Në fjalën e tij në Kuvend Rama tha se në marrëveshjen me Pfizer që do të miratohet në Kuvend është parashikuar edhe mundësia për të porositur sasi të tjera vaksinash direkt në kompani.
“Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe faktikisht e la fatin e vaksinimit të rajonit të Ballkanit në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale. Përjashto Serbinë dhe Shqipërinë asnjë nuk ka filluar vaksinimin. Të gjitha vendet e rajonit prej kohësh kanë parapaguar për të pasur akses përmes COVAX, një platformë për të gjithë por që ende nuk është hapur. Ende nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX.
Ne e kemi ndeshur në vet të parë vështirësinë. Ka një element që duhet pasur parasysh që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar, shitur apo shkëmbyer duhet patjetër që të marrin leje nga Pfizer. Ndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu shkruhet edhe në marrëveshjen që ne sapo kemi konkluduar. Sipas marrëveshjes në parim do të vijë brenda janarit dhe pastaj shkallë shkallë mund të porosisim sasi të tjera edhe drejpërdrejt nga Pfizer, mëqe e kemi dakorduar edhe në marrëveshje. Ky është një proces që ka të papriturat e veta”, tha Rama, i cili nënvizioi se objektivi është përfundimi i vaksinimit për 14 muaj./a.p