Në vijim të operacioneve për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, forcat e policisë së qarkut Lezhë kanë zhvilluar një operacion që është finalizuar me gjetjen dhe asgjesimin e mbi 290 rrënjëve kanabis.
Sipas një njoftimi për shtyp, operacioni i uniformave blu është fokusuar në fshatin Sharrë, në një zonë pyjore ku është gjetur dhe parcela me bimët, që arrinin deri në 1.8 metra.
Ndërkohë, seksione të tjera të policisë kanë ushtruar një kontroll në fshatin Rrushkull të Mirditës, ku sërish në një zonë pyjore, në vendin e quajtur Përroi i Gjokë Kolës, janë gjetur të mbjella mbi 20 bimë kanabis që arrinin deri në 2 metra gjatësi.
Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm, policia në Tropojë ka asgjesuar rreth 60 bimë narkotike në fshatin Qeli.
Efektivët e komisariatit lokal, pas sinjalizimeve të marra kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në fshatin në fjalë, në vendin e quajtur Tropoja e Vjetër.
Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë kontrollit janë zbuluar rrënjët, të cilat ishin mbjellë në një zonë pyjore e që janë asgjesuar përmes zjarrit.
Personat përgjegjës për kultivimin nuk janë identifikuar ende, por materialet hetimore i kanë kaluar tashmë prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm.
Ndërkaq, mes fshatit Kamçisht dhe Xhaxhaj të Tepelenës janë gjetur 1100 rrënjë kanabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Policia po punon për identifikimin e kultivuesve të drogës.