Dy persona kanë mohuar që të kenë marrë pjesë në vrasjen e Flamur Beqirit mbrëmjen e Krishtlindjeve në Britaninë e Madhe në vitin 2019. Beqiri, i cili njihej edhe me emrin Alex u qëllua në sy të gruas dhe djalit të mitur përpara shtëpisë së tij.
Ai ishte me nënshtetësi suedeze dhe ishte vëllai i Misse Beqirit, një personazh i njohur në Londër. Pretendohet se vrasësi i të riut ka qenë 23-vjeçari Anis Fouad Hemissi. Dyshohet se ai ka udhëtuar për në Britaninë e Madhe 4 ditë para vrasjes. Ai ka mohuar të ketë marrë pjesë në këtë ngjarje kriminale. Ndërkohë vrasja është planifikuar në Copenhagen të Danimarkës.
Po ashtu në lidhje me këtë ngjarje akuzohet edhe 31-vjeçari Tobias Andersson, por ky i fundit i ka mohuar akuzat. Në pranga është vendosur edhe 30-vjeçari Clifford Rollox, i cili më herët ka mohuar gjithashtu akuzat për prishje të vendit të krimit. Një 34-vjeçar tjetër i vënë në pranga për vrasjen, Estevan Alexis Pino Munizaga, nuk ishte i pranishëm në gjyq pasi është në vetëizolim.
Seanca tjetër gjyqësore do të zhvillohet në Mars. Flamur Beqiri ishte rritur dhe kishte jetuar prej vitesh në Suedi përpara se të emigronte në Londër. Policia dyshon se ai u vra për shkak të konflikteve për pazaret e drogës. Kjo pasi në Suedi, Beqiri rezulton me çështje penale për trafik droge. Ai ishte pronar i një shtëpie diskografike.
/a.r