Zyrtarizimi në minutat e fundit i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha, me sa duket me miratimin përfundimtar të Sali Berishës, po prodhon reagime, shpërthime emocionale dhe akuza në kampin demokrat. Lulzim Basha kishte piketuar dhe sinjalizuar PD-në e Vlorës se cilët do të ishin kandidatët për deputetë, por dega e PD-së është befasuar nga një listë tjetër të hartuar nga Lulzim Basha, veprimi i cili ka prodhuar debate në kryesinë e PD-së në Vlorë. Madje drejtuesi politik i qarkut të Vlorës Bujar Leskaj, i pari në listë, ka deklaruar se do të dorëhiqet dhe nuk do të marrin pjesë në fushatë në rast se Lulzim Basha nuk i ndryshon listat.
Në shkurt të vitit 2020, Lulzim Basha thirri gjeneralin Piro Ahmetaj, të cilit i kërkoi të kandidonte për deputet në emër të Partisë Demokratike në Vlorë. Më parë Ahmetaj ishte këshilltar i ish-presidentit Bujar Nishani, ku u përfshi në një betejë të gjatë dhe të ashpër akuzash me deputetë të Kuvendit. Kur mori propozimin nga Basha, Ahmetaj ishte këshilltar ushtarak i Presidentit Ilir Meta. Gjenerali e pranoi propozimin dhe në 10 shkurt 2020, bëri këtë reagim në llogarinë e tij në Facebook: “Mirënjohje për mijëra mesazhet inkurajuese si dhe mbështetjen impresionuese. Atdheu, detyra, nderi, familja dhe Zoti mbeten kushtetuta ime edhe në angazhimet politike si dhe mbrojtjen e interesave kombëtare! Më i përkushtuar, i përulur dhe përgjegjshëm”, duke pranuar propozimin.
Çfarë ndodhi? Në listën që Lulzim Basha dorëzoi të hënën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emri i Piro Ahemetaj nuk figuron askund, madje as nga fundi. Kjo pabesi dhe mungesë serioziteti duket se e ka zhgënjyer gjeneralin, i cili pasi ka parë se emri i tij nuk ishte në listë, i ka dhënë një mesazh Lulzim Bashës. Ahmetaj shkruan sot se “Jeta bëhet edhe më e bukur kur je fitimtar me covid, i çliruar nga balta e palo-politikës dhe sekserët e pushteteve, i realizuar, në paqe, krenar dhe i bekuar me familjen”.
Ndër emrat surprizë të lënë jashtë listave nga kreu i PD-së, ishte edhe ish-deputeti Genc Pollo. Në një reagim në rrjetet sociale, Pollo shkroi se ka vendosur që të mos kandidojë pasi mundësitë dhe rrethanat e ofruara nuk i ka gjykuar të përshtatshme. Pollo ka nënkuptuar se Basha i ka ofruar një pozicion në zonë jo fituese. Ndërkaq, nënkryetari i Forumit Rinor në Partinë Demokratike, Lisandër Hoxha, dha dorëheqjen pasi ishte i pakënaqur me përfshirjen e të rinvje në lista.
Një ditë më parë. kryetari i grupseksionit të Partisë Demokratike Qendër Bilisht, Ani Merolli bëri një denoncim të fortë për kreun e PD, Lulzim Basha se ka shitur Devollin tek klanet kriminale lokale dhe se me urdhër dhe mbështetjen e kryedemokratit ai është sulmuar nga 3 persona.
Lulzim Basha ka përjashtuar nga lista e kandidatëve edhe ish-deputetin Endri Hasa. Ky i fundit u përjashtuar edhe nga Komisioni ‘Nishani’. I papritur ishte largimi i ish-ministrit dhe ish-deputetit, Florjon Mima. Në listë nuk figuron as ish-deputeti Fatbardh Kadilli, i cili ishte përgatitur për të kandiduar në Korçë, bashkë me Enno Bozdo, të cilin Basha shpalli koordinator për energjinë, për t’i zbutur zhgënjimin.
Bujar Nishani pritej të kandidohej, por nuk figuron në listë. Edhe të rikthyerit Gazment Oketa dhe Aleksandër Biberaj nuk janë përfshirë. Në listë nuk figuron as ish-deputeti Gert Bogdani.
I pritshëm ishte përjashtimi i Halim Kosovës dhe Romeo Gurakuqit. Nuk janë përfshirë në listën e PD-as as deputetët Klevis Balliu, Fatbardha Kadiu, Lorenc Luka, Xhemal Gjunkshi, Hekuran Hoxhalli, Andon Frroka dhe Valentina Duka.
Ndërkaq, janë vendosur në një zonë jo fituese dhe rreziku në Tiranë Çlirim Gjata, Gent Strazimiri, Aldo Bumçi, Flamur Noka, Dashamir Shehi, Orjola Pampuri, Ivi Kaso, që të gjithë mbi numrin 11. Në 2017, PD-ja mori në Tiranë vetëm 11 mandate.
Në Gjirokastër rrezikon sërish Roland Bejko, pasi është renditur i dyti pas Tritan Shehut. Dhurata Çupi është mbi vijën e sigurisë në Dibër. Në Shkodër rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit Bardh Spahia dhe Nard Ndoka i renditur i teti në Shkodër.
Në Elbasan, Luçiano Boçi është renditur i 7-ti, ndërkohë që PD-ja ka marrë vetëm 3 deputetë katër vite më parë. Ndërsa në Durrës është mbi vijën e sigurisë, Ferdinand Xhaferi. Të lartpërmendurit duket të marrin mbi 10 mijë vota personale, t’u përfshirë në zonën e sigurisë./ shqiptarja.com
g.kosovari