Nga Alba Malltezi
Ish-ministra drejtësie, që shkatërruan drejtësinë, frymëzohen nga fjali mafiozësh, trafikantësh e mashtruesish italianë, për të na treguar se “duan drejtësi”. Gazetarë që ushqyen, u bënë zëdhënësa të sistemit “gjingjon” në drejtësi, që zhdukin e sjellin kaseta me fjalë e mesazhe të krimit në cdo televizion, bëjnë sot moral. Ish-doganierë, ish-tatimorë, ish-gjykatës, gazetarë e analistë që nuk kanë një fjalë të vetme publike në këto vite kundër drejtësisë së vjetër në Shqipëri, por vetëm kundër reformës për ta ribërë atë, kërkojnë edhe këtë herë mes rreshtave të punës së të tjerëve, (gazetarëve, prokurorëve dhe hetuesve të talentuar Italian), Drejtësi!
Ata që sollën Prudentinon këmbëkryq në Vlorë e Tiranë, ata që nuk panë kur njerëzit u vranë, ata që nuk panë kolegun që u plagos, që nuk panë se si një shtet i tërë zhdukte kamera sigurie e filmime me vrasje në Bulevard, se si u tjetërsuan e u grabitën prona anembanë, sot kërkojnë Drejtësi. Bëjnë mirë. Asnjëherë nuk është vonë! Por edhe këtë herë manipulojnë.
Devijojnë, jo për të sjellë qartësi dhe drejtësi, pasi atyre nuk iu intereson të hetojnë, apo gjurmojnë krim e pasuri, por vetëm ta përvetësojnë. Iu intereson vetëm të sulmojnë, njollosin e të përfitojnë. Kërkojnë që drejtësia të veprojë vetëm për armiqtë e tyre politikë, jo për miqtë. Të përfitojnë ata, jo Shqipëria që vuan nga një sistem mafioz kronik në drejtësi e që me mundim, vështirësi, me pengesa cnjerëzore po kërkon ta ringjallë.
Sa do ta ëndërronte Riina e Provenzano një sistem drejtësie si ky që na gatuan në këto 30 vite liri në Shqipëri. Sa do të donin që provat e tyre të zhdukeshin sic u zhdukën në 30 vite provat e krimeve, por jo të pasurive, të njerëzve të drejtësisë dhe të politikës shqiptare që vazhdojnë përmes luksit të jenë sfidues e shpërfillës në sytë e cdo shqiptari.
Italia ka mafian, por ka dhe antimafian, ka Ndraghetën, por dhe njërëz të përbetuar, djem e vajza që e përndjekin këmba këmbës, që gjurmojnë fakte dhe pasurinë, mbushin mijëra faqe me dëshmi, prova dhe i arrestojnë. Djem e vajza që janë vrarë duke ëndërruar drejtësi. I cojnë pas hekurave dhe në gjykatë. Italia ka gazetarë që vërtetë investigojnë e nuk bëhen vetëm si kuti postare të krimit, politikanëve të korruptuar apo ish-kryeprokurorësh që shkatërruan çdo gjë.
Këta tanët, provat i varrosin si të ishin varrëmihësit më të mirë dhe bëjnë sikur, pa lexuar dhe pa kuptuar sepse thjeshtë nuk duan ta bëjnë, indinjohen e protestojnë. Sa marrin apo lenë një ministri, një arkiv, një institucion, kujdesen të shkatërrojnë, të fshehin, të mbulojnë dhe sot thërrasin: Ndrangheta, ndrangheta në Shqipëri! Çfarë duan të mbulojnë kur bërtasin kaq fort pikërisht në një terren ku ka fare pak, ose gati asgjë?
Nëse ka një moment të vetëm që djem e vajza shqiptare, policë, prokurorë, gjykatës e cdo kancelar i drejtëisë mund të nisë të punojë, ky moment nuk ishte dje, nuk është ende sot, por vetëm nesër mund të nisë të funksionojë, kur të ndjehet i lirë nga sistemi më i tmerrshëm mafioz i instaluar ndonjëherë në institucionet e një shteti.
Kërkojnë disa që bërtasin kaq fort sot gjysfjali të Ndraghetës e të mafias italiane në më të fundit hetim, kur kupola e mafias më të rrezikshme që liroi vrasës e trafikantë për 30 vite në Shqipëri, ishte ulur këmbëkryq në Drejtësi. Po deri dje, askush nuk e pa, pakkush e tha. Gojëmbyllurit ishin dhe janë ata./ Shqiptarja.com