Numri i sulmeve terroriste rritet – por jo të gjitha pjesët e botës janë të prekura në mënyrë të barabartë prej tyre. Shumica e sulmeve kryhen në gjithsej pesë vende. Veçanërisht vrastar është “Shteti Islamik”.
“Së paku njëmbëdhjetë të vdekur në sulmin vetëvrasës në Nigerinë veriore”, “shumë të vdekur në sulmet në Kamerun”,”dy shpërthime në metropolin ekonomik të Nigerisë Kano”- lajme si këto ka pothuajse çdo ditë. Por për shkak të sulmeve të mëdha si ai i Parisit, ato dalin në sfond, nëse mediat botërore raportojnë ndopak lidhur me to. Një gjë është e qartë: sulmet e vogla të panumërta tregojnë se gjurmët e terrorit kanë arritur përmasa të paimagjinueshme.
“Sot kemi një shtrirje të madhe të terrorit”, thotë Rolf Tophoven, ekspert i terrorizmit nga Instituti për Parandalimin e Krizave IFTUS në Esen, “nga Azia Juglindore në Lindjen e Mesme në Afrikën e Veriut deri në qendër të Evropës, në Francë dhe Belgjikë.”
Rritje e viktimave të terrorit
Në fakt numri i viktimave të terrorit është rritur shumë në botë. Siç njoftohet nga “Instituti për Ekonominë dhe Paqen” (IEP) në Sidnej, më shumë se 32,650 njerëz kanë vdekur në vitin 2014 nga sulmet terroriste, shifër që është 80 për qind më e lartë se në vitin 2013. Më të prekur nga terrori janë Afganistani, Iraku, Nigeria, Pakistani dhe Siria. Me “terror” IEP kupton “kërcënimin ose përdorimin e dhunës së paligjshme nga një aktor joshtetëror, që dëshiron të arrijë një qëllim politik, ekonomik, fetar, ose social me anë të frikës, presionit apo kërcënimit”.
Të dhënat e institutit tregojnë rritjen më të madhe të viktimave të terrorit, që është matur ndonjëherë. Sipas Institutit për Ekonominë dhe Paqen vetëm organizatat terroriste “Shteti Islamik” (IS) dhe “Boko Haram” janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e viktimave. Në muajt e fundit ekstremistët e IS kanë hyrë në një të tretën e Irakut dhe kanë pushtuar rreth gjysmën e Sirisë. Qëllimi i tyre: krijimi i një shteti të Sheriatit, rrëzimi i qeverive në rajon, luftimi i SHBA-së dhe çlirimi i Jeruszlemit. Për këtë grupi terrorist duket se përdor çdo mjet.
Betimi për besnikëri për IS
Edhe “Boko Haram”, që do të thotë “edukimi perëndimor është mëkat”, dëshiron të krijojë një shtet islamik. Organizata terroriste afrikane kryen vrasje kryesisht në Nigeri, por edhe atentate në Kamerun dhe në Çadin fqinj. Ajo ka vrarë mijëra njerëz gjatë viteve të fundit. “Boko Haram” u krijua në vitin 2002 në Maiduguri, në kryeqytetin e shtetit Borno në Nigerinë veriore me shumicë myslimane. Në mars 2015 “Boko Haram” u bashkua me IS. Grupe të tjera ekstremiste, për shembull në Sinai dhe në Libi, i kanë shpallur gjithashtu besnikërinë e tyre “Shtetit Islamik”.
IS konsiderohet aktualisht si organizata më e rrezikshme terroriste në botë. Në shumë gjëra ajo i ngjan Al Kaidës. Por “Shteti Islamik” po ndjek një strategji tjetër. Luftëtarët e IS vrasin këdo, që u zë rrugën, edhe myslimanët, që u përkasin besimeve të tjera. Dhuna e papërmbajtur pikërisht kundër shiitëve, është pjesë e planit vrastar të ekstremistëve sunitë.
Vetëm gjatë këtij viti organizata terroriste ka pranuar sulmet vdekjeprurëse në Tunizi, Turqi, Liban, dhe në Paris.
Por edhe Al Kaida vazhdon të jetë një kërcënim i madh, thotë eksperti i terrorizmit Tophoven: “Si të thuash sipërmarrja konkurruese e IS është Al Kaeda e vjetër, qelizat e mbetura të saj vijnë që nga koha Osama bin Ladenit. Por ajo lihet qartë në hije nga i ashtuquajturi “Shteti Islamik”. Po aq brutale është milicia Al-Shabab. Ajo përhap në Somali frikë dhe terror dhe kryen sulme edhe në vendet fqinje si në Kenia. Prej vitesh ekstremistët sunitë luftojnë për të ashtuquajturin shtetin e Zotit në Kepin e Afrikës.
Shtetet e dështuara si terren ushqyes
Shkakun për rritjen e rrezikut të terrorizmit Rolf Tophoven e shikon në të ashtuquajturat shtete të dështuara. “Prej tyre kemi mjaft: shtete afrikanolindore si Somalia, Nigeria, kolapsin e të ashtuquajturës pranvera Arabe”, thotë studiuesi nga Eseni. “Eshtë mungesa e rendit dhe e ligjit në shumë shtete, që krijon papritur një tokë pjellore për rekrutimin dhe indoktrinimin e luftëtarëve myslimanë.”
Tophoven mendon se nuk ka një “rrugë të artë” për të luftuar terrorizmin global. Në lidhje me Sirinë, Tophoven mbron idenë për luftimin e IS me trupa tokësore. “Vetëm në kombinim mes forcës ajrore dhe trupave tokësore është i mundur veprimi efektiv kundër përhapjes së IS.” Vetëm nëse qetësohet politikisht konflikti sirian, mund të ketë një shans për të frenuar IS. /DW