë nuk jam më katërmbëdhjetë vjeç. Nuk besoj më se urrejtja kalon vetëm pse njerëzit e arsyeshëm duan të kalojë. E di si është të mbetesh jashtë derës, ndërsa ata që mund të flasin heshtin. Nuk dua që një fëmijë shqiptar ta mësojë më këtë.

Daçiqi, që lindi në qytetin tim, e tha ku e do flamurin e Serbisë. Më 28 Nëntor është Dita e Flamurit. Ku do të jeni?

Kush ka frikë nga shtriga?
Nga Albatros Rexhaj

Sot Belinda Balluku mbush 53 vjeç. Në letra është deputete, ish-ministre dhe e pandehur. Për ata që kanë punuar me të është shefja. Për të tjerët është shtriga.

“Shefe” nuk e shpiku opozita. E thanë drejtorët e shtetit para një kamere që nuk e dinin se po i xhironte. Gazetarja e Fiks Fares u hyri në zyrë si punëkërkuese dhe u tha se e kishte çuar Belinda. “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”, iu përgjigj njëri, dhe e vazhdoi si në shah: ushtarët zëvendësohen kollaj, mbretëresha nuk zëvendësohet dot. Një tjetër sqaroi se varet nga ministri dhe shtoi tri fjalë: “Shefja është shefja”. Emrin e Belindës për të fituar diçka në ato zyra e përdori vetëm gazetarja.

Emisioni e mori për skandal. Unë e mora për kompliment. Në Shqipëri shefi harrohet ditën që bie. Telefoni i hesht, miqtë zënë punë dhe sekretarja mëson përmendsh emrin e pasardhësit. Titulli i mbetet vetëm atij që e ka fituar me punë. Mësueses së vjetër i themi mësuese edhe njëzet vjet pas pensionit, dhe askush nuk pyet kush e ka emëruar. Belindës i thonë shefe shtatë muaj pasi i morën zyrën. Karrigen ia hoqi një dekret, fjalën nuk e heq dot asnjë dekret.

“Shtrigë” nuk e tha askush para kamerës. Kjo fjalë thuret. Unë shkruaj drama dhe e di nga zanati se protagonist është ai për të cilin flasin të gjithë kur nuk është në skenë. Belinda ka shtatë muaj jashtë skenës dhe vendi nuk flet për tjetër. Legjendat ia kam mbledhur për ditëlindje. Po t’i vësh njërën pas tjetrës, tregojnë të gjitha të njëjtën përrallë, dhe në përrallat tona gruaja që ka pushtet pa pasur fron ka vetëm një emër.

Përralla nis me macen. Që dje, pasi një gazetare e Top Channel-it e ndoqi me mikrofon në rrugë, në telefona qarkullon një video nga kamera e një shkalle pallati. Një figurë me kapuç, veshur në të zeza, sheh një mace te këmbët e shkallëve, hidhet mënjanë dhe ia mbath lart. Dikush u ka vënë emrat sipër: Belinda dhe Gazetarja e Topit. Kamera mban datën 14 maj. Pamjet pritën pesë muaj në sirtar derisa u gjet kujt t’ia ngjisnin. Gojëdhënës i mjafton një shkallë e huaj dhe një mace e huaj.

Shtriga, siç dihet, edhe mallkon. Dje po ajo gazetare u rrëzua me motor dhe përfundoi në Traumë me thyerje. I uroj shërim të shpejtë dhe e pres prapë në ekran. Po atë ditë një portal pyeti pse të mos kishte gisht edhe këtu Belinda. I njëjti portal shkruante se gazetarja ka qejf akrobacitë me motor. Mes një motori që ngrihet në një rrotë dhe një gruaje që atë orë s’dihet as ku ishte, legjenda zgjodhi gruan.

Shtriga u bën magji edhe burrave të fortë. Thonë se e ka blerë Altin Dumanin dhe se me dorën e tij e çoi në arrest shtëpie drejtoreshën e shërbimit sekret dhe në burg Ergys Agasin. Në një studio televizive u gjet edhe vendi ku qenkan takuar, diku në Zagori. Dumani e drejtoi SPAK-un tre vjet. Në ato tre vjet Belinda u mor e pandehur, u pezullua nga detyra, mbeti pa pasaportë dhe iu kërkua arrestimi. Po të jetë ky prokuror i blerë, blerësja duhet të kërkojë lekët mbrapsht.

Dhe çdo shtrigë e mban një kukull. Sa kohë ishte zëvendëskryeministre, vendin e paska drejtuar ajo, kurse Edi Rama ishte kukull me fije. Kreu i deputetëve të opozitës e shkroi edhe më shkurt: e ka marrë peng. Më 26 shkurt kukulla e shkarkoi atë që i mbante fijet. Në asnjë dramë timen nuk ka ndodhur kjo, se publiku do të më kishte fishkëllyer. Po ata njerëz betohen se Rama komandon gjykatat, televizionet dhe shumicën në Kuvend. Një ditë duhet të vendosin cili nga të dy është i plotfuqishëm.

Mblidhini bashkë. Një grua pa zyrë ministrore komandon ministrinë, trafikun e Tiranës, Prokurorinë e Posaçme dhe kryeministrin. Opozita i ka dhënë më shumë pushtet nga sa i dha Rama në shtatë vjet.

Shtriga e përrallës nuk shkarkohet me dekret. Kësaj iu mor ministria, iu mor posti i zëvendëskryeministres, iu mor pasaporta. Sot nuk del dot as deri në Korfuz. Lirinë ia ruajtën 82 deputetë që votuan para kamerave, në një seancë ku ajo nuk ishte. Magji me procesverbal nuk kam parë. Shtrigës së përrallës i shërbejnë nga frika dhe e braktisin ditën që i thyhet shkopi. Kësaj shkopi iu thye në shkurt, dhe ata që punuan me të i thonë ende shefe.

Thashethemi më i ri thotë se emisionet e javëve të fundit janë pjesë e një skenari për ta futur në burg në fund të tetorit. Nuk e di a është e vërtetë dhe nuk kam si ta di. Di vetëm si do të tregohet. Po hyri, do të thonë se shtriga u kap. Po nuk hyri, do të thonë se bëri prapë magji. Kështu u tha kur Gjykata Kushtetuese ia ktheu detyrën, kështu u tha kur Kuvendi nuk ia hoqi imunitetin. Që një gjykatë mund të ketë gjykuar dhe një Kuvend mund të ketë votuar, kjo nuk i shkon përrallës. Legjenda e shtrigës nuk humbet kurrë.

Akuzat janë tjetër punë. Ato fitohen ose humbin në gjykatë, dhe ashtu duhet. Mendimin tim nuk e fsheh pas gjykatës: unë mendoj se Belinda Balluku është e pafajshme për ato që i ngarkohen.

Mendoj edhe se një zëvendëskryeministër nuk pezullohet për një dosje që nuk është gati për gjyq. E morën të pandehur më 31 tetor të vitit të kaluar dhe e pezulluan nëntëmbëdhjetë ditë më pas. Sot, gati një vit më vonë, dosja ende hetohet dhe do t’i duhen vite të tjera për të mbërritur në gjyq. Kur masa vjen para provës, duhet pyetur kujt i duhej masa.

Për mua përgjigjja ka erë politike. Drejtori që foli para kamerës e quajti mbretëreshë. Në Partinë Socialiste Belinda ka qenë ushtare, punëtore dhe besnike. Ku drejton ajo, partia rritet: në Fier, në majin e vitit të kaluar, mori 12 mandate, dhe të dymbëdhjetin nuk e priste as vetë. Në qeveri ishte shtylla që mbante radhët. Çdo sistemi i duhet një polic i keq, ai që i mbledh të vetët dhe tremb lakejtë.

Prandaj duhej hequr. Një qeveri që sapo ka fituar zgjedhjet nuk rrëzohet dot, por mund t’i hiqet shtylla. Mjafton një dosje që hapet shpejt dhe mbyllet ngadalë, një pezullim para gjyqit dhe një përrallë që e mban gjallë në ekran. Qeveria mbeti në këmbë, kryeministri në zyrë, mungon vetëm një njeri. Unë këtë e quaj mikrogrusht shteti, të bërë me bisturi. Për këtë duhej shtriga: një ministre që punon nuk hiqet dot pa i treguar popullit një përrallë, kurse një shtrigë digjet me duartrokitje.

Erës politike i shtohet ajo e interesave, e atyre grupeve të biznesit që e kishin Belindën pengesë. Në çdo fshat shtrigë i kanë thënë gruas që i ka zënë rrugën dikujt.

Gojëdhëna thuren vetëm për ata që peshojnë. Për pasardhësit askush nuk mundohet të gjejë as një mace.

Gëzuar ditëlindjen, shtriga ime e preferuar. U bëfsh njëqind. Fshesën lëre në shtëpi, se ta bëjnë provë.

Marrë nga “Politika Shqiptare”

Vetëvendosje, Doktor, jo nënshtrim para të huajve
Nga Albatros Rexhaj

Fjalën e titullit sot e mban një parti në Prishtinë, Doktor. Mos u ngatërro. Fjala është më e vjetër se partia, dhe më e vjetër se ti e unë. Do të thotë që shqiptarët i ndajnë vetë hallet e shtëpisë së tyre.

Të martën dole para gazetarëve dhe the se “provat” për kompaninë shtetërore të armëve KAYO do t’i çosh jashtë. “Ne do të informojmë të gjitha ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe vetë aleancën.” Tridhjetë e një ministri të huaja, nga Uashingtoni në Ankara, do të marrin një letër nga kreu i opozitës shqiptare, ku shkruhet se industria ushtarake e vendit të tij është “skemë mafioze”.

Ç’është ky budallallëk?

Sa herë na mbaron fjala me njëri-tjetrin, ne shqiptarët vrapojmë te dera e ambasadës. Kur s’na pëlqen gjykata, presim ambasadorin. Kur humbim zgjedhjet, presim një komunikatë në anglisht. Ti e ke çuar zakonin një shkallë më lart: u bie tridhjetë e një dyerve përnjëherë.

Një politikan i djathtë e ka punë të parë sovranitetin. Ti i shpall të huajt regjentë të Shqipërisë, një pushtet kolonial që rri mbi Kushtetutën tonë. Ne jemi në NATO si shtet, dhe aleatët i informon shteti, me rrugët e shtetit, kur hetimi ka diçka për t’u thënë. Letrat e një kryetari partie, me hetimin ende hapur, janë padi kundër vendit tënd para botës.

SPAK-u ka hyrë në banesën e Roni Yeffet-it, në zyrat e KAYO-s dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ka marrë dokumentet. Provat, thua, do t’ia çosh edhe atij. Po të të mjaftonte drejtësia shqiptare, do të ndaleshe aty. Shumica ta rrëzoi komisionin hetimor, e vërtetë. Kush humbet një votë në Kuvend ka prokurorinë, gjykatën dhe zgjedhjet.

Pesë vjet na the se vendimi i një qeverie të huaj kundër teje ishte i padrejtë. Kur gjykimi i të huajve ra mbi ty, nuk vlente. Tani që duhet gjykuar një kompani e shtetit shqiptar, vetëm të huajt vlejnë. Vendos, Doktor.

U fole të huajve edhe për kredinë amerikane të ushtrisë, që gjoja mund të bjerë “në duart e zeza” të Yeffet-it. Kredia është 302 milionë dollarë, e ratifikoi Kuvendi ynë më 27 korrik, dhe me të blihen armë amerikane nga fabrika amerikane. Kur u shkruan të huajve, të paktën shkruaju saktë.

Në shkurt 2025 na solle Chris LaCivita-n dhe na the se fushatën po ta bënte strategu i fitores së Trump-it. Sipas raportit që vetë PD-ja dorëzoi në KQZ, firma e tij mori mbi 1.6 milionë dollarë. Me të erdhi Paul Manafort. Gjashtë milionë të tjera u nënshkruan me firmën Continental Strategy për lobim në Uashington, dhe partia jote thotë se i paguan një fondacion shqiptaro-amerikanësh. Zgjedhjet i humbe.

Po atë të martë që ti flisje për NATO-n, New York Times shkroi se LaCivita dhe James Blair, njeriu që i drejton Trump-it fushatën e nëntorit, kishin qenë në Republikën Sërpska ditët para zgjedhjeve të 4 tetorit. Aty e nxirrnin bukën. Qeveria e Dodikut i pagoi, përmes një zyre avokatie në Uashington, me qindra mijëra dollarë secilin. Pesë ditë para votimit Putin e priti Dodikun në Kremlin dhe i uroi sukses. Natën e fitores Dodiku falënderoi Putin-in dhe tha se pa Trump-in ai dhe të tijtë do të ishin “kufoma politike”. Manafort, sipas Politico-s, e këshillon partinë e Dodikut që vjet. Continental Strategy e ka Republikën Sërpska klient që nga shkurti.

Të nesërmen Trump shkroi se këta të dy janë “konsulentë të jashtëm”, se nuk e ka idenë për kë tjetër punojnë dhe se i largon menjëherë po të ketë konflikt interesi. Reuters shkroi se udhëtimi e kishte zënë në befasi dhe e kishte zemëruar. Më vonë atë ditë tha se konflikt nuk ka. Steve Bannon i quajti batakçinj dhe kërkoi auditim të parave.

Kushdo që i njeh dinamikat e sotme në Uashington e di se si sillet Trump kur i sulmojnë njerëzit e tij. I mbron, shan gazetën dhe ua hedh fajin demokratëve. Këtë herë i lëshoi nga dora. Kur një president shkruan se nuk e di për kë punojnë njerëzit e fushatës së vet, në Shtëpinë e Bardhë e kanë kuptuar se kjo zhurmë nuk është propagandë e së majtës. Zëri më i ashpër erdhi nga Bannon, njeri i shtëpisë.

Dhe ti, Doktor, na e shite këtë njeri për të dërguar të Trump-it. Trump-i thotë se nuk ia njeh klientët. Na paske shitur sapun për djathë.

Më 5 tetor, në Beograd, Aleksandar Vulin, ish-shef i shërbimit sekret serb dhe senator i emëruar nga Dodiku, kërkoi përkrahje për t’u bërë president i Serbisë, në një tubim me emrin “Bota serbe”. Tubimi nisi me një minutë heshtje për Ratko Mlladiqin. Vulin u premtoi të mbledhurve “mësymjen e madhe” për atë botë. Serbia armatoset me një shpejtësi për të cilën Zagrebi bërtet. Beogradi e quan kërcënim aleancën e Shqipërisë me Kosovën dhe Kroacinë. Aksi Banja Llukë, Beograd, Moskë po bëhet gati për luftë.

Bota Serbe ka pasur edhe hartë. Më 29 nëntor 1912, një ditë pasi shqiptarët shpallën pavarësinë, Mbretëria e Serbisë krijoi Qarkun e Durrësit dhe futi brenda tij Durrësin, Lezhën, Tiranën dhe Elbasanin. E mbajti derisa anijet e Fuqive të Mëdha kthyen topat nga porti. Aleksandar Obradoviq e ka shkruar në Beograd, te Peščanik, se ç’la pas ai pushtet në Shqipëri: “vetëm frikë, plaçkitje dhe vdekje”. Sot, në Wikipedia-n serbisht, ushtria e 1912-s e ka “çliruar” Durrësin, dhe në zonën e Elbasanit jetojnë serbë “autoktonë”. Kur një ish-shef shërbimi sekret premton mësymje të madhe për Botën Serbe, unë dua ta di ku mbaron kjo botë. Te Drini? Te Shkumbini? Apo te porti i Durrësit, që Serbia e donte aq shumë më 1912?

Përballë kësaj harte Shqipëria po mundohet të ngrejë sërish një industri ushtarake, që së paku fishekun ta bëjë vetë. Ukraina na e tregoi të gjithëve se municioni mbaron më shpejt se fjalimet. Më 7 shtator SYRI TV nxori përgjimet që ia dha Arben Ahmetaj, një ish-zëvendëskryeministër i arratisur nga drejtësia shqiptare. I nxori copa-copa, javë pas jave. Ti i more nga ekrani, i bëre flamur, dhe tani do t’i çosh në tridhjetë e një ministri mbrojtjeje. Çfarë do të bësh me Shqipërinë, Doktor: do ta ndihmosh të bëjë fishekë, apo do t’u shkruash të huajve se fabrikat e saj janë mafie?

Kush ka vjedhur te KAYO, në burg. SPAK-u është brenda, dhe le ta çojë punën deri në fund. Armët, sekretet dhe aleatët kërkojnë disiplinë e kujdes shteti, dhe kush e rrënon industrinë e mbrojtjes për të rrëzuar një qeveri, u jep llogari shqiptarëve.

Në tregun ku bleve LaCivita-n, ti je klient i vogël. Banja Lluka u ka paguar njëmbëdhjetë firmave në Uashington të paktën 8.9 milionë dollarë, sipas OCCRP-së. Beogradi ka dhënë 3.2 milionë të tjera, sipas BIRN-it, dhe njëra nga firmat i ka klientë të dy. Në Ballkan askush nuk u paguan këtyre njerëzve më shumë se pala serbe.

Njerëzit që të bënë fushatën punojnë për Dodikun, firma që nënshkroi me partinë tënde lobon për Banja Llukën, dhe ditën që kjo doli në New York Times ti u premtove aleatëve një letër kundër industrisë shqiptare të armëve. Kam të drejtë të dyshoj. Të verbuar nga lakmia për pushtet, ti dhe rrjeti yt nuk shihni më asnjë vijë të kuqe, madje as interesin kombëtar. Dyshoj se, me SYRI TV-në që nxjerr përgjimet e Ahmetajt, keni rënë në rrjetën e të njëjtëve mercenarë që punojnë për Banja Llukën, ku pala serbe paguan më shumë se kushdo. Dua të besoj se po ju përdorin pa e kuptuar. E kundërta do të ishte shumë më e rëndë. Kush paguan më shumë, e merr edhe frytin e fundit: një ushtri shqiptare të paralizuar, për Beogradin dhe për Moskën.

Ti do t’ua hapësh aleatëve dosjet e industrisë ushtarake shqiptare. Hapu më parë shqiptarëve dosjet e konsulentëve të tu. Boto kontratën me LaCivita-n. Thuaj sa ke paguar, kush pagoi, nëse paguan ende dhe nëse e dije se ku tjetër punojnë. Pastaj na fol për mafien.

Hallet e shtëpisë i ndajmë vetë, me prokurorinë tonë dhe me Kushtetutën tonë. Vetëvendosje, Doktor. Jo nënshtrim para të huajve.

Kush e ka radhën?
Nga Albatros Rexhaj

Të hënën, në Tiranë, Bledi Mane po ecte në rrugë me telefonin në vesh kur dikush e quajti “servil të Ramës”. Pastaj erdhën vezët. U hodhën edhe gurë.

Mane pyeti: “Po me mua çfarë keni?”

Pyetja nuk ishte aq naive sa tingëllonte. Bledi Mane nuk është qeveria. As Ylli Manjani. As unë.

Më vonë Gent Progni mori mikrofonin dhe e ktheu atë që kishte ndodhur në çështje radhe. Mane, sipas tij, ishte goditur para kohe. Manjani duhej të ishte i pari, “Albatrosi” pas tij dhe Mane më vonë.

I dyti jam unë.

Që këtej e tutje veza nuk më intereson shumë. Veza thyhet, bën pis xhaketën, lahet dhe mbaron aty.

Lista nuk lahet.

Një listë kërkon mendim. Dikush i ka vënë emrat në radhë. Dikush ka vendosur se cili duhet të jetë i pari dhe cili vjen pas tij. Dhe, me sa duket, kriteri nuk është posti publik, pushteti apo përgjegjësia shtetërore. Ne të tre nuk jemi ministra, nuk votojmë ligje, nuk komandojmë policinë dhe nuk firmosim tenderë. Jemi njerëz që flasim publikisht dhe që, secili në mënyrën e vet, nuk futemi në rreshtin e mendimit që sot dominon një pjesë të madhe të medias dhe të opozitës në Tiranë.

Studiot janë plot me njerëz që e kritikojnë Edi Ramën. Portalet po ashtu. Shumica e analistëve që shoh unë në ekran mendojnë ndryshe nga unë.

Mirë bëjnë. Është e drejta e tyre.

Por e drejta nuk bëhet më e vogël kur mbetesh në pakicë. Pikërisht aty fillon të ketë kuptim.

Gent Progni mund të mendojë se jam gabim. Mund të më kundërshtojë, të shkruajë kundër meje, të tallet me mua, të dalë në televizion dhe të thotë se analiza ime nuk vlen pesë lekë. Kjo quhet debat. Mund të protestojë kundër qeverisë çdo ditë të javës, po të dojë.

Por nuk mund të më caktojë radhën.

Për ta bërë një qytetar të goditshëm, së pari duhet t’i hiqet statusi i qytetarit. “Servil i Ramës” e bën pikërisht këtë punë. Tri fjalë dhe qytetari zhduket: mendimi i tij bëhet porosi, fjala e tij shërbim, dhe ai vetë zgjatim i një pushteti që turma e ka shpallur armik.

Pas kësaj, guri duket më i lehtë.

Provoni ta thoni pa etiketën: “Goditëm një burrë në rrugë sepse nuk na pëlqen çfarë thotë në televizion.”

Nuk tingëllon mirë, sepse nuk është mirë.

Vendosini përpara “servil i Ramës” dhe papritur dikujt i duket protestë.

Njeriu është i njëjti. Guri është po ai. Ka ndryshuar vetëm leja morale për ta hedhur.

Këtu fillon Policia e Mendimit. Jo domosdoshmërisht në ndonjë zyrë, me dosje dhe uniformë. Mund të fillojë edhe në një shesh, kur një grup bindet se ka të drejtë të vendosë cili mendim është i gabuar dhe kush duhet ndëshkuar sepse e ka.

Do të thonë se po e zmadhoj një incident banal. Nuk më shqetëson. Një vezë është banale. Një listë njerëzish që “e kanë radhën” nuk është.

Shaka është kur askush nuk është goditur. Këtu një njeri u godit realisht dhe më pas një tjetër doli publikisht e tha se dy emra të tjerë duhej të kishin qenë përpara tij. Kjo nuk mbyllet me të qeshur. Të paktën duhet të interesojë prokurorinë.

Duhet të interesojë edhe shtetin.

Ne i kemi dhënë shtetit monopolin e forcës për një arsye shumë të thjeshtë: që unë të mos kem nevojë të mbledh njerëzit e mi dhe Gent Progni të vetët. Që rruga të mos vendoset nga numri i njerëzve që mund të sjellë secili. Që Kanuni të mos kthehet aty ku shteti lë bosh vendin e ligjit.

Shteti më thotë: ti ec i lirë, unë të mbroj. Nëse këtë nuk e bën, qytetari fillon të mendojë për mbrojtjen e vet. Dhe aty kemi hyrë në një vend shumë më të shëmtuar se debati politik.

Unioni i Gazetarëve e dënoi sulmin ndaj Bledi Manes. Mirë bëri.

Për listën, heshtje.

Shoqatat e gazetarëve, rrjetet e lirisë së medias, federatat ndërkombëtare janë zakonisht shumë të shpejta kur dikush prek një gazetar. Këtë herë nuk kam parë të njëjtin refleks.

As nga Bashkimi Evropian. Çdo vit na lexojnë raportin për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve, standardet demokratike dhe kushtet që duhen përmbushur për të hyrë në Evropë. Një gazetar u godit në rrugë dhe tre emra u vendosën publikisht në një radhë për t’u goditur. Deri tani, nga Delegacioni nuk kam parë asnjë fjali.

Liria e fjalës nuk provohet kur mbron njeriun që mendon si ti. Ajo provohet kur mbron njeriun që të bezdis, atë që nuk do ta ftoje në tavolinën tënde, atë që do të doje ta kishte gabim.

Gent Progni, unë nuk të kërkoj leje për të menduar. As për të folur.

Ti mund të më kundërshtosh sa të duash. Mund të shkruash kundër meje. Mund të thuash se jam gabim. Me këtë nuk kam asnjë problem.

Por nëse një ditë mendon se e drejta jote e protestës të jep të drejtën të më dalësh përpara, të më bllokosh, të më prekësh apo të më detyrosh me forcë të hesht, atëherë nuk jemi më në debat. Aty ka hyrë ligji. Dhe ligji njeh jo vetëm të drejtën tënde për të protestuar, por edhe të drejtën time për t’u mbrojtur.

Unë do të vazhdoj të mendoj siç mendoj. Do të vazhdoj ta them. As veza, as guri dhe as mikrofoni nuk ndryshojnë ndonjë gjë këtu.

Por lista më intereson. Listat kanë një zakon të keq: fillojnë me emra, pastaj kërkojnë radhën.

Dua të di kush e ka shkruar.

Policia e mendimit
Nga Albatros Rexhaj

Një njeri del në mëngjes nga shtëpia. Shkon në punë, ose të marrë fëmijën. Rruga i kalon pranë protestës. Ai kalon. Nuk mban parullë. Dhe pikërisht për këtë i vjen fjala pas shpine: i shitur, tradhtar, dhe fjalë të tjera që nuk shkruhen.

Kjo ka filluar të ndodhë në Tiranë, dhe jo një herë. Duhet folur për të tani, sa është ende në fjalë.

Kushtetuta nuk ka dy versione. E njëjta kushtetutë mbron atë që thërret “Rama në burg” dhe atë që thërret “Berisha në burg”. Po ajo kushtetutë mbron edhe atë që nuk thërret asgjë, sepse mendon ndryshe, sepse nuk i beson asnjërës palë, ose thjesht sepse ka punë. Të dyja liritë i ka shkruar e njëjta kushtetutë.

Të protestosh para deputetëve është gjë e drejtë. Deputetët i ke zgjedhur vetë dhe të kanë borxh llogari. Të thërrasësh para Kryeministrisë, para Kuvendit, para çdo institucioni, është pjesë e marrëveshjes që quhet demokraci.

Gjë krejt tjetër është kur protestuesi kthehet nga institucioni drejt qytetarit tjetër. Kur i kërkon llogari fqinjit pse nuk erdhi. Kur ia di mendimin publik dikujt dhe e sulmon për të. Këtu parulla ndërron adresë: nga pushteti, te njeriu përballë, që nuk ka asnjë pushtet dhe nuk ka zgjedhur asgjë.

Këtë rregull e dimë të gjithë nga jeta e përditshme, pa hapur asnjë ligj. Në pallat mund të këndosh sa të duash brenda apartamentit tënd. Nuk mund t’i biesh derës së komshiut dhe t’i thuash që të këndojë edhe ai, ose të heshtë sipas orës sate. Liria jote mbaron te dera e tij. Vlen për këngën, vlen për mendimin politik.

Ata që dalin në rrugë kanë të drejtë të bëjnë atë që bëjnë. Ne të tjerët kemi të drejtë të bëjmë punët tona. Asnjëri nuk i ka marrë të drejtat nga tjetri, dhe asnjëri nuk ka tagër t’ia heqë tjetrit. Askush nuk është caktuar polic i mendimit, as nga populli, as nga ndonjë ligj.

Prandaj po kërkoj dy sqarime.

E para u takon organizatorëve. Nëse qëllimi është që qytetarët të përplasen me njëri-tjetrin në rrugë për bindje politike, me idenë se nga përplasja del diçka më e madhe, kjo duhet thënë hapur. Le ta dinë njerëzit ku po marrin pjesë. Nëse qëllimi nuk është ky, atëherë etiketat dhe presioni ndaj kalimtarëve duhet të ndalen pikërisht nga ata që u hapën udhë.

E dyta i takon shtetit. Shteti ka një detyrë që nuk e delegon dot, t’ia garantojë lirinë të gjithëve. Edhe atij që thërret, edhe atij që kalon. Nëse shteti nuk e garanton dot lirinë e njeriut për ta thënë mendimin dhe për të dalë lirshëm për punët e tij, edhe kjo duhet thënë hapur.

Nëse normalizohet fjalori i patriotëve dhe tradhtarëve, vetëm sepse njëri mendon kështu dhe tjetri ashtu, atëherë normalizohet edhe hapi i radhës, qërimi i hesapeve mes njërës dhe tjetrës palë. Emrat vijnë gjithnjë të parët, pjesa tjetër vjen vetë.

Nëse secili e merr ligjin në duart e veta, sepse askush nuk pret gjithë jetën që ta mbrojë dikush tjetër, ajo që vjen quhet anarki. Anarkia i mbulon të gjithë njësoj, pa pyetur kush kishte të drejtë në fillim.

Protesta ka adresë, dhe ajo adresë është pushteti. Ditën që kthehet te qytetari, duhet ta quajmë me emrin e vet.