U mblodh sot Komisioni i Posaçëm Parlamentar për gjetjet e Raportit të Dick Marty-it.
Kryetari i Komisionit Ulsi Manja bëri me dije se janë dorëzuar dokumentacionet e kërkuara nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Jashtme. Po ashtu Manja deklaroi se janë depozituar edhe dy dokumente sekrete nga SHISH dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
“Janë depozituar 2 dokumente sekrete nga SHISH dhe Ministria e Jashtme. Është dorëzuar dokumentacioni i kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme. Kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Jashtme”, deklaroi Manja.
Ndërkaq Klodilda Bushka tha se në fakt kanë ardhur dokumente voluminoze që do të kërkojë kohë dhe punë në shqyrtimin e tyre.
Manja ka theksuar më herët se ky nuk është një komision hetimor, por një komision parlamentar i përkohshëm me afat 3 mujor.
“Kuvendi ka adresuar ngritjen e këtij komisioni, objekti i punës është i përcaktuar, ka të bëjë me sjelljen e institucioneve shqiptare se si e kanë zbatuar ligjin e miratuar në vitin 2012 apo se si është interpretuar raporti i Dick Marty. Ligji 53 i vitit 2012 i hapte rrugë bashkëpunimit me Eulex për të verifikuar të dhënat e raportit të Dick Marty. Secili nga kolegët është i ftuar, këtu të mos administrohen vetëm dokumentacione, por nëse çmohet e domosdoshme do ta vlerësojmë nëse do dalim me një raport. Unë mendoj që në mbledhjen e radhës kur të kemi programin dhe kalendarin ta diskutojmë. Fokusi i punës tonë do të jetë zbatimi i ligjit 53 në lidhje me autorizimet që ka dhënë kuvendi”, do të shprehej Manja.
g.kosovari