Nga Endri Kajsiu/
Partia Demokratike është në një moment delikat brenda strukturave të saj, kjo falë vendimmarrjes personale dhe jo kolektive që merren në këtë parti. Këtë la të kuptohet edhe reagimi i ish-kryeministrit Berisha mbrëmë. Lideri historik i demokratëve, mbrëmë tregoi hapur se nuk ka besim tek Grida Duma, të cilën Basha e ka deleguar në Kavajë e Rrogozhinë.
Grida Duma e cila pas humbjes në Durrës në zgjedhjet lokale, u delegua në Kavajë e Rrogozhinë ka përçarë PD-në duke bërë që të flasë edhe vetë Sali Berisha, i cili ka qenë për shumë mandatë deputet në këtë zonë. Në fakt, më shumë se kaq, ajo që vihet re brenda PD është fakti se në këtë parti askush nuk e di se cili do te jëtë në listë. Demokratët janë të hutuar nga fakti se si kryetari i tyre fut në lista njerëz që nuk janë votuar nga anëtarësia e kësaj nuk i ka shpëtuar as Sali Berisha, i cili më shumë se i hutuar dukej i nevrikosur me Bashën i cili në zonën e tij historike ka dërguar Grida Dumën, që për hir të së vërtetës nuk ka patur kurrë marrëdhënie të mira me doktorin nga njëra anë e nga ana tjetër, nuk shquhet si person që ka korrur ndonjëherë fitore në politikë.
Me deklaratën e tij tërësisht mosbesuese ndaj të deleguarës së Bashës (Grida Duma), imazhin e saj si bashkuese të demokratëve, e qëllon i pari lideri historik i PD, Sali Berisha, duke e injoruar tërësisht si të deleguar politike të partisë që ai themeloi para zgjedhjeve. Thënë këtë, Sali Berisha mund të ketë mëkatet e tij në politikë, por që e njeh atë parti me themel dhe që ia do të mirën asaj partie më shumë se cilido aty brenda, kjo nuk ka asnjë dyshim.
Ndaj, Sali Berisha foli hapur, duke dalë kundër Grida Dumës të cilës mesa duket akoma nuk ia ka falur humbjen turpëruese në Durrës. Duke i rënë në kokë Dumës, Berisha në fakt po i bie të gjithë skemës së Bashës, i cili ka katapultuar njerëz pa marrë më parë OK nga lideri historik. Në gjithë këtë histori, janë dy gjëra shumë te thjeshta që Berisha i tregon hapur. Së pari që zonja Duma si humbëse e provuar nuk mund të jetë në zonën e tij elektorale dhe së dyti, që PD është në një kaos ku askush nuk e di ku do jetë në listë pasi Basha ka kthyer çdo formulë përzgjedhjeje përmbys.