Shkurti është muaji me numrin më të lartë të fatalitete nga Covid-19 që prej nisjes së pandemisë. Sipas shifrave të raportuara çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë, nga data 1 deri në 27 Shkurt humbën jetën 395 qytetarë shqiptarë.
Numri më i lartë i viktimave u shënua të enjten e 25 Shkurtit, pasi 21 persona u dorëzuan përballë virusit Sars-Cov-2, shifra më e lartë kjo e regjistruar deri më tani në vendin tonë. Bilancin më të rëndë e mban java e fundit e shkurtit me 109 viktima.
Infektimet ditore mbeten po ashtu të larta, por më një rënie tepër të lehtë krahasuar me 3 javët e kaluara. Përkatësisht nga data 22 deri 27 Shkurt pati 5969 infektime të reja.
Tepër shqetësuese paraqitet situata në të gjitha spitalet Covid, pasi numri i lartë i të shtruarve po ezauron kapacitetet e tyre. Numri total i shtretërve është 841, ndërkohë që aktualisht raportohet për mbi 600 pacientë të hospitalizuar në Tiranë dhe në rrethe.
Për shkak të nivelit të lartë të alarmit për përhapjen e virusit në masë, pritet që Komiteti Teknik i Ekspertëve që konsiderojë mundësinë e masave të reja shtrënguese.
/a.r