Nga Erion Hiluku
Edi është shok i vjetër i fëmijërisë, i cili përveç aftësisë e të mos kuptuarit të kohës që kalon me të, si në kafen që më duket se kishim porositur, ka edhe aftësinë e observuesit sublim, saqë të ngrin gjakun. Më tregoi në kafe e sipër, se si i gjendur në një jetimore, ngriti dorën për t’i përkëdhelur kokën një fëmije që iu afrua. Fëmija u shpërfytyrua, u kruspullos, ngriti krahun dhe pëshpëriti, -mos të lutem!
Edi u trondit edhe njëherë kur e tregoi! Akoma ekzistokan institucione shtetërore që marrin përsipër “kujdesin” e jetimëve. Ajo jetimorja fashiste e “Lulkuqeve mbi mure” është parajsë në krahasim me këto.
Nga skandali në skandal, nga tmerri në tmerr, e prapë hapur. Historitë e dhunimeve verbale, fizike e të përdhunimeve na e kanë zënë darkën në fyt aq herë saqë askush nuk i harron. Por këto institucione janë fytyra e vërtetë e shoqërisë sonë, flotojnë e duken se dhimbja është përtej imagjinatës: janë si burgu i Spaçit, ku bëhej nami, ndërkohë që tmerr ishte gjithë Shqipëria.
Sa del një skandal, ku pacienti është trajtuar në mënyrë çnjerëzore, është braktisur e lënë pa ngrënë që të mos dalë jashtë në shtrat, shkarkohet pastruesja. Në atë jetimoren u shkarkua roja. Kështu i bie që institucionet tona ekzistojnë vetëm që të mbahen me rroga e fonde drejtuesit, e këtu janë jetimorja, spitali, burgu, ushtria apo universiteti. Ky është realiteti ynë social, kështu jetohet në Shqipëri, si ata gjermanët e mbuluar me hirin e Auschwitz-it, “pa ditur gjë”.