Diabeti po vazhdon të shënojë statistikave të zymta. Një në 10 të rritur në mbarë botën – rreth 537 milionë njerëz – aktualisht jetojnë me diabet, sipas shifrave të publikuara së fundmi nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF). Deri në vitin 2024, IDF parashikoi se numri i njerëzve me diabet pritet të rritet në 1 në 8 të rritur.
“Ndërsa bota shënon 100-vjetorin e zbulimit të insulinës, do të doja që të mund të thonim se kemi ndaluar valën në rritje të diabetit”, tha presidenti i IDF Dr. Andrew Boulton për CNN. “Por në fakt diabeti është aktualisht një pandemi me përmasa të paprecedentë.”
Gati 7 milionë të rritur kanë ndërruar jetë në mbarë botën në vitin 2021 deri më tani për shkak të diabetit ose komplikimeve të tij, vlerësoi IDF. Kjo nuk numëron jetët e humbura nga koronavirusi i ri, i cili ka qenë veçanërisht vdekjeprurës për njerëzit që jetojnë me diabet. Një studim i publikuar në shkurt zbuloi se diabeti i tipit 1 ose i tipit 2 trefishoi rrezikun e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes nga Covid-19.
“Dhe nëse doni një tjetër statistikë befasuese, deri në 40% e njerëzve që kanë vdekur në SHBA nga Covid-19 kishin diabet,” tha Dr. Robert Gabbay, zyrtari kryesor shkencor dhe mjekësor për Shoqatën Amerikane të Diabetit.
“Nga ana tjetër, pandemia ndikoi në mënyrën si njerëzit e kanë menaxhuar diabetin e tyre gjatë një viti e gjysmë. Frika ime është se në dy vitet e ardhshme, numri i personave të prekur me diabet do të rritet sepse njerëzit kanë humbur takimet e tyre të ekzaminimit për shkak të frikës se mos infektohen me Covid-19”, tregoi Boulton, i cili është gjithashtu profesor i mjekësisë në Universitetin e Mançesterit në MB.
Por a është Covid shkaktar i diabetit?
Sado të rënda që janë këto shifra, ekspertët janë të shqetësuar se Covid-19 mund të kontribuojë në një problem edhe më të madh.
“Mund të ketë më shumë njerëz, të cilëve u zhvillohet diabeti për shkak të Covid”, tha Gabbay për CNN. Boulton i bëri jehonë këtij shqetësimi: “Mund të ketë një diabet specifik të shkaktuar nga Covid, megjithëse ka disa debate për këtë gjë për momentin.”
Një analizë globale e publikuar në vitin 2020 zbuloi se deri në 14% e njerëzve të shtruar në spital me Covid-19 të rëndë iu zhvillua më vonë diabeti. Është e mundur që Covid-19 të mos jetë fajtori. Anomalitë e sheqerit në gjak mund të shkaktohen nga stresi i infeksionit dhe steroidet e përdorura për të luftuar Covid-19.
Një shpjegim tjetër është se personi mund të ketë pasur para-diabet – rreth 88 milionë amerikanë e kanë aktualisht, sipas Shoqatës Mjekësore Amerikane dhe Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Por ka gjithashtu prova që SARS-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19, mund të lidhet me receptorët ACE2 në qelizat e pankreasit – organi që prodhon insulinën e trupit, thanë Boulton dhe Gabbay për CNN.
“Virusi sulmon ato qeliza në pankreas dhe ndërhyn në prodhimin e tyre të insulinës, kështu që mund të jetë një mekanizëm tjetër”, tha Gabbay.
/a.r