Nga Flogert Muça
Lulzim Basha doli ditën e sotme dhe në më pak se 10 minuta bëri prezantimin e programit të tij për Shëndetësinë. Ashtu si në të gjitha daljet e tij, ku e vetmja gjë që nuk mungon kurrë është cektësia e argumentit, Lulzim Basha edhe këtë herë nuk ka folur për menaxhim krize, as për reforma thelbësore të sistemit. Ka zgjedhur si përherë të flasë për realitete ëndrrash, me shifra të fryra në ekstrem dhe pa një fill bashkues logjik, të përdorura siç është zakoni i Bashës, me një shpërfillje të skajshme të realitetit dhe të vërtetës.
Në një kohë kur e gjithë bota e pranon si një fakt të pakundërshtueshëm, ndikimin që do të ketë pandemia në hartimin e politikave shëndetësore të së ardhmes, Basha i mbyllur në ishullin e tij të SHQUP-it, nuk ka patur asnjë fjalë për të thënë në lidhje me pandeminë, në prezantimin e tij nuk kish gjetur asnjë hapësirë për të dhënë ndonjë ide, qoftë edhe të vagët, të mënyrës se si ai do ta menaxhonte atë.
Sot, askush nuk u habit në fakt. Sepse njerëzit e kanë të freskët në kujtesë, sjelljen e kryetarit të opozitës pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kur kishte shumë për të sulmuar qeverinë, a thua tërmeti hyn tek ato ngjarje që i shkakton kjo e fundit, ndërkohë që për as edhe një moment nuk denjoi t’u bashkohej përpjekjeve të qeverisë në ndihmë të të prekurve. Atëherë, ashtu si sot, zgjodhi atë që di të bëjë më mirë: t’i bjerë shkurt, duke i lënë gjithmonë e më pak kohë punës dhe gjithmonë e më shumë kohë gjumit të tij tashmë proverbial.
Por, pavarësisht ëndrrave të një njeriu që çdo post të mbajtur në këtë jetë ia kanë vënë në prehër të tjerët, realiteti nuk para “u bën zbritje” njerëzve të përgjumur si kryetari i PD. Ai është aty, kokëfortë, me një pandemi e cila sipas parashikimeve të ekspertëve kudo në botë, do të na shoqërojë edhe për disa kohë. E ndërkohë që udhëheqësit seriozë në të gjithë botën, ashtu sikurse dhe qeveria e Shqipërisë, janë duke i bërë llogaritë e projektimit të politikave të së ardhmes duke e konsideruar pandeminë një të dhënë të painjorueshme, Lulzim Basha ka zgjedhur të mos i kushtojë as edhe një resht në programin e tij, një plani mbi mënyrën e përballimit të saj. Gjumi dimëror e ka bërë të harrojë edhe atë planin e famshëm qesharak me pesë pika, 95% e të cilave ishin vënë në zbatim, por Basha vijonte t’i propozonte.
Dhe këtu dalim tek arsyeja përse mund të ndodhë që një kryetar opozite që pretendon të vijë në pushtet, prezanton plane që ngjajnë më shumë të nxjerrë nga fantazia e librave që lexon mbrëmjeve, se sa ide konkrete për të përballuar sfidat me të cilat të përball qeverisja. Dhe kjo arsye mund të jetë e lidhur me… Edi Ramën.
Me sa duket, Lulzim Bashës, sot katër vjet më vonë, nuk i është lëkundur besimi tek aftësitë e Edi Ramës për të qeverisur. Ashtu siç pati besim se kryeministri do të përballonte pasojat e tërmetit, siç u bë dëshmitar Basha vetë dhe të gjithë shqiptarët, se si u mblodhën paratë për rindërtimin, duke tejkaluar edhe pritshmëritë. Ashtu siç kuptoi se kjo u arrit pa u ndjerë fare nevoja e bashkëpunimit të opozitës së Bashës, që në fakt do të ishte normale dhe e mirëpritur në cilindo vend të botës, ashtu edhe tani, Lulzim Basha është i sigurt se Edi Rama dhe qeveria do të menaxhojnë në mënyrën e duhur pandeminë e Covid-19.
I vetëdijshëm se, edhe një herë, si në shumë raste të tjera, ai është i panevojshëm.
Do ishte mire qe ky berishisti gjunash dhe gjithe plehrat rreth tij bashke me lsi te rrinin jashte parlanentit petseri, biles jashte politikes fare!