Nga Erion Hiluku
Në vendin tonë anakronik para pak vitesh bëhesha edhe pjesë e debateve. Nuk shkruaj tani, as për pandeminë, për sistemin shëndetësor jo e jo, as për politikën, as për të drejtat e grave apo të fëmijëve. Nuk ka tema as për të shkruajtur më me optimizëm. Emigracioni hemorragjik ka tejkaluar parashikimet më të këqija ndërsa varfëria e shkaktuar kryesisht nga korrupsioni, rraskapit fizikisht dhe psikologjikisht mijëra qytetarë. Në rrjetet sociale nuk e komentoj asnjëherë ligësinë tonë kombëtare, as injorancën. Në vendin tonë, jemi në terr, por jo duke pritur të dalë drita, por që sytë të mësohen me errësirën. Shumë zëra e kanë paralajmëruar këtë gjatë viteve të fundit, modestisht edhe unë, por ata që janë përgjegjës, nuk kanë dashur të dëgjojnë.
Ironia e demokracisë është se tiranët sundojnë nga bashkëpunimi i të shtypurve, nga votat e të varfërve, të mashtruesve, dhe të sëmurëve kronikë pa barna në dizpozicion. E pabesueshme është, që për njëqind vjet, ne kemi ndërtuar një shtet që është gallata e Evropës dhe lodra e fqinjëve.
Nuk ka shumë që gëzoheshim se po shpëtonim nga paaftësia për të bërë shtet e një qeverie diletantësh, për t’i lënë vend arrogancës së një qeverie që erdhi me dyzet hajdutët e saj të talentuar. I përmenda bashkë që të mos i hy në hak asnjërit, se të dyja janë votuar nga mijëra shqiptarë, të cilët padyshim i përfaqësojnë. Sa mosmirënjohës ndaj lirisë, sa rëndë nga memorja! E kemi paguar shumë shtrenjtë këtë patologji kombëtare, përtej miljonave të taksave tona me të cilat i kemi mbajtur në pushtet. Të gjithë e duam Shqipërinë, por disa e duam me dhimbje, ashtu siç duhet një fëmijë jetim i lënë amanet. Ndërkohë që bëhet gjithnjë e më vonë për jetimët dhe për fëmijët tanë, ne presim më kot që koha të rregullojë gjërat, që politikanët hajdutë të japin dorëheqjen, që të tjerët t’i votojnë të drejtit.