Samiti “Një Planet”, një ngjarje e organizuar nga Franca në partneritet me Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore u zhvillua në Sallën e Pritjes së Pallatit Elysee në Paris, më 11 janar. Rreth 30 udhëheqës, zyrtarë qeveritarë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtarë morën pjesë në këtë ngjarje përmes lidhjeve me video për shkak të pandemisë COVID-19.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri thirrje për përpjekje më të mëdha në mbrojtje të biodiversitetit dhe të klimës.
Duke iu drejtuar udhëheqësve botërorë në Samitin “Një Planet”, shefi i OKB-së tha se procesi i rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit mundëson “ndryshimin e kursit dhe vendosjen e njerëzimit në një rrugë në të cilën nuk bie ndesh me natyrën”, ndërsa kërkoi më shumë përpjekje nga të gjithë për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të rritur veprimin e klimës.
Zëvendëskryeministri kinez Han Zheng u bëri gjithashtu thirrje të gjitha vendeve të bëjnë përpjekje të përbashkëta dhe të shpejta për të nxitur më tej ndërtimin e një të ardhme të përbashkët për jetën në Tokë.
Duke vënë në dukje se këtë vit Kina do të presë takimin e 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës mbi Diversitetin Biologjik (COP15) në Kunming dhe do të hartojë kornizën e biodiversitetit pas vitit 2020 për të hartuar një plan për ruajtjen e biodiversitetit në 10 vitet e ardhshme, Han tha se të gjitha palët duhet të punojnë së bashku dhe të veprojnë shpejt për të siguruar që konferenca të arrijë rezultate pozitive.