Një i ri 27 vjeç, është arrestuar nga Policia e Tiranës me akuzën e “Përndjekjes” dhe “Falsifikimit kompjuterik”.
Në kuadër të operacionit të koduar “Takimi”, ka rënë në pranga shtetasi me iniciale, I.P., i cili kishte hapur 13 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave ka kryer dhe veprimet kriminale.
Mësohet se ky shtetas, përmes mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale, ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme një vajzë në qytetin e Tiranës, me të cilën ka realizuar dhe një takim, duke u prezantuar me të dhëna të rreme.
Policia thotë se gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e të riut, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular i markës ‘iPhone’.
Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.
/a.r