Gazetarja Rudina Xhunga komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimet e fundit të aktualitetit në vend. Xhunga u ndal fillimisht te përmbytjet, duke thënë se në këto 30 vite Shqipërisë i është bërë më e keqja. “Shqipërisë i është bërë më e keqja në këto 30 vite. Ne nuk bëjmë asgjë. Ajo që duhet të bëjmë është t’i bërtasim në fytyrë çdo njeriu, se ky vend bëhet me plane. Nuk mund të themi që kjo që po ndodh sivjet është më keq, ka ndodhur edhe më keq. Ne jemi shekuj mbrapa botës. Në këtë vend më shumë shahet, se sa punohet”, tha Xhunga.
Më tej, gazetarja u ndal dhe te përgjimet e antimafias për mafien e Ndragheta-s, ku e përfshirë është edhe Shqipëria, duke thënë se duhet pritur të flasë drejtësia italiane. Mes të tjerash, ajo i bëri thirrje politikës shqiptare që të mos i përdorin përgjimet për akuza ndaj njëri-tjetrit, pasi sipas saj, kjo nuk iu shërben për të fituar elektoratin gri.
“Janë të gjithë duke folur, madje po flasin aq shumë, sa nuk dinë të dëgjojnë. Këtu në Shqipëri fol sa të duash, elektorati është i ndarë dhe e ka fjetur mendjen. Pak e vështirë që kjo histori të ndihmojë që elektorati gri të shkojë në votime. Unë do të doja të isha me ambasadorin italian, që tha se duhet t’ia lëmë drejtësisë të flasë. Unë hyj te njerëzit, se përtej asaj çfarë thuhet, dua të pres të flasë drejtësia italiane. Hyj te njerëzit që do iu thosha atyre, që harxhojnë shumë kohë duke folur, që të kenë pak më shumë respekt për institucionet shqiptare, bankave. Bankat janë institucione të rëndësishme, nuk jemi më në kohën e piramidave. Duhet t’i japim pak më shumë vlerësim opozitës shqiptare, që është një institucion.
Duhet t’i japim besim drejtësisë shqiptare. Po nuk pate institucione, nuk bëhesh kurrë shtet. Këto përgjime dhe mënyra si partitë po ja shpjegojnë njëra-tjetrës, por edhe popullit, nuk i bëjnë mirë askujt. Elektorati gri jo vetëm s’po vendos kë të votojë, por po mendoj ku të iki pasi të mbarojë Covid-i. Kjo është një fushatë skandaloze. Nuk është e vërtetë që çdo gjë është pis në këtë vend. Ne mendojmë që po ka ndonjë vilë është me drogë ose prostitucion. Por kur shkova në Koplik për të bërë një emision për sherbelën, pashë vila dhe pronarët më thanë që i kanë bërë duke mbledhur sherbelë”, u shpreh gazetarja Xhunga./a.p