Një person është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në Vlorë. Ai ka shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe aty është vënë policia në lëvizje
Një mjet në lëvizje ka qëlluar mbi Marjon Mitro dhe plumbat e kanë kapur në këmbë.
Ai është arrestuar më parë për akuzën e “Akteve Terroriste” dhe se ishte anëtar i bandës së vrasësve me pagesë të Julian Sinanajt.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 10:00, në spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur (dyshohet me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta), shtetasi M. M., banues në Vlorë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë krehjes së zonës, në aksin rrugor Vlorë- Selenicë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur i markës “Land Rover”, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit të ngjarjes.
Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./a.p