Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në facebook, lidhur me situatën e krijuar në vend si pasojë e përmbytjeve.
Ndërsa shkruan për dhjetëra shtëpi e biznese të përmbytura, Meta apelon shtetin që t’i garantojë ndihmën çdo qytetari në zonat e përmbytura.
Postimi i plotë:
Vështirë të gjesh sot një rajon në Shqipëri, pa probleme nga reshjet e ditëve të fundit.
Dhjetëra shtëpi, biznese dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke, pronë private e publike, nga Veriu në Jug, janë gdhirë nën ujë, por ndihma e strukturave shtetërore për banorët mungon.
Mbi 10 banesa në Shijak dhe mbi 70 në Sukth 2 e Vadardhë kanë prezencë uji deri në 30 cm.
E njëjta situatë rezulton në Berat ndërsa paralajmërohet një përkeqësim i mundshëm i gjendjes në Qarkun e Fierit dhe të Korçës.
Raportet paraprake flasin për mbi 1500 hektarë tokë të përmbytur në NënShkodër dhe nga shkarkimet e detyrueshme në hidrocentrale situata do të rëndohet.
Sipas IGJEUM priten prurje masive edhe nga Vjosa, që mund të dalë nga shtrati në pjesën fundore duke shkaktuar përmbytje.
Në këtë gjendje të rënduar, nevojitet urgjentisht angazhimi i të gjitha strukturave qendrore e vendore për minimizimin e pasojave në prona dhe shmangien e çdo rreziku për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, Grupet e Kërkim-Shpëtimit e Evakuimit dhe Shërbimet Zjarrfikëse duhet të jenë 24/24 orë në terren pranë qytetarëve në nevojë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit, pa vonesë, duhet të përgatisin ndihmat ushqimore për familjet, që u janë përmbytur shtëpitë.
Ministria e Bujqësisë, menjëherë të dërgojë pranë banorëve në nevojë, bazën aq të nevojshme ushqimore dhe koncentratet për bagëtitë.
Ministrat përgjegjes për Mbrojtjen Civile të vendosin komunikimin konstant me strukturat vendore dhe publikun për parapërgatitje e reagim, për prioritetin absolut: sa më pak dëme në prona e bagëti dhe padiskutim mbrojtje të çdo jete njerëzore.
Të garantohet funksionimi me kapacitet të plotë i hidrovoreve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të monitorojë situatën në të gjitha akset, ku ka potencial rrezikshmërie për rrëshqitjen e tokës, me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të marrë masa urgjente për hapjen e çdo segmenti të bllokuar nga dëbora.
Të raportohet periodikisht për situatën dhe të vlerësohen me shumë seriozitet paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si i vetmi organ, që meriton vlerësime për përmbushjen me përgjegjësi të detyrës. 🇦🇱