Kunati i kreut të opozitës, Lulzim Basha, ka paditur për shpifje dhe fyerje kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Shtetasi Erion Isufi e ka depozituar padinë e tij në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin dhe Organizuar.
Në padinë e tij, Isufi ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme të shpallë fajtor Veliajn për akuzat që ky i fundit se pala paditëse zotëronte katër vila dhe i kishte përfituar ato gjatë përiudhës së pandemisë, duke fshehur qëllimisht të vërtetën rreth kësaj çështjeje.
Motivi që Isufi pretendon se e ka shtyrë Veliajn, si drejtues i fushatës së PS-së në Tiranë, të hedhë akuza të tilla me qëllim që të dëmtojë perceptimin e publikut për viktimën e akuzave si familjar i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një konteiner për familjet e tërmetit.
U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, tha Veliaj, çka e shtyu Isufin të padisë kryebashkiakun e Tiranës./a.p