Kompania AstraZeneca ka deklaruar sërish se i qëndron vendimit të saj që të furnizojë me vaksina në fillim Britaninë e Madhe e më pas vendet e BE. Shefi ekzekutiv i kompanisë, Pascal Soriot, në një deklaratë është shprehur se marrëveshja me Britaninë është firmosur disa muaj para së të nënshkruhej me BE, ndaj dhe furnizimi me vaksina do të ketë dallime.
“Marrëveshja me Britaninë u arrit në Qershor, tre muaj para marrëveshjes me BE. Natyrisht dhe furnizimi me vaksina do të bëhet në kohë të ndryshme”, është shprehur Soriot.
Kompania AstraZeneca ditët e fundit është përfshirë në një debat me zyrtarët e BE, lidhur me vonesa në furnizimin me vaksina.
Një ditë më parë, Komisioneri i Shëndetësisë në BE, Stella Kyriakides, u shpreh e pakënaqur me kompaninë britanike duke thënë se prodhuesi i ilaçeve nuk po i përmbahet kontratës që është firmosur më herët.
Por vetë shefi ekzekutiv i AstraZeneca ka thënë se vonesa e dërgimit të vaksinave ka ardhur si pasojë e problemeve në prodhim dhe sasisë së madhe që kërkohet nga vendet e BE.
BE deri tani ka porositur 300 milionë doza të vaksinës AstraZeneca dhe mund të kërkohen dhe 100 milionë doza të tjera. Vaksina e Oxford-AstraZeneca mund të aprovohet këtë javë nga Agjencia Evropiane e Barnave.
/a.r