Burri ka rezultuar pozitiv me koronavirus, por gruaja e tij nuk është infektuar edhe pse ata jetojnë në një shtëpi dhe çdo ditë ajo kujdeset për bashkëshortin e saj.
Raste të tilla janë raportuar shpesh në të gjithë botën, madje edhe në Shqipëri. Kjo ka bërë që mbi 250 laboratorë në të gjithë botën të hetojnë për këtë, të koordinuar nga universiteti “Rockefeller” në Nju-Jork.
“Së pari, ne u përqendruam te personat e sëmurë rëndë dhe zbuluam se ka 10-12% të rasteve që kanë një karakteristikë të veçantë gjenetike, të cilët nuk janë në gjendje të prodhojnë interferon, e cila është molekula e parë mbrojtëse”, u shpreh Giuseppe Novelli, nga poliklinika Tor Vergata në Romë dhe president i Fondacionit Giovanni Lorenzini, në Milano.
Duke u nisur nga këto prova, studimi kaloi edhe në ndryshimet e tjera gjenetike që sjellin rezistencë ndaj virusit, ata që kanë imunitet natyror ndaj Covid-19.
“Imuniteti nuk krijohet vetëm nga antitrupat”, shpjegon Roberto Luzzati, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Triestes për “Messaggero.
“Ekziston gjithashtu edhe i ashtuquajturi imunitet qelizor. Në këtë rast është thelbësore të studiohen limfocitet. Ne kemi të ashtuquajturin imunitet të ndërmjetësuar nga qelizat në të cilën hyn në lojë sistemi imunitar qelizor, i cili mund t’iu mbrojë shumë herë më gjatë se antitrupat që mund të zhduken”, tha ai./a.p