“Një hap më pranë autoritarizmit”. Kështu e konsideron Presidenti Ilir Meta raportin e Freedom House. Duke cituar raportin Meta thotë se Shqipëria ka zbritur mes regjimeve hibride për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen e Klodian Rashës gjatë pandemisë.
Sipas Metës, këto janë shenja dhe një kambanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor. Zgjidhja për të gjitha këto probleme sipas kreut të shtetit janë zgjedhjet e 25 Prillit.
Postimi i plotë i Metës:
Shqipëria një hap më pranë autoritarizmit!
“Freedom House” e zbret Shqipërinë edhe më poshtë për vitin 2020, mes regjimeve HIBRIDE!
Shembjen e Teatrit Kombëtar për interesa klienteliste, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen kriminale të Klodian Rashës gjatë kohës së pandemisë nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë. Këto dhe të tjera ngjarje të rënda kurrë nuk do të amnistohen dhe për to drejtësia do vendoset në vend.
Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një kambanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh.
Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.
/a.r