Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona për vepra të ndryshme penale. Uniformat blu bëjnë me dije se mes të arrestuarve është edhe një 63-vjeçar me inciale B.Z, i cili akuzohet për përndjekje. Sipas Policisë 63-vjeçari kohë e fundit përndiqte një grua me iniciale S. K.
Njoftimi i Policisë:
Ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu arrestohet në flagrancë një 41-vjeçar që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit: B.Z., 63 vjeç, banues në fshatin Zall, Krujë, pasi Prokuroria e Rrethit Krujë i ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Përndjekja”, sepse ka përndjekur shtetasen S. K.; F.Z., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, sepse më datë 21.07.2019 ka kanosur shtetasin A. P.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin: A.P., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motorin tip “Suzuki”, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari