Italianët e kanë pagëzuar si “gjyqi i madh”. Mbi 350 pjesëtarë të dyshuar të një prej organizatave më të fuqishme mafioze në vend, Ndrangheta, dalin përpara gjykatësve në një prej proceseve më të mëdha gjyqësore në dekada.
Më shumë se 900 dëshmitarë pritet të thonë fjalën e tyre dhe në listën e akuzave përfshihen vrasje, trafikim droge, zhvatje dhe pastrim parash. Gjyqi që nisi të mërkurën, pritet të zgjasë më shumë se dy vjet dhe do të mbahet në një godinë të modifikuar posaçërisht në rajonin jugor të Kalabrisë, zemra e territorit të Ndrangheta-s.
Ndërtesa në qytezën e Lamezia Terme, dikur një “call center”, është kthyer në një gjykatë të fortifikuar për të mundësuar pjesëmarrjen e qindra personave që me gjasë do të ndjekin procedurat. Asnjë gjyq mafioz i të tilla përmasave nuk është mbajtur në Itali që prej viteve 80-të. Ndryshe nga procesi i fundit, që zgjati nga 1986 deri në 1992 e pati në shënjestër pjesëtarët e një sërë familjesh të Cosa Nostras në Sicili, gjyqi i nisur të mërkurën fokusohet te vetëm një grup, familja Mancuso, e cila përbën një segment të fuqishëm të Ndragheta-s, famëkeqe.
Edhe pse Ndragheta është tani më e madhe se Cosa Nostra, klani Mancuso operon kryesisht në provincën kalabreze të Vibo Valentia. U deshën më shumë se tre orë për leximin e të gjithë të akuzuarve në një seancë paraprake, dhe mes tyre përfshihen politikanë, efektivë policie e nëpunës civil. Emri i profilit më të lartë është bosi i pretenduar i klanit, Luigi Mancuso, i njohur ndryshe si “kumbari”.
Të dyshuar të tjerë do të thërriten me pseudonime, të tillë, si “ujku”, i “trashi” apo “bjondi”. Shumica e të akuzuarve janë kapur përmes operacioneve blic në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari në dhjetor të 2019-tës.
/a.r