Nga Frrok Çupi
E çmoj Jozefinën, e çmoj se është ajo vetë: Flet keq, s’ta harron inatin, thotë me gojë çfarë i thotë mendja, nuk bëhet lapangjoze për dy lekë, i thotë vetes se është politikane dhe i rri kësaj pune, të vret për Doktorin… Por Jozefina është nga ata pak njerëz që nuk i ndahet shpirti prej një ‘mëngjesi blu’ që mund ta ketë përjetuar një herë të vetme.
Sot kur shpalli kandidatët për deputetë në Tiranë, e pashë Jozefinën si vajzën e çiltër franceze që priste ta përjetonte për herë të dytë ‘mëngjesin blu’. Kë ka në listën e deputetëve për partinë e saj zonja Jozefina Topalli?
Kjo është shumë interesante:
Dy kolonat kryesore ku e mbështet vlerën e kandidatëve, janë këto:
Kolona e parë është modeli Edi Rama.
Kolona e dytë, nostalgjia për Italinë.
Tre nga dhjetë kandidatët e Jozefinës vijnë nga Universiteti i Arteve; janë ose pedagogë, ose punonjës aty rrotull, ose studentë…, boll që të kenë lidhje me ‘Artet’. Këtu Edi Rama ka studiuar, është bërë pedagog, ka zhvilluar më së pari idetë anti- komuniste…, dhe është bërë kryeministër. Duket qartë se kjo pikë nuk i del nga shpirti Jozefinës. Lorenc Radovani, Arben Basha dhe Lek Negri janë përzgjedhur nga ‘Artet’ e Edi Ramës. Nganjëherë Jozi thotë edhe ‘Akademia e Arteve’ edhe pse sot quhet ‘Universiteti i Arteve’, por edhe ky gabim merret si hua nga periudha kur ishte Edi në ‘Akademi’.
Kolona e dytë është Italia.
Jozi, fatmirësisht, e ka pasur syrin nga Italia, që në diktaturë. Ndoshta për arsye fetare se në Itali ndodhet Vatikani, por kjo ‘pasqyrë’ i mbeti gjithnjë para syve. ‘Fleino Muzali diplomuar në Padova për shkenca politike…’; Faranceska Memia ka mbaruar gjimnazin në Itali dhe ka lindur në Itali…’; edhe ‘Dionis Agaj po shkollohet në Itali…’ Këta janë kandidatët, të përshkruar fjalë për fjalë kështu. More, le të mos kenë mbaruar shkollë, le të mos i njohë njeri…. Boll që kanë lidhje me Italinë.
Kjo është çfarë thonë se ‘nuk i ndahet shpirti’ Jozefinës. Fatmirësisht nuk i ndahet shpirti nga gjëra të mira, të pa dëmshme, të pa krim…
Se ka të tjerë, si për shembull, Ilir Metës nuk i ndahet shpirti nga idiotësia, as nga e keqja që i bën shtetit e njeriut. Dje e kanë kapur duke u futur fshehurazi nëpër shtëpi në Vlorë, si bandit. Sot doli në kombinat me pesë a gjashtë ‘çerra’ që protestonte kundër Amerikës pse ngriti lart gjykatësin Dvorani i cili nuk është pajtuar me korrupsionin e Metës. Këtij i ka ngelur shpirti te mizerrabiliteti, dhe është tjetër lloj.
Tjetër lloj është edhe Lul Basha. Këtij nuk i ndahet shpirti nga mashtrimi, nga ‘futja kot’ nëpër takime me njerëz, nga paturpësia që premton ça t’i vijë në mendjen mashtruese. Një nëne që iu ankua se i ka vdekur burri, i tha: ‘e di, e di, po hajde në 25 prill’. U duk se do t’i ngjallte burrin atë ditë prilli. Ky është fare, nuk i ndahet shpirti nga modeli ‘Lul komiku…’.
Por ndryshe Jozefina, që ngjall respekt, edhe pse nuk di politikë. Jozefina është si vajza e ‘mëngjesit blu’ që kthehet aty ku ka përjetuar një herë dikur. Vajza franceze, një herë, tek ishte ngjitur me prindërit në mal, përjetoi sekondën e magjishëm të ndarjes së natës me ditën; dhe ishte një ‘tak’ në atë qetësi bote. Sa herë të tjera, bashkë me shoqe tentoi ta përjetojë përsëri, por qe e pamundur. Jozi është si ajo vajzë, ka disa ‘sabahe blu’; për shembull Sali Berishën, Edi Ramën dhe Italinë. Është bukur, sidoqoftë.
Te lumte dora o burre!