Britania e Madhe ka nisur testimin e vaksinimit me doza të firmave të ndryshme. Ekspertët thonë se kombinimi i dozave me vaksina të firmave të ndryshme i mundëson klinikave që dy injeksionet t’i kryejnë brenda afatit të parashikuar, teksa shumë vende po përballen me mungesë furnizimesh nga firma të ndryshme farmaceutike.
Po ashtu, virologët janë të mendimit se përzierja e dozave mund të krijojë mbrojtje me efektshmëri më të lartë ndaj koronavirusit. Provat do të kryhen tek rreth 800 vullnetarë të moshave mbi 50 vjeç, por qeveria britanike thotë se nuk ka gjasa që kjo metodë të praktikohet para stinës së Verës.
Dy dozat nga vaksina të ndryshme do të merren brenda një periudhe kohore nga 4 deri në 12 javë. Kombinimi i planifikuar është ai mes vaksinave Pfizer e Astra Zeneca. Dy vaksinat kanë metodologji të ndryshme për vendosjen në alarm të sistemit imunitar.
Vaksina Pfizer përdor pjesë të përpunuara të kodit gjenetik të Covid-19 për të sinjalizuar qelizat imunitare. Për të njejtin qëllim, Astra Zeneca përdor variante të dobësuar të viruseve që shkaktojnë ftohjen e zakonshme.
Pritet që në një tjetër fazë të përfshihen në prova edhe vaksina të tjera.
/a.r