Zhvillimi i politikave mbi qëndrueshmërinë fiskale dhe mirëmenaxhimi i financave publike në Shqipëri po mbështetet nga Banka Botërore në shumën 80 (tetëdhjetë) milionë dollarë.
Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan për zhvillimin e politikës për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen në Shqipëri”.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se, huaja e synuar është në vlerën e 80 mln USD dhe është një mbështetje buxhetore për Shqipërinë.
“Synimi i kësaj huaje për zhvillim e politikave është të mbështesë përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të Shqipërisë në realizimin e disa objektivave: forcimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike, përmirësimin e financave për rritje dhe rimëkëmbje, si dhe mbështetjen për mundësitë sektoriale kryesore për zhvillim të qëndrueshëm”, theksoi Denaj.
Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj:
Faleminderit e nderuar kryetare e seancës,
Të nderuar deputetë,
Banka Botërore ka ndër funksionet e saj të akordojë fonde për vende të ndryshme, të cilat janë në zhvillim, përgjithësisht nëpërmjet dy formave:
(i) Njëra është një formë tipike ku hua për financim shkon për projekteve të caktuara
(ii) Ndërsa forma tjetër, është hua për mbështetje buxhetore, ku fondet disbursohen dhe përdoren për financimin e shpenzimeve “të përgjithshme” buxhetore të parashikuara në buxhetin e një ose disa viteve buxhetore. Këtë lloj financimi Banka Botërore e akordon duke vendosur si kusht arritjen e një sërë rezultatesh, në kuadër të një reforme në një fushë të caktuar, që është e rëndësishme për vendin.
Huaja në fjalë, i takon pikërisht kësaj forme dhe vjen në mbështetje të politikave të zhvillimit dhe konkretisht Zhvillimin e Politikave mbi Qëndrueshmërinë Fiskale dhe Rritjen Ekonomike në Shqipëri.
Huaja e synuar është në vlerën e 80 mln USD dhe siç e thashë është një mbështetje buxhetore për Shqipërinë, të cilën Banka Botërore ka vendosur të akordojë dhe puna për të ka nisur disa kohë më parë.
Më specifikisht, synimi i kësaj huaje për zhvillim e politikave është të mbështesë përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të Shqipërisë në realizimin e disa objektivave:
a) forcimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike;
b) përmirësimin e financave për rritje dhe rimëkëmbje;
c) mbështetjen për mundësitë sektoriale kryesore për zhvillim të qëndrueshëm.
Tri fushat kryesore të fokusit janë:
(i) rikthimi i ekuilibrave makroekonomikë;
(ii) krijimi i kushteve të rritjes së përshpejtuar të sektorit privat dhe
(iii) forcimi i menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve.
Gjithashtu, ky program do të ndihmojë Shqipërinë në rritjen e ekonomisë digjitale dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore të Shqipërisë, duke përfshirë edhe stimulimin e zhvillimit të modeleve të turizmit që integrojnë komunitetet lokale.
Si parakusht për një rikuperim të qëndrueshëm të ekonomisë, programi ndërtohet mbi tre shtylla.
Shtylla e parë e këtij programi mbështet Shqipërinë në miratimin e reformave kryesore, që forcojnë transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Kjo shtyllë forcon aftësinë e mbledhjes së të ardhurave për të ndërtuar hapësirë fiskale dhe për të ulur borxhin e qeverisë në afatmesëm.
Shtylla e dytë ndihmon në përmirësimin e financave për rritje dhe rimëkëmbje.
Për të financuar investimet e nevojshme me qëllim përmirësimin e modelit të rritjes së ekonomisë shqiptare, kjo shtyllë forcon mobilizimin e kapitalit privat duke kontribuar në rritjen e qëndrueshme të biznesit dhe krijimin e vendeve të punës.
Shtylla e tretë e këtij programi mbështet mundësitë sektoriale për zhvillim të qëndrueshëm.
Qëllimi është të mundësohet krijimi i më shumë vende pune të kualifikuara, duke forcuar vitalitetin dhe qëndrueshmërinë e modelit të rritjes në Shqipëri.
Ky program ka për qëllim të mbështesë ri-orientimin e ekonomisë drejt rritjes së biznesit të gjelbër dhe krijimit të vendeve të punës, siç e thash pak më lart, të kualifikuara.
Në mbyllje të këtij prezantimi dua të sjell në vëmendjen tuaj se:
Së pari, kjo është një hua e bazuar mbi disa reforma të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat, fakti që kemi arritur në këtë pikë do të thotë që, i ka realizuar kushtet e vendosura për të disbursuar huan, është pjesë e parashikuar si një burim financimi në buxhetin e vitit 2021 dhe kushtet financiare që do të merret kjo hua janë; norma e interesit e ulët dhe maturiteti i gjatë.
Sqarova me detaje fokusin e kësaj huaje dhe të këtij instrumenti financiar të një institucioni ndërkombëtar sepse ka ndodhur më parë që, opozita jo-parlamentare ka keqinformuar publikun, sidomos në raport me këtë instrument dhe dua edhe njëherë të ritheksoj se, fakti që jemi në këtë moment, ku ratifikojmë këtë marrëveshje në parlament, do të thotë që, puna e qeverisë Rama është kryer dhe është kryer në të gjithë komponentët e kërkuar nga një institucion ndërkombëtar për të vijuar më tej në mandatin e tretë me rimëkëmbjen ekonomike.
Faleminderit.