Ndryshimi i rrugës teksa po largohej nga një hotel në Pukë ka ngritur dyshime të hetuesit që po përpiqen të zbardhin misterin e zhdukjes së biznesmenit italian Davide Pecorelli. Burime pranë këtij grupi i thanë Tv Klan se 45-vjeçari qëndroi për dy netë në një hotel në zonë, para se të zhdukej mesditën e 6 Janarit. Gjatë kësaj kohe, nuk ka të dhëna se është takuar me ndonjë person dhe ka qëndruar i vetëm. Kjo edhe sipas dëshmitarëve në hotel dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë.
Por kur po largohej nga zona italiani zgjodhi një rrugë të vjetër, pranë fshatit Gjegjan. Gjatë kohës që ishte duke lëvizur, GPS në makinën Skoda ka treguar se automjeti kishte defekt. Kjo sipas të dhënave që hetuesit kanë marrë në kompaninë që e lëshoi makinën me qira pranë Aeroportit të Rinasit.
Nga ky moment Davide Pecorelli nuk ka pasur më asnjë kontakt dhe nuk dihet nëse doli nga makina pasi mori zjarr apo jo. Eshtrat e gjetura brenda automjetit po verifikohen nëse janë të 45-vjeçarit. Në zonë rezulton se nuk patur biznese që mund të ndihmonte hetuesit nëpërmjet kamerave të sigurisë.
Në automjet janë gjetur disa sende të Davide Pecorellit, mes tyre edhe ora e tij. Nga mbetjet kockore pritet të identifikohet nëse ato i përkasin biznesmenit nëpërmjet analizës së ADN-së. Kohët e fundit ai kërkonte të shtrinte aktivitetin në fushën e kozmetikës në zonën e veriut të vendit.
/a.r