Seanca maratonë e Kuvendit të Shqipërisë të premten e kaluar zgjati deri në orën 02:00 të mëngjesit të së shtunës, atëherë kur deputetët hodhën në votim projektligje dhe disa ndryshime në Kode të rëndësishme të konsideruara “sprovë” për mazhorancën. Kjo pasi për miratimin e tyre duhej të garantohej minimumi 84 vota, pasi kërkojnë shumicë të cilësuar.
Shqiptarja.com ka mundur të zbardhë votimin që deputetet kanë kryer për ndryshimet në Kodin Penal që ashpërsojnë dënimet për biznesmenët që bëjnë evazion fiskal, në projektligjin për trajtimin dhe kompensimin e pronës, si dhe në projektligjin për hetimin ndërkombëtar të CEZ.
Kodi Penal, mazhoranca e plotë pa Blushin, Dule kundër
Për ndryshimet në Kodin Penal që lidhen me ashpërsimet në kuadër të luftës kundër informalitetit, mazhoranca ka mundur të sigurojë 84 votat, nga PS, LSI dhe PDIU, deputetët e të cilave kanë votuar pro. Vangjel Dule i PBDNJ-së votoi kundër, ndërsa Ben Blushi ka abstenuar. Ndryshimet në Kodin Penal kaluan në Kuvend me 84 vota proa, 40 kundër dhe 1 abstenim.
PS ka 61 deputetë, LSI 20 dhe mazhoranca mundi të sigurojë edhe votat e aleatit tjetër, deputetëve të PDIU-së që kryesohet nga Shpëtim Idrizi.
CEZ-i, Braho dhe Mamo “devijojnë” nga vota e mazhorancës
Në projektligjin për hetimin ndërkombëtar të CEZ, kërkuar nga demokratët, bie në sy se ndryshe nga deputetët e tjerë të PS, LSI dhe PDIU që votuan “kundër” për ta rrëzuar këtë draft, Spartak Braho i LSI-së dhe Omer Mamo i PDIU-së kanë votuar “pro”, pra që hetimi ndërkombëtar i CEZ të bëhej. Votave të koalicionit qeverisës i është bashkuar edhe Vangjel Dule i PDIU-së. Ndërkohë, vetë kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe deputeti i partisë së tij Aqif Rakipi kanë abstenuar, ku nuk kanë munguar edhe abstenimet nga disa deputetë të LSI-së. Kjo kërkesë u rrëzua me 63 vota kundër, 52 pro dhe 1 abstenim.
PDIU, Blushi dhe Dule kundër “Pronave”, abstenon Majko
Pavarësisht takimit që Idrizi mbajti me deputetët e tij të premten para seancës, duket se qëndrimi i tyre nuk është unifikuar. Në ligjin për pronat vetë kryetari Idrizi dhe dy deputetët Tahir Muhedini e Aqif Rakipi votuan kundër, e bashkë me ta ishte edhe vota e socialistit Ben Blushi dhe Vangjel Dule i PDIU-së. Bie në sy se për këtë projektligj ka ardhur edhe një abstenim nga deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko. Ky ligj kaloi në seancën maratonë të Kuvendit me 78 vota pri, 44 kundër dhe 1 abstenim. Shqiptarja.com