Shënjestra e atentatit të sotëm në Mamurras, ku mbeti i plagosur 60-vjeçari Myslim Lika (ndodhet i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve), është babai i Ilir Likës.
Ky i fundit, është arrestuar si bashkëpunëtor i Eduart Lamajt në vrasjen e dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ngjarje e ndodhur në maj 2020.
Biznesmenët Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan nga një grup prej katër personash në 30 maj të vitit të shkuar në barin e një hoteli në Laç.
Gjatë përplasjes me armë zjarri, mbeti i plagosur Eduart Lamaj, i cili u arrestua disa javë më vonë në një klinikë private në Tiranë, ku kishte shkuar për të kuruar plagën.
Policia arrestoi më pas edhe Ilir Likën, djalin e Myslim Likës që iu bë atentat sot, pasi i riu dyshohet se ishte njëri prej bashkëpunëtorëve të Eduart Lamajt në ekzekutimin e biznesmenëve.
Mësohet se 60-vjeçari Lika, ka marrë tre plumba në trup, dy në krah dhe një në zemër dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën, sipas policisë.
Myslim Lika ishte duke u kthyer nga varrimi i së motrës, e cila kreu një vetëvrasje me armë zjarri dy ditë më parë.
Policia tha se i lënduari është banues në fshatin Gjorm, Kurbin dhe ngjarja sipas bluve ka ndodhur në rrethana ende të paqarta.
Ndërkohë policia ka njoftuar se ka nisur hetimet krehjen e zonës në kërkim të autorëve.
Foto: Ilir lika, djali i 60-vjeçarit të plagosur
/a.r