I menjëhershëm ishte reagimi i Presidencës pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzon Ilir Metën për tentativë zhbërje të Reformës në Drejtësi.
Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi, thotë se nëse Rama zgjidhet deputet do të “takohet sy më sy në parlamentin e ri” me Metën.
Sipas Blushit ky ballafaqim është i pashmangshëm madje do të ftohen edhe ndërkombëtarët, që sipas zëdhënësit, përgojohen nga Rama.
Deklarata e plotë:
Shihni çfarë degradimi: Ramaforma gati për mandatin e tretë! Ha ha ha!
O shakaxhi i integrimit, nëse do kesh fatin të zgjidhesh deputet më 25 prill, me Presidentin Meta do takohesh sy më sy në Parlamentin e ri.
Si në 22 korrik 2016 kur ti nuk erdhe në ballafaqim por e votove Reformën në Drejtësi me bisht ndër shalë.
Ky ballafaqim është i pashmangshëm! Kurrë nuk do kesh shpëtim!
Madje do ftohen të gjithë partnerët tanë, që ti i përgojon dhe i diskrediton aq shumë.
Ti vazhdon të bësh ligje antikushtetuese me shpresën për ta vrarë totalisht tek Drejtësia, që ti ke kapur.
Kjo i rëndon edhe më shumë rekordet e tua të zeza, por nuk e ndryshon dot fatin tënd të paracaktuar, që nuk mund të jetë fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve të ndershëm, pa dallime partiake.
Deri në mbledhjen e Parlamentit të ri, që do të dalë nga referendumi i 25 prillit, jepi zemër Ansamblit “Babëzia” dhe shtrëngo fort poturet e gjëra!
Dhe një paralajmërim: Mos guxo të votosh koncensionin e aeroportit! Ti e di mirë se çfarë të pret dhe nuk mund të thuash, që s’je paralajmëruar më herët për këtë.
/a.r