Nga Gjirokastra kryeministri Edi Rama tha se grupi i ngarkuar nga Princi i Kurorës saudite ka shprehur interes për investime në Përmet, duke e konsideruar një nga zonat me potencialin më të madh turistik në Shqipëri.
“Grupi i ngarkuar nga Princi i Kurorës ka shprehur shumë interes për të investuar në Përmet. Ata kanë bërë një studim të rajoneve të vendit, dhe sipas tyre Përmeti është një nga zonat me potencialin më të madh të zhvillimit të turizmit për dekadën e ardhshme”, u shpreh kryeministri gjatë bashkëbisedimit në Gjirokastër.
Kreu i qeverisë zbuloi se ata duan të investojnë në një strukturë fermash, por por fillimisht duan të shikojnë terrenin me Durrësin, për të pare sjelljen e burokracisë shqiptare.
“Kur ata flasin për Përmetin, do të çuditeshit nga pasioni me të cilën flasin. Ata duan të investojnë në struktura fermash. Turizëm fermash. Ku njerëzit të mund të vijnë të jenë në një zonë rurale dhe të ndërtojnë aty shtëpi, vila, ndonjë hotel të vogël, por të gjitha të lidhura me fermën dhe traditën e kultivimit të gjithë asaj paketës bujqësore të zonës dhe të gatimit. Duan po ashtu të fusin edhe shfrytëzimin e prodhimeve artizanale, ushqimore e kam fjalën.
Nuk kanë akoma një program konkret, por ata janë të vendosur për këtë. Ata duan njëherë të shikojnë terrenin me Durrësin, si do eci procesi, si do jetë sjellja e burokracisë shqiptare. A do kenë pengesa, a s’do kenë pengesa. Në momentin kur projekti i Durrësit do hyjë në një fazë kur ata ta kuptojnë vendin, Përmeti e ka radhën. Ishte për te qeshur, bëmë një tur kudo, edhe ranë rehat thanë këta qenkan njerëz të urtë. Se ku panë ata që tepelenasit dhe gjirokastrit s’janë të urtë”, tha Rama.
g.kosovari